← Kthehu te rezultatet për „zemrat tuaja u ngurtesuan si guri“

9. Tevbe · Ajeti 107 · Tefsir

Shënimet shpjeguese të Sherif Ahmetit (Kurani me Komentim) 9:107–9:115

Xhami e sherrit ose "Mesxhidu dirar", si është quajtur në Kur'an, ishte një faltore të cilën e kishin ndërtuar hipokritët me iniciativën e njëfarë Ebu Amirit të cilin edhe e ftuan në atë solemnitet. Pas disfatës së idhujtarëve Hevazin në luftën e Hunejnit, Ebu Amiri si prift i krishter ikën dhe shkon në Sham. Ai ishte betuar se do të luftonte kundër Muhammedit, dhe prej atje i porosit hipokritët të përgatisin armë e fuqi dhe të ndërtojnë një faltore si vend tubimi, ndërsa ai do të shkonte te sunduesi bizantin, prej nga do ta sjellë një ushtri për ta ndjekur Muhammedin dhe shokët e tij nga Medina. Hipokritët ndërtuan xhaminë dhe shkuan e i thanë Pejgamberit: e ndërtuam për të dobëtit, për të sëmurët, për ndonjë natë të vështirë me shi, e kemi dëshirë të vijshë ti, të falesh në të dhe të na e bekosh. Pejgamberi u vesh, u përgatit të shkojë, kur ja, arriti Xhibrili me këtë ajet. Kur e kuptoi Pejgamberi qëllimin e tyre, urdhëroi disa sahabë, të cilët vajtën dhe e dogjën, e rrënuan, shpartalluan të tubuarit dhe atë vend e caktuan vend hedhurinash.

Shembulli i xhamisë-ngrehinës në themele të shëndosha dhe i asaj në themele buzë shembjes, figuron (përfaqëson, shembllen) besimtarin e sinqertë në besimin e tij si dhe hipokritin.

Njeriu e blen një send kur ka nevojë për të, Zoti s'ka nevojë për asgjë, sepse gjithçka është e Tij, pra nuk ka prej kujt të blejë. Fjala është se Zoti u premtoi xhennetin atyre që e japin jetën e pasurinë për hir të lartësimit të fjalës së Zotit, e besimtarët bënë bujari me jetën dhe pasurinë e tyre, kjo duket si një lloj këmbimi, andaj edhe u quajt blerje e tregti.

Ka ndodhur që disa besimtarë të jenë lutur për të afërmit e vet që t'i falë Zoti, kështu, edhe Pejgamberi është lutur për axhën e vet Ebu Talibin, është lutur edhe Ibrahimi për babain e vet: mirëpo, me këtë ajet kuptohet se janë lutur pa e ditur të vërtetën, sepse kur e kanë kuptuar, nuk janë lutur më as Ibrahimi, e as Muhammedi, por as myslimanët për të afërmit e tyre që vdiqën si idhujtarë ose si hipokritë.

