← Kthehu te rezultatet për „zemrat tuaja u ngurtesuan si guri“

9. Tevbe · Ajeti 102 · Tefsir

Shënimet shpjeguese të Sherif Ahmetit (Kurani me Komentim) 9:90–9:106

Në këto ajete flitet për hipokritët nga radhët e beduinëve që nuk patën shkuar në luftë, si fisi Esed e Gatfanë, të cilët kërkuan falje. Disa të tjerë nuk kërkuan fare. Allahu nuk i merr në përgjegjësi ata që ishin të dobët fizikisht, të sëmurë, ata që nuk kishin me çka të përgatiteshin, e as ata që u kthyen duke qarë, pse nuk patën me çka të udhëtonin. Këta ishin nja shtatë ensarë. Ai do t'i marrë në përgjegjësi ata që patën mundësi e nuk shkuan. Ata kërkuan falje duke u betuar i në Allahun dhe përpiqeshin t'i përfitonin myslimanët, por Allahu këshilloi myslimanët të hiqen i prej tyre, sepse Ai nuk ishte i kënaqur me ta.

Arabët beduinë ishin edhe më mohues e më hipokritë, ngase jetonin në shkretëtirë dhe nuk i dinin për norma morali, nuk dinin fare për sheriatin islam, ndërsa atë që e jepnin si lëmoshë I e trajtonin si gjobë, andaj mezi pritnin ndonjë të keqe për myslimanët. Por kishte edhe asish që besonin drejt.

Meritën më të madhe e kanë ata më të hershmit, muhaxhirë e ensarë, por meqë thuhet se edhe ata që ndjekin traditat e tyre janë me ata me të cilët Allahu është i kënaqur, është shpresë se kjo dispozitë do të vlejë për të gjithë myslimanët e mirë, deri në kijamet.

Edhe në Medinë, e edhe përreth saj kishte hipokritë të fshehtë për të cilët Zoti e njoftonte Muhammedin. Thuhet se Pejgamberi i kishte treguar një shokut të vet, Huzejfe bin Jumanit, emrat e disa hipokritëve të fshehur dhe i kishte thënë që të mos i tregonte askujt. Huzejfeja konsiderohej shoku i sekreteve të Pejgamberit, andaj Ymeri i Hatabit nuk shkonte t'i falë askujt xhenazën, pok nuk e shihte aty Huzejfen.

Hipokritët e tillë, Zoti tha se do t'i dënojë dy herë: herën e parë ose do t'i mbyste ose do t'i çonte në robërim, e herën tjetër në çastin e vdekjes dhe në varr. - Një grup ishte që nuk kishte vajtur në luftë, jo pse ishin hipokritë, por nga përtacia, e Pejgamberi porositet të pranojë nga ata lëmoshë dhe të lutet për ta në mënyrë që ta ndiejnë veten myslimanë të mirë.

Sikundër po shihet, hipokritët ishin tre llojesh: të vendosur në hipokrizi, të penduar që kërkonin falje dhe të tillë që çështja e tyre priste urdhërin e Zotit. Ata ishin tre shokë të Pejgamberit që kishin marrë pjesë në luftën e Bedrit, por në rastin e Tebukut ngelën në shtëpi dhe nuk u ngutën të kërkonin falje e as të shprehnin pendimin. Ata mbetën pesëdhjetë ditë të izoluar prej myslimanëve derisa erdhi shpallja nga Zoti kur ua pranoi pendimin.

Tefsiri i shkurtuar i Ibn Kethirit (Tejsir el-Alijj el-Kadir) 9:102

Pasi foli për munafikët, të cilët i bënë bisht xhihadit me Profetin, të shtyrë nga mosbesimi dhe dyshimet e tyre të shumta, Allahu i Lartësuar vijon të na tregojë për një kategori tjetër njerëzish, të cilët nuk morën pjesë në xhihad thjesht nga plogështia e neglizhenca, por që në zemrat e tyre kishte besim tek e vërteta. Ata ishin njerëz të ngarkuar me gjynahe. Allahu i Lartësuar thotë: - Ka edhe të tjerë, që janë të vetëdijshëm për gjynahet e veta. - Këta janë të vetëdijshëm dhe i pohojnë me keqardhje gjynahet mes tyre dhe Zotit. por nga ana tjetër kanë edhe punë të mira. Allahu thotë për ta: - Ata kanë edhe vepra të mira edhe vepra të këqija. - Këta janë në mëshirën dhe faljen e Allahut. Ky ajet flet për të gjithë ata që kanë këtë përshkrim, pra, që janë ndotur e kanë gjynahe, por kanë edhe vepra të mira. Ibn Abasi thotë se ky ajet zbriti e flet

