← Kthehu te rezultatet për „zemrat tuaja u ngurtesuan si guri“

8. Enfal · Ajeti 1 · Tefsir

Hyrja e sures El-Enfal Sherif Ahmeti

E zbritur në Medine pas sures Bekare, ajete: 75

Si shkak i zbritjes së kësaj sureje, sipas shpjegimit të Ibni Abasit, ishte çështja e mënyrës së ndarjes së mallit presë, të cilën e fituan myslimanët në luftën e Bedrit. Andaj, përveç tjerash, në këtë kaptinë bëhet fjalë për principin sipas të cilit duhet ndarë malli i fituar në luftë.

Lufta në Bedër ndodhi në muajin e Ramazanit në vitin e dytë të Hixhres. Disa pjesë të kësaj kaptine zbritën gjatë rrjedhës së luftës e disa më vonë. Nga arsyeja se kjo kaptinë ka tematikë kryesore ngjarjen rreth luftës së Bedrit, disa sahabë e quajtën "Suretul Bedri" - Kaptina e Bedrit.

Kjo luftë shënoi momentin më të rëndësishëm në historinë e myslimanëve, ngase për herë të parë ballafaqohet e vërteta me të pavërtetën, besimtarët e drejtë me idhujtarët dhe njëkohësisht mposhtet e zmbrapset fuqia e mizorëve mekas. Largohet dhuna dhe të dobëtit si gra, fëmijë e pleq, të cilët për shkak të paaftësisë së tyre ishin të detyruar të mbesin në mesin e armikut, në mesin e mushrikëve mekas, gjejnë shpëtimin dhe gjejnë mundësinë t'u bashkohen vëllezërve të tyre në Medinën e ndritshme, Edhe pse myslimanët ishin pak në numër dhe jo të përgatitur sa duhej për luftë ndihma nga i madhi Zot bëri që të ngritet lartë morali i tyre luftarak dhe të fitohet lufta, të shkatërrohet në themel armiku dhe t'u mundësohet rrezeve të dritës islame të vërshojnë pa pengesë deri te dashamirët e saj.

Natyrisht, në këtë kaptinë flitet edhe për heroizmin e besimtarëve myslimanë, të cilët ia dolën ta shpartallojnë fuqinë e armikut, duke likuiduar krerët e tij, si Ebu Xhehlin etj., por u tërhiqet vërejtja edhe për të metat e disave prej tyre. Përmendet edhe ndihma e engjëjve, të cilët si duket, kishin për detyrë të trimërojnë besimtarët, e në anën tjetër të mbjellin frikë ne zemrat e idhujtarëve, në mënyrë që ta ndiejnë veten të dobët dhe të marrin ikën.

Në ajetet e fundit të kësaj kaptine bëhet fjalë rreth lidhmërisë dhe kujdesit, të cilin duhet ta kenë gjithnjë parasysh myslimanët për njëri tjetrin, sepse edhe armiku i tyre, pa marrë parasysh se cilit grup i takon, është i lidhur ngusht mes vete për t'i luftuar besimtarët myslimanë.

Quhet: "Suretul Enfalë" - kaptina e presë së luftës.

Shënimet shpjeguese të Sherif Ahmetit (Kurani me Komentim) 8:1–8:8

Thuhet se një karvan i madh dhe i pasur i tregtisë së kurejshitëve kthehej prej Shamit - Sirisë. Me urdhërin e Zotit vjen Xhibrili dhe i thotë Muhammedit se Allahu ju premtoj: devet me tregti ose fitore kundër kurejshitëve, Pejgamberi konsultohet me shokët e ata e dëshiruan grupin e deveve. Mirëpo, Ebu Sufjani, udhëheqës i tregtisë e shmang rrugën dhe i lajmëron mekasit për rrezikun që u kanoset prej myslimanëve dhe i thërret në ndihmë. Ebu Xhehli në krye gati të njëmijë idhujtarëve, me të shpejtë arrin në Bedër. Pejgamberi i njofton shokët se karvani i tregtisë ka ikur bregut të detit, ndërsa Ebu Xhehli ka ardhur në Bedër. Disa shokë i thonë - O i dërguar i Zotit, ne kemi dalë për devet, jo të përgatitur sa duhet për luftë, e hiqu luftës dhe armikut. Pejgamberit i vjen rëndë. Ngritet Sad ibni Ubade e thotë: vazhdo o i dërguar si ta marrë mendja, ne jemi me ty. Pas tij ngritet Sad ibni Muadhie e thotë: Pasha Atë, që të dërgoi ty me të vërtetën! Nëse ti hidhesh në det, edhe ne do të hidhemi së bashku me ty, prandaj vazhdo në saje të Zotit! Ky qëndrim i këtyre dy sahabëve autoritativë medinas e gëzoi pa masë Pejgamberin.