Tefsiri i shkurtuar i Ibn Kethirit (Tejsir el-Alijj el-Kadir) 9:107–9:108

- Ata që ndërtuan xhami sherri e mosbesimi - për t'i përçarë besimtarët dhe si përgatitje për atë që më parë kishte luftuar kundër Allahut dhe të Dërguarit të Tij, - do të betohen se nuk kanë pasur tjetër qëllim, veç së mirës. - Shkaku i zbritjes së këtyre ajeteve: Përpara se Profeti të vinte në Medinë, ishte një burrë, i cili kishte pranuar Krishtërimin në kohën e injorancës dhe quhej Ebu Amir el Râhib. Pasi Profeti i Allahut mbërriti në Medinë dhe kur Islami u lartësua e forcua me luftën e Bedrit, Profeti i Allahut e ftoi atë në Islam, por ai refuzoi me forcë dhe arrogancë dhe iku në fillim në Mekë, e më pas tek Herakli, tek i cili kërkoi ta ndihmonin dhe mbështesnin për të luftuar kundër muslimanëve. Herakli e mbushi atë me premtime të fryra e të mëdha dhe e lejoi që, ndërkohë, të qëndronte tek ai. Atëherë, ky fatzi u shkroi mbështetësve të tij se do të kthehej në Medinë e t’i tregonte vendin Muhamedit, duke ia hequr atë pushtet që gëzonte. Gjithashtu, ai u kërkoi që të ndërtonin për të një vend, ku ta prisnin kur të kthehej ndër ta. Kështu, munafikët filluan ndërtimin e një “xhamie”, shumë pranë xhamisë Kuba. Pasi e përfunduan ndërtimin e saj, ata i kërkuan Profetit të Allahut që të falte namaz në të, por ai u tha: “Tani jemi nisur për udhëtim, por kur të kthehemi, në dashtë Allahu, mund të vij.” Por gjatë rrugës së kthimit nga Tebuku, kur ishin gati një ditë larg Medinës, Xhibrili zbret me lajmin për “Xhaminë e Sherrit” dhe qëllimet e liga të atyre që e ndërtuan, për të përçarë muslimanët. Profeti i Allahut dërgoi njerëz për ta shembur përpara se të mbërrinte në Medinë. Atëherë, Allahu zbriti ajetin: “Ata

që ndërtuan xhami sherri e mosbesimi - për t'i përçarë besimtarët dhe si përgatitje për atë që më parë kishte luftuar kundër Allahut dhe të Dërguarit të Tij ...”, deri tek: “... Allahu nuk i udhëzon njerëzit e padrejtë.” Allahu i Lartësuar tha se ata të cilët e ndërtuan atë xhami: “do të betohen se nuk kanë pasur tjetër qëllim, veç së mirës”, por kjo ishte një gënjeshtër e tyre. - Por Allahu dëshmon se ata janë mashtrues. - Ata patën tjetër qëllim. Ata donin të ndërtonin një xhami sherri e mosbesimi, për t'i përçarë besimtarët dhe si përgatitje për atë njeri, që më parë kishte luftuar kundër Allahut dhe të Dërguarit të Tij, pra, për Ebu Amir El Fasikun (i prishuri), që e thërrisnin El Râhib (murgu), - Allahu e mallkoftë! Prandaj Allahu i Lartësuar thotë: - Ti mos u fal kurrë aty! - Kjo është një ndalesë që i drejtohet Profetit, por edhe umetit të tij, që të mos falen kurrë në një xhami të tillë. Më pas, Allahu i nxiti për t’u falur në xhaminë Kuba, e cila u ndërtua që në fillimin e saj mbi bazat e devotshmërisë dhe mirësisë, pra, si bindje ndaj Allahut dhe Profetit, për të unifikuar radhët e muslimanëve dhe dhe si fortesë e Islamit. - Është më e drejtë të falesh në atë xhami, themelet e së cilës, prej ditës së parë, u ngritën si devotshmëri ndaj Allahut. - Konteksti i ajetit ka ardhur në lidhje me xhaminë Kuba, prandaj në një hadith të saktë, Profeti i Allahut ka thënë: 1420. “Namazi në xhaminë Kuba është si të kryesh nje umre.” Në hadith të saktë ës htë transmetuar gjithashtu se: 1421. “Profeti i Allahut e vizitonte xhaminë Kuba hipur në kafshë, por edhe në këmbë.” - Aty ka burra që dëshirojnë të dëlirësohen. Allahu i do ata që dëlirësohen. - Taberaniu sjell hadithin nga Ibn Abasi, i cili tregon: 1422. “Kur zbriti ky ajet, Profeti i Allahut dërgoi fjalë tek Auim Ibn Sâide dhe i tha: “Çfarë është ky pastrim, që Allahu përmendi për ju e ju lëvdoi për të?” Ai tha: “O i Dërguari i Allahut! Çdo burrë dhe grua ndër ne, pasi kryen nevojat personale, pastrohet me ujë.” - ose tha: “... pastron vendturpin me ujë.” Profeti tha: “Kjo është.” Në hadith të saktë shënohet se: 1423. “Xhamia e Profetit të Allahut, që u ndërtua në brendësi të Medinës është ajo e cila, që në themel e që prej ditës së parë, u ngrit në shenjë devotshmërie ndaj Allahut.” Edhe ky është një pohim i saktë, madje nuk ka asnjë kontradiktë mes dy pohimeve, sepse nëse themi se xhami a Kuba është një xhami që “themelet e së cilës, prej ditës së parë, u ngritën si devotshmëri ndaj Allahut”, atëherë xhamia e Profetit të Allahut është më parësore dhe e meritueshme për këtë vlerësim. Imam Ahmedi sjell hadithin nga Ubej Ibn Keabi, se Profeti i Allahut ka thënë: 1424. “Xhamia “themelet e së cilës, prej ditës së parë, u ngritën si devotshmëri ndaj Allahut...” është kjo xhamia ime.” Imam Ahmedi është i vetëm në sjelljen e këtij transmetimi. Sërish Imam Ahmedi sjell hadithin nga Ebu S eidi, i cili ka thënë: 1425. “Dy burra po polemizonin me njëri - tjetrin rreth xhamisë “...themelet e së cilës, prej ditës së parë, u ngritën si devotshmëri ndaj Allahut.” Njëri thoshte se ajo është Xhamia Kuba, e tjetri thoshte se ajo është Xhamia e Profeti t të Allahut.” Profeti i Allahut tha: “Ajo është xhamia ime.” Kështu e ka sjellë Tirmidhiu, që e ka gjykuar si të saktë. Po kësht u, e kanë sjellë edhe Nesaiu me Muslimin. Me këtë mendim janë një grup nga dijetarët e parë dhe të mëvonshëm. Ky është transmetuar si mendim i Umer Ibn Hatabit, të birit, Abdullahit, Zeid Ibn Thabitit, Seid Ibn Musejibit, si edhe përzgjedhja e Ibn Xheririt. Fjala e Allahut: “Është më e drejtë të falesh në atë xhami, themelet e së cilës, prej ditës së parë, u ngritën si devotshmëri ndaj Allahut. Aty ka burra që dëshirojnë të dëlirësohen. Allahu i do ata që dëlirësohen”, është argument që tregon se është e pëlqyeshme të falësh namazin në xhami të vjetra, të cilat janë ndërtuar që në fillim për adhurimin e Allahut si një e të vetëm. Gjithashtu, është e pëlqyeshme të falesh në

