7. Araf · Ajeti 79 · Tefsir
Shënimet shpjeguese të Sherif Ahmetit (Kurani me Komentim) 7:73–7:93
Edhe Salihu, sikurse edhe pejgamberët para tij, ishte i dërguar ta udhëzojë popullin në besim të drejtë, në besim në një Zot. Mrekullia e Salihut ishte deveja, mirëpo, edhe në popullin e tij pati asi kryelartë, të cilët edhe i refuzuan udhëzimet e pejgamberit e edhe penguan të tjerët, andaj si masë ndëshkuese i kapi një tërmet me një krismë dhe i la të shtanguar.
Popullin e Lutit Zoti e shkatërroi me gurëzim nga qielli që binte si shi. U shkatërrua edhe bashkëshortja e tij, e cila nuk besoi dhe nuk i vlejti asgjë ajo që ishte grua e pejgamberit.
Edhe Shuajbit, sikurse edhe Salihut dhe Lutit, i erdhi keq pse populli i tij nuk pranoi mësimet e Zotit dhe nuk u ndal nga punët e këqija. Megjithatë, ata e kryen detyrën e vet në mënyrë shumë të njerëzishme e edukative.
Tefsiri i shkurtuar i Ibn Kethirit (Tejsir el-Alijj el-Kadir) 7:79
Kur Allahu i Lartësuar i shkatërroi ata për shkak të rebelimit kundër Tij, kundërvënies ndaj besimit dhe Profetit të Tij, Salihu iu drejtua atyre dhe u tha: - Ai (Salihu) u ktheu shpinën atyre dhe u tha: “O populli im! Unë jua kumtova mesazhin e Zotit tim, ju këshillova sa munda, por ju nuk i përfillët këshilluesit!” - Kuptimi: Edhe pse ju këshillova, ju nuk përfituat nga këshilla dhe e vërteta që ju kumtova, sepse ju nuk e doni të vërtetën dhe nuk e dëgjoni këshilluesin që ju dërgoi Allahu. Në dy Sahih-ët vjen hadithi se: 1205. “Profeti i Allahut, pasi fitoi luftën e Bedrit, qëndroi në atë vend tri ditë. Pastaj urdhëroi që të përgatitej kafsha e tij dhe, nga fundi i natës, hipi mbi kafshë dhe shkoi në El Kalib, ku kishin groposur krerët e Kurejshëve, të vrarë në betejën e Bedrit. Profeti iu drejtua me këto fjalë: “O Ebu Xhehl Ibn Hisham, o Utbe Ibn Rabia, o Shejbe Ibn Rabia...” - dhe i thirri emrat e të gjithë krerëve të tyre. Pastaj tha: “A e gjetët të vërtetë atë që jua kishte premtuar Zoti juaj! Unë e gjeta të vërtetë atë që ma kishte premtuar Zoti im.”. Umeri tha: “O i Dërguari i Allahut! Ti po u flet atyre, që tashmë janë kufoma?! Ai tha: “Betohem për Atë, në dorë të të Cilit është shpirti im! Ju nuk i dëgjoni fjalët e mia më mirë se ç'i dëgjojnë ata, veçse ata nuk mund të përgjigjen!” 54 Në historinë e Profetit ﷺ tregohet se ai u tha atyre: 1206. “Sa fis dhe popull i keq ishit për Profetin tuaj! Më mohuat, kur njerëzit më besuan! Më dëbuat, kur më pranuan njerëzit e tjerë! Luftuat kundër meje, kur m’u bën ë krahë njerëzit e tjerë! Sa popull dhe fis i keq ishit për Profetin tuaj!” Po kështu i tha edhe Salihu (a.s) popullit të tij, siç u përmend më sipër.
Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman) 7:73–7:79
- “Te populli i Themudit dërguam vëllanë e tyre, Salihun...” - Themudët ishin një popull i njohur që jetonin në El Hixhër, zonën rreth Hixhazit, në Gadishullin Arabik. Allahu i Madhëruar dërgoi tek ata profetin Salih (a.s.), i cili i ftoi në monoteizëm dhe për largim nga idhujtaria. - “...Ai u tha: “O populli im! Adhuroni Allahun! Ju nuk keni zot tjetër veç Tij, që meriton të adhurohet.” - Ftesa e profetit Salih (a.s.) ishte e njëjtë me atë të të gjithë vëllezërve të tij profetë: të adhurohet vetëm Allahu si Zot, sepse vetëm Ai e meriton të adhurohet me sinqeritet. Për këtë çështje kaq të rëndësishme, ai u solli atyre fakte e argumente të shumta nga Allahu i Madhërishëm. - “Tani ju ka ardhur argument i qartë nga Zoti juaj.” - I Madhëruari u solli një ngjarje të jashtëzakonshme, një mrekulli të madhe. Ajo ishte një shenjë qiellore, që nuk mund të vinte prej njeriut. Pastaj Profeti shpjegoi se çfarë ishte kjo mrekulli prej Zotit: - “Kjo deve është Shenjë për ju.” - Kjo ishte një deve e mrekullueshme dhe tejet e rëndësishme, aq sa i Madhëruari e quajti "nakatull-llahi" "deveja e Allahut". Ajo shërbente si një shenjë madhështore e vërtetësisë së Shpalljes së Zotit dhe sinqeritetit të Profetit të Tij Salih. Allahu i Madhëruar urdhëroi që kjo deve të trajtohej në mënyrë të veçantë. Kështu, në një ajet tjetër tregohet: “Ai tha: “Kjo është deveja. Ajo do të pijë në një ditë të caktuar, kurse ju një ditë tjetër.” Ata kishin një burim me ujë të bollshëm, që edhe sot njihet si Burimi i Devesë. Ata u urdhëruan që atë burim një ditë ta përdornin ata dhe një ditë tjetër të ishte tërësisht në shërbim të devesë. Megjithatë, ditën që ata nuk do të merrnin ujë prej burimit, mund të ushqeheshin me qumështin e asaj deveje të begatshme. Përveçse si mrekulli, kjo do të shërbente edhe si shenjë kujtuese për detyrimet ndaj Zotit dhe bindjen ndaj Tij. Profeti i porositi ata duke u thënë: - “Lëreni atë të lirë të kullotë në tokën e Allahut dhe kini kujdes të mos e lëndoni aspak, sepse pastaj do të pësoni një dënim të dhembshëm!” - Ju nuk jeni të detyruar që të siguroni ushqimin e saj. Thjesht, lëreni të hajë në tokën e Zotit dhe mos e lëndoni. Nëse e dëmtoni atë, mbi ju do të godasë dënimi i dhembshëm i Zotit të Plotfuqishëm. - Dhe kujtoni kur Ai ju bëri sundues pas Adëve dhe ju dha vendbanime në tokë! Nëpër rrafshina ju ndërtuat kështjella, kurse nëpër male gdhendët shtëpi. - Kujtoni mirësinë e Zotit tuaj mbi ju, kur ju mundësoi të lëvizni e shfrytëzoni tokën e Tij. Ai ju dha sundim të plotë në tokën që më parë i takonte popullit të fuqishëm dhe të pashembullt të Adëve, të cilët i Plotfuqishmi i shkatërroi dhe shfarosi. Allahu ju vendosi në tokë dhe ju mundësoi çdo rrugë e mjet për të lëvizur në të dhe për të shfrytëzuar hapësirat e saj. Në fushat e bukura ju ngritët kështjella të larta dhe të fortifikuara. Ndërsa malet e larta ju i gdhendët, duke i bërë shtëpi. Edhe sot e