për Ebu Lubaben dhe disa shokë të tij, të cilët nuk morën pjesë me Profetin e Allahut në luftën e Tebukut. Kur Profeti i Allahut u kthye nga lufta, ata shkuan në xhami dhe u vetëlidhën në shtyllat e xhamisë, duke u betuar që nuk do të lëviznin prej aty, derisa të ishte vetë Profeti i Allahut që t’i zgjidhte me dorën e tij. Kur Allahu i Lartësuar zbriti këtë ajet, Profeti i Allahut i liroi dhe i fali ata. - Allahu do t’i falë ata, sepse Ai është Pranues i madh i pendimit e Mëshirëplotë. - Buhariu sjell hadithin nga Sumrate Ibn Xhundubi, që tre gon “Profeti i Allahut na tha: 1416. “Sonte (në ëndërr) më erdhën dy vizitorë, të cilët më morën e më çuan te një qytet i ndërtuar me tulla ari e argjendi. Atje ne takuam njerëz, gjysma e trupit të cilëve dukej si qenia më e pashme e krijesave qe keni parë ndonjëherë, ndërsa gjysma tjetër si e njerëzve më të shëmtuar (neveritshëm) që keni parë ndonjëherë. Dy vizitorët u thanë këtyre njerëzve: 'Shkoni dhe zhytuni në atë lumë! Kështu, ata u zhytën atje, dhe pastaj erdhën tek ne. Shëmtia e tyre ishte pastruar dhe tashmë ishin në pamjen më të mirë. Ata të dy thanë: “Ky është Kopshti i Adnit (një nga kopshtet e Xhenetit), i cili do të jetë vendbanimi yt.” Pastaj shtuan: “Sa për njerëzit që ishin gjysmë të bukur dhe gjysmë të shëmtuar, ishin ata të cilët i kanë përzier punët e mira me të këqijat, të cilët Allahu i fali.” Kështu e ka sjellë Buhariu në version të shkurtuar, si tefsir të këtij ajeti.

Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman) 9:102–9:103

- “Ka edhe të tjerë, që janë të vetëdijshëm për gjynahet e veta.” - Ashtu sikurse ka mohues dhe munafikë në botë, ka edhe të tjerë që i pranojnë me keqardhje gabimet e tyre. Ata pendohen sinqerisht për gjynahet e tyre dhe nxitojnë për t’u përmirësuar dhe kthyer tek Zoti me bindje e nënshtrim. Nëpërmjet punëve të mira dhe adhurimeve të sinqerta ata pastrohen dhe qetësojnë zemrat e tyre. Për këta, Allahu i Madhëruar thotë: - “Ata kanë edhe vepra të mira edhe vepra të këqija.” - Ata kanë bërë edhe vepra të mira, edhe të këqija. Që një vepër të quhet e mirë, ajo ka nevojë për plotësimin e teuhidit dhe besimit të duhur nga ana e njeriut, për t’u konsideruar si besimtar, jashtë rrethit të mohuesve dhe idhujtarëve. Kështu, këta kanë bërë edhe vepra të mira, edhe të këqija. Ata mund të kenë bërë ndonjë haram ose të kenë lënë pa bërë ndonjë detyrë, por sidoqoftë e kanë pranuar se kjo është gabim dhe gjithmonë kanë shpresuar që Zoti t’i falë. Këta janë ata për të cilët i Madhëruari thotë: - “Allahu do t’i falë ata, sepse Ai është Pranues i madh i pendimit e Mëshirëplotë.” - Pranimi i pendimit nga i Madhëruari kalon në dy faza: 1. Zoti e inspiron dhe ia mundëson njeriut që të pendohet, me mëshirën dhe urtësinë e Tij absolute, që çdo gjë e vendos në vendin e vet. 2. Pranimi i pendesës së tyre, pasi ata e shprehin atë ashtu si duhet. Allahu përshkruhet si Falës i madh dhe Mëshirëplotë. E gjithë bota, qoftë ajo qiellore, ashtu edhe ajo tokësore, qëndrojnë veçse me faljen dhe mëshirën e Tij. I Lartësuari thotë: “ Nëse Allahu do t’i dënonte njerëzit sipas veprave (të këqija) të tyre, nuk do të linte mbi faqen e dheut asnjë gjallesë. Por, Ai i lë ata deri në afatin e caktuar. Por kur të vijë afati i tyre, (le ta dinë se) Allahu Shikon gjithçka nga robërit e vet.” [Fatir 45]. Ose: “ Është Allahu Ai që i mban qiejt dhe tokën që të mos bien. Po të