Edhe rreth ndarjes së plaçkës së fituar pati kundërthënie, andaj Zoti xh. sh. i thotë Muhammedit që t'i udhëzojë myslimanët se çfarë virtytesh duhet të posedojnë për të qenë besimtarë të sinqertë.

Tefsiri i shkurtuar i Ibn Kethirit (Tejsir el-Alijj el-Kadir) 8:1

- Të pyesin për plaçkën e luftës, thuaju: “Plaçka e luftës është çështje e Allahut dhe e të Dërguarit... - Buhariu sjell në formën mual-lak shpjegimin nga Ibn Abasi, i cili thotë që: “ El enfal quhet plaçka e luftës.” Ndërsa nga Seid Ibn Musejibi përcillet se ka thënë: “E pyeta Ibn Abasin, - Allahu qoftë i kënaqur me të! - rreth sures Enfal, dhe ai më tha: “Ajo është zbritur dhe flet për Betejën e Bedrit.” Për sa i përket transmetimit, të cilin Buhariu e ka sjellë nga Ibn Abasi në formën mual-lak, domethënë, pa përmendur senedin e plotë të transmetuesve deri tek Ibn Abasi, atë e ka sjellë nga Ibn Abasi edhe Ali Ibn Ebu Talha. Edhe në këtë transmetim pohohet i njëjti mendim me Ibn Abasin, se el enfal quhet plaçka e luftës. Ajo - ka thënë Ibn Abasi - ishte e veçantë për Profetin e Allahut dhe askush tjetër nuk kishte pjesë në të. Gjithashtu, është përcjellë me sened të saktë nga Ibn Abasi se ai, duke shpjeguar termin nefel, ka thënë se: “ Nefel quhet ajo pjesë e plaçkës së luftës që, për merita të veçanta dhe sipas asaj që Profeti ﷺ e shikonte me interes, ai i jepte ndonjë luftëtari (para shpërndarjes së saj sipas rregullit), përveç pjesës që atij luftëtari i takonte nga plaçka e luftës.” Ky është kuptimi që i kanë dhënë fjalës nefel shumë dijetarë të fikhut. Megjithatë, Allahu është më i ditur. Ibn Mesudi dhe Mesruku kanë thënë se: “Nefeli nuk jepet ditën e luftës apo në përfundim të saj. Ai jepet përpara përballjes me armikun, domethënë, përpara fillimit të luftës.” Abdullah Ibn Mubareku e të tjerë përcjellin nga Ata Ibn Rabahi se, në lidhje me fjalën e Allahut “Të pyesin për nefel-in...”, ka thënë: “Domethënë, të pyesin në lidhje me ato pasuri të idhujtarëve që kalojnë në pronësinë e muslimanëve pa luftë, qofshin ato kafshë, robër e robëresha, apo çdo lloj plaçke tjetër. Kjo lloj pasurie është nefel për Profetin e Allahut dhe vepron me të si ta gjykojë ai më drejt.” Kjo do të thotë se Ata Ibn Rabahi mendonte se nefel-i është, në fakt, el fej'u (El feju , në terminologjinë juridike, quhet çdo lloj pasurie që u konfiskohet qafirëve me të drejtë dhe pa luftë). Ibn Xheriri thotë: “Të tjerë janë të mendimit se bëhet fjalë për plaçkën e luftës që u jepet në mënyrë specifike disa skuadrave të ushtrisë, që dërgohen në ekspedita e misione të veçanta. Me fjalë të tjera, është ajo plaçkë e shpërblim që komandanti u jep këtyre skuadrave në mënyrë të veçantë, përveç pjesës që marrin si pjesë e ushtrisë.” Ibn Xheriri e mbështet këtë mendim. Për