kësaj dite kanë mbetur shumë gjurmë të këtij populli të habitshëm, siç janë shtëpitë e tyre të gdhendura në faqet e maleve, dhe ashtu do të mbesin, për sa kohë do të jenë malet, si dëshmi për njerëzit. - “Kujtoni të mirat e Allahut e mos u bëni shkatërrimtarë në tokë!”. - Kujtoni mirësitë e panumërta të Allahut, pushtetin, forcën, rizkun dhe begatitë, që Ai ju dhuroi! Mos përhapni shkatërrim në tokën e Tij! Dijeni se toka shkatërrohet me gjynahe e mosbindje ndaj Zotit! Gjynahet i largojnë dhe i shkatërrojnë mirësitë që zotëron njeriu. Prandaj ruajini këto mirësi, duke qenë mirënjohës për to dhe duke e shprehur mirënjohjen përmes bindjes ndaj Zotit dhe adhurimit të Tij si Një i vetëm! - “Krerët arrogantë të popullit u thanë atyre që i konsideronin më të dobët e që kishin besuar: “A e dini vërtet se Salihu është i dërguar i Zotit të tij?” - Paria e popullit të Themudëve, të cilët u treguan kryeneçë ndaj të vërtetës, u thanë disa fjalë njerëzve të dobët e pa mbështetje. Por duke qenë se jo të gjithë të dobëtit dhe të varfrit pa mbështetje ishin besimtarë, i Lartësuari e përcakton se ata iu drejtuan atyre të dobtëve dhe të varfërve që e kishin besuar Profetin dhe Shpalljen e Tij. Kështu, ata iu drejtuan këtij grupi besimtarësh duke i pyetur: “A e dini me siguri se Salihu është i dërguar nga Zoti? A jeni të bindur se Salihu është i sinqertë, apo është mashtrues?” Përgjigjja e besimtarëve ishte: - “Ata thanë: “Po, ne besojmë në mesazhin e tij.”.” - Ne e besojmë me siguri të plotë mesazhin që ai sjell nga Allahu i Madhëruar. Ai na fton në adhurimin e Allahut si Një Zot i Vetëm dhe i Pashoq, përmes zbatimit të urdhëresave të Tij dhe largimit nga ndalesat e Tij. Çdo kumt që ai e sjell prej Zotit ne e besojmë dhe jemi të bindur për vërtetësinë e tij. - “Kryeneçët thanë: “Ne nuk e besojmë atë që besoni ju.”.” - Ata i pengoi mendjemadhësia, që të besonin dhe t’i nënshtroheshin të vërtetës, të cilën e besuan njerëzit e thjeshtë. Për këtë arsye, ata ndërmorën ato veprime të shëmtuara, që do të sillnin më pas ndëshkimin e rëndë mbi ta: - “Pastaj e therën devenë, duke shkelur me arrogancë urdhrin e Zotit të tyre....” - Ata e therën dhe e gjymtuan devenë, për të cilën ishin urdhëruar që të mos e lëndonin asnjë grimë, sepse në të kundërt i priste një dënim i dhembshëm. Në këtë mënyrë, ata treguan arrogancën dhe ngurtësinë e zemrave të tyre kundrejt urdhëresave të Allahut të Madhëruar, duke merituar një ndëshkim, që askush tjetër më parë nuk e kish provuar. Përveç shkeljes së urdhrit të Zotit, ata, paturpësisht dhe si për ta sfiduar Profetin e Zotit, thanë: - “dhe thanë: “O Salih! Hajde e bëji realitet kërcënimet e tua, nëse je vërtet i dërguar (i Allahut)!” - Të mjerët ata! As që i kushtuan rëndësi krimit që bënë, përkundrazi, të fryrë me mendjemadhësinë e tyre, guxuan t’i thoshin Profetit të tilla fjalë të poshtra. Atëherë, Profeti i Zotit, sikurse përmendet në një ajet tjetër, iu përgjigj: “Dëfreni në vendin tuaj për tri ditë! Ky është një kërcënim që nuk mund të
