← Kthehu te rezultatet për „zemrat tuaja u ngurtesuan si guri“

79. Naziat · Ajeti 15 · Tefsir

Shënimet shpjeguese të Sherif Ahmetit (Kurani me Komentim) 79:15–79:46

Zoti xh. sh. i përkujton Muhammedit a.s. ngjarjen e Musait se si e ka thirur atë, i ka folur dhe urdhëruar, kur ai ishte në një luginë në fund të kodrës Sina e i ka thënë: Shko te faraoni se ai i ka kaluar kufijtë me padrejtësi e arrogancë dhe i thuaj: a i shkon mendja të hiqet prej punëve të këqija, por faraoni nuk çau kokë për të, andaj Musai ia tregoi mrekullinë e madhe, shkopin e shndërruar në gjarpër, e faraoni iku, por i thirri magjistarët dhe popullin e vet, u mbajti fjalim e u tha se është zoti i tyre më i lartë, ndërsa para katërdhjetë vjetëve po kështu u pat thënë se nuk kanë zot tjetër pos tij. Për atë Allahu e shkatërroi. E shkatërroi si për shkak të thënies së parë ashtu edhe për të fundit. Me këtë u tërhiqet vërejtja mekasve se edhe ata do t'i gjejë një e keqe e tillë, sepse për Zotin kjo nuk është ndonjë punë e rëndë, kur dihet se Ai e ndërtoi qiellin, e ngriti e lart, e bëri natën të errët dhe ditën të ndritshme, pastaj përgatiti tokën që në të të mbijnë bimë dhe atë e përforcoi me kodra e male të forta.

E, kur të vijë dita e kijametit, dita e llahtarisë më të madhe, do të duket se kush çka ka punuar, e si peshojë për matjen e vetes, njeriut i mjafton kjo: kush ka bërë zullum dhe është dhënë pas kënaqësive të kësaj jete, duke marrë nëpër këmbë sjelljet dhe punët e mira, ai nuk ka vend tjetër pos në xhehenem, ndërsa kush i është frikësuar përgjegjësisë para Zotit, e ka penguar lakminë ndaj punëve të këqija, ai do ta ketë vendin në xhennet.

Kur do të bëhet kijameti, nuk di kush pos Zotit, por është e ditur se kundërshtarëve do t'u duket sikur nuk kanë jetuar në këtë botë më shumë se një mëngjes a një mbrëmje.

Me ndihmën e Zotit, përfundoi përkthimi dhe komentimi i kësaj sureje. Falënderuar qoftë Allahu i madhëruar!

Tefsiri i shkurtuar i Ibn Kethirit (Tejsir el-Alijj el-Kadir) 79:15–79:26

- “A ta kanë rrëfyer historinë e Musait ...” - Pra, a i ke dëgjuar ngjarjet me të? - “... kur Zoti i tij e thirri në luginën e bekuar Tuva? ” - Kështu ishte emri i asaj lugine, sipas mendimit më të saktë, sikurse e shtjelluam në Suren Ta Ha. - “Ai i tha: “Shko te Faraoni, se vërtet ai e ka tepruar.” - Ai e ka tepruar me tira - ninë, rebelimin ndaj Zotit dhe kryelartësinë e padrejtësinë në Tokë. - “E thuaji atij: “A do që të pastro - hesh?”. - Përse nuk i përgjigjesh kësaj ftese, e cila të mundëson që të pastrosh vetveten? Përse nuk i dorëzohesh Zotit për ta adhuruar Atë? - “Unë do të të udhëzoj për te Zoti yt ...”. - Unë do të të tregoj rrugën dhe mënyrën e adhurimit të Tij. - “... që t’ia kesh frikën!” - Që zemra jote të mbushet me drojë e madhërim për Zotin, edhe pse më parë ishte e ashpër, e ngurtë, larg të vërtetës dhe mirësisë. - “Ai i tregoi mrekullinë më të madhe ...” - Përveç ftesës së mrekullueshme që i para - shtroi, Musai i tregoi edhe një argument të fortë dhe të qartë, që dëshmonte se ishte i dërguar besnik i Zotit dhe se mesazhi që po përcillte prej Tij ishte i vërtetë. - “... por ai e mohoi dhe nuk u bind.” - Zemra e tij nuk e pranoi të vërtetën, nuk iu përgjigj ftesës. Ai nuk e trajtoi me seriozitet ftesën e Musait. Gjithashtu, trupi dhe e gji - thë qenia e tij nuk u nënshtrua për adhuri -