saktësinë e tij dëshmon rrëfimi që është transmetuar në lidhje me shkakun e zbritjes së këtij ajeti, e pikërisht ai që sjell Imam Ahmedi nga Sad Ibn Maliku, i cili ka thënë: 1254. “Unë i thashë: “O i Dërguari i Allahut! Sot, Allahu ma kënaqi zemrën, në lidhje me idhujtarët! Ma jep mua këtë shpatë (nga plaçka e luftës)!” Profeti tha: “Kjo shpatë nuk të takon as ty e as mua! Lëre atje!” Unë e lashë dhe u largova, duke thënë me vete: “E si mund t’i jepet kjo shpatë dikujt që nuk bëri atë që bëra unë në këtë luftë?!”. Ndërkohë, një burrë më thirri nga pas. Unë thashë: “Mos shpalli Allahu ndonjë gjë në lidhje me mua, vallë?!” - “Më kërkove shpatën qëparë, - tha Profeti - por ajo nuk më takonte mua. Tani m'u dhurua mua e tashmë është e jotja.” Për këtë arsye, Allahu zbriti ajetin: “Të pyesin për plaçkën e luftës. Thuaju: “Plaçka e luftës është çështje e Allahut dhe e të Dërguarit...” Hadithin e kanë sjellë Ebu Daudi, Tirmidhiu, Nesaiu, përmes rrugëve, të cilat bashkohen tek Ebu Bekr Ibn Ajashi. Tirmidhiu thotë që ky është një hadith hasen sahih. Një tjetër shkak i përmendur rreth zbritjes së këtij ajeti. Ahmedi sjell hadithin nga Ebu Umame, i cili tregon: 1255. “Pyeta Ubade Ibn Samitin rreth sures Enfal dhe ai më tha: “Ajo u zbrit dhe flet për ne, pjesmarrësit në Betejën e Bedrit. Ajo u shpall kur ne patëm kundërshtime në lidhje me plaçkën e luftës, aq sa shfaqëm moral jo të mirë. Atëherë, Allahu na e hoqi prej duarsh dhe e la në dorën e Profetit, i cil i e shpërndau mes muslimanëve.” Ebu Daudi, Nesaiu, Ibn Xheriri, Ibn Hibani, Hakimi dhe Ibn Merdeuejhi, - version i të cilit është edhe ky, - sjellin hadithin nga Daud Ibn Ebu Hindi, që përcjell nga Ikrime, e ky n ga Ibn Abasi, i cili ka thënë: 1256. “Në Betejën e Bedrit, Profeti tha: “Kush bën këtë e atë punë, do t’i jepet kështu e ashtu (shpërblim).” Atëherë nxituan më të rinjtë e ushtrisë, ndërsa më të vjetrit mbetën poshtë flamurëve. Pasi mbaroi lufta, ata erdhën të kërkonin atë që u ishte premtuar. Por të vjetrit thanë: “Përse kërkoni diçka shtesë mbi ne? Nëse ne nuk do t’ju mbronim krahët, do të dilnit zbuluar dhe do të ktheheshit sërish tek ne.” Kështu patën kundërshtime me njëri-tjetrin, derisa Allahu i Lartësuar shpalli fjalën e tij: “Të pyesin për plaçkën e luftës...” deri në: “...dhe bindjuni Allahut dhe të Dërguarit të Tij, nëse jeni besimtarë!” Ebu Ubejdilah el Kasim Ibn Selami, në librin e tij “ El Emual el Sher'ije ”, ka thënë: “...për sa i përket el enfal-it, ajo është el meganim, pra, plaçka e fituar në luftë dhe çdo pasuri që muslimanët e marrin prej qafirëve agresorë në luftë. I pari rast i enfal-it ishte kur Allahu i Lartësuar zbriti: “Të pyesin për plaçkën e luftës...”. Profeti e shpërndau atë pasuri ashtu siç e urdhëroi Allahu dhe jo pesë - pjesë, ashtu siç është përmendur më pas në hadithin e Sadit. Më pas u shpall ajeti që urdhëron ndarjen e pasurisë së fituar në luftë në pesë -pjesë, ajet i cili e anuloi të parin. El enfal, në fakt, quhet e tërë plaçka e luftës, me gjithë një të pestën brenda saj, pjesë kjo e cila veçohet dhe shpërndahet ashtu siç është shpallur në Libër dhe është shtjelluar në Sunet-in e Profetit. Ajo është plaçka e luftës, që ishte e ndaluar për popujt e së shkuarës, por që Allahu e bëri hallall për këtë umet. Argument për këtë është hadithi që transmetohet nga Xhabir Ibn Abdilahi, i cili gjendet në dy Sahih-ët: 1257. “Më janë dhënë pesë gjëra, që nuk i janë dhënë asnjë profeti përpara meje: “...Më është lejuar plaçka e luftës, që nuk i është lejuar askujt tjetër para meje...”. Në lidhje me nefel-in që e shpërndan drejtuesi, janë katër raste të njohura, që zbatohen në raste specifike.80 - Nefel-i, prej të cilit nuk veçohet një e pesta. Ky është rasti i quajtur el eslâb. Eslâb quhet plaçka, pajimet, armët dhe kafsha e të vrarit nga radhët e ushtarëve jomuslimanë, të cilat i takojnë ushtarit musliman që e ka vrarë. Domethënë, kjo është një pjesë që drejtuesi ua jep atyre që e meritojnë,