hidhet poshtë.” [Hud 65]. E cili qe përfundimi i tyre? Thotë i Madhëruari: - “Kështu tërmeti i përfshiu papritur dhe në mëngjes u gdhinë në shtëpitë e tyre kufoma. - Në mëngjes, ata u gdhinë të gjunjëzuar si kufoma të ngrira. Kështu, Allahu i Madhërishëm i shfarosi të gjithë, pa lënë asnjë gjallë. Pas këtij ndëshkimi, profeti Salih u ktheu shpinën dhe, duke dënuar mohimin e tyre, tha: - “Ai (Salihu) u ktheu shpinën atyre dhe u tha: “O populli im! Unë jua kumtova mesazhin e Zotit tim, ju këshillova sa munda, por ju nuk i përfillët këshilluesit.”. - Unë jua komunikova qartë, me dashamirësi e përkushtim të gjithë mesazhin e Zotit për ju. Unë shfrytëzova çdo mundësi për t’ju sjellë në udhën e mbarë dhe në fenë e drejtë. Por ju nuk i donit e as i përfillnit këshilluesit, që ju ftonin në mirësi e mbarësi. Ju iu bindët Shejtanit të mallkuar, që është rebeluar ndaj Zotit dhe rrugës së Tij. Shumë komentues të Kur'anit përmendin hollësira të tjera në këtë histori, që në fakt janë marrë nga trashëgimia hebraike. Për shembull, thuhet se deveja, e cila ishte mbarsë, doli prej një shkëmbi, dhe ata e panë me sy këtë. Kjo ishte pikërisht mrekullia që vetë ata ia kishin propozuar profetit Salih. Thuhet se, kur ata e therën devenë, i vogli i saj, pasi pëlliti tri herë, u hap mali dhe ai hyri brenda në të. Gjithashtu, thuhet se pas kundërshtimit të tyre, Salihu u tha si shenjë të ardhjes së ndëshkimit se, ditën e parë, fytyrat e tyre do të zverdheshin, ditën e dytë do të skuqeshin dhe në ditën e tretë do të nxiheshin. Sipas këtyre gojëdhënave, pikërisht ashtu ndodhi. Gjithsesi, këto të dhëna vijnë nga hebrenjtë, prandaj mendojmë se nuk ka pse ato të përdoren si shpjeguese të Kur 'anit. Në Librin e Zotit nuk ka ndonjë fakt që të dëshmojë saktësinë e këtyre historive. Nëse ato do të ishin të sakta, patjetër që do t’i kishte përmendur i Madhëruari në ndonjë mënyrë apo një tjetër. Aq më tepër që në to përmenden shenja madhështore, të cilat i Madhëruari kurrsesi nuk do t’i anashkalonte duke mos na i treguar. Vetë madhështia e këtyre mrekullive të pretenduara nuk e lejon që dëshmitë për to të vinin në rrugë të pasigurta. Madje, disa prej tyre Kur'ani i mohon. Për shembull, rrëfimin që fytyrat e tyre do të ndryshonin ngjyrë në tri ditë e hedh poshtë fakti që Salihu u tha: "Kënaquni në vendin tuaj tri ditë rresht". Domethënë, fytyrat e tyre jo vetëm që nuk ndryshuan duke u zverdhur, skuqur apo nxirë, por përkundrazi, ata u kënaqën për tre ditë rresht, duke e shpërfillur kërcënimin e Zotit. Kur'ani është mëse i mjaftueshëm për të vërtetën, prandaj nuk ka nevojë për tregime të cilëve nuk iu dihet filli dhe saktësia. Nga ana tjetër, nëse vjen një rrëfim i përcjellë me saktësi prej profetit Muhamed ﷺ ,që kurrsesi nuk mund të bjerë ndesh me Librin e Zotit, ai është mëse i pranueshëm dhe shërben si shpjegues i tij. Madje, është vetë Kur'ani që na udhëzon për t’u mbështetur fort në Traditën e Profetit ﷺ ,kur thotë: "Çfarë t’ju japë Profeti, merreni, e çfarë t’ju ndalojë, largojuni prej saj dhe kijeni frikë Allahun! Me të vërtetë, Allahu është Ndëshkues i ashpër." [Hashr 7]. Edhe më parë e kemi thënë se është i palejueshëm shpjegimi i Librit të Allahut përmes Izraelijateve ose trashëgimisë hebraike, edhe pse ato lejohen të përcillen kur nuk bien ndesh me fenë tonë dhe ne nuk mund të vërtetojmë as saktësinë e as pasaktësinë e tyre. E themi këtë, sepse kumtet dhe kuptimet që përcjell Libri i Zotit duhet të jenë të sigurta, ndërsa rrëfenja të tilla nuk e plotësojnë këtë kriter. 11