min e Zotit. Njohja e të vërtetës jo domo - sdoshmërisht sjell imanin në zemër, sepse el marifeh është thjesht dituria që hyn në zemër, ndërsa imani është të punuarit me këtë dituri, është nënshtrimi ndaj të vërtetës, përulësia për të jetuar sipas saj. - “Pastaj i ktheu shpinën dhe u largua.” - Faraoni e shpërfilli të vërtetën që iu ofrua dhe, në vend që të nënshtrohej, ai nxitoi për të kundërtën, për refuzimin, madje edhe luftën e pengimin e saj, duke mbledhur ma - gjistarët, që t’i kundërviheshin mrekullive të jashtëzakonshme që solli Musai, si shenjë e vërtetësisë së tij dhe të mesazhit që solli nga Zoti. - “Bëri një tubim të madh dhe mbajti një fjalim.” - Ai mblodhi popullin e tij, duke i thirrur. - “Dhe tha: “Unë jam Zoti juaj më i lartë!” - Faraoni e tha këtë pas asaj fjalës tjetër të tij, që përmendet në ajetin tjetër: “Faraoni tha: “O ju pari! Unë nuk di për ju ndonjë zot tjetër, përveç meje. ... ” [Kasas 28]. Mes këtyre dy deklaratave të tij, thuhet se ishin 40 vjet distancë kohore. - “Atëherë, Allahu e ndëshkoi atë rëndë, me ndëshkimin e ahiretit dhe të të pa - rës.” - Ai i dha Faraonit një dënim të tmerrshëm me mbytje në ujë, në jetën e dynjasë. Ndërsa në ahiret atij i takon një dënim i madh, siç thotë Allahu i Madhëruar: “Ata i ndjek mallkimi si në këtë botë, ashtu edhe në Ditën e Kijametit. Eh, sa e keqe është ajo "dhuratë", që do t'u jepet!” [Hud 99]. Gjithashtu: “Ne i bëmë ata (veçse) prijës që ftojnë për në zjarr dhe Ditën e Kijametit ata nuk do të ndihmohen. Edhe në këtë botë Ne i bëmë që t'i ndjekë mallkimi, kurse Ditën e Kijametit ata do të jenë të përbuzur.” [Kasas 41, 42]. Ky është kuptimi e shpjegimi më i saktë i ajetit. Pra, këtu bëhet fjalë për ndëshkimin e përgatitur për ta në jetën e dynjasë dhe në ahiret. Disa janë të mendimit se bëhet fjalë për dënimin e merituar për dy deklaratat e tij, që i përme - ndëm më lart. Gjithashtu, thuhet se bëhet fjalë për ndëshkimin që Faraoni meritoi për dy veprat e tij të përmendura në ajetin: “Pastaj i ktheu shpinën dhe u largua.”. Pra, për mohimin e të vërtetës dhe mosnën - shtrimin për të jetuar sipas saj. Megjithatë, shpjegimi më i saktë, që nuk ka dyshim, është i pari, pra, që Allahu e ndëshkoi në dynja dhe në ahiret. - “Ky ndëshkim është mësim për ata që frikësohen.” - Mësim për ata që nxjerrin mësime dhe përfitojnë nga paralajmërimet dhe këshillat e Zotit.

Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman) 79:15–79:26

Allahu i Lartësuar i drejtohet Profetit të Tij të dashur dhe të zgjedhur, Muhamedit (a.s.): - “A ta kanë rrëfyer historinë e Musait, kur Zoti i tij e thirri në luginën e bekuar Tuva? ” – Nga kjo pyetje kuptojmë se një ngjarje e madhe ka ndodhur në të shkuarën, nga e cila duhet të nxjerrim mësime. Ajo është ngjarja e Musait, kur Allahu i Lartësuar e thirri atë që prej luginës Tuva. Ky është vendi ku Allahu i Lartësuar i foli Musait (a.s.) dhe ku e zgjodhi atë për profetësinë, për të kryer misionin e Zotit të tij. Në luginën Tuva, Musai (a.s.) mori urdhrat nga Allahu i Lartësuar. - “Ai i tha shko te Faraoni, se vërtet ai e ka tepruar.” - Allahu i Lartësuar e dërgoi Musain (a.s.) me një mision të lartë te Faraoni, i cili i kishte kaluar kufijtë me arrogancë dhe padrejtësi. Ai e urdhëroi Musain që ta këshillonte Faraonin për të hequr dorë nga padrejtësitë dhe tirania, por duke e bërë këtë këshillë me fjalë të buta dhe të urta. Madje, e mësoi atë konkretisht se çfarë t’i thoshte Faraonit: - “E thuaji atij: “A do të pastrohesh?”.” - Me një stil shumë të butë dhe dashamirës, ai do ta ftonte Faraonin te diçka shumë e mirë. Kuptimi është ky: A nuk është mirë, o Faraon, që të bësh një veprim të lartë, të cilin e synojnë dhe e lakmojnë të mençurit?! A nuk është mirë që ta pastrosh veten nga ndyrësia e kufrit dhe e padrejtësisë?! A nuk është mirë që të përqafosh imanin e pastër dhe të drejtë, si dhe veprat e mira e të sinqerta për të Plotpushtetshmin Bujar?! - “Unë do të të udhëzoj për te Zoti yt, që t’ia kesh frikën!”.” - Unë të rrëfej rrugën që të çon drejt Zotit, rrugën e pastrimit të shpirtit dhe të adhurimit të Zotit. Unë të tregoj se çfarë e kënaq dhe çfarë e zemëron Zotin e Plotpushtetshëm. Unë të ndihmoj që t’i të gjesh rrugën e drejtë dhe ta kuptosh atë. Nëse e kupton të vërtetën dhe punon me sinqeritet për të kënaqur Krijuesin, në zemrën tënde do të lindë ndjenja e mrekullueshme e frikërespektit ndaj Tij. Çdokush që e njeh mirë rrugën e drejtë, pajiset me frikërespekt për të Madhëruarin dhe qëndron brenda kufijve të Tij.