përpara së të bëjë ndarjen e plaçkës së mbledhur. - Nefel-i i cili veçohet prej plaçkës së luftës, pas heqjes së një të pestës prej saj. Kështu, nëse drejtuesi dërgon një skuadër për një mision special, atëherë nga plaçka që ata sjellin, ai mund t’u japë atyre një të katërtën ose një të tretën e pjesës së mbetur, por këtë mund ta bëjë vetëm pas veçimit të një të pestës. - Nefel-i që jepet nga vetë një e pesta që veçohet prej plaçkës së luftës. Kështu, pasi grumbullohet e gjithë plaçka e luftës, drejtuesi veçon një të pestën prej saj; pastaj, ai i jep e shpërndan nga kjo një e pestë, ashtu si e sheh të arsyeshme. - Nefel-i që jepet nga e gjithë plaçka e luftës para heqjes së një të pestës prej saj. Kështu, Profeti mund t’u jepte diçka nga kjo pasuri atyre që kujdeseshin për ujin, barinjve të bagëtive e atyre që kujdeseshin për to. Më sipër përmendëm se Ebu Ubejdi ka thënë se nga plaçka e fituar në Bedër nuk u hoq një e pesta. Por ky pohim duhet parë me kujdes, sepse atë e hedh poshtë hadithi i Ali Ibn Ebu Talibit në lidhje me dy vëzhguesit e tij, të cilët përfituan nga një e pesta e plaçkës së Bedrit. Këtë çështje e kam shtjelluar në librin tim “Historia e betejave të Profetit” me një shpjegim të hollësishëm e shterues, falë Allahut! Në vijim, Allahu i Lartësuar thotë: - prandaj kijeni frikë Allahun, rregulloni marrëdhëniet me njëri -tjetrin - Frikësojuni Allahut në lidhje me të gjitha çështjet tuaja dhe me urdhëresat e Tij. Pastaj kujdesuni që të përmirësoni marrëdhëniet mes jush, mos bëni padrejtësi, mos u grindni e mos u përçani. Dijeni se udhëzimet e dituria që Allahu ju ka dhuruar janë shumë më të vyera dhe më të dobishme sesa pasuritë e kësaj bote, që ju synoni e që për hir të së cilave ju grindeni e përçaheni. - dhe bindjuni Allahut dhe të Dërguarit të Tij, nëse jeni besimtarë!” - Bindjuni, në lidhje me ndarjen që Profeti ju bëri, sipas porosive të Allahut. Pa dyshim që Profeti ﷺ ndan me drejtësi e urtësi, ashtu siç e urdhëron vetë Zoti. Kështu duhet të veproni, nëse jeni vërtet besimtarë.

Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman) 8:1–8:4

Enfal quhet plaçka e luftës, të cilën Allahu i Madhëruar e ka bërë të lejuar për muslimanët. Konteksti i këtyre ajeteve është Beteja e Bedrit, ku për herë të parë, muslimanët morën plaçkë lufte të madhe prej idhujtarëve. Me këtë rast, pati disa mosmarrëveshje mes muslimanëve, prandaj ata u drejtuan tek i Dërguari i Allahut për të marrë gjykimin e tij. Atëherë, i Madhëruari shpalli ajetet: - “Të pyesin për plaçkën e luftës. Thuaju: “Plaçka e luftës është çështje e Allahut dhe e të Dërguarit,…” - Atyre që të pyesin ty për plaçkën e fituar në luftë, se si duhet të ndahet ajo, thuaju se kjo është çështje e Allahut dhe të Dërguarit, të cilët do të gjykojnë me drejtësi. Juve nuk ju takon që të kundërshtoni gjykimin e Zotit dhe Profetit të Tij. Nëse Allahu dhe Profeti i Tij gjykojnë për diçka, ju duhet ta pranoni me kënaqësi dhe pa asnjë diskutim gjykimin e tyre. - “…prandaj kijeni frikë Allahun!...” - Frikësojuni Allahut, duke kryer urdhëresat dhe duke iu larguar ndalesave të Tij, në shenjë dashurie, nënshtrimi e madhërimi për Të. - “...rregulloni marrëdhëniet me njëri - tjetrin!...” - Rregulloni e përmirësoni marrëdhëniet mes jush, duke mjekuar urrejtjen, largimin, pakënaqësitë, smirën etj., dhe duke kultivuar dashurinë, afrimitetin, dashamirësinë e bujarinë mes jush. Në këtë mënyrë, do të bashkoni rradhët dhe fjalën tuaj. Urrejtja dhe grindjet janë shkaktues të prishjes së unitetit mes muslimanëve. Për të rregulluar marrëdhëniet shoqërore nevojitet moral i mirë, falje dhe tolerancë ndaj gabimeve, dashuri e dhembshuri për njëri tjetrin. Kështu bashkohen muslimanët dhe shmangen konfliktet mes tyre. Sidoqoftë, ky urdhër i mrekullueshëm që vijon i përfshin të gjitha masat për një shoqëri të shëndetshme: - “...dhe bindjuni Allahut dhe të Dërguarit të Tij, nëse jeni besimtarë!” - Besimtari i bindet Allahut dhe Profetit të Tij, përndryshe nuk është besimtar i vërtetë. Bindja ndaj Allahut dhe Profetit varen nga besimi në zemër: pak bindje do të thotë pak besim. Besimi mund të jetë i plotë ose jo.

