← Kthehu te rezultatet për „zemrat tuaja u ngurtesuan si guri“

7. Araf · Ajeti 65 · Tefsir

Shënimet shpjeguese të Sherif Ahmetit (Kurani me Komentim) 7:59–7:72

Nuhu është një ndër pejgamberët e parë pas Idrizit, jetoi më së gjati dhe pati vuajtjet më të mëdha prej krerëve të atij populli, i cili u dënua me vërshimë. Sipas një varianti, në anijen e Nuhut ishin katërdhjetë burra dhe aq gra që shpëtuan e sipas një tjetre, ishin tre djemt e Nuhut dhe gjashtë të tjerë. Hudi ishte shumë më i vonshëm se Nuhu. Edhe këtë, ashtu sikurse edhe Nuhun, e përqeshi aristokracia e popullit, duke i thënë se nuk ishte i zgjuar, apo trillonte gjëra nga vetë mendja e tij. Popullin e Hudit, popullin Ad e shkatërroi stuhia e erës së fortë.

Tefsiri i shkurtuar i Ibn Kethirit (Tejsir el-Alijj el-Kadir) 7:65–7:69

Edhe tek Adët dërguam vëllanë e tyre, Hudin. - Ashtu siç dërguam tek populli i Nuhut një profet nga mesi i tyre, Nuhun, po kështu edhe nga mesi i popullit të Adit dërguam vëllanë e tyre, Hudin. Këta janë të ashtuquajturit Adët e parë, të cilët i ka përmendur Allahu i Lartësuar. Ata janë pasardhës të Adit, birit të Iremit, të cilët strehoheshin nëpër ndërtesa me shtylla të larta, siç ka thënë i Lartësuari: “A e di ti se ç’bëri Zoti yt me Adin banorët e Iremit, me ndërtesa të larta? Si ata nuk është krijuar askush në Tokë.” [Fexhr 6 - 8]. Domethënë, ata ishin shumë të fuqishëm dhe të ashpër. Sikurse i përshkruan i madhëruari kur thotë: “Sa i përket popullit Ad, ata u treguan arrogantë në tokë kundër të vërtetës dhe thanë: “Kush është më i fortë se ne?” A nuk e dinin ata se Allahu, i Cili i krijoi, është më i fortë se ata?! Por ata vazhduan t'i rrefuzonin shenjat Tona. ” [Fussilet 15]. Vendbanimet e tyre ishin në Jemen, në Ahkaf, pra, në malet ranore. Muhamed Ibn Is’haku sjell rrëfimin nga Ebu Tufejl Amr Ibn Uathile, që tregon se e ka dëgjuar Aliun t’i thotë një burri nga Hadrameuti: “A ke parë ndonjë dunë të kuq e (rëre) të përzier me baltë të kuqe, me bimë të shumta erâku dhe sidri, në drejtim të këtij e atij vendi nga toka e Hadrameutit?” - “Po, o Udhëheqësi i besimtarëve! - tha ai. - Betohem në Allah, se ti e përshkrove si dikush që e ka parë me sytë e vet!” - “Jo, - tha Aliu - nuk e kam parë, por më kanë treguar për të.” - “Si është puna e atij vendi, o Udhëheqësi i besimtarëve?” - “Atje, tha Aliu, - është varri i Hudit a.s.” Kështu e ka transmetuar Ibn Xheriri. Nga kjo kuptohet se vendbanimet e tyre kanë qenë në Jemen, sepse Hudi a.s. është varrosur në atë vend. - Ai tha: “O populli im! Adhurojeni Allahun! Ju nuk keni zot tjetër veç Tij, (që meriton të adhurohet) . A nuk e keni frikë (Allahun)?” - Kjo ishte ftesa e të gjithë profetëve të Zotit drejtuar popujve të tyre. - Paria e jobesimtarëve nga mesi i popullit të tij thanë: “Ne po të shohim se ti je një mendjelehtë. Madje ne mendojmë se ti je një gënjeshtar.” - Kjo ishte përgjigjja e parisë dhe krerëve të tyre. Ti je në humbje, sepse po na urdhëron që të braktisim adhurimin e idhujve tanë dhe të përkushtohemi në adhurimin e një Zoti të vetëm e pa ortak . Po të njëjtin arsyetim paraqitën edhe idhujtarët kurejshë kundër ftesës së Profetit të Allahut, kur ai i ftoi në

