← Kthehu te rezultatet për „zemrat tuaja u ngurtesuan si guri“

8. Enfal · Ajeti 72 · Tefsir

Tefsiri i shkurtuar i Ibn Kethirit (Tejsir el-Alijj el-Kadir) 8:72

Allahu i Lartësuar shpalos kategoritë e besimtarëve. Muhaxhirë janë ata të cilët lanë vendin, shtëpitë e pasurinë e tyre vetëm për të ndihmuar rrugën e Allahut dhe Profetin e Tij, për të përmbushur e zbatuar tërësisht fenë e Zotit. Ata shpenzuan jetën dhe pasuritë e tyre për këtë qëllim. Ndërsa ensarë u quajtën muslimanët e Medinës në atë kohë, të cilët strehuan vëllezërit muhaxhirë në shtëpitë e tyre dhe që ndanë me ta pasurinë e tyre. Ata mbështetën dhe e mbrojtën me jetën e tyre Profetin e Allahut dhe luftuan në ndihmë të fesë së Tij. Për këto dy kategori, Allahu i Lavdëruar na njofton se janë miq e aleatë të ngushtë me njëri-tjetrin. - Vërtet, ata që besuan dhe mërguan, pastaj luftuan me pasurinë e me shpirtin e tyre në rrugën e Allahut, por dhe ata që i strehuan dhe i ndihmuan - këta të gjithë janë miq e mbrojtës të njëri -tjetrit. - Ata janë më parësorë dhe më të denjë për miqësinë, dashurinë e përkujdesin se çdokush tjetër. Për këtë arsye, Profeti vëllazëroi muhaxhirët dhe ensarët. Ata u bënë vëllezër të njëri -tjetrit, aq sa edhe kishin pjesë në trashëgiminë e njërit -jetrit, para të afërmve të farefisit, dispozitë kjo që u anulua më pas me zbritjen e ajeteve të trashëgimisë. Kjo është transmetuar saktësisht në Sahih-un e Buhariut nga Ibn Abasi. Imam Ahmedi sjell hadithin nga Xherir Ibn Abdilah el Bexheli, se Profeti i Allahut ka thënë: 1318. “Muhaxhirët dhe ensarët janë miq e mbrojtës të njëri -tjetrit. Kurejshët (tulekâu) e falur (ditën e çlirimit të Mekës) dhe thekifët e çliruar (nga robëria) janë miq e mbrojtës të njëri -tjetrit deri në Ditën e Kijametit.” Këtë version e ka sjellë vetëm Ahmedi. Allahu i Lartësuar i ka lavdëruar muhaxhirët dhe ensarët në disa ajete në Librin e Tij. I Lartësuari thotë: “Allahu është i kënaqur me besimtarët e hershëm muhaxhirë e ensarë dhe me ata që i pasuan me vepra të mira. Edhe ata janë të kënaqur me Të. Për ta Ai ka përgatitur kopshte, nëpër të cilët rrjedhin lumenj, ku do të jenë përjetësisht. Ky është fitimi i madh.” [Teube 100], ose: “Allahu ua pranoi pendimin Profetit, si edhe muhaxhirëve dhe ensarëve që e ndoqën pas në ato çaste të vështira, kur zemrat e disave prej tyre gati u lëkundën. Allahu i fali ata. Ai është i Butë dhe Mëshirëplotë me ta.” [Teube 117], ose: “Ajo u takon muhaxhirëve të varfër, të cilët u dëbuan prej shtëpive dhe pasurisë së tyre, për shkak se kërkonin mirësinë e kënaqësinë e Allahut dhe që të ndihmonin Allahun dhe të Dërguarin e Tij. Pikërisht këta janë të drejtët! Edhe atyre që përgatitën vendin dhe besimin para tyre, të cilët i duan ata që emigruan tek ata dhe nuk ndiejnë në gjoks smirë për çfarë u jepet atyre. Madje ata u japin përparësi atyre para vetvetes, edhe sikur të kenë vetë nevojë të domosdoshme. Kush u ruajt prej koprracisë së vetes, ata janë të fituarit! ” [Hashr 8, 9]. Vëreni me kujdes fjalën e Allahut të Lartësuar: “...dhe nuk ndiejnë në gjoks smirë për çfarë u jepet atyre....”. Tefsiri më i mirë në lidhje me këtë ajet është se ata nuk ndienin smirë në zemrat e tyre, për shkak të mirësisë së hixhretit, me të cilin Allahu i pati dalluar muhaxhirët. Ajeti tregon qartë se muhaxhirët janë më parësorë dhe në gradë më të lartë se ensarët. Ky është një mendim i pranuar unanimisht nga dijetarët dhe askush nuk e kundërshton atë. Në vijim, Allahu i Lartësuar thotë:

- Ndërsa ata që besuan, por ende nuk kanë mërguar, ju nuk e keni detyrë t’i mbështesni e t’i ndihmoni, derisa edhe ata të mërgojnë. - Kjo është kategoria e tretë e besimtarëve, që Allahu i Lartësuar i përmend në këtë ajet. Janë ata të cilët e pranuan besimin dhe u nënshtruan sipas tij, por që nuk mërguan, pasi preferuan të qëndronin në viset e tyre në shkretëtirë. Këtyre nuk u takonte pjesë në plaçkën e luftës së fituar nga Profeti dhe as në një të pestën e saj, të cilën Profeti mund ta shpërndante si të dëshironte, veç në rastin kur ata merrnin pjesë në luftime. Imam Ahmedi sjell hadithin nga Jezid Ibn Husajb el Eslemi ku, ndër të tjera, thu het: 1319. “...ftoji ata në Islam! Nëse e pranojnë, atëherë ndale luftën kundër tyre. Pastaj ftoji që të mërgojnë e t’i bashkëngjiten vendit të muhaxhirëve. Më pas njoftoji se, nëse e bëjnë këtë, atyre u takojnë të njëjtat të drejta, por edhe përgjegjësi, si të gjithë muhaxhirët. Por nëse refuzojnë mërgimin dhe preferojnë të mbeten në viset e tyre, atëherë njoftoji se ata do të trajtohen njëlloj si beduinët muslimanë dhe mbi ta do të zbatohet i njëjti ligj si mbi të gjithë besimtarët, por ata nuk kanë pjesë nga fej'u (plaçka e fituar pa luftë) dhe as nga ganimeja (plaçka e fituar në luftë), përveç rastit kur vetë ata marrin pjesë në luftë së bashku me muslimanët. Nëse ata refuzojnë të pranojnë besimin (fenë islame), atëherë njoftoji se janë të detyruar të paguajnë xhizjen. Nëse janë dakord ta japin xhizjen, pranoje dhe mos i lufto. Në të kundërt, mbështetju Allahut dhe luftoji!” Ky version është sjellë vetëm nga Muslimi, por në të ka edhe shtesa e detaje të tjera. - Nëse ata kërkojnë ndihmën tuaj për çështjen e fesë, atëherë është detyra juaj t’i ndihmoni ... - Nëse këta beduinë, të cilët nuk emigruan, ju kërkojnë ndihmë në luftë kundër një populli që i lufton në fenë e tyre, atëherë e keni detyrë që t’i ndihmoni, sepse ata janë vëllezërit tuaj në fe. Përjashtim bën vetëm një rast: - përveçse kundër një populli me të cilin keni marrëveshje të ndërsjelltë. Allahu sheh gjithçka që bëni ju. - Domethënë, popull me të cilët keni një marrëveshje deri në një afat të caktuar. Në këtë rast, nuk duhet t’i thyeni marrëveshjet e lidhura me ata. Ky shpjegim vjen nga Ibn Abasi.

Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman) 8:72

Ajeti flet për lidhjen vëllazërore që Allahu i Lartësuar urdhëroi të bëhej mes muhaxhirëve dhe ensarëve. - “Vërtet, ata që besuan dhe mërguan, pastaj luftuan me pasurinë e me shpirtin e tyre në rrugën e Allahut, por dhe ata që i strehuan dhe i ndihmuan - këta të gjithë janë miq e mbrojtës të njëri-tjetrit.” - Ata që emigruan për hir të Allahut në Medinë, duke lënë vendin dhe pasurinë e tyre, ishin muhaxhirët. Ata braktisën gjithçka vetëm për hir të Allahut dhe luftës në rrugën e Tij. Ndërsa banorët e Medinës, të cilët strehuan dhe mirëpritën Profetin dhe shokët e tij, ishin ensarët. Ata u dhanë besën muhaxhirëve se do t’i mbronin, mbështesnin dhe ndihmonin, madje do të luftonin me gjithçka që kishin, për t’i ndihmuar në rrugën e Zotit. Ensarët përgatitën vendin, pasurinë dhe veten e tyre, në shërbim të Allahut dhe fesë së Tij. Profeti i bashkoi muhaxhirët dhe ensarët në lidhje vëllazërore me njëri -tjetrin, duke patur në themel dashurinë për hir të Zotit. - “Ndërsa ata që besuan, por ende nuk kanë mërguar, ju nuk e keni detyrë t’i mbështesni e t’i ndihmoni, derisa edhe ata të mërgojnë.” - Kjo kategori muslimanësh e privoi veten nga aleanca dhe mbështetja juaj, sepse ata u ndanë prej jush atëherë kur ju kishit më shumë nevojë. Megjithatë: - “Nëse ata kërkojnë ndihmën tuaj për çështjen e fesë, atëherë është detyra juaj t’i ndihmoni,...” - Nëse ata sulmohen në fenë e tyre dhe ju kërkojnë ndihmë, atëherë e keni detyrë që t’i ndihmoni dhe të luftoni në mbështetje të tyre. Por nëse i luftojnë për çështje të tjera, jo fetare, nuk e keni detyrë që t’i ndihmoni. Megjithatë, në vijim, Allahu i Madhëruar, përjashton nga ky gjykim një grup mohuesish. Ai thotë: - “...përveçse kundër një populli me të cilin keni marrëveshje të ndërsjelltë.” - Nëse këta besimtarë që nuk kanë emigruar janë në luftë me ndonjë popull, me të cilët ju keni marrëveshje për armëpushim dhe paqe, atëherë ju nuk duhet t'u dilni në krah atyre, sepse kjo do të ishte shkelje e paktit tuaj me atë popull. Pastaj i Madhëruari thotë: - “Allahu sheh gjithçka që bëni ju.” - Allahu e di më mirë gjendjen dhe çdo nevojë tuajën, prandaj vendos ligje të dobishme dhe të përshtatshme për ju.

← Enfal 8:72