Prej besimit të plotë vjen suksesi dhe mirësia në çdo fushë. Allahu i Lartësuar përshkruan më poshtë besimtarët me iman të plotë: - “Besimtarë të vërtetë janë vetëm ata që, kur përmendet Allahu, u frikësohet zemra dhe, kur u lexohen ajetet e Tij, u shtohet besimi. Ata kërkojnë mbështetje vetëm te Zoti i tyre. Ata e përkryejnë namazin dhe japin nga ajo që u kemi dhënë Ne.” - Në arabisht, nyja ‘ el’ përpara emrit (tek ‘ el mu’minûne ’ – ‘besimtarë’), tregon se i emërtuari e gëzon plotësisht kuptimin e këtij emri, deri në detaje. Kësisoj, në ajet flitet për besimtarë të vërtetë, që e kanë të plotë besimin e tyre, me të gjitha detajet. Po çfarë cilësish kanë ata? Së pari, kur përmendet Allahu, atyre u frikësohet zemra, u mbushet me përunjësi e frikërespekt, e përzier me dashuri për Allahun e Madhëruar. Kjo ndjenjë shfaqet si gjurmë në veprat e tyre, sidomos duke u larguar nga haramet dhe duke ruajtur kufijtë e Zotit. Gjithashtu, kur u lexohen ajetet e Zotit, atyre u shtohet imani. Duke patur iman, ata dëgjojnë me vëmendje ajetet e Zotit dhe meditojnë rreth kuptimit të tyre. Në këtë mënyrë, imani shtohet, fuqizohet dhe pastrohet më tepër. Meditimi në Shpalljen dhe kumtet e Zotit është punë e zemrës, prandaj nuk ka dyshim se gjatë meditimit, kuptohen ose qartësohen mesazhe që më parë nuk diheshin, ose, së paku, kujtohet diçka e harruar dhe e lënë nga pakujdesia. Përveç kësaj, meditimi e nxit zemrën drejt mirësisë dhe prodhon dëshirë të zjarrtë për të arritur mirësitë që ofron bujaria e Zotit. Në të njëjtën kohë, ai sjell drojën për ndëshkimin nga Zoti, si paralajmërim për t’u larguar nga gjynahet dhe mosbindja. Të gjitha këto janë procese të brendshme të zemrës, që e shtojnë besimin, nëse vërtet ndodhin dhe kultivohen. Cilësi tjetër e tyre është se: ata i mbështeten vetëm Zotit të tyre, pa i bërë shok Atij. Ata ia lënë në dorëzim çështjet e tyre veç Allahut, qoftë kur bëhet fjalë për të arritur ndonjë të mirë, qoftë për t’u ruajtur nga ndonjë e keqe, që ka të bëjë me fenë ose me dynjanë e tyre. Ata i mbështeten veç Allahut, duke qenë të sigurt se Ai do t’ua plotësojë atë që shpresojnë. Mbështetja ( el teuekkul) tek Allahu është shtysa e të gjitha veprave të besimit. Asnjë vepër e tillë nuk mund të jetë e plotë pa teuekkul. Tipar tjetër dallues është se ata falin namaz të rregullt, me të gjitha ndjenjat, fjalët dhe veprat e detyrueshme dhe të pëlqyeshme të namazit, të dukshme e të shfaqura, por edhe ato të fshehura e të brendshme, siç është përqendrimi me zemër gjatë kryerjes së tij. Madje, përqendrimi dhe punët e zemrës janë shpirti dhe thelbi i namazit. Në fund, ata e shpenzojnë pasurinë në rrugë të Allahut, qoftë duke shlyer detyrimet fetare, siç është zekati, kompensimet e ndryshme, mirëmbajtja dhe ushqimi i familjes, shërbëtorëve, vartësve etj., qoftë duke bërë vepra bamirësie të pëlqyeshme. - “Këta janë besimtarë të vërtetë. Ata kanë grada të larta te Zoti i tyre dhe falje e bujari prej Tij.” - Ata që kanë të tilla cilësi janë besimtarë të vërtetë, sepse plotësojnë si formën e jashtme e të dukshme, që përbëjnë islamin, ashtu edhe anën e brendshme, që përfaqëson imanin. Kështu, ata plotësojnë të gjitha punët e dukshme dhe ato të padukshme. Ata kanë dituri të saktë dhe të dobishme dhe punojnë sipas saj. Ata plotësojnë detyrimet si ndaj Allahut të Lartësuar, ashtu edhe ndaj krijesave të Tij. Allahu i Madhëruar përmend fillimisht punët e zemrës dhe rëndësinë e tyre, sepse ato janë baza e punëve të jashtme dhe më të rëndësishme e më dobiprurëse se ato. Ky ajet mbështet faktin se imani shtohet dhe pakësohet, forcohet dhe dobësohet. Ai shtohet duke vepruar punë të mira, në shenjë bindjeje ndaj Zotit, dhe pakësohet e dobësohet me gjynahe e me kundërshtim ndaj Zotit. Njeriu duhet që, kohë pas kohe, të përkujdeset për imanin e vet, duke e rifreskuar e përforcuar atë. Pa dyshim, ndër veprat më të rëndësishme që sjellin rinovimin e forcimin e imanit është

meditimi mbi Librin e Zotit të Lartësuar, në kuptimet e kumtet e tij. Pastaj Allahu i Madhëruar flet për shpërblimin që i pret besimtarët me iman të plotë e të vërtetë: - “...kanë grada të larta te Zoti i tyre, si edhe falje e bujari prej Tij.” - Në varësi të veprave, do të jenë edhe gradat e tyre në Xhenet, ku do të nderohen përjetësisht. Gjithashtu, për ta ka falje gjynahesh dhe furnizime bujare. Ky është shpërblimi i madh që Zoti ka përgatitur për ta në vendin e mirësisë së përjetshme. Aty Ai ka fshehur atë që sytë nuk e kanë parë, veshët nuk e kanë dëgjuar dhe zemra nuk e ka imagjinuar. Ajeti tregon, gjithashtu, se besimtarët që nuk e kanë arritur gradën e imanit të këtyre të zgjedhurve nuk kanë për të arritur as shpërblimet e larta të tyre, edhe pse do të hyjnë në Xhenet, e do të gëzojnë atë nivel mirësish që Allahu ka rezervuar për ta.

← Enfal 8:1