← Kthehu te rezultatet për „zemrat tuaja u ngurtesuan si guri“

9. Tevbe · Ajeti 23 · Tefsir

Shënimet shpjeguese të Sherif Ahmetit (Kurani me Komentim) 9:23–9:33

Kur u lejua Pejgamberi të bëjë hixhret, i thirri edhe shokët që të shpërngulen dhe ta praktikojnë lirisht besimin islam. U shpërngulën edhe shokët, por pati prej tyre që për hir të ndonjë të afërmi të mos shpërngulen, e mandej edhe të sprovohen në besimin e vet, pse ndodhte që ndonjë sekret i myslimanëve të zbulohet prej të tillëve. Kur'ani nuk ndalon lidhjen e farefisnisë, nëse ajo nuk shkon në dëm të fesë, e nëse po, atëherë përparësi ka feja e jo farefisi.

Pasi shkëputja e marrëveshjeve me mushrikët shpallet haptazi, pati të atillë që u frikësuan për çështjet e jetesës etj. Zoti xh. sh. ua përkujton ndihmën që u ofroi në shumë raste dhe në luftën e Hunejnit, kur myslimanët ishin të shumtë në numër dhe u krenuan për këtë, mirëpo, u doli e kundërta, sepse u thyen derisa në një çast Pejgamberi mbeti vetëm në sheshin e luftës e Zoti ua dërgoi engjëjt.

Idhujtarët, shpirtërisht ishin të ndyrë, andaj, u ndalohet vizita e Qabes pas atij viti, vitit të nëntë. Pati edhe asish që iu frikësuan skamjes, ngase idhujtarët nuk do të vinin më për tregti, prej të cilës mekasit gjallonin. Zoti u premtoi mirësi e furnizim nga begatitë e veta.

Ithtarët e librit, jehudi dhe të krishterë, ishin të obliguar të japin xhizjen. Xhizja ishte një pagesë që bëhej nga ata që nuk ishin myslimanë, e për ta gëzuar lirinë dhe sigurinë në fe e në jetë në shtetin islam. Të këqiat e tyre ishin se njëra palë thonin për Uzejrin djalë i Zotit, e tjetra për Isain. Ashtu patën thënë më parë disa për melaiket se ishin bija të Zotit. Sendet që i kishte ndaluar Kur'ani, ata i përdornin si të lejuara. Përpiqeshin që drita e Kur'anit, e fesë islame të pengohej e të shuhej, por më kot, sepse Zoti kishte vendosr që ajo të triumfojë mbi të gjitha të tjerat, anipse këtë nuk e dëshironin ithtarët e libirt e as idhujtarët.

Tefsiri i shkurtuar i Ibn Kethirit (Tejsir el-Alijj el-Kadir) 9:23–9:24

- O ju që keni besuar! Mos i mbani për mbrojtës (e aleatë) prindërit dhe vëllezërit tuaj, nëse ata parapëlqejnë mosbesimin kundrejt besimit! Çdokush prej jush që miqësohet me ta, është, vërtet keqbërës. - Allahu i Lartësuar i urdhëron besimtarët për distancim nga mohuesit e besimit, edhe nëse ata janë etërit apo fëmijët e tyre. Ai i ndalon që t’i bëjnë miq e aleatë ata njerëz që zgjedhin mohimin kundrejt besimit. Madje, Ai i kërcënon besimtarët që të mos e nënvlerësojnë këtë urdhër të Tij, kur thotë: “Nuk gjen popull që beson Allahun dhe Ditën e Gjykimit e të dojë ata që e kundërshtojnë Allahun dhe të Dërguarin e Tij, edhe sikur ata të jenë prindërit, fëmijët, vëllezërit ose farefisi i tyre. Të tillë janë ata, në zemrat e të cilëve Ai ka shkruar besimin, e ka forcuar me shpirt nga ana e Tij dhe do t’i futë në kopshte, nëpër të cilët rrjedhin lumenj. Aty do të jenë përgjithmonë. Allahu është i kënaqur me punën e tyre dhe ata janë të kënaqur me shpërblimin e Tij. Këta janë pala e Allahut. Ta dini se pala e Allahut janë të shpëtuarit.” [Muxhadile 22]. Hafidh el Bejhakiu sjell thënien nga Abdullah Ibn Sheudhebi, se ajeti i sipërm u zbrit e flet për Ebu Ubejde Ibn Xherahun, kur i ati, Xherahu, u përpoq ta vriste, ndërsa ai i shmangej përballjes me të. Por kur i ati nuk po i ndahej përpjekjeve për ta vrarë, Ebu Ubejde e vrau atë. Kjo ndodhi gjatë luftës së Bedrit, prandaj Allahu i Lartësuar zbriti ajetin: “Nuk gjen popull që beson Allahun dhe Ditën e Gjykimit e të dojë ata që e

