← Kthehu te rezultatet për „zemrat tuaja u ngurtesuan si guri“

8. Enfal · Ajeti 11 · Tefsir

Shënimet shpjeguese të Sherif Ahmetit (Kurani me Komentim) 8:9–8:14

Pasi që u vendos t'i vihen përballë armikut, që ishte gati tri herë më shumë në numër, Pejgamberi iu drejtua Zotit për ndihmë dhe mori përgjigjen se do të ndihmohet me anën e engjëjve. Zbritja e melaikeve pati ndikim të madh në ngritjen e moralit luftarak ndër myslimanët, e ndër kundërshtarin u intensifikua frika. Zoti xh. sh. i ndihmoi myslimanët edhe me atë se ua lëshoi një gjumë të lehtë, e pas gjumit ata ishin edhe më të fortë edhe më të guximshëm. Pos kësaj, atyre u ndihmoi edhe me një shi, i cili përveç që e forcoi dhe e rrastoi rërën e imët në të cilën nuk zinin vend këmbët, ai shi u siguroi edhe ujë për pije, për larje e pastrim, ngase shejtani kishte nxitur njëfarë dyshimi te myslimanët, se do të luftojnë e do të vdesin duke qenë të papastër.

Të gjitha këto të mira ishin prej Zotit xh. sh. Kundërshtarët, idhujtarët mekas nuk ishin kundër vetëm ndaj mësimeve të Zotit, po edhe kundër çdo norme njerëzore, andaj likuidimi i tyre ishte në dobi të njerëzve. Ata në Bedër përjetuan grushtin më të fortë prej myslimanëve, por e zeza më e madhe për ta ishte se ata do të bëhen banorë të zjarrit.

Tefsiri i shkurtuar i Ibn Kethirit (Tejsir el-Alijj el-Kadir) 8:11–8:14

- (Kujtoni) Kur Ai ju bëri të flini pak, për t'ju mbushur me siguri nga ana e Tij. - Allahu i Lavdëruar u kujton besimtarëve mirësinë e Tij mbi ta, kur iu dha një gjumë të lehtë, për t'ju mbushur me siguri nga ana e Tij, për të larguar prej jush frikën nga armiqtë e shumtë në numër, përkundër jush, që ishit pak. Kështu bëri Allahu i Lartësuar me besimtarët në luftën e Uhudit, sikurse thotë në një ajet tjetër: “Pastaj, pas atij dëshpërimi, Ai zbriti si qetësim mbi ju, një dremitje, e cila kaploi një grup prej jush. Kurse një grup tjetër ishte i shqetësuar vetëm për veten....” [Al Imran 154]. Ebu Talha tregon: “Unë isha prej atyre që i zuri dremitja në Uhud. Madje, aq sa shpata më ra nga duart disa herë. Ajo më binte nga duart dhe unë e merrja përsëri, më binte nga