xhami, në të cilat falen njerëz të mirë, të devotshëm, adhurues të mirë e punëtorë, të cilët janë të kujdesshëm në pastrimin ritual dhe janë të pastër nga papastërtitë rituale për edhe ato fizike.

Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman) 9:107–9:110

Disa munafikë ndërtuan një xhami të re pranë asaj që ndërtoi Profeti në Kuba. Me këtë, ata synonin përplasjen dhe përçarjen mes muslimanëve. Ata po përgatisnin kështu terrenin për një armik të Zotit, të Profetit të Tij dhe të besimtarëve. Ata e ndërtuan atë xhami sherri edhe për t’u shërbyer si vendmbrojtje në të ardhmen, kur t'u nevojitej. Por Allahu i Madhëruar ua nxori në shesh poshtërsinë dhe i bëri publike motivet e tyre: - “Ata që ndërtuan xhami sherri e mosbesimi - për t'i përçarë besimtarët dhe si përgatitje për atë që më parë kishte luftuar kundër Allahut dhe të Dërguarit të Tij,...” - Ajo ishte një xhami sherri, e ndërtuar për të dëmtuar besimtarët, që mblidheshin në xhaminë e devotshmërisë. Qëllimi që fshihnin ishte mohimi i Zotit, ndërkohë që xhamia e besimtarëve ishte e mbushur me besim e mirësi. Munafikët e ndërtuan xhaminë e tyre - ashtu sikurse thotë i Madhëruari - si një mundësi për të shkaktuar përçarje dhe konflikte mes muslimanëve. Gjithashtu, ata donin të përgatisnin terrenin për këdo që do të luftonte kundër Allahut dhe Profetit të Tij. Kështu, xhamia e tyre do të shërbente si vendtakimi për ata që kishin urrejtje dhe armiqësi për Islamin dhe pasuesit e tij. I tillë ishte Ebu Amru el Rahib, pjesë e parisë së Medinës, që pretendonte të bëhej udhëheqës i saj. Kur në Medinë erdhi Profeti, ai u largua nga qyteti, duke e mohuar Profetin ﷺ . Ai u përpoq kundër Profetit në Medinë, por kur nuk mundi të bindte njerëzit për të luftuar kundër tij, shkoi te Kajseri me qëllimin që të organizonte strategjinë e luftës kundër Profetit. Por ky i mallkuar vdiq gjatë rrugës