adhurimin e Allahut si një të vetëm. Ata thanë: “Ata u habitën që nga gjiri i tyre u erdhi një paralajmërues. Jobesimtarët thonë: “Ky është magjistar e mashtrues.”. A po i zëvendëson zotat me një Zot të vetëm?! Kjo është vërtet, shumë e çuditshme.” [Sad 5]. - Ai tha: “O populli im! Unë nuk jam mendjelehtë, por jam i dërguar prej Zotit të botëve”. - Çështja nuk qëndron ashtu siç thoni, por unë jam dërguar me të vërtetën nga Allahu, që është Krijuesi i gjithçkaje. - “Unë po ju kumtoj shpalljet e Zotit tim dhe jam këshillues i sinqertë për ju. - Kumtimi i qartë, këshillimi i sinqertë dhe mbajtja e amanetit janë cilësi të profetëve. - “Vallë, po habiteni që udhëzimi nga Zoti juaj ju erdhi përmes një njeriu prej jush, si paralajmërim? - Mos u çudisni aspak që ndër ju u dërgua një profet nga mesi juaj, që t’ju kujtojë për mirësitë e shumta të Allahut dhe për ditën e takimit me të. Përkundrazi, lavdërojeni Allahun e tregoni mirënjohje për to! - Kujtoni se si Ai ju bëri sundues pas popullit të Nuhut dhe jua shtoi fuqinë fizike! - Kujtoni mirësinë e Allahut për ju, kur ju bëri ndër ata besimtarë të pakët, ndërkohë që Ai e shkatërroi tokën dhe banorët e saj, që iu kundërvunë Nuhut. Nuhu u lut kundër tyre me atë duanë e njohur, së cilës Allahu iu përgjigj, duke shkatërruar kështu çdo mohues në faqen e dheut. Një ndër mirësitë ishte: “...jua shtoi fuqinë fizike!”. Domethënë, Allahu i bëri me trupa më të mëdhenj, më të gjatë e më të fuqishëm se njerëzit e tjerë. I Lartësuari thotë për Talutin në mënyrë të ngjashme: “Ai tha: “Atë e zgjodhi Allahu si mbretin tuaj, duke e pajisur me dituri të gjerë e me fuqi trupore. ...” [Bekare 247]. - Kujtoni të mirat e Allahut, që të gjeni shpëtim!” - Kujtojini mirësitë e dhuratat e Allahut, që të hyni në Xhenet, me mirësinë dhe bujarinë e Tij.

Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman) 7:65–7:72

- “Edhe tek Adët dërguam vëllain e tyre Hudin...” - Edhe në fisin e Adëve, që jetonin në zonën e Jemenit, u dërgua vëllai i tyre nga gjaku, Hudi ﷺ , që t’i urdhëronte për të adhuruar Allahun si Një të Vetëm dhe të ndaleshin nga idhujtaria, padrejtësitë dhe përhapja e gjynaheve. Ai iu drejtua popullit të tij: - “O populli im, adhurojeni Allahun! Ju nuk keni zot tjetër veç Tij, që meriton të adhurohet. A nuk keni frikë (Allahun)?” - A nuk keni frikë zemërimin dhe ndëshkimin e Zotit, kur vazhdoni në rrugën tuaj të gjynaheve? Nëse nuk nënshtroheni për ta adhuruar Zotin si Një e të Vetëm dhe sipas Shpalljes së Tij, atëherë vërtet duhet t’i frikësoheni ndëshkimit dhe zemërimit të Tij. - “Paria e jobesimtarëve nga mesi i popullit të tij thanë: “Ne po të shohim se ti je një mendjelehtë. Madje ne mendojmë se ti je një gënjeshtar.”” - Ata të cilët e refuzuan ftesën e profetit të tyre, duke shpërfillur edhe argumentet e tij, thanë: “Për ne je njeri mendjelehtë dhe një gënjeshtar. Ne të gjykojmë si njeri të mefshtë dhe të palogjikshëm, që nuk di se ç’është e drejta. Ne besojmë se ti je mashtrues e gënjeshtar.” Subhan -Allah, çfarë ndodh kur realiteti tjetërsohet! Çfarë ndodh kur verbëria ndaj fakteve dhe mrekullive prek logjikën e njeriut! Ata shpifën ndaj profetit të tyre duke e akuzuar për sjellje që ishin pikërisht karakteristikë e tyre. Mendjelehtët dhe mashtruesit ishin pikërisht ata. E ku ka më mendjelehtë se ai që, të vërtetën absolute e hedh poshtë si një trillim dhe i cili e refuzon jetën sipas saj?! Këta të mjerë tregoheshin kryeneçë e mospërfillës ndaj këshilluesve dashamirës, që udhëzonin tek e mira dhe e drejta, ndërsa nga ana tjetër, nënshtroheshin me trup e me shpirt ndaj urdhrave të çdo shejtani të

