8. Enfal · Ajeti 74 · Tefsir
Tefsiri i shkurtuar i Ibn Kethirit (Tejsir el-Alijj el-Kadir) 8:74–8:75
- Ata që besuan, mërguan dhe luftuan në rrugën e Allahut dhe ata që i strehuan dhe i ndihmuan - pikërisht këta janë besimtarë të vërtetë. Për ta ka falje dhe shpërblim shumë bujar. - Allahu i Lartësuar përmendi më sipër gjykime të rëndësishme në lidhje me jetën e besmtarëve në këtë botë. Në vijim, Ai sjell premtimet dhe mirësitë që Ai ka përgatitur për ta në ahiret. Në fillim të sures, Allahu njoftoi se cili është imani i vërtetë dhe i saktë, për të cilin vlejnë këto premtime. Edhe në këtë ajet, Ai njofton se ky premtim u jepet atyre që plotësojnë këtë iman, duke përshkruar edhe cilësitë e tyre. Ai do t’i shpërblejë e gëzojë besimtarët e vërtetë me falje gjynahesh, me mbulim të gabimeve të tyre dhe me rizkun kerim , domethënë, me shpërblim shumë bujar. Shpërblimi bujar përfshin të gjitha mirësitë, begatitë, nderimet e dhuratat e Zotit, të cilat janë të përjetshme, që kurrë nuk ndërpriten a pakësohen. Pastaj i Lartësuari përmend edhe pasuesit e besimtarëve të mirë, të cilët ndoqën hapat e të parëve të tyre, në drejtim të imanit dhe të punëve të mira që nxit ky iman. - Edhe ata që u bënë besimtarë më pas, që mërguan dhe luftuan së bashku me ju, janë vëllezërit tuaj. - Edhe këta do të jenë së bashku me ta në ahiret, sikurse thotë i Lavdëruari: “Allahu është i kënaqur me besimtarët e hershëm muhaxhirë e ensarë dhe me ata që i pasuan me vepra të mira. Edhe ata janë të kënaqur me Të. Për ta Ai ka përgatitur kopshte, nëpër të cilët rrjedhin lumenj, ku do të jenë përjetësisht. Ky është fitimi i madh.” [Teube 100]. Gjithashtu: “Edhe atyre që kanë ardhur më pas e thonë: “Zoti ynë, falna ne dhe vëllezërit tanë, që u pajisën me besim para nesh, dhe mos lejo në zemrat tona urrejtje ndaj atyre që besojnë! Zoti ynë, Ti je i Butë e Mëshirëplotë!” [Hashr 10]. Në hadithin që sjellin Buhariu dhe Muslimi qëndron se Profeti i Allahut ka thënë: 1323. “Çdo njeri ka për të qenë me atë që e do.” Në një hadith tjetër thuhet: 1324. “Ai që e do një popull, është prej tyre” Në një version tjetër: “... ai do të ringjallet së bashku me ta.” - Megjithatë, farefisi ka më shumë përparësi ndaj njëri -tjetrit, sipas Librit të Zotit. Allahu di gjithçka. - Fjala “farefisi” - zakonisht në shkencën e ndarjes së trashëgimisë, - është një term që përfshin vetëm ata të afërm gjaku, të cilët nuk kanë pjesë të përcaktuar nga Sheriati në trashëgimi, pra, atë që quhet ‘furud’. Të tillë janë, për shembull, halla, daja, tezja, djemtë e vajzës, djemtë e motrës etj. Në këtë ajet, me fjalën “farefisi” nuk bëhet fjalë vetëm për këtë kategori të ngushtë, siç pretendojnë disa. E vërteta është se në këtë ajet, “farefis” ( ulû el erĥâmi ) është një term i përgjithshëm, i cili përfshin të gjithë të afërmit nga gjaku. Ky fakt është i rëndësishëm në lidhje me dispozitat për vasijetin.95 Ibn Abasi, Muxhahidi, Ikrime, Haseni, Katadja e të tjerë, janë shprehur se ky ajet është anulues i dispozitës së hershme, që lejonte trashëgiminë në bazë të marrëveshjeve ose vëllazërimit, dispozitë e cila funksionoi vetëm në fillim të Islamit. 96 Këtu përfundon përmbledhja e tefsirit të sures Enfal. Vetëm Allahut i takojnë lavdërimet dhe vetëm Atij i mbështetemi! Ai na mjafon dhe Ai është më i miri Ndihmëtar e Kujdestar!
Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman) 8:74–8:75
Ajetet e mësipërme flisnin për vëllazërimin dhe lidhjen e fortë mes muhaxhirëve dhe ensarëve, ndërsa ajetet në vijim flasin për shpërblimin e madh të tyre. Thotë i Lartësuari: - “Ata që besuan, mërguan dhe luftuan në rrugën e Allahut dhe ata që i strehuan dhe i ndihmuan - pikërisht këta janë besimtarë të vërtetë. Për ta ka falje dhe shpërblim shumë bujar.” - Muhaxhirët dhe ensarët janë pikërisht besimtarët e vërtetë, me iman të plotë. Ata e vërtetuan këtë përmes veprave madhështore që kryen në emër të këtij imani, si hixhreti për hir të Zotit, xhihadi në rrugën e Tij me pasurinë, jetën dhe veten e tyre, lidhja e fortë, mbështetja dhe dashuria mes njëri -tjetrit si besimtarë etj. Ata ishin të dashur, të mëshirshëm dhe të butë me besimtarët, por të ashpër dhe luftëtarë të rreptë kundër mohuesve dhe munafikëve. Këtyre besimtarëve, i Madhëruari u premtoi të mira me bollëk si në këtë botë, ashtu edhe në ahiret, në kopshtet e begatisë. Ata u shpërblyen që në këtë jetë, në mënyrë që t’u qetësohej zemra dhe shpirti. Por ky premtim vlen edhe për ata besimtarë të sinqertë që erdhën pas brezit të muhaxhirëve dhe ensarëve. Ata ndoqën me sinqeritet rrugën e Profetit ﷺ dhe shokëve të tij, duke bërë hixhret dhe duke zhvilluar xhihad në rrugën e Zotit. Edhe këta, sikurse thotë Allahu i Lartësuar: - “Edhe ata që u bënë besimtarë më pas, që mërguan dhe luftuan së bashku me ju, janë vëllezërit tuaj.” - Atyre u takon çdo trajtim që ju bëhet juve dhe kanë të njëjtat detyrime dhe përgjegjësi sikurse ju. Kjo ishte lidhja e fortë dhe dashuria e imanit. Në fillimet e Islamit, kjo lidhje ishte shumë e fortë për zemrat e besimtarëve. Vëllazërimi që bëri Profeti ﷺ mes muhaxhirëve dhe ensarëve ishte unik dhe qëndronte përveç vëllazërisë së përgjithshme që bashkon besimtarët. Madje, në fillimet e kësaj lidhjeje, muhaxhirët dhe ensarët kishin të drejtë trashëgimie ndaj njëri -tjetrit. Por më pas Allahu i Lartësuar shpalli ajetet: - “Megjithatë, farefisi ka më shumë përparësi ndaj njëri -tjetrit, sipas Librit të Zotit.” - Tashmë pjesëtarë në trashëgimi do të jenë veçse të afërmit, që Sheriati i ka përcaktuar mirë, shkallë -shkallë, sipas fortësisë së lidhjes. Këto i tregon qartë Libri i Allahut, domethënë Sheriati i Tij. - “Allahu Di gjithçka.” - Pjesë e diturisë absolute të Allahut është edhe dija e Tij rreth gjendjes suaj dhe ligjeve që janë të përshtatshme dhe rregulluese të jetës suaj. Allahu është më i Dituri dhe i Urti rreth ligjeve që ju përshtaten dhe rregullojnë çështjet e kësaj jete dhe të jetës tjetër. 32
Këtu përfundon edhe tefsiri i sures Enfal. Lavdia e plotë i takon Allahut të Vetëm dhe të Pashoq!