duart dhe përsëri e merrja, dhe kështu vazhdoi disa herë...”. Nga Aliu përcille t të ketë thënë: 1265. “Në luftën e Bedrit, ne nuk kishim kalorës tjetër përveç Mikdadit. Vërejta që të gjithë ne na kishte kapur gjumi, përveç Profetit të Allahut, i cili po falte namaz poshtë një peme, derisa zbardhi agu.” Në dy Sahih-ët thuhet se: 1266. “Profeti i Allahut, në ditën e Bedrit, po qëndronte në çadër së bashku me (Ebu Bekër) Sidikun dhe po luteshin. Ndërkohë, Profetin e zuri një gjumë i lehtë. Pastaj ai u përmend buzëqeshi dhe tha: “Gëzohu, o Ebu Bekër! Ja ku po vjen Xhibrili, në mes të pluhurit!”. Pastaj doli nga çadra dhe po lexonte: “Ai grup shpejt do të pësojë disfatë dhe ata do të ikin me të shpejtë (të tmerruar).” [Kamer 45]. - Ai lëshoi nga qielli ujë, për t’ju pastruar me të, për të hequr ndyrësinë e Shejtanit, për të fuqizuar bindjen në zemrat tuaja dhe për t'ju përforcuar këmbët tuaja. - Ali Ibn Ebu Talha përcjell rrëfimin nga Ibn Abasi: “Profeti u nis për në Bedër drejt përballjes me idhujtarët, duke synuar të arrinte i pari puset e ujit. Por, deri atje, kishte duna të shumta rëre dhe muslimanët u lodhën shumë gjatë rrugëtimit. Në atë kohë vështirësie e lodhjeje të madhe, shejtani filloi të hidhte me ndime të tilla në mendjet e zem rat e tyre: “Pretendoni se ju jeni të dashurit e Allahut dhe se Profeti i Allahut është mes jush, ndërkohë që idhujtarët kanë arritur para jush në puset e ujit! Edhe namazin po e falni xhunubë (nga mungesa e ujit)”. Atëherë, Allahu i Lartësuar zbriti një shi të rrëmbyer. Kështu, muslimanët shuan etjen, u pastruan dhe Allahu ua largoi ndyrësitë (mendimet e liga) e shejtanit. Po ashtu, shiu e forcoi tokën ranore, duke lehtësuar ecjen në të. Në këtë mënyrë, ata dhe kafshët ecën me shpejtësi, për të mbërritur në puset e Bedrit. Ky ishte “përforcimi i këmbëve të tyre. Gjithashtu, Allahu i Lartësuar i përforcoi këmbët e muslimanëve edhe nëpërmjet durimit të madh, që u dhuroi në përballjen me armikun. Kështu, duke forcuar e kalitur guximin në zemrat e tyre, i bëri që të jenë të palëkundur dhe triumfues mbi armikun e tyre. Është i njohur fakti se, fillimisht, Profeti u dislokua në puset e para të Bedrit. Por Habbab Ibn Mundhiri i tha: “O i Dërguari i Allahut! A u vendose këtu me urdhër e udhëzim nga Allahu, dhe kështu nuk të lejohet ta kundërshtosh, apo thjesht se e mendove si vendin më të përshtatshëm për luftë?” Ai tha: “Thjesht e zgjodha duke e menduar si vendin më të përshtatshëm për luftë.” Atëherë ai sugjeroi: “Le të zëmë vend pranë puseve me ujë të pastër dhe të bollshëm, dhe të gjitha puset e tjera le t’i bllokojmë, duke i mbushur me gurë e dhé. Kështu, ne do të kemi ujë, kurse ata jo.” Dhe ashtu vepruan. - (Kujto) Kur Zoti yt u kumtoi melekëve se: “Unë jam me ju, prandaj jepuni forcë besimtarëve! - Luftoni së bashku me ta, për të shtuar numrin e tyre! Thuhet se, një melek shkonte tek sahabët dhe u thoshte: “Dëgjova idhujtarët që, duke folur me njëritjetrin, thoshin: “Vallahi, nëse na sulmojnë tani, kemi për të dalë zbuluar, e kështu do të jetë fundi ynë!” Dhe muslimanët ia thoshnin njëri-tjetrit këtë lajm dhe mbusheshin me forcë dhe optimizëm. Kështu e ka treguar Ibn Xheriri. Allahu i Lartësuar thotë: - Unë do të fus frikë në zemrat e jobesimtarëve, kurse ju goditini sipër qafës e goditini në çdo gjymtyrë... - Do të fus në zemrat e tyre frikën, poshtërimin, përçmimin, sepse ata kundërshtuan Shpalljen dhe Profetin Tim. Prandaj: “goditini sipër qafës e në çdo gjymtyrë!”. Goditini në kokë dhe hapjani më dysh atë! Goditini në qafë dhe këputjani atë! Prejuani duart dhe këmbët.83 Rabia Ibn Enesi tregon: “Në luftën e Bedrit, ne i dallonim idhujtarët e vrarë nga melekët, sepse ishin të goditur që qafë, ndërsa në gishtat e tyre shiheshin gjurmë si të djegura me zjarr.” - sepse ata kanë kundërshtuar Allahun dhe të Dërguarin e Tij. - Ata iu kundërvunë Allahut dhe Profetit, duke refuzuar ligjin e Tij, besimin tek Ai dhe pasimin e rrugës së Profetit, duke u

