7. Araf · Ajeti 42 · Tefsir
Shënimet shpjeguese të Sherif Ahmetit (Kurani me Komentim) 7:42–7:51
Ata që besuan dhe bënë vepra të mira, Zoti i fut në xhennet, më parë i pastron prej veseve, të cilat i praktikonin në dynja si: zilinë, urrejtjen, mëninë etj. Ata falënderojnë Zotin që u mundësoi ta kuptojnë të vërtetën, të shkojnë pas mësimeve të pejgamberëve dhe që me pak punë dhe me punë të lehtë i shpërbleu me xhennet.
Është karakteristikë se në këtë kaptinë përmenden tri grupe: një në xhennet, një në xhehenem dhe një as në xhennet, e as në xhehenem, por në njëfarë vendi të lartë ndërmjet xhennetit e Xhehenemit, nga i cili vend i shohin dy palët. Ai vend quhet A'raf.
Si duket ata të A'rafit janë njerëz që kanë baras sa sevabe aq gjynahe, nuk kanë fituar xhennetin, por as edhe xhehenemin. Kur i shikojnë ata në xhennet, i përshëndesin dhe u urojnë, e kur u shkojnë sytë te ata në xhehenem, e lusin Zotin të mos i çojë aty. Ata i njohin banuesit e xhehenemit dhe u thonë: as pasuria, as krenaria juaj në dynja nuk u solli kurrfarë dobie derisa u vendosët në xhehenem. Madje u thonë: qe, ata besimtarë me të cilët u përqeshët e fituan xhennetin. Atyre i në xhehenem u del flaka nga etja, kërkojnë prej atyre në xhennet t'u japin pak ujë ose lëngje të tjera, kërkon njeriu prej vëllait e babait, por ato janë haram për mohuesit e fesë - besimit.
Tefsiri i shkurtuar i Ibn Kethirit (Tejsir el-Alijj el-Kadir) 7:42–7:43
Pasi përmendi gjendjen e të dëshpëruarve dhe të dënuarve, Allahu i Lartësuar flet për gjendjen e fatlumëve. Ai thotë: - Kurse ata që besojnë dhe bëjnë vepra të mira... - Ata kanë besim të sinqertë dhe të saktë në zemrat e tyre, kurse gjymtyrët e tyre nënshtrohen të bëjnë vepra të mira. Më pas, i Lartësuari thekson se imani dhe puna sipas tij është diçka e thjeshtë dhe lehtësisht e arritshme. Ai thotë: - dhe Ne nuk detyrojmë njeri përtej mundësive, - ata janë banorë të Xhenetit, ku do të jenë përgjithmonë. - Domethënë, kjo është brenda mundësive të çdo njeriu.
- Ne do t’ua heqim urrejtjen (dhe armiqësinë) nga zemrat... - Kuptimi: Ua kemi pastruar zemrat nga smira dhe urrejtja. Në Sahih-un e Buhariut është hadithi i Katades, që vjen me senedin e tij nga Ebu Seid el Hudriu, se Profeti i Allahut ka thënë: 1192. “Kur besimtarët të shpëtojnë nga Zjarri, do të tubohen në një hapësirë mes Xhenetit dhe Zjarrit. Atje do të mbahet llogaria për çdo çështje të pazgjidhur mes tyre në dynja. Pasi të pastrohen e çlirohen nga çdo padrejtësi, u jepet leje për të hyrë në Xhenet. Betohem në Atë në dorën e të Cilit është shpirti im! Çdokush nga ata e di mirë vendin e t ij në Xhenet, më mirë sesa njohin vendin (shtëpinë) e tyre në këtë dynja.” - ndërsa poshtë tyre do të rrjedhin lumenj. Ata do të thonë: “I lavdëruar qoftë Allahu, i Cili na udhëzoi për këtë (lumturi). Ne kurrë nuk do të dinim ta gjenim udhëzimin, sikur të mos na drejtonte Allahu. Vërtet, të dërguarit e Zotit na e sollën të vërtetën!” - Nesaiu dhe Ibn Merde uejhi sjellin një hadith nga Ebu Bekër Ibn Abasi, me senedin e tij nga Ebu Hurejra, se Profeti i Allahut ka thënë: 1193 . “Çdo banor i Xhenetit ka për ta parë vendin e vet në Zarr dhe do të thotë: ‘Sikur të mos më udhëzonte Zoti, ky do të ishte vendi im!’ Kjo do të ngjallë tek ai mirënjohje të thellë për Zotin. Çdo banor i Zjarrit ka për ta parë vendin e vet në Xhenet dhe do të thotë: ‘Sikur të më udhëzonte Zoti, ky do të ishte vendi im!’ Dhe kjo do të sjellë tek ai dëshpërim të thellë.” Kështu, kur (xhenetlinjve) u jepen në Xhenet vendet e banorëve të Zjarrit, atyre u thuhet: - Dhe ata do të dëgjojnë thirrjen: “Ky është Xheneti, të cilin e trashëgoni si shpërblim të veprave tuaja (të devotshme)”. - Kuptimi: Për shkak të veprave tuaja, ju përfshiu mëshira e Allahut dhe vetëm me mëshirën e Tij hytë në Xhenet! Ndërsa me punët tuaja, ju merituat gradat e ndryshme në Xhenet. Ky është kuptimi i saktë i ajetit, duke u bazuar në hadithin e saktë, që vjen në dy Sahih-ët, ku Profeti i Allahut thotë: 1194. “Dijeni se askush prej jush nuk do të hyjë në Xhenet me punën e tij.” - “As ti, o i Dërguari i Allahut?” - e pyetën. “As unë, - tha ai, - vetëm nëse Allahu më përfshin me mëshirën dhe mirësinë e tij.”
Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman) 7:42–7:43
Pasi përshkroi gjendjen e të pabindurve dhe zullumqarëve, Allahu i Lartësuar na tregon për shpërblimin e të bindurve dhe vepërmirëve: - “Kurse ata që besojnë dhe bënë vepra të mira...” - Domethënë, ata që besojnë me zemër dhe bëjnë vepra të mira të dukshme, ata që janë të kujdesshëm në kryerjen e detyrimeve dhe largimin nga haramet. Nocioni “vepra të mira” përmbledh të gjitha llojet e punëve të mira, të detyrueshme apo të pëlqyeshme qofshin ato. Por, shpeshherë, disa vepra të mira mund të jenë jashtë mundësive të njeriut, prandaj i Lartësuari thotë më pas: - “- dhe Ne nuk detyrojmë njeri përtej mundësive, -” - Allahu i Lartësuar nuk
ngarkon asnjë tej mundësive dhe aftësive me të cilat e ka pajisur. Ky parim vlen për të gjitha ligjet e Tij. Sigurisht, çdo dispozitë që Zoti ka vendosur për robërit e Tij është brenda mundësive të tyre për ta zbatuar. Për këtë arsye, ata duhet të përpiqen sinqerisht me të gjitha mundësitë për të zbatuar çdo porosi të Zotit dhe të Profetit të Tij. Nëse ndodh që, ndonjëherë, për shkaqe të ndryshme, ndonjë porosi të tejkalojë mundësitë e njeriut, ai është i justifikuar tek Allahu i Lartësuar, i Cili thotë: "Allahu nuk e ngarkon asnjë përtej mundësive të tij: ai (robi) do të marrë atë çfarë ka fituar dhe do të ketë kundër atë çfarë ka merituar." El bekare 286. Dhe thotë: "Allahu nuk ngarkon asnjë më tepër se sa i ka dhënë. Pas vështirësisë, Allahu sjell lehtësim." El talak 7. Dhe thotë: " .... nuk ju obligoi në fé me ndonjë vështirësi." El haxh 78. Dhe thotë: "Bëhuni të devotshëm ndaj Allahut sa të mundeni, dëgjoni, binduni dhe shpenzoni për bamirësi! Kjo është në të mirën tuaj. Kush i ruhet koprracisë së vetes, është i shpëtuar." El tegabun 16. Kështu, nuk ka detyrim në rast pamundësie dhe nuk ka haram në raste domosdoshmërie. - “...ata janë banorë të Xhenetit, ku do të jenë përgjithmonë.” - Ata që besojnë dhe bëjnë vepra të mira do të jenë banorë të Xhenetit, ku do të jetojnë përgjithmonë. Ata nuk kanë për t’u larguar më prej tij dhe nuk kanë për të kërkuar a pëlqyer diçka tjetër veç tij. Ata nuk do të dëshirojnë kurrë të largohen nga ai vend, për shkak të shumëllojshmërisë së begative dhe mirësive, të cilat i tejkalojnë të gjitha përfytyrimet dhe dëshirat e tyre. Askush nuk ka mundësi që të synojë dhe ëndërrojë diçka më të përkryer se mirësitë dhe kënaqësitë që gjenden në Xhenet. - “Ne do t’ua heqim urrejtjen (dhe armiqësinë) nga zemrat, - Kjo tregon bujarinë dhe bamirësinë e madhe të Allahut të Lartësuar mbi banorët e Xhenetit. Urrejtja, smira dhe armiqësia që mbajnë zemrat në këtë botë, nuk do të ekzistojnë më në Xhenet. Allahu i Lartësuar ka për t’ua pastruar zemrat nga të tilla sëmundje dhe ata do të jenë vëllezër të dashur dhe miq të sinqertë, sikurse thotë Allahu i lartësuar: " Dhe Ne do të heqim prej zemrave të tyre çdo ndjenjë urrejtjeje e ata do të jenë si vëllezër në shtretër dhe përballë njëri-tjetrit." El hixhr 37. Madje, jo vetëm që i pastron zemrat nga të tilla sëmundje, por edhe krijon brenda tyre ndjenja fisnike dhe dashamirësie, aq sa secili prej tyre do të arrijë një nivel të papërshkrueshëm të kënaqësisë, gëzimit dhe lumturisë. Gjithësecili do ta shohë veten në kënaqësinë dhe lumturinë më të madhe, duke ndjerë se askush tjetër nuk i ka mirësitë që gëzon ai. Banorët e Xhenetit do të jenë të pastër nga urrejtja nga zilia, sepse edhe shkaktarët e tyre nuk do të ekzistojnë. - “...ndërsa poshtë tyre do të rrjedhin lumenj.” - Banorët