فَإِن تَوَلَّوۡاْ فَقُلۡ حَسۡبِيَ ٱللَّهُ لَآ إِلَٰهَ إِلَّا هُوَۖ عَلَيۡهِ تَوَكَّلۡتُۖ وَهُوَ رَبُّ ٱلۡعَرۡشِ ٱلۡعَظِيمِ
Po nëse ata refuzojnë (atë që ua sjell) atëherë thuaj: All-llahu është për mua mjaft, s'ka të adhuruar pos Tij, vetëm te Ai jam mbështetur, e Ai është Zot i Arshit të madh!*
Shënim i përkthyesit — Sherif Ahmeti
Pejgamberi ynë a.s. është shumë i dhimbshem për umetin e vet. Atë e mundon çdo pakënaqësi që e godet umetin, është i pangopur me dashuri ndaj besimit të umetit, është i dhimbshëm e mëshirues. Edhe pse ishte i pajisur me virtyte më të larta munafikët nuk i pranuan sinqerisht udhëzimet e tij, por ai që ka besimin në Allahun, nuk mbetet keq për askënd tjetër. Me ndihmën e Zotit, përfundoi përkthimi i kësaj kaptine. Zoti qoftë falënderuar! Në fillim kjo kaptinë parashtron çështjen e shpalljeve dhe të të dërguarve, si rregull e ligj i të madhit Zot, që nuk la popull pa i dërguar pejgamber, prandaj idhujtarët kurejshitë nuk do të duhej të habiteshin pse në mesin e tyre dërgohet pejgamberi i fundit, Muhamedi a.s. Mandej në mënyrë bindëse përshkruan cilësitë e Zotit Krijues, i cili sipas dëshirës së vet sajoi gjithësinë me të gjitha qeniet dhe sendet në të. Në këtë sure theksohet, se Kurani është fjalë e Zotit Fuqiplotë dhe si i tillë është mrekulli e përjetshme dhe e pa konkurencë prej kujtdo tjetër. Në këtë kaptinë iu bëhet një vështrim edhe ngjarjeve dhe tregimeve të disa pejgamberëve, si të Nuhut, Musait dhe të Junusit e popullit të tij. Për rastin karakteristik tëJunusit dhe të popullit të tij kjo kaptinë quhet me emrin Junus. Përveç çështjeve të tjera, të cilat kjo kaptinë i trajton në mënyrë të hollësishme, në fund të saj i drejtohet urdhri Pejgamberit tonë, që t'u përmbahet me përpikëri dispozitave të sheriatit islam, të jetë i durueshëm, i qëndrueshëm dhe i fortë ndaj vështirësive, që do t'i paraqiten gjatë jetës për në rrugën e Zotit.