dhe nuk arriti asgjë nga ato që shpresonte. I mjeri kishte lënë një pakt me munafikët e Medinës, që ta prisnin si triumfator kur të kthehej në Medinë. Ndër përgatitjet e tyre ishte edhe ndërtimi i kësaj xhamie sherri. Por Shpallja i erdhi pa vonuar Profetit për këtë plan të munafikëve, prandaj ai dërgoi njerëz që ta shembnin dhe ta digjnin atë ‘xhami’, dhe ashtu u bë. Pas kësaj, ajo u shndërrua në një vend plehrash. 48 Pasi përmendi qëllimet e tyre të këqija me atë xhami sherri, Allahu i Madhëruar na tregon shfajësimin që ata bënin: - “...do të betohen se nuk kanë pasur tjetër qëllim, veç së mirës. Por Allahu dëshmon se ata janë mashtrues.” - Ata shfajësoheshin se me ndërtimin e asaj xhamie synonin veçse të bënin mirë, të ndihmonim të varfrit, të pafuqishmit e të verbërit. Por Allahu dëshmon se ata ishin gënjeshtarë. Pa dyshim, dëshmia e Allahut për ta është më e madhe sesa betimet e pretendimet e tyre. - “Ti mos u fal kurrë aty! - Kurrë mos u fal në atë xhami të ndërtuar për përçarje e armiqësi. Allahu do të bëjë që mos të kesh nevojë për atë lloj faltoreje. - “Është më e drejtë të falesh në atë xhami, themelet e së cilës, prej ditës së parë, u ngritën si devotshmëri ndaj Allahut.” - Ai vend që vërtet e meriton të falesh është xhamia e ndërtuar për devotshmëri që ditën e parë që Islami mbërriti në atë qytet. Këtu bëhet fjalë për xhaminë Kuba. Ajo xhami u ndërtua që të gjitha adhurimet t’i kushtoheshin me sinqeritet veçse Allahut. Atje kujtohej me madhështi Allahu i Lartësuar dhe nderoheshin simbolet e fesë së Tij të përzgjedhur. Ajo xhami mbushej me njerëz të edukuar me besim të drejtë dhe vepra të mira. Për këto arsye, ajo xhami e zgjedhur ishte vërtet e denjë për besimtarët, që të faleshin dhe të adhuronin Zotin në të. Ajo mbushej me njerëz të mirë, që adhuronin Zotin si Një e të Vetëm. Vetë Zoti i ka lavdëruar ata besimtarë të mirë, duke thënë: - “Aty ka burra që dëshirojnë të dëlirësohen.” - Ata synojnë të pastrohen nga gjynahet, të ruhen nga papastërtitë e çdo lloji, si ato fizike, ashtu edhe ato shpirtërore. Çdokush që dëshiron diçka, përpiqet e punon që ta arrijë atë. Edhe besimtarët përpiqeshin shumë për të qenë të dëlirë në të gjitha aspektet: në dituri, vepra të sinqerta, moral, mënyrën e jetesës dhe në adhurim. Ata ishin ndër të parët që pranuan Islamin, falnin namazin, që luftonin me vendosmëri për hir të Zotit në të gjitha drejtimet, së bashku me të Dërguarin. Ata i plotësonin me korrektësi ligjet e fesë së Zotit. Ata ishin njerëzit që qëndronin më lart se të gjithë, sipas gjykimit dhe vlerësimit të Zotit dhe Profetit të Tij për ta. Kur Allahu i Lartësuar shpalli këto ajete që tregojnë kujdesin e madh të besimtarëve ndaj pastërtisë, Profeti i pyeti dhe ata i thanë se, përveç pastrimit me gurë, përdornin edhe ujin, me gjithë kushtet e vështira ku ndodheshin. Atëherë, Profeti i Zotit i përgëzoi për pastërtinë e tyre të lartë. E si të ndodhte ndryshe, kur vetë Zoti i Lartësuar tha: - “Allahu i do ata që dëlirësohen.” - Allahu e do dëlirësinë, me të gjitha llojet e saj: pastërtinë nga shirku, mosbesimi, veset etj., ashtu si edhe pastërtinë fizike. Allahu i Madhëruar i do ata që gjithmonë pastrojnë trupin, rrobat e tyre dhe vendin ku rrinë. Në vijim, Allahu i Lartësuar krahason dy xhamitë në bazë të qëllimit të ndërtimit të tyre, por edhe në bazë të frekuentuesve të tyre: - “Atëherë cili është më i mirë - ai që e ngre ndërtesën për devotshmëri dhe për Kënaqësi të Allahut, apo ai që ngre një ndërtesë rrëzë një shkëmbi ranor që është gati të thepiset, e bashkë me të bie në zjarrin e Xhehenemit?” - I pari është ai që ndërton një xhami me qëllim të mirë dhe me sinqeritet për kënaqësinë e Allahut, sipas normave të fesë së Tij. Kjo është vepër e mirë dhe e begatshme. Vërej me kujdes! Kusht për mirësinë e një vepre është sinqeriteti ndaj Zotit dhe pasimi i traditës

