80. Abese · Ajeti 33 · Tefsir
Shënimet shpjeguese të Sherif Ahmetit (Kurani me Komentim) 80:17–80:42
Zoti e vraftë njeriun që i rritet mendja e nuk njeh Zotin dhe nuk mendon se çka ishte ai vetë, prej nga u krijua, kush e krijoi, kush i hapi rrugën e jetës dhe të fatbardhësisë, kush e, mësoi që pasi të vdesë, të varroset e të mos hidhet në ndonjë humnerë si kafshët. Varrimi është një nderë që i bëhet vetëm njeriut prej të gjitha krijesave. Edhe ky është mësim nga Zoti.
Njeriu duhet të përpiqet në këtë jetë dhe duhet të zbatojë atë që ka urdhëruar Zoti, e të mos i sjellë vetes punën që në ditën e kijametit të ikë edhe prej më të dashurve, sepse atë ditë çdo njeri është i preokupuar me çështjet e veta, e nuk i bie në mend për të tjerët, ndodh që të ikë pse nuk e ka kryer obligimin e vet ndaj të afërmve. Ky është rregull i përgjithshëm edhe pse thuhet se i pari do të ikë Kabili prej Habilit, Ibrahimi prej babait, Nuhu e Luti prej grave të veta, Nuhu prej djalit., Besimtarët punëmirë do të jenë me fytyra të bardha e të gëzuara, e refuzuesit e mësimeve të Zotit me fytyra të shëmtuara. Me ndihmën e Zotit, përfundoi përkthimi dhe komentimi i sures Abese. Falënderoj Allahun e madhëruar!
Tefsiri i shkurtuar i Ibn Kethirit (Tejsir el-Alijj el-Kadir) 80:33–80:42
- “Por, kur të vijë Ushtima ...” - Ibn Abasi shpjegon: ‘ Sâħħah’ është një nga emrat e Ditës së Kijametit. Zoti na ka treguar se ajo është një ditë madhështore, gjëmëmadhe dhe i ka paralajmëruar robërit që të ruhen dhe të përgatiten për të. Begauiu ka thënë se: “ Sâħħah” do të thotë: britma, klithma, zhurma, krisma e Ditës së Kijametit. - “Ajo është dita kur njeriu ikën prej vëllait të vet, prej nënës dhe prej babait të vet, prej gruas dhe prej fëmijëve të vet.” - Atë ditë, ai ka për t’i parë ata dhe do të largohet me të shpejtë prej tyre, sepse lemeria e asaj dite është e madhe. Ikrima ka thënë: “Atë ditë, një burrë takohet me gruan e tij dhe i thotë: “Çfarë burri kam qenë për ty?” Ajo ia kthen: “Ti ishe nje burrë i mre - kullueshëm..”, dhe e lavdëron sa të mundet. Atëherë ai i thotë: “Sot të kërkoj të më japësh veç një vepër të mirë nga të tuat, që të shpëtoj nga ajo që shikon.” Ajo i thotë: “Ajo që ke kërkuar është e lehtë, por unë nuk mundem të të jap asgjë, sepse ashtu si ti, kam frikë nga ajo që shoh.” Njeriu tako - het me djalin e vet, kapet pas tij e i thotë: “O biri im, çfarë babai kam qenë për ty?” Edhe biri e lavdëron me fjalët më të mira. Atëherë ai i thotë: “O biri im, kam nevojë për një vepër prej veprave të tua të mira, që të shpëtoj nga ajo që shikon.” Por i biri i thotë: “O baba, ajo që kërkove është e lehtë, por edhe unë kam frikë, ashtu si ti, prandaj nuk mundem të të jap asgjë.” Zoti i Madhë - ruar thotë: “Ajo është dita kur njeriu ikën prej vëllait të vet, prej nënës dhe prej babait të vet, prej gruas dhe prej fëmijëve të vet.”
