9. Tevbe · Ajeti 101 · Tefsir
Shënimet shpjeguese të Sherif Ahmetit (Kurani me Komentim) 9:90–9:106
Në këto ajete flitet për hipokritët nga radhët e beduinëve që nuk patën shkuar në luftë, si fisi Esed e Gatfanë, të cilët kërkuan falje. Disa të tjerë nuk kërkuan fare. Allahu nuk i merr në përgjegjësi ata që ishin të dobët fizikisht, të sëmurë, ata që nuk kishin me çka të përgatiteshin, e as ata që u kthyen duke qarë, pse nuk patën me çka të udhëtonin. Këta ishin nja shtatë ensarë. Ai do t'i marrë në përgjegjësi ata që patën mundësi e nuk shkuan. Ata kërkuan falje duke u betuar i në Allahun dhe përpiqeshin t'i përfitonin myslimanët, por Allahu këshilloi myslimanët të hiqen i prej tyre, sepse Ai nuk ishte i kënaqur me ta.
Arabët beduinë ishin edhe më mohues e më hipokritë, ngase jetonin në shkretëtirë dhe nuk i dinin për norma morali, nuk dinin fare për sheriatin islam, ndërsa atë që e jepnin si lëmoshë I e trajtonin si gjobë, andaj mezi pritnin ndonjë të keqe për myslimanët. Por kishte edhe asish që besonin drejt.
Meritën më të madhe e kanë ata më të hershmit, muhaxhirë e ensarë, por meqë thuhet se edhe ata që ndjekin traditat e tyre janë me ata me të cilët Allahu është i kënaqur, është shpresë se kjo dispozitë do të vlejë për të gjithë myslimanët e mirë, deri në kijamet.
Edhe në Medinë, e edhe përreth saj kishte hipokritë të fshehtë për të cilët Zoti e njoftonte Muhammedin. Thuhet se Pejgamberi i kishte treguar një shokut të vet, Huzejfe bin Jumanit, emrat e disa hipokritëve të fshehur dhe i kishte thënë që të mos i tregonte askujt. Huzejfeja konsiderohej shoku i sekreteve të Pejgamberit, andaj Ymeri i Hatabit nuk shkonte t'i falë askujt xhenazën, pok nuk e shihte aty Huzejfen.
Hipokritët e tillë, Zoti tha se do t'i dënojë dy herë: herën e parë ose do t'i mbyste ose do t'i çonte në robërim, e herën tjetër në çastin e vdekjes dhe në varr. - Një grup ishte që nuk kishte vajtur në luftë, jo pse ishin hipokritë, por nga përtacia, e Pejgamberi porositet të pranojë nga ata lëmoshë dhe të lutet për ta në mënyrë që ta ndiejnë veten myslimanë të mirë.
Sikundër po shihet, hipokritët ishin tre llojesh: të vendosur në hipokrizi, të penduar që kërkonin falje dhe të tillë që çështja e tyre priste urdhërin e Zotit. Ata ishin tre shokë të Pejgamberit që kishin marrë pjesë në luftën e Bedrit, por në rastin e Tebukut ngelën në shtëpi dhe nuk u ngutën të kërkonin falje e as të shprehnin pendimin. Ata mbetën pesëdhjetë ditë të izoluar prej myslimanëve derisa erdhi shpallja nga Zoti kur ua pranoi pendimin.
Tefsiri i shkurtuar i Ibn Kethirit (Tejsir el-Alijj el-Kadir) 9:101
Allahu i Lartësuar e njofton Profetin e Tij se, edhe rreth e rrotull Medinës, madje edhe brenda saj, ka të tillë që janë munafikë. Allahu i Lartësuar i përshkruan dhe thotë: - Rreth jush ka beduinë që janë hipokritë. Edhe prej banorëve të Medinës ka nga ata që janë kryeneçë në dyfytyrësinë e tyre. - Ata janë kryeneçë në dyfytyrësinë e tyre, janë të vazhdueshëm e këmbëngulës, nuk heqin dorë prej saj. - Ti nuk i njeh ata, por Ne i dimë mirë. - Ti nuk e di cilët janë ata, por ne i dimë mirë. Nga ky ajet kuptohet qartë se Profeti ﷺ nuk i njihte të gjithë munafikët që e rrethonin, por vetëm një pjesë të tyre. Të tjerët nuk i dinte askush. Ndërsa një pjesë tjetër t ë munafikëve, Profeti ﷺ arrinte ta dallonte përmes shenjave dhe përshkrimit të tyre, sikurse thotë Allahu i Lartësuar: “Po të donim, Ne do të mundësonim t'i shihje ata (hipokritë), dhe pastaj, me siguri, do t’i
