← Kthehu te rezultatet për „zemrat tuaja u ngurtesuan si guri“

8. Enfal · Ajeti 65 · Tefsir

Shënimet shpjeguese të Sherif Ahmetit (Kurani me Komentim) 8:64–8:71

Ndihma e Allahut i mjafton Pejgamberit, u mjafton edhe besimtarëve. Ka mendime të interpretuesve se: ndihma e Allahut dhe besimtarët janë mjaftë për Pejgamberin. Ibni Tejmijje është shumë kundër interpretimit të dytë, bile e konsideron të ngjashëm me kufrin.

Gjithashtu ka mendime se ky ajet ka të bëjë me pranimin e fesë islame të Ymerit të Hatabit. Para tij kishin pranuar fenë islame tridhjetë e tre burra e gjashtë gra, Ymeri ishte i katërdhjeti, pra deri diku ishte siguruar situata e myslimanëve.

Rreth çështjes se një myslim duhet t'i mundë dhjetë armiq siç thuhet në ajetin e parë, dhe një myslim mjafton t'i mundë dy armiq, siç thuhet në ajetin vijues, interpetuesit e Kur'anit kanë dhënë interpretime të ndryshme. Edhe njëri edhe tjetri ajet kanë vlerën e vet. Me ajetin e parë fjala është për myslimanët e fortë, të qëndrueshëm e trima dhe të mbështetur kryekëput në ndihmën e Zotit. Të tillë ishin myslimanët e parë, kur ishin pak në numër dhe dinin se pos përpjekjeve të tyre për luftë në maksimum, nuk ka kush t'u ndihmojë pos Allahut. Andaj, shfrytëzuan të gjitha fuqitë e veta dhe sinqerisht e kërkuan ndihmën e Zotit, prandaj një i mundi dhjetë.

Në ajetin vijues flitet për myslimanët e mëvonshëm, kur numri i tyre shtohet, ndërsa përgjegjësia për luftë kundër armikut mendohet se bie në një rreth më të gjerë, pra atë përgjegjësi nuk e ndien secili individ. Edhe mbështetja në ndihmën e Zotit ishte prezente, por jo si ndër të parët, ngase ajo mbështetje është bartur mjaft në shpresë të turmës, se gjërë myslimane pra morali luftarak nuk ishte si te grupi i parë, andaj një ka mund t'i mundë vetëm dy.

Pejgamberit dhe myslimanëve u tërhiqet vërejtja pse i liruan robërit e zënë në luftën e Bedrit me kompensim. Shkak i zbritjes së këtij ajeti, sipas një varianti më të sigurt ishte: Në Bedër mbytën shtatëdhjetë idhujtarë dhe po aq zihen robër. Pejgamberi konsultohet me Ebu Bekrin, e ai i thotë: o i dërguar i Zotit, ata janë kushërinj E e të fisit tonë, nëse u marrim kompensim, ne forcohemi, e ndoshta edhe ata e pranojnë fenë islame dhe ashtu e forcojmë krahun tonë, pra, liroji me kompensim. Pejgamberi thotë: si ta merr mendja ty o bir i Hatabit (Ymeri)7 Ai, Ymeri tha: nuk pëlqej me Ebu Bekrin. Ndërsa unë them: Unë ia shkurtoj kokën të afërmit tim, Aliu le t'ia shkurtojë Ukajlit (djalit të axhës), Hamza vëllait (Abasit), e le të kuptohet se ne nuk na dhimbsen mushrikët, e këta ishin pari e tyre! Pejgamberi anoi kah propozimi i Ebu Bekrit dhe i liroi me kompensim. Sipas Kur'anit, myslimanët do të duhej ta nënshtrojnë me luftë armikun, ta kuptojë armiku se fuqia islame është e fortë, e më vonë do t'u lejohej lirimi i robërve me kompensim.

Abasit, axhës së Pejgamberit iu caktua një shumë e madhe për kompensim, prandaj ai i tha Pejgamberit: a po më bën që t'ua shtrijë dorën kurejshitëve sa të jemë gjallë" Pejgamberi e pyeti: ku është ari që ia dhe nënës së Fadilit kur u nise për këndej Abasi u përgjegj: e, ku e di ti" Pejgamberi tha: Zoti im më lajmëroi! Abasi: pra, vërtetoj se je Pejgamber dhe e tha shehadetin.

Me ndihmën e Allahut përfundoi përkthimi dhe komentimi për kaptinën "El Enfalu" - Falënderoj Zotin!