shfrenuar. Ata ua dedikonin adhurimin atyre që nuk e meritonin dhe nga të cilët nuk kishin asnjë mirësi. Ishin ata mendjelehtët, që adhuronin gurë, pemë apo çdo krijesë tjetër të Zotit, dhe kundërshtonin vetë Zotin Krijues, i Cili është i vetmi që e meriton të adhurohet në qiej dhe në tokë. - “Ai tha: “O populli im! Unë nuk jam mendjelehtë, por jam i dërguar prej Zotit të botëve”.” - Unë jam i dërguari i Zotit të botëve, me udhëzim të qartë dhe me rrugën e drejtë. Unë jam dërguar që t’ju komunikoj dhe shpjegoj qartë Shpalljen e Zotit. - “Unë po ju kumtoj shpalljet e Zotit tim dhe jam këshillues i sinqertë për ju. - Unë jam këshillues dashamirës dhe i sinqertë, që dëshiron të mirën tuaj, prandaj ju duhet ta pranoni ftesën me kënaqësi dhe të jetoni në bindje ndaj Zotit të gjithësisë. - ““Vallë, po habiteni që udhëzimi nga Zoti juaj ju erdhi përmes një njeriu prej jush, si paralajmërim?” - Ju nuk duhet të çuditeni që Allahu dërgoi një burrë nga mesi juaj, të cilin ju e njihni shumë mirë dhe i cili ju tregon se çfarë ju mundëson lumturinë në të dyja jetët. Ai thjesht ju nxit që të bëni mirë dhe të ruheni nga të këqijat, prandaj nuk keni pse habiteni. Nëse ju silleni në mënyrë të tillë, atëherë kjo nuk është thjesht habi, por një mohim i qartë dhe i pajustifikueshëm. - “Kujtoni se si Ai ju bëri sundues pas popullit të Nuhut dhe jua shtoi fuqinë fizike!” - Lavdërojeni Zotin tuaj dhe shprehini mirënjohjen e plotë për të gjitha këto mirësi të pashembullta. Ai ju mundësoi pushtet të gjerë në tokë dhe ju vendosi në vendet e atyre popujve që, më herët, mohuan profetin e tyre, prandaj Allahu i shkatërroi. Zoti juaj ju vendosi në tokë për t’ju sprovuar se si do të punoni. Kini kujdes, që të mos vazhdoni me mohimin e shpalljeve të Zotit, ashtu si vepruan popujt para jush, që u shkatërruan, sepse atëherë edhe ju do të goditeni njëlloj si ata! - “Kujtoni të mirat e Allahut, që të gjeni shpëtim!” - Kujtoni mirësinë e Allahut, që ishte e veçantë për ju, duke ju dalluar nga të tjerët! Ai ju shtoi forcën fizike dhe parametrat truporë si askujt tjetër. Allahu ju pajisi me fuqi luftarake të pakrahasueshme. Mos i harroni këto mirësi e shumë të tjera, me të cilat Allahu ju dalloi! Nëse tregoheni mirënjohës, do të arrini shpëtimin dhe suksesin në dynja dhe në ahiret. Kështu, profeti Hud ﷺ e këshilloi popullin e tij për të qenë mirënjohës, për të bërë vepra të mira dhe për teuhid të pastër. Ai u kujtoi edhe një cilësi të tijën, si profet i zgjedhur dhe i sinqertë - dhembshurinë dhe dashamirësinë për popullin e tij. Pikërisht për shkak të kësaj dhembshurie dhe dashamirësie, Hudi ﷺ i paralajmëroi që të mos e shpërfillnin ndëshkimin e rëndë të Zotit, në mënyrë që të mos ndëshkoheshin edhe ata ashtu si popujt para tyre. Por me gjithë këto këshilla të mrekullueshme dhe pavarësisht mirësive të shumta të Zotit që profeti u kujtoi, ata nuk pranuan t'i përgjigjeshin ftesës. - “Ata thanë: “Paske ardhur që të adhurojmë vetëm Allahun e ta braktisim atë që adhuronin prindërit tanë?!” - Duke shprehur një habi të pakuptueshme ndaj ftesës së Profetit dhe duke e bërë të qartë se ishte tërësisht e pamundur që t’i bindeshin atij, thanë: “Paske ardhur që të adhurojmë vetëm Allahun e ta braktisim atë çka adhuronin prindërit tanë?!”Allahu i poshtëroftë dhe i shëmtoftë! Atë që është e vërteta më e madhe dhe e vërteta e detyrueshme për t’u besuar, ata e hodhën poshtë, për shkak të besimit të kotë dhe qesharak që kishin trashëguar nga të parët e tyre. Ata zgjodhën idhujtarinë e shëmtuar të të parëve të tyre të humbur kundrejt ftesës së profetëve, që ftonin njerëzimin në adhurimin e Allahut si një Zot i Vetëm dhe i Pashoq. Ata zgjodhën ta mohonin profetin e tyre kur thanë: - “Bëje realitet kërcënimin tënd, nëse thua të vërtetën!” - Në fakt, ky qe fillimi i ndëshkimit të tyre. Ata i kërkuan Profetit, madje në formë sfide, që ta bënte realitet ndëshkimin e paralajmëruar, duke treguar në këtë mënyrë se ata nu k e besonin