profetike dhe urdhrave të Zotit. Atëherë, a nuk është kjo xhamia më e mirë, apo është ajo xhamia tjetër, që ndërtohet buzë greminës dhe është gati të rrokulliset në Xhehenem? Mësojeni dhe mbajeni vath në vesh se: - “Allahu nuk i udhëzon njerëzit e padrejtë.” - Të padrejtët, të cilëve u mungon sinqeriteti dhe nuk ndjekin rrugën që Zoti ka treguar, kurrë nuk mund ta gjejnë udhën e drejtë, që përcakton çështjet e besimit, por edhe ligjet për një jetë të denjë në këtë dynja. - “Ndërtesa që kanë ndërtuar ata do të vazhdojë të sjellë (dyshime e) pasiguri në zemrat e tyre, derisa ato t’u coptohen.” - Pasiguria, paqartësitë e dyshimet kanë zënë rrënjë të thella në zemrat e tyre. Ato vazhdojnë t'ua coptojnë shpirtin, nëse nuk gjejnë rrugën e kthimit të sinqertë drejt Zotit. Vetëm pasi të pranojnë ta njohin Zotin e tyre dhe t'i druhen Atij, ata mund të gjejnë prehje, me faljen dhe mëshirën e Tij. Po vazhduan me të tilla ndërtesa përçarjeje dhe vepra hipokrizie, zemrat e tyre do të vazhdojnë të mbushen me dyshim e pasiguri, me hipokrizi e ligësi. Është Allahu Ai që, me diturinë dhe urtësinë e Tij, pastron atë që Ai dëshiron: - “Allahu është i Gjithëditur e i Urtë.” - Allahu është i Gjithëditur për gjithçka, për të shfaqurat dhe të fshehurat, të dukshmet dhe të padukshmet. Allahu i di ato që robërit fshehin brenda zemrave të tyre apo ato që i publikojnë. Allahu është i Urtë në çdo Ligj që vjen prej Tij. Veprat dhe ligjet e krijimit të Tij janë të urta, ashtu si edhe ligji i Sheriatit me gjithë urdhëresat e ndalesat e Tij, janë absolutisht të urta. Ato janë të vetmet që i mundësojnë njeriut lumturi në të dy jetët. Edhe ligjet e shpërblimit dhe ndëshkimit të Tij ndërtohen mbi urtësinë absolute, mbi drejtësinë dhe bamirësinë e Tij. Allahu është i lavdëruari për gjithçka që ka krijuar, që ka ligjëruar dhe që ka premtuar. Ky ajet përmban shumë mësime, si: - Ndërtimi i një xhamie pranë një xhamie tjetër, që shkakton përçarje mes muslimanëve, është i ndaluar, madje është detyrë shembja e saj, nëse mësohen qëllimet e liga të ndërtuesve. - Veprat, edhe nëse në dukje shfaqen si të mira, është nijeti ai që bën dallimin. Nijeti i keq e kthen një vepër, që në dukje është e mirë, në vepër të ndaluar dhe të dënueshme. Kështu ndodhi me ndërtuesit e xhamisë së armiqësisë. - Çdo vepër që shkakton përçarje mes besimtarëve është e ndaluar, ashtu sikundër çdo vepër që sjell bashkimin dhe forcimin e lidhjeve mes muslimanëve është e detyrueshme dhe e shpërblyeshme. Allahu i Lavdëruar, ashtu siç urdhëroi shkatërrimin e xhamisë së sherrit, po ashtu urdhëron që të ndërtohet çdo gjë që ndihmon fenë e Tij dhe forcon lidhjet mes besimtarëve. - Është e ndaluar të falet namazi në vendet ku kryhen gjynahe. Ato janë vende që vetëm duhet t’u largohesh dhe kurrë të mos u afrohesh. - Gjynahet lënë gjurmë edhe në vendin ku ndodhin, sepse pikërisht për shkak të gjynaheve të bëra në të, xhamia e sherrit u dogj dhe u shndërrua më pas në vend mbeturinash. Po kështu, edhe veprat e mira dhe bindja ndaj Zotit që kryhen në një vend sjellin mirësi e begati në të, ashtu si ndodhi me xhaminë Kuba. Vetë Allahu i Madhëruar e ka lavdëruar këtë xhami kur ka thënë: " Është më e drejtë të falesh në atë xhami, themelet e së cilës, prej ditës së parë, u ngritën si devotshmëri ndaj Allahut.” Kjo xhami kishte një vlerë të veçantë për Profetin, prandaj e vizitonte atë çdo të shtunë, madje ka nxitur besimtarët për t’u falur në atë xhami. Nga analiza e këtyre ajeteve përfitohen rregulla të rëndësishme, si: - Çdo vepër dëmtuese për muslimanët ose që është mosbindje ndaj Zotit, është haram. - Çdo vepër që është burim ose pasojë e mosbesimit është haram. Çdo vepër që sjell përçarje mes muslimanëve është haram. Të ndihmosh ata që luftojnë kundër Allahut