njihje nga shenjat e tyre. Ti do t’i njohësh ata përmes fjalëve të tyre. Allahu i di mirë veprat tuaja.” [Muhamed 30]. Kështu, Profeti e dinte mirë se disa banorë të Medinës, - të cilët edhe i afroheshin ndonjëherë, e shihnin dhe i shihte mëngjes e mbrëmje, - ishin munafikë . Më parë, në tefsirin e fjalës së Allahut të Lartësuar: “Në të vërtetë, ata thanë fjalë kufri, mohuan pasi kishin pranuar Islamin dhe tentuan diçka që nuk e arritën dot”, kemi përmendur se Profeti i tregoi Hudhejfes 14 ose 15 munafikë, me emra dhe mbiemra. Sigurisht, nga ky fakt kuptojmë se Profeti ﷺ nuk mund të identifikonte të gjithë munafikët që e rrethonin. Allahu është më i ditur. Ibn Asakiri tregon në jetëshkrimin e Ibn Umer El Bejrutit, se ky sjell nga Ebu Darda hadithin, që thotë se : 1414. "... një burrë, i cili quhej Harmela, shkoi tek Profeti dhe i tha: “Imani është pikërisht këtu!” - dhe tregoi me dorë gjuhën e tij. - “Ndërsa hipokrizia është këtu!” - dhe tregoi me dorë zemrën e tij, - kurse ata (munafikët) nuk e përmendin Allahun aspak.” Profeti tha: “O Zot, jepi atij një gjuhë që të përmend shumë dhe një zemër mirënjohëse ndaj Teje! Jepi atij dashurinë për mua dhe dashurinë për të gjithë ata që më duan mua! O Zot, rregulloje gjendjen e tij për mirë!” Ai tha: “O i Dërguari i Allahut, unë kisha disa shokë munafikë, madje isha prijësi i tyre. A t’i sjell edhe ata?” Profeti tha: “Kush vjen tek ne, ne do të kërkojmë falje për të, por ai që këmbëngul dhe tregohet kryeneç në dyfytyrësinë e tij (pra, i vazhdueshëm dhe nuk kthen rrugë), Allahu e di më mirë për të. Por, - vazhdoi Profeti, - mos i përhapni të fshehtat e njerëzve!” Kështu e ka sjellë Ahmed el Hakim. - Kemi për t’i dënuar ata dy herë ... - Duke shpjeguar këtë fjalë, Muxhahidi ka thënë: “Domethënë, Allahu do t’i shkatërrojë përmes vrasjes së tyre ose përmes robërimit.” Ndërsa në një version tjetër thuhet se ai e shpjegoi duke thënë: “Allahu do t’i ndëshkojë me uri të madhe (në këtë jetë) dhe me ndëshkimin në varr.”. Ndërsa Sediju sjell hadithin nga Ebu Maliku e ky nga Ibn Abasi, i cili tregon se : 1415. "Profeti tha njëherë në hytben e xhumasë: “Dil, o filan, se ti je munafik, dil, o filan, se ti je munafik!” Dhe kështu nxori prej xhamisë disa prej tyre, duke i poshtëruar dhe demaskuar në sy të të gjithëve. “Kështu, - thotë Ibën Abasi - dënimi i parë ishte kur i nxori ata prej xhamisë. Ndërsa dënimi i dytë është dënimi në varr.” Po kështu e sjell hadithin Theuriu nga Sudiju, e ky nga Ebu Maliku, i cili ka thënë fjalë të ngjashme. Më pas, Allahu i Lartësuar thotë: - e pastaj do të flaken në dënimin e madh. - Këtu bëhet fjalë për dënimin e ahiretit, i cili është përjetësia në zjarrin e Xhehenemit. Allahu na ruajtë nga ndëshkimi i zjarrit të Xhehenemit!
Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman) 9:101
- “Rreth jush ka beduinë që janë hipokritë. Edhe prej banorëve të Medinës ka nga ata që janë kryeneçë në dyfytyrësinë e tyre. Ti nuk i njeh ata, por Ne i dimë mirë.” – Kuptimi: Shumë nomadë - por edhe disa banorë të Medinës - janë munafikë. Ata janë këmbëngulës në hipokrizinë dhe padrejtësitë e tyre. Ju nuk i njihni ata, prandaj edhe nuk mund t'i trajtoni ashtu si e meritojnë ata hipokritë të ulët dhe plot ligësi. Por mos harroni se është Allahu i Lartësuar që i ka lënë në hije, që ju të mos i identifikoni ata. Ai e ka bërë diçka të tillë me urtësinë e Tij të madhe. Megjithatë, mos harroni edhe diçka më të rëndësishme: - “Kemi për t’i dënuar ata dy herë, e pastaj do të flaken në dënimin e madh.” -
Përmenden dy ndëshkime për këta të mjerë. Ajeti është kuptuar me mënyra të ndryshme. Sipas një kuptimi, ata do të ndëshkohen në këtë jetë dhe në ahiret. Në dynja ata ndëshkohen me trishtim, ankth dhe frikë torturuese. Ata dëshpërohen për çdo mirësi dhe fitore që gëzojnë besimtarët. Ndërsa në ahiret i pret dënimi i zjarrit, dhe ai është më i keqi. Ndërsa sipas një kuptimi tjetër, ajeti do të thotë se Allahu i Madhëruar do t’ua shumëfishojë dhe rëndojë gjithnjë e më tepër dënimin munafikëve, që fshihen si gjarpërinj.