e Xhenetit do t’i bëjnë këta lumenj që të shpërthejnë dhe të rrjedhin ku dhe kur të dëshirojnë ata. Nëse dëshirojnë që lumenjtë të rrjedhin brenda kështjellave të tyre, në dhomat e larta dhe të zbukuruara apo mes kopshteve të bukura plot gjelbërim dhe lule, ashtu do të ndodhë. Numri i lumenjve nuk është i kufizuar, ashtu si edhe mirësitë që ata do të përjetojnë. - Ata do të thonë: “I lavdëruar qoftë Allahu, i Cili na udhëzoi për këtë (lumturi). - Sigurisht, ishte mirësia dhe bujaria Allahut që na zbukuroi dhe na e bëri të dashur imanin për zemrat tona, prandaj ato u nënshtruan dhe u mbushën me dashuri, shpresë dhe frikërespekt për Allahun e Lartësuar. Këto zemra të mbushura me këto ndjenja të mrekullueshme, të dhuruara nga i Lartësuari, i nënshtruan trupat e tyre për të bërë ato vepra që Zoti i përcaktoi si të vetmen rrugë për të arritur kënaqësinë dhe Xhenetin e Tij. Falënderimi, lavdia dhe mirënjohja e plotë i qofshin Allahut të Lartësuar, që, me mëshirën dhe bujarinë e Tij, na dhuroi këtë besim! Pasi na fali imanin, Allahu i Lartësuar e ruajti atë dhe u kujdes që ne të vazhdojmë të bëjmë vepra të
mira. Është, pa dyshim, përkujdesja e Tij e vazhdueshme, plot mëshirë e butësi, falje dhe bujari, ajo që na solli në këtë vend të mirësive të përjetshme. Sa Zot i mirë dhe bujar është Zoti ynë, i Vetmi që meriton adhurimet tona! Ishte Ai që na zgjodhi dhe na dhuroi mirësitë e Tij, para se ne të shprehnim mirënjohjen për to. Ai na mbuloi tërësisht me mirësi të dukshme dhe të padukshme, aq sa askush nuk mund t’i numërojë dhe përkufizojë ato. Allahut i qoftë falënderimi, lavdia dhe mirënjohja e plotë, që na udhëzoi në këto mirësi! - Ne kurrë nuk do të dinim ta gjenim udhëzimin, sikur të mos na drejtonte Allahu. - Kuptimi: Shpirtrat tanë nuk ishin të denjë dhe të aftë për ta përqafuar këtë udhëzim, sikur të mos ishte mëshira dhe bujaria e Allahut të Lartësuar ndaj nesh. Ai na bëri të denjë për ta ndjekur udhëzimin e Tij dhe për të pasuar profetët dhe shpalljet e Tij. - “Vërtet, të dërguarit e Zotit na e sollën të vërtetën!” - Ata i thonë këto fjalë në momentin kur shijojnë mirësitë dhe begatitë për të cilat kanë lajmëruar profetët e Zotit. Tashmë, në Xhenet ata arrijnë sigurinë e plotë për realitetin e paralajmëruar. Në jetën e kësaj bote, nëpërmjet shpalljeve të Zotit, ata arrijnë shkallën e besimit “ ilmul jakin”, domethënë sigurinë që të fal shpallja e Zotit dhe mësimet e Tij. Në ato çaste të lumtura ata shprehin kënaqësinë dhe mirënjohjen e plotë për Allahun e Lartësuar e për plotësimin e çdo premtimi që Ai ka dhënë nëpërmjet profetëve. Tashmë, o Zoti ynë, - do të thonë ata, - ne e shohim se çdo premtim që na i dhe nëpërmjet profetëve dhe të gjitha shpalljeve që ti i solle nëpërmjet tyre ishte i vërtetë. Në të tilla momente, duke i uruar dhe nderuar, këtyre fatlumëve do t’u thuhet: - Dhe ata do të dëgjojnë thirrjen: “Ky është Xheneti, të cilin e trashëgoni si shpërblim të veprave tuaja (të devotshme)” - Ky është Xheneti, që do ta trashëgoni ju, sepse pjesa e mohuesve do të jetë zjarri. Ju do ta trashëgoni Xhenetin përjetësisht, për shkak të veprave dhe adhurimeve që i përkushtuat Allahut të Lartësuar në jetën e dynjasë. Disa nga të parët tanë të mirë kanë thënë: “Banorët e Xhenetit shpëtojnë nga Zjarri me faljen e Allahut, futen në Xhenet me mëshirën e Allahut, gradohen dhe marrin në trashëgim Xhenetin, nëpërmjet punëve të mira që, gjithsesi, edhe ato ishin prej mëshirës së Allahut, madje prej formës më të lartë të mëshirës së Tij.