rreshtuar kundër besimtarëve dhe të bindurve. Allahu i Lartësuar thotë: - Për atë që kundërshton Allahun dhe të Dërguarin e Tij, Allahu është Ndëshkues i ashpër. - Allahu është Ngadhënjimtar dhe ka për t’i ndëshkuar të gjithë ata që i kundërvihen rrugës së Tij. - Ky është dënimi juaj, prandaj shijojeni atë! Mohuesve u takon dënimi i Zjarrit. - Shijojeni ndëshkimin dhe zemërimin e Allahut që në këtë dynja dhe dijeni mirë se mohuesit i pret ndëshkimi i zjarrit në jetën tjetër!

Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman) 8:9–8:14

- “Kujtoni, kur kërkuat ndihmë nga Zoti juaj dhe Ai ju përgjigj: “Unë do t’ju ndihmoj me një mijë melekë, që vijnë njëri pas tjetrit.” - Kujtoni mirësinë e Zotit tuaj kur, në çastin e vështirë të përballjes me armikun, ju i luteshit dhe i përgjëroheshit Atij, dhe Ai ju përgjigj lutjeve tuaja. Përgjigjja erdhi me disa mënyra. Së pari, Allahu premtoi se do t’i ndihmonte me 1000 melekë njëri pas tjetrit. Kjo qe si përgëzim për shpirtin dhe qetësim për zemrat e besimtarëve, me qëllim që ta kuptonin mirë se fitorja është vetëm në dorë të Allahut e jo në varësi të numrit e përgatitjes luftarake. - “Allahu e solli atë veçse që t’ju gëzonte dhe që t’ju forconte zemrat. Ndihma vjen vetëm prej Allahut. Allahu është vërtet Ngadhënjimtar dhe i Urtë.” - Allahu është El Aziz - Mbizotëruesi, Ngadhënjimtari që nuk mund të mposhtet kurrë, por që sundon e nënshtron gjithçka, pavarësisht fuqisë dhe

epërsisë që mohuesit kanë në numër e pajisje luftarake mbi muslimanët. Allahu është El Hakim - i Urtë, që vendos me urtësi shkaqet dhe rrugët e realizimit të çdo gjëje dhe Ai që vendos çdo gjë në vendin e vet. Mënyrë tjetër e ndihmës dhe forcimit të besimtarëve, si përgjigje e lutjes së tyre, ishte edhe: - (Kujtoni) Kur Ai ju bëri të flini pak, për t'ju mbushur me siguri nga ana e Tij. Ai zbriti nga qielli ujë, për t’ju pastruar me të, për të hequr ndyrësinë e Shejtanit...” - Gjumi shërbeu për të larguar frikën dhe ankthin e besimtarëve, e për t’u dhënë atyre qetësi e siguri. 20 Kjo ishte shenjë e ndihmës dhe fitores që Zoti do t’u dhuronte më pas. Gjithashtu, Allahu lëshoi shi nga qielli, që besimtarët të pastroheshin si fizikisht, edhe shpirtërisht. Uji shërbeu edhe si pastrim nga vesveset dhe ndyrësitë e Shejtanit. - “...për të fuqizuar bindjen në zemrat tuaja...” - T’i bënte zemrat të qëndrueshme, sepse qëndrueshmëria e zemrës sjell edhe qëndrueshmërinë e trupit. - “...dhe për t'ju përforcuar këmbët tuaja.” - Toka ishte ranore dhe e paqëndrueshme, prandaj shiu e forcoi tokën dhe këmbët nuk rrëshqisnin më, por lëviznin me lehtësi. Ndihmë tjetër prej Allahut të Madhëruar ishte porosia që Ai u dha melekëve: - (Kujto) Kur Zoti yt u kumtoi melekëve se: “Unë jam me ju, prandaj jepuni forcë besimtarëve!” - Kuptimi: Unë do të jem me ju, me ndihmën, suksesin dhe fitoren që do t’ju dhuroj, prandaj edhe ju forcojini besimtarët, duke u futur në zemër guximin për të luftuar kundër armiqve, dhe shpresën për mirësitë e mëdha që vijnë nga kjo luftë. - “Unë do të fus frikë në zemrat e jobesimtarëve...” - Frika është ushtari më i fuqishëm kundër qafirëve. Allahu i Madhëruar forcoi zemrat e besimtarëve dhe futi frikë në zemrat e qafirëve. Në këtë mënyrë, Allahu bëri që qafirët të mos i qëndronin përballjes me besimtarët. - “...kurse ju goditini sipër qafës e goditini në çdo gjymtyrë...” - Goditini mbi qafë dhe në çdo nyjë të trupit. Këto fjalë u drejtohen melekëve ose besimtarëve. Në rastin e parë, ky është urdhër që Zoti u jep melekëve, të cilët i porositi gjithashtu që të përforconin besimtarët. Domethënë, ky është një urdhër tjetër, që jo vetëm të mbështesnin besimtarët duke i mbushur zemrat e tyre me guxim për të luftuar, por edhe të merrnin pjesë vetë në luftim, duke gjuajtur qafirët e duke i vrarë ata, pa mëshirë, sepse ata morën guximin të luftonin kundër Allahut dhe Profetit të Tij. Në rastin e dytë, nëse u drejtohet besimtarëve, atëherë Allahu i Madhëruar i mëson besimtarët se si të luftojnë dhe të vrasin jobesimtarët. Një mënyrë e ndëshkimit të Zotit është forca dhe suksesi që Ai u jep të dashurve të Tij kundër armiqve për t’i vrarë e shpartalluar. - "...sepse ata kanë kundërshtuar Allahun dhe të Dërguarin e Tij. Për atë që kundërshton Allahun dhe të Dërguarin e Tij, Allahu është Ndëshkues