Në hadithin e saktë që flet rreth shefaatit thuhet se: “... secilit prej më të zgjedhurve profetë do t’i kërkohet që të ndërmjetësojë tek Allahu për krijesat e që të fillojë llogaria dhe të lehtësohet vështirësia e asaj dite, por secili prej tyre do të thotë: “Vetja ime! Vetja ime! Nuk të kërkoj, o Zot, veçse për veten time.” Kështu do të vazhdojë, derisa shkojnë tek Isai, i biri i Merjemes, (paqja e Zotit qoftë mbi të!) dhe ai gjithashtu do të thotë: “Unë nuk do t’i lutem Atij sot veçse për veten time. Madje nuk do t’i lutem Atij as për Merjemen, e cila më lindi mua.” Prandaj i Madhëruari thotë: “Ajo është dita kur njeriu ikën prej vëllait të vet, prej nënës dhe prej babait të vet, prej gruas dhe prej fëmijëve të vet.” Më pas i Lartësuari thotë: - “Atë ditë, çdo njeriu i mjafton çështja e vet.” - Gjithësecili ka hallin e vet dhe nuk mendon për asnjë tjetër. Ibn Ebu Hatim sjell me senedin e tij hadithin nga Ibn Abasi, se Profeti i Allahut ka thënë: 2819. “Ju do të ringjalleni këmbëzbathur, të zhveshur, duke ecur në këmbët tuaja, të pabërë synet.” Atë - herë, gruaja e Profetit ﷺ tha: “O i Dërguari i Allahut! Vallë, do të shikojmë njëri - tjetrin?” Profeti i Allahut tha: “Atë ditë, çdonjëri ka hallin e vetes së vet.” Ose tha: “Çdokush është aq i preokupuar, saqë është tërësisht i shpërqendruar që të shohë të tilla gjëra.”. Imam Ahmedi sjell hadithin nga Aishja, se Profeti ﷺ ka thënë: “Ditën e Kijametit, njerëzit do të ringjallen tek Allahu, këmbëzbathur, të zhveshur dhe të pabërë synet.” Aishja tha: “O i Dërguari i Allahut! Burrat dhe gratë do të vështrojnë njëri - tjetrin!” Ai tha: “O Aishe, në fakt, çështja do të jetë shumë më e frikshme dhe e rëndë, sesa dikush të mendojë për diçka të tillë.” Hadithin e gjen te Buhariu dhe Muslimi. - “Atë ditë do të ketë fytyra të shndritura, të buzëqeshura e të gëzuara.” - Kështu, njerëzit do të ndahen në dy grupe. Fytyrat e njërit grup do të jenë të shndritshme, vezulluese, të buzëqeshura e të gëzuara. Kënaqësia dhe lumturia shfaqen në fytyrat e tyre. Këta janë banorët e Xhenetit. Nga ana tjetër: - “Atë ditë do të ketë edhe fytyra të pluhurosura, që i ka mbuluar errësira.” - Pra, ato janë të mbuluara nga terri, pluhuri i zi, errësira. Ibn Ebu Hatimi sjell hadithin nga Xhafer Ibn Muhamedi, ky nga i ati dhe ky nga gjyshi i vet, se Profeti i Allahut ka thënë: 2820. “Mohuesit do të mbulohen nga djersët e veta. Pastaj mbi ta do të bjerë pluhuri i zi.” - “Këta janë mohuesit, gjynahqarët.” – Janë ata, zemrat e të cilëve mohuan dhe refuzuan të vërtetën. Ata që janë keqbërës, të shfrenuar dhe të pabindur ndaj Allahut të Madhëruar. Ky është fundi i shkurtesës së tefsirit të sures Abese. Vetëm Allahut i takon lavdërimi dhe mirënjohja.Vetëm tek Ai kërkojmë mbrojtje nga çdo gabim dhe Atij i takon bujaria e mirësia. Vetëm Atij i mbështetemi dhe vetëm tek Ai e gjejmë forcën.
Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman) 80:33–80:42
- “Por, kur të vijë Ushtima,...” - Kur të dëgjohet ushtima e Kijametit, nga zhurma e së cilës buçasin veshët dhe tronditen shpirtrat, atë ditë njerëzit do të shohin tmerrin me sy. Frika do të jetë shumë e madhe dhe çdokush do të dëshironte që të kishte qoftë edhe një vepër të mirë, sado e vogël qoftë ajo, për t’i shpëtuar dënimit të asaj dite të vështirë. - “...Ajo është dita kur njeriu ikën prej vëllait të vet, prej nënës dhe prej babait të vet, prej gruas dhe prej fëmijëve të vet.” - Atë ditë, askush nuk do të pyesë për asgjë dhe për asnjë në këtë botë. Çdokush do të shqetësohet vetëm për veten e vet. Madje, në ato momente, njeriu do të braktisë edhe njerëzit më të dashur dhe më të shtrenjtë të tij, sepse tmerri është shumë i madh. - “Atë Ditë, çdo njeriu i mjafton çështja e vet.” - Çdokush do të shqetësohet vetëm për veten dhe për të shpëtuar nga ndëshkimi. Asgjë dhe askush nuk i hyn më në sy. Ajo është dita kur njerëzit do të ndahen në dy grupe: të shpëtuarit, që do të lumturohen në kënaqësinë dhe në mëshirën e Allahut të Lartësuar, dhe të dëshpëruarit, që do të vuajnë ndëshkimin e të Drejtit të Plotpushtetshëm. Ata do të dallohen nga fytyrat e tyre: - “Atë Ditë do të ketë fytyra të shndritura, të buzëqeshura e të gëzuara.” - Fytyrat e fatbardhëve do të jenë të shndritura, në të cilat do të dallohet qartë kënaqësia dhe mirësia që përjetojnë, kur përgëzohen me shpëtimin nga Zjarri dhe hyrjen në Xhenetin e mirësive të përjetshme. Ato do të jenë fytyra të qeshura dhe të gëzuara. - “Atë ditë do të ketë edhe fytyra të pluhurosura, që i ka mbuluar errësira.” - Ndërsa fytyrat e të mjerëve do të jenë të mbuluara nga pluhuri dhe errësira. Ata do të jenë shumë të dëshpëruar, sepse nuk shpresojnë asnjë të mirë dhe janë plotësisht të sigurt për dënimin që do të vuajnë përjetësisht. Ata e meritojnë këtë ndëshkim, sepse janë mohues dhe shkelës të kufijve të Zotit. I Lartësuari thotë: - “Këta janë mohuesit, gjynahqarët.” - Ky do të jetë përfundimi i të gjithë atyre që mohojnë mirësitë e Allahut, që nuk i besojnë shpalljet e Tij dhe guxojnë të shkelin dhe kufijtë e Tij. E lusim Allahun e Lartësuar që të na ruajë dhe të na shpëtojë! Ai është vërtet Bamirës i madh dhe Bujar!