dhe Profetit të Tij është haram. E kundërta vlen për të kundërtën. - Veprat e këqija, që burojnë nga mosbindja ndaj Zotit, e largojnë vazhdimisht robin nga Zoti i tij. Vetëm një gjë e ndalon këtë largim: braktisja e të gjitha veprave të liga dhe pendimi i plotë e i sinqertë, aq sa zemra të coptohet nga keqardhja dhe dëshpërimi. - Nëse për xhaminë e Kubas thuhet në Kur'an se është xhami e ndërtuar mbi bazën e devotshmërisë, atëherë Xhamia e Profetit e meriton më tepër këtë përshkrim, sepse ajo u ndërtua nga vetë duart e Profetit. Vetë Allahu i Madhëruar e zgjodhi atë xhami që të ndërtohej nga duart e Profetit të Tij dhe që ai të falej në të. - Vepra e cila plotëson dy kushtet e pranimit të saj: sinqeritetin dhe pasimin e Profetit, quhet vepër e ndërtuar mbi devotshmërinë. Me fjalë të tjera, devotshmëria arrihet veçse përmes veprave të sinqerta, por edhe të kryera sipas porosive të Zotit dhe Profetit. Këto janë veprat që të çojnë në Xhenetin e mirësive të përjetshme. Veprat e ndërtuara mbi qëllimet e këqija dhe të pabaza në fenë e Zotit të çojnë buzë greminës dhe Xhehenemit. Ato e zhysin njeriun në fatkeqësi dhe humbje, dhe dihet se Allahu i Lartësuar nuk i udhëzon zullumqarët e zhytur në padrejtësitë e tyre.

← Tevbe 9:107