mesazhin që Profeti përcillte prej Zotit. Atëherë, Hudi ﷺ u tha: - “Ai tha: “Mbi ju tashmë ka rënë dënimi dhe zemërimi i Zotit tuaj.” - Ndëshkimi tashmë është bërë i pashmangshëm, sepse janë plotësuar të gjitha shkaqet e tij. Çasti i zbatimit të dënimit është shumë pranë. - “A polemizoni me mua për disa emra, që vetë ju dhe prindërit tuaj i keni vënë....” - Si është e mundur që ju polemizoni me mua për gjëra të paqena, për puta e statuja që ju i quani perëndi, por që nuk kanë asnjë lidhje me madhështinë dhe pushtetin? Ata nuk zotërojnë asnjë thërrmijë pushteti në qiej e as në tokë. Ata janë thjesht emra, që ju dhe të parët tuaj i keni shpikur. Ju nuk keni asnjë argument nga Zoti për ta. - “...e për të cilët Allahu nuk ka shpallur asnjë fakt?” - Nëse ata do të kishin vërtet diçka hyjnore, Allahu do të kishte sjellë ndonjë argument mbështetës për ta. Fakti që Allahu i Madhëruar nuk ka shpallur asnjë lloj argumenti të tillë dëshmon se ata janë të pavërtetë dhe thjesht trillime. Nuk ka çështje që u nevojitet krijesave, - e sidomos kur bëhet fjalë për çështje madhore, sikurse është adhurimi dhe i adhuruari, - që Allahu i Madhëruar të mos e ketë sqaruar në shpalljet e tij. Për çështje të tilla, Ai ka sjellë argumente të qarta dhe fakte të pamohueshme. - " Prisni, atëherë se edhe unë jam duke pritur bashkë me ju!” - Prisni ndëshkimin e paralajmëruar të Plotfuqishmit, që është gati të godasë ashpër mbi ju. Edhe unë do të pres së bashku me ju, por ka një ndryshim të madh mes nesh. Ju prisni t'ju godasë ndëshkimi i të Madhërishmit, ndërsa ne presim fitoren, çlirimin dhe shpërblimin bujar prej Tij. Edhe i Madhëruari bën dallimin mes dy grupeve, duke thënë më pas: - “Me mëshirën Tonë, Ne i shpëtuam Hudin dhe të gjithë besimtaët që ishin me të...” - I Gjithëmëshirshmi i shpëtoi Hudin ﷺ dhe të gjithë besimtarët që ishin me të, me mëshirën e Tij. Ishte pikërisht Allahu që i udhëzoi ata në fenë e drejtë, dhe kështu ata fituan mëshirën e Tij dhe shpëtuan nga ndëshkimi i Tij. - “...dhe ua premë rrënjët atyre që kundërshtuan Argumentet Tona dhe nuk ishin besimtarë.” - Ndëshkimi i ashpër nuk la gjallë asnjë prej tyre. I Madhëruari dërgoi mbi ta një furtunë shkretuese, e cila kudo që kalonte e çdo gjë që prekte e shndërronte në pluhur e rërë. Kështu, ata u shfarosën dhe më pas ngelën vetëm rrënojat e vendbanimeve të tyre. Ky qe përfundimi i atyre që u paralajmëruan dhe iu paraqitën shumë argumente bindëse, por ata i shpërfillën dhe i mohuan. Ata nuk denjuan të respektonin shpalljet e Allahut duke u bindur e duke i zbatuar ato. Ata u urdhëruan të përqafonin fenë e drejtë, por rrefuzuan me arrogancë e shpërfillje, prandaj morën atë ndëshkim poshtërues. Në suren Hud, i Madhërishmi thotë: “Ata u përcollën me mallkim si në këtë botë, ashtu edhe në Ditën e Gjykimit. Le të dihet, Adët mohuan Zotin e tyre. Qofshin të shkatërruar Adët, populli i Hudit!" [Hud 60]. Ndërsa në këtë ajet thotë: - “...dhe ua premë rrënjët atyre që kundërshtuan Argumentet Tona dhe nuk ishin besimtarë.” - Ata nuk kishin aspak besim në zemër, por mohonin me këmbëngulje e mendjemadhësi dhe përhapnin shkatërrimin.

← Araf 7:65