i ashpër. Ky është dënimi juaj, prandaj shijojeni atë! Mohuesve u takon dënimi i Zjarrit.” - Ndëshkimi i parë ishte ai që u erdhi nga duart e muslimanëve që në këtë botë, si pasojë e kundërvënies ndaj Allahut dhe Profetit të Tij. Por ndëshkimi i tyre nuk u mbyll me kaq, sepse për ta është përgatitur dënimi në zjarr në ahiret. Kjo ngjarje përmban shenja dhe argumente të mëdha dhe të kuptueshme, të sjella nga Allahu, që tregojnë se Muhamedi ishte i dërguari e profeti besnik i Allahut dhe se mesazhi që ai solli është i vërtetë. Ndër to mund të përmendim: Së pari, Allahu i Madhëruar u dha besimtarëve një premtim dhe e mbajti atë. Një shenjë tjetër është edhe ajo që Allahu i Lartësuar e përshkruan në suren Al Imran: “Për ju ishte një shenjë e madhe kur dy palët u përballën me njëra - tjetrën. Njëra palë luftonte në rrugën e Allahut, kurse pala tjetër ishin jobesimtarë. Ata (besimtarët) panë me sytë e tyre se të tjerët (qafirët) ishin dy herë më shumë se ata. Por Allahu përforcon atë që dëshiron me ndihmën e Vet. Vërtet, në atë ngjarje pati një mësim të madh për ata që janë të mençur.” [Al Imran 13]. Gjithashtu, Allahu i Madhëruar iu përgjigj lutjes së besimtarëve, kur ata kërkuan ndihmën e Tij. Kjo tregon përkujdesjen e Tij të madhe për robërit e Tij besimtarë dhe për gjendjen e tyre. Për ta forcuar dhe për ta bërë më të qëndrueshëm imanin e tyre, Allahu i Urtë dhe i Gjithëmëshirshëm u përkujdes që të krijonte çdo kusht të nevojshëm për ta. Ai u forcoi imanin, u forcoi këmbët dhe i ruajti kundrejt çdo vesvesi dhe intrige të Shejtanit të mallkuar, sidomos në momentet më të vështira. Ndër shenjat e Zotit ishte edhe butësia që Ai tregoi për robërit e Tij besimtarë, duke u a lehtësuar rrugën e bindjes. Këtë e bëri qoftë me shkaqe të shfaqura e të dukshme, qoftë me ato të fshehura e të padukshme.

← Enfal 8:11