binin, s’ka asnjë veç Tij që mund t’i mbajë; Ai është i Butë dhe Falës i Madh. ” [Fatir 41]. Prej faljes dhe mëshirës së pakufishme të Tij, Allahu i Madhëruar ua pranon pendimin edhe atyre që e kanë tepruar me vepra të këqija, nëse ata kthehen tek Ai të nënshtruar me pendesë dhe keqardhje, qoftë edhe fare pak para vdekjes së tyre. Ai i fal dhe ua mbulon gabimet atyre. Ky lajm u jep shpresë të madhe gjynahqarëve që pendohen sinqerisht tek Zoti. Por nëse gjynahqarët nuk pendohen sinqerisht, janë në rrezik të madh dhe duhet të frikësohen nga ndëshkimi i të Drejtit. Allahu i Lartësuar i drejtohet Profetit (a.s) dhe të gjithë atyre që janë trashëgimtarë e pasues të tij, dhe e urdhëron për të bërë diçka, që shërben për t'i pastruar besimtarët dhe për të plotësuar besimin e tyre: - “Merr prej pasurisë së tyre sadaka, që t’i pastrosh dhe t'i dëlirësh,...” - Merr zekatin e detyrueshëm të pasurisë së tyre! Përmes tij, Allahu i Madhëruar i pastron ata nga gjynahet dhe nga cilësitë e këqija, si koprracia, ngurtësia e zemrës etj. Kur ata japin zekatin, i Lartësuari ua shton jo vetëm pasurinë, por edhe mirësitë e tjera, si moralin e mirë dhe virtytet e larta. Ai u jep sukses që të bëjnë më shumë vepra të mira dhe ua shton më shumë shpërblimin në dynja dhe në ahiret. Kështu, Allahu i Lartësuar e urdhëron Profetin e Tij që të pranojë dhe grumbullojë zekatin prej besimtarëve dhe e porosit që ai të lutet për ta: të lutet për besimtarët në përgjithësi, por në mënyrë të veçantë për ata që japin zekatin për hir të Allahut, në atë moment që ata e japin. Lutja në ato çaste kishte një ndikim dhe vlerë të veçantë për ta. I Lartësuari thotë: - “...dhe lutu për ta, sepse me të vërtetë lutja jote është burim qetësie për ta. Allahu dëgjon dhe di gjithçka.” - Lutjet e tua janë qetësi e gëzim për zemrat e tyre. Allahu i Lartësuar e dëgjon lutjen tënde dhe e pranon atë. Allahu e di gjendjen e robve dhe qëllimet që mbajnë brenda gjoksit, prandaj do t’i shpërblejë ata sipas veprave dhe qëllimeve të tyre. Profeti e zbatoi urdhrin e Allahut të Lartësuar dhe i porositi besimtarët të jepnin zekatin. Ai dërgonte ndër njerëz mbledhësit e zekatit. Gjithashtu, sa herë që dikush sillte zekatin e pasurisë së tij, Profeti lutej për begati në pasurinë e tij. Ky ajet dëshmon se zekati është detyrë për të gjitha llojet e pasurive, nëse ato përdoren për tregti dhe shtim. Të varfërit kanë hakun e tyre tek pasuria e të pasurve. Sigurisht, përveç mallrave tregtare, zekati duhet të jepet edhe për atë lloj pasurie që shtohet e kultivohet natyrshëm, si bagëtitë, bimësia, drithërat dhe frutat. Ndërsa pasuria që nuk është për t’u shtuar dhe kultivuar, për të nuk jepet zekat. Nga ajeti kuptohet se njeriu nuk mund të pastrohet e lartësohet pa dhënë zekatin e pasurisë. Asgjë nuk e fal këtë gjynah, përveçse dhënia e zekatit. Pastrimi i shpirtit dhe i pasurisë, si edhe shtimi i pasurisë ka lidhje të ngushtë me dhënien e zekatit. Nga dobitë e ajetit përmendim edhe faktin se është e pëlqyeshme që imami apo përgjegjësi i vendosur prej tij për mbledhjen e zekatit, duhet të lutet për ata që japin zekatin. Ai lutet për ta që Zoti t’i falë dhe begatojë. Kjo duhet bërë me zë të dëgjueshëm, me qëllim që zekatdhënësi ta dëgjojë dhe t'i qetësohet zemra me atë lutje. Gjithashtu, është e pëlqyeshme që të lutesh dhe t’i thuash fjalë të mira jo vetëm atij që jep zekatin, por edhe atij që bën vepra të tjera të mira, sepse kjo i jep vullnet dhe forcë për të shtuar punët e mira, duke u ndier i kënaqur me to.

← Tevbe 9:102