kundërshtojnë Allahun dhe të Dërguarin e Tij, edhe sikur ata të jenë prindërit...” Në vijim, Allahu i Lartësuar i kërcënon ata të cilët i japin përparësi familjes e farefisnisë, kundrejt besimit të vërtetë në Allahun dhe mbështetjes së Profetit të Tij: - Thuaj: “Në qoftë se etërit tuaj, djemtë tuaj, vëllezërit tuaj, bashkëshortet tuaja, farefisi juaj, pasuria që keni fituar, tregtia për të cilën frikësoheni se do të dështojë ose banesat ku ju gjeni kënaqësi, janë më të dashura për ju sesa Allahu, se i Dërguari i Tij dhe se lufta për në rrugën e Tij, atëherë prisni (vendimin e Tij) - Nëse të gjitha këto çështje joshëse për njerëzit janë më të dashura sesa i Dërguari i Allahut dhe se lufta për rrugën e Tij, atëherë prisni dënimin dhe zemërimin e Allahut mbi ju. - dhe të jeni të sigurt se Allahu nuk i udhëzon në rrugë të drejtë të shfrenuarit. - Imam Ahmedi sjell rrëfimin nga Zuhra Ibn Meabedi, që përcjell nga gjy shi i tij, i cili tregon: 1339. “Ishim duke ecur me Profetin e Allahut, ndërkohë që ai kishte kapur dorën e Umer Ibn Hatabit, i cili po thoshte: “Betohem në Zotin, o i Dërguari i Allahut! Ti je më i dashur për mua se çdokush, përveç vetes time!” Profeti tha: “Askush nga ju nuk ka besuar (tërësisht), derisa unë të jem më i dashur për të edhe sesa vetja e vet.” Atëherë, Umeri tha: “Tani, ti je më i dashur për mua edhe sesa vetja ime.” Profeti i tha: “Tani po, o Umer (ke besuar plotësisht)!” Buhariu e sjell i vetëm këtë version. Në një hadith të sakt ë, Profeti i Allahut ka thënë: 1340. “Betohem në Atë, në dorën e të Cilit është shpirti im, se askush nga ju nuk ka besuar (plotësisht), derisa unë të jem më i dashur për të sesa prindi i tij, fëmija i tij dhe të gjithë njerëzit bashkë.” Imam Ahmedi dhe Ebu Daudi, - dhe ky është versioni i sjellë prej këtij të fundit, - sjellin rrëfimin nga Ibn Umeri, se ai e ka dëgjuar Profetin ﷺ të thotë: 1341. “Kur të shisni e blini me fajde (bejul ine), të merreni me bishtat e lopëve dhe të kënaqeni me bujqësi dhe ta braktisni xhihadin, Allahu ka për t’ju hedhur mbi krye një poshtërim dhe nuk ka për t'jua larguar, derisa të ktheheni sërish në fenë tuaj.”

Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman) 9:23–9:24

- “O ju që keni besuar! Mos i mbani për miq (e aleatë) prindërit dhe vëllezërit

tuaj, nëse ata parapëlqejnë mosbesimin kundrejt besimit!” - O besimtarë, punoni sipas normave të besimit tuaj! Ju duhet të keni miq dhe të ndihmoni ata që besojnë, punojnë dhe jetojnë sipas besimit të drejtë. Nga ana tjetër, nuk duhet të miqësoheni e të mbështesni ata që e mohojnë fenë tuaj, por përkundrazi, duhet t’i konsideroni si armiq ata. Madje, edhe prindërit apo vëllezërit tuaj, të cilët janë njerëzit më të afërt, nuk duhet t’i keni aleatë nëse preferojnë mohimin kundrejt besimit. Kështu, nëse kjo kërkohet të bëhet me njerëzit më të afërt, atëherë për të tjerët, që janë më të largët, kjo porosi është më parësore. Nëse ata kënaqen me kufrin kundrejt imanit, ata nuk meritojnë dashurinë, miqësinë, mbështetjen dhe aleancën tuaj. Madje, ai që i miqëson dhe i mbështet ata, konsiderohet zullumqar. - “Çdokush prej jush që miqësohet me ta, është, vërtet keqbërës.” - E si mund të mbështesë besimtari ata të cilët kanë guximin dhe paturpësinë që të mos i binden Allahut dhe të harrohen në poshtërsira?! Përveç kësaj, ata bashkëpunojnë me armiqtë e Allahut, duke shfaqur dashuri dhe përkushtim për ta. Kjo do të thotë se ata i japin përparësi bindjes ndaj këtyre aleatëve mohues, kundrejt bindjes dhe nënshtrimit ndaj Allahut të Madhëruar; i japin përparësi dashurisë për miqtë e tyre qafirë, kundrejt dashurisë për Allahun dhe besimtarët e vërtetë të Tij. Prandaj, në vijim Allahu i Madhëruar përmend shkakun pse duhet të mos i kemi miq e aleatë jobesimtarët, kushdo qofshin ata. Ajeti thotë se në bazë të këtij gjykimi është dashuria për Allahun dhe Profetin e Tij. Kjo ndjenjë duhet të bëjë ndarjen e miqve nga armiqtë. Dashuria për Allahun dhe të Dërguarin e Tij duhet të tejkalojë çdo lloj dashurie tjetër. Çdo dashuri tjetër duhet të jetë ndjekëse dhe në varësi të dashurisë për Allahun dhe Profetin e Tij.38 - “Thuaj: “Në qoftë se etërit tuaj, djemtë tuaj, vëllezërit tuaj, bashkëshortet tuaja, farefisi juaj, pasuria që keni fituar, tregtia për të cilën frikësoheni se do të dështojë ose banesat ku ju gjeni kënaqësi, janë më të dashura për ju sesa Allahu, se i Dërguari i Tij dhe se lufta për në rrugën e Tij, atëherë prisni (vendimin e Tij) ...” - Në këtë ajet përmenden dashuritë më të zakonshme të njeriut në këtë dynja, siç janë: prindërit, fëmijët, vëllezërit dhe motrat, bashkëshortet, farefisi dhe pasuria që fitohet me mund. Veçohet pasuria që fitohet me mund, sepse atë njeriu e do shumë. Natyrisht, ai e do më tepër këtë pasuri sesa atë që i vjen pa mund e pa lodhje. Më pas vjen: “tregtia, për të cilën frikësoheni se do të dështojë”. Këtu bëhet fjalë për të gjitha llojet e biznesit: me argjend e flori, armë, produkte bujqësore e blegtorale etj. Pastaj thuhet: “banesat ku ju gjeni kënaqësi”, pra, banesat e bukura, që përmbushin dëshirat dhe kënaqësitë e njeriut. Kështu, nëse të gjitha këto begati të dynjasë janë më të dashura për ju sesa Allahu, se i Dërguari i Tij dhe se lufta në rrugën e Tij, atëherë ju jeni të padrejtë dhe të shfrenuar, që kaloni kufijtë. Kështu, nuk ju mbetet gjë tjetër,

veçse të prisni ndëshkimin që po ju afrohet dhe që askush nuk mund ta kthejë pas: - “...dhe të jeni të sigurt se Allahu nuk i udhëzon në rrugë të drejtë të shfrenuarit.” - Të shfrenuarit janë ata që dalin jashtë kufijve të Zotit, ata të cilët u japin përparësi kënaqësive të përmendura në ajet, duke i dashur ato më shumë se Allahun, Profetin, fenë e Tij dhe xhihadin në rrugën e Tij. Ky ajet është nga argumentet më të mëdha që tregojnë se dashuria për Allahun dhe Profetin e Tij është detyrë. Gjithashtu, është detyrë që kësaj dashurie t'i jepet përparësi mbi çdo dashuri tjetër. Ajeti është edhe kërcënim i frikshëm për këdo që i jep përparësi mirësive të kësaj bote kundrejt dashurisë për Allahun e Profetin e Tij dhe për xhihadin në rrugën e Tij. Të tillët janë të ekspozuar ndaj urrejtjes dhe zemërimit të Zotit. Një shembull për të kuptuar këtë është ai kur njeriu ndodhet përballë dy gjërave: njërën nga ato e pëlqen Allahu dhe Profeti i Tij, por egoja e njeriut nuk e preferon. Njeriu pëlqen atë gjënë tjetër, të cilën nuk e pëlqen Allahu dhe Profeti i Tij ose që cenon dashurinë për Allahun dhe të Profetin e Tij. Në një rast të tillë, nëse ai i jep përparësi nefsit, kjo tregon se ai është i padrejtë, duke lënë diçka që është detyrë të plotësohet, të cilën e do Allahu dhe i Dërguari i Tij.39

← Tevbe 9:23