Tefsiri i shkurtuar i Ibn Kethirit (Tejsir el-Alijj el-Kadir) 8:64–8:66

- O Profet! Allahu të mjafton ty dhe u mjafton besimtarëve që të pasojnë ty. - Allahu i Lartësuar nxit Profetin e Tij dhe besimtarët për të luftuar në rrugën e Tij dhe i njofton se Ai është i mjaftueshëm si ndihmëtar në luftën kundër armiqve të tyre dhe u premton fitoren, sado i madh të jetë numri dhe forca e tyre ushtarake dhe sado i vogël të jetë numri i besimtarëve. Ibn Ebu Hatimi sjell shpjegimin e Shabiut për këtë ajet: “Allahu të mjafton ty dhe u mjafton edhe besimtarëve, që marrin pjesë në luftë me ty.” - O Profet! Nxiti besimtarët për të luftuar! - Inkurajoi ata për të luftuar! Profeti i Allahut i nxiste besimtarët për të luftuar në rrugën e Allahut, pikërisht në momentin kur rreshtoheshin përballë armikut gati për përleshje. Kështu veproi ai ditën e Bedrit, kur idhujtarët u rreshtuan me forcat e armatimin e tyre, duke thënë: 1310. “Ngrihuni drejt Xhenetit, gjerësia e të cilit është sa gjerësia mes qiellit dhe tokës.” Në vijim, duke përgëzuar e urdhëruar besimtarët, Allahu i Lartësuar thotë: - Nëse prej jush janë njëzet veta durimtarë (e të paepur) , do të mundin dyqind; nëse janë njëqind, do të mundin një mijë jobesimtarë, për shkak se ata janë njerëz që nuk kuptojnë. - Në fillim ishte e detyrueshme që një besimtar të duronte e të luftonte, edhe nëse kishte përballë dhjetë jobesimtarë. Më pas, ky urdhër u anulua, por mbeti premtimi i Allahut për ndihmë për besimtarët. - Allahu ju ka sjellë tashmë një lehtësim sepse Ai e di se keni një pikë të dobët. Nëse prej jush janë njëqind të durueshëm, do t’i mundni dyqind, e nëse jeni një mijë, atëherë, me ndihmën e Zotit, do t’i mundni dy mijë. Allahu është me durimtarët. - Abdullah Ibn Mubareku sjell shpjegimin nga Ibn Abasi: “Kur Allahu zbriti ajetin: “Nëse prej jush janë njëzet veta durimtarë (e të paepur) , do të mundin dyqind ...”, kjo i rëndoi besimtarët, sepse do të thoshte se besimtari duhet të qëndronte në fushëbetejë edhe nëse raporti ishte një me dhjetë. Por më pas erdhi lehtësimi i Allahut: “Allahu ju ka sjellë tashmë një lehtësim, sepse Ai e di se keni një pikë të dobët....”. Pas këtij ajeti, nëse armiku ishte deri dyfish më shumë, nuk u lejohej të largoheshin nga fushëbeteja. Por nëse ishin më shumë, atëherë nuk ishte detyrë përballja me ta, por u lejohej të tërhiqeshin.

Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman) 8:65–8:66

Allahu i Lartësuar i drejtohet Profetit të Tij, duke i thënë: - “O Profet! Nxiti besimtarët për të luftuar!” - Nxiti besimtarët, që të kenë vullnet e ambicie për të luftuar në rrugën e Zotit. Bëju thirrje atyre për xhihad në rrugën e Zotit dhe mësoju që kurrë të mos e braktisin atë! Përmendju dobinë dhe shpërblimin e pamatë që Allahu i Lartësuar ka rezervuar për trimat e guximshëm dhe të duruar! Kujtoju mirësitë dhe begatitë e mëdha që dhurohen në dynja dhe ahiret, nëse përpiqesh për të ngritur lart fjalën e Allahut! Kujtoju, gjithashtu, dëmet e mëdha që sjell burracakëria dhe frika prej luftës! Këto janë cilësi poshtëruese, që cenojnë fenë dhe personalitetin e njeriut. Besimtari nuk mund të jetë kurrë burracak e frikacak. Përkundrazi, cilësi të pandashme të tij janë trimëria dhe guximi. E si të jetë ndryshe, kur Allahu i Lartësuar thotë: “Mos u tregoni të dobët kur të ndiqni armikun! Nëse ju ndieni dhimbje, (dijeni se) edhe ata, sikurse ju, ndiejnë dhimbje. Por ju shpresoni nga Allahu atë çka ata nuk e shpresojnë. Allahu është i Ditur e i Urtë”. ”. [Nisa 104]. Në vijim, Allahu i Lartësuar thotë: - “Nëse prej jush janë njëzet veta durimtarë (e të paepur), do të mundin dyqind; nëse janë njëqind, do të mundin një mijë jobesimtarë, për shkak se ata janë njerëz që nuk kuptojnë.” - Kështu, një besimtar i vërtetë dhe i sinqertë, trim dhe i guximshëm mund të sfidojë dhjetë jobesimtarë. Kjo ndodh sepse, sikurse thotë Allahu i Lartësuar: ata janë njerëz që nuk kuptojnë. Ata nuk kanë asnjë lloj njohurie rreth mirësive të mëdha që Allahu i Lartësuar ka përgatitur për luftëtarët në rrugën e Tij. Mohuesit e Zotit luftojnë në emër të kryelartësisë, arrogancës dhe sundimit të padrejtë, duke përhapur poshtërsitë dhe mosbesimin. Ndërsa besimtarët e sinqertë e kuptojnë dhe e dinë shumë mirë qëllimin e luftës kundër mohuesve, që është lartësimi i fjalës së Allahut, shfaqja, përhapja dhe triumfi i fesë së Tij, mbrojtja e Librit të Allahut dhe arritja e shpërblimeve të mëdha prej Allahut të Lartësuar. Pa dyshim, të gjitha këto nxisin tek besimtarët guximin, trimërinë, durimin dhe të qëndrueshmërinë në këtë luftë. Megjithatë, Allahu i Lartësuar dëshiroi t’ua lehtësonte besimtarëve këtë çështje, prandaj u tha: - “Allahu ju ka sjellë tashmë një lehtësim sepse Ai e di se keni një pikë të dobët.” - Allahu i Lartësuar e di shumë mirë dobësinë tuaj, prandaj me butësinë dhe mëshirën e Tij, ju bëri disa lehtësime: - “Nëse prej jush janë njëqind të durueshëm, do t’i mundni dyqind, e nëse jeni një mijë, atëherë, me ndihmën e Zotit, do t’i mundni dy mijë. Allahu është me durimtarët.” - Ky do të jetë rezultati, me mbështetjen tek Allahu i Lartësuar. Në

pamje të parë, duket sikur këto ajete thjesht na njoftojnë rreth gjendjes së besimtarëve, të cilët, me mirësinë e Allahut, nëse formojnë një numër të caktuar, do të arrijnë atë rezultat të premtuar në luftën kundër jobesimtarëve, pasi besimi kultivon guxim e trimëri. Në të vërtetë, kjo përbënte edhe një dispozitë, që Allahu i Lartësuar ua ngarkoi besimtarëve të parë. Në fillim, atyre nuk u lejohej të largoheshin nga fushëbeteja, edhe nëse raporti me qafirët ishte një me dhjetë. Por më vonë Allahu i Lartësuar ua lehtësoi këtë dispozitë, dhe kështu atyre nuk u lejohej që të largoheshin nga fushëbeteja nëse armiqtë ishin sa dyfishi i tyre, e po të ishin më tepër se kaq, atëherë besimtarëve u lejohej të largoheshin. Por këtu shfaqen dy probleme: Së pari, ajeti vjen në formë dëftore dhe, rregullisht, fjalitë në dëftore nuk merren dhe as nënkuptohen si urdhra, që zakonisht vijnë në formë urdhërore. Së dyti, në ajet, fitorja e muslimanëve kundrejt raportit numerik të përmendur, është kushtëzuar me të qenurit e muslimanëve të durueshëm dhe të stërvitur për të qenë të qëndrueshëm. Nga kjo kuptohet se, nëse nuk e plotësojnë këtë kusht, nëse duket qartë se nuk mund t’ia dalin në përballjen me armiqtë, atëherë muslimanët mund të largohen nga fushëbeteja kur armiqtë janë sa dyfishi i tyre ose edhe më pak. Kështu kuptohet qëllimi i ajetit dhe urtësia e Zotit. Në përgjigje të pikës së parë është thënë: Ajeti vjen në formë dëftore për të përcjellë një mesazh të bukur dhe të rëndësishëm, gjë që nuk do të kuptohej nëse do të ishte në formë urdhërore. Kështu, në formë dëftore, përveç faktit që urdhëron për diçka, ajeti shërben edhe si përforcues i zemrave të besimtarëve, duke i përgëzuar se do të fitojnë mbi mohuesit. Ndërsa rreth pikës së dytë është thënë se qëllimi i kushtëzimit të fitores me të qenurit durimtarë e të qëndrueshëm është inkurajim për besimtarët që të kultivojnë durimin. Ajeti sikur u thotë atyre: O besimtarë, është detyrë për ju që të merrni të gjitha masat e nevojshme që urdhëron Zoti, në mënyrë që të arrini fitoren. Duke patur edhe besimin e pastër në zemër, ju premtohet fitorja, premtim që Allahu i Madhëruar jua jep edhe nëse jeni shumë më pak në numër sesa jobesimtarët.

← Enfal 8:65