Megjithatë, edhe pse u ftua me stil të butë dhe dashamirës, Faraoni refuzoi t’i përgjigjet ftesës. Atëherë, Musai (a.s.) i shfaqi atij disa shenja të mëdha: - “Ai i tregoi mrekullinë më të madhe, por ai e përgënjeshtroi dhe nuk u bind.” - Allahu i Lartësuar e ndihmoi Musain (a.s.) me shumë mrekulli, siç ishte shkopi që u kthye në gjarpër, i cili gëlltiti të gjithë litarët e magjistarëve, që dukeshin si gjarpërinj. Shenjë tjetër ishte dora e Musait (a.s.), e cila, kur ai e fuste në gjoksin e tij, ajo dilte e bardhë dhe e ndritshme. Por, me gjithë këto shenja, Faraoni mohoi dhe e konsideroi të vërtetën e Allahut të Lartësuar si gënjeshtër. Ai refuzoi t’u bindej urdhrave të Zotit, të përcjella nga Profeti Musa (a.s.). Madje, padrejtësia dhe arroganca e tij nuk ndaloi këtu. - “Pastaj i ktheu shpinën dhe u largua.” - Ai u spraps nga e vërteta dhe e luftoi maksimalisht atë. Ai, me shpejtësi, mori çdo masë që të pengonte përhapjen e të vërtetës. - “Bëri një tubim të madh dhe mbajti një fjalim...” - Faraoni grumbulloi ushtritë dhe shërbëtorët e tij dhe u mbajti një fjalim shumë të poshtër, që tregonte për arrogancën e tij të pakufishme: - “...Dhe tha: “Unë jam Zoti juaj më i lartë.”” - Kjo qe vërtet një mendjemadhësi e paturpshme, që meritonte ndëshkimin, madje një ndëshkim që në këtë jetë, para atij të përjetshmit në ahiret. - “Atëherë, Allahu e ndëshkoi atë rëndë, për këtë të fundit dhe për atë të parën.” - Allahu i Lartësuar e ndëshkoi atë dhembshëm, duke e bërë mësim dhe provë për të besuar vërtetësinë e ndëshkimit në këtë jetë dhe në tjetrën. Megjithatë, jo çdokush merr mësim nga këto shenja dhe argumente. Ata që përfitojnë prej tyre janë vetëm një kategori e caktuar e njerëzish: - “Ky ndëshkim është mësim për ata që frikësohen.” - Ata të cilët i frikësohen dhe e madhërojnë Allahun me dije të plotë për madhështinë e tij, pra, vetëm ata përfitojnë dhe marrin mësime nga shenjat e Allahut të Madhëruar. Kur ata mësojnë për ndëshkimin e Faraonit dhe të pasuesve të tij të verbër, ata e kuptojnë qartë se çdokush që tregohet mendjemadh dhe kryeneç ndaj urdhëresave të të Madhëruarit të Lartësuar dhe të Plotpushtetshëm, do të ndëshkohet në dynja dhe në ahiret. Ndërsa ata që janë bosh në zemër dhe nuk e njohin madhështinë e Allahut, ata nuk kanë frikërespekt për Të, prandaj atyre nuk u bën dobi asnjë lloj shenje dhe argumenti, sado i madh qoftë.

← Naziat 79:15