← Kthehu te rezultatet për „zemrat tuaja u ngurtesuan si guri“

9. Tevbe · Ajeti 34 · Tefsir

Shënimet shpjeguese të Sherif Ahmetit (Kurani me Komentim) 9:34–9:45

Paria e keqe fetare nga radhët e jehudive dhe e të krishterëve, sillej keq ndaj masës besimtare, duke ndryshuar dispozitat e librit dhe duke trilluar dispozita të reja, me qëllim të pasurimit të vet.

Kjo vërejtje vlen për të gjithë parinë fetare, edhe të fesë islame.

Ata që depozitojnë pasurinë e tyre dhe nuk zbatojnë obligimin fetar, ndaj saj, ajo pasuri e tyre do të vihet në zjarrin e xhehenemit, e pastaj ashtu e ndezur do t'u ngjitet për trupin e tyre.

Zoti ka caktuar përgjithmonë dymbëdhjetë muaj të vitit, e në katër prej tyre ka ndaluar luftën. Arabët, ndonjëherë nuk përfillnin atë urdhër dhe ndonjë muaj që ishte i shenjtë, ata e shpallnin të pashenjtë, e kështu e vazhdonin luftën, kurse më vonë e shpallnin ndonjë tjetër, pra e shtonin kufrin e vet.

Muajt e shenjtë janë: Dhil kade, Dhil hixhe, Muharrem dhe Rexheb.

Kur Pejgamberi kthehet prej Taifit dhe luftës së Hunejnit, urdhëron për luftë në Tebuk. Ishte skamje, sepse frutat e bereqetit nuk ishin pjekur ende, vapë e madhe, udhëtimi bukur i gjatë, andaj disa njerëz nuk qenë të disponuar për të shkuar në atë luftë. Zoti i qorton përtacët dhe lakmuesit e përjetimeve të kësaj jete dhe i urdhëron të shkojnë në luftë pa marrë parasysh vështirësitë.

Disa hipokritë i ankohen Pejgamberit se s'kanë mundësi të shkojnë, e duke menduar se ata e thanë të vërtetën, Pejgamberi i lejon. Për këtë Zotih xh. sh. e falë Pejgamberin, por i thotë se do të duhej t'i linte të dalin në shesh ata që ishin të drejtë në thëniet e tyre dhe ata të cilët nga hipokrizia përpiqeshin të arsyetoheshin. Hipokritët nuk do të shkonin në luftë edhe sikur të mos i lejonte Pejgamberi, por atëherë do të vërtetohej hipokrizia e tyre në mënyrë të hapët.

Tefsiri i shkurtuar i Ibn Kethirit (Tejsir el-Alijj el-Kadir) 9:34–9:35

- O ju që keni besuar! Ka, vërtet shumë priftërinj dhe oshënarë që në mënyrë të paligjshme hanë pasurinë e njerëzve dhe i pengojnë të tjerët nga rruga e Allahut. - El ahbar janë dijetarët dhe paria fetare e jehudëve, sikurse ka thënë i Lartësuari: “Përse, vallë, paria e tyre fetare (rabinët) nuk i ndal ata nga fjalët e tyre mëkatare dhe nga ngrënia e haramit?! Sa i keq është qëndrimi i tyre!” [Maide 63]. El ruhbân quhen murgjit e oshënarët e krishterë. Ndërsa el kissisûn janë dijetarët dhe priftërinjtë e krishterëve, sikurse ka thënë i Lartësuari: “Ti do të vëresh se njerëzit me armiqësinë më të fortë kundër besimtarëve janë judejtë dhe idhujtarët. Ndërsa më të butët me besimtarët janë ata që thonë: “Ne jemi të krishterë”, sepse prej tyre ka (kissisûn) të ditur dhe (ruhbân) adhurues asketë, të cilët nuk tregohen kryeneçë.” [Maide 82]. Qëllimi këtu është për të treguar kujdes nga dijetarët e këqij dhe adhuruesit e devijuar. Sufjan Ibn Ujejne ka thënë: “Dijetarët e këqij nga mesi ynë u përngjajnë jehudëve, ndërsa adhuruesit e devijuar nga mesi ynë u përngjajnë të krishterëve. Në një hadith të saktë thuhet: 1355. “Ju do të ndiqni (e imitoni) rrugën e popujve të shkuar para jush. Do t’i ndiqni ata hap pas hapi.” - “Domethënë, jehudët dhe të krishterët?” - pyetën. - “E kë tjetër?”

Në një transmetim tjetër thuhet: “Persianët dhe romakët.” Pastaj tha: “E kush janë njerëzit veç tyre?” Qëllimi këtu është për t’u ruajtur dhe larguar përgjasimit me ta, qoftë në fjalë, qoftë në vepra. Allahu i Lartësuar thotë: “... në mënyrë të paligjshme hanë pasurinë e njerëzve ...” Ata synonin të përfitonin dynjanë nëpërmjet fesë. Ata shfrytëzonin prestigjin e tyre ndër njerëz, për të përfituar padrejtësisht dhe abuzuar me pasuritë e tyre. Kështu vepronin aĥbarët e jehudëve në kohën para Islamit me arabët. Ata gëzonin prestigj e respekt ndër ta, për shkak të diturisë e pozitës fetare. Ata u kishin vendosur haraç popullit, që ishte i detyruar t’u jepte dhurata e taksa nga më të ndryshmet, prandaj kur u dërgua Profeti i Allahut, ata nuk e pranuan, sepse preferuan të qëndronin dhe të përfitonin nga ofiqet e tyre. Por Allahu i Lartësuar e largoi këtë errësirë me dritën e profetësisë dhe ua hoqi nga duart përfitimet, që merrnin në të shkuarën, duke i zhytur në poshtërim dhe duke i kërcënuar me zemërimin dhe ndëshkimin e Tij. Allahu i Lartësuar thotë, gjithashtu: “... i pengojnë të tjerët nga rruga e Allahut.” Domethënë, përveçse hanë padrejtësisht pasurinë e njerëzve, ata i pengojnë njerëzit nga e vërteta, duke ua shtrembëruar atë e duke ua përzier me kotësi e të pavërteta. Nga ana tjetër, ata shfaqen para ndjekësve të tyre injorantë sikur po i ftojnë drejt mirësisë. Në fakt, ata nuk janë aspak ftues në të mirën, por janë ftues për në Zjarr dhe në Ditën e Kijametit nuk kanë për t’u ndihmuar aspak. Në vijim, Allahu i Lartësuar thotë: - Ka edhe nga ata të cilët e fshehin arin e argjendin dhe nuk e shpenzojnë atë në rrugën e Allahut. Lajmëroji për një dënim të dhembshëm! - Këta janë grupi i tretë i elitave. Kështu, njerëzit konsiderojnë si elitë të tyre tri kategori: dijetarët e fesë dhe klerin, fetarët e devotshëm dhe pasanikët. Kështu, nëse këto tri kategori prishen e devijojnë, edhe masa e njerëzve ka për t’u shkatërruar. Thesar apo pasuri e fshehur ( el kenz ) quhet ajo pasuri që nuk “pastrohet” nëpërmjet dhënies së zekatit të saj. Theuriu përcjell nga Ibn Umeri thënien: “Çdo pasuri që pastrohet duke nxjerrë zekatin e saj nuk konsiderohet kenz (pra, pasuri e fshehur, për të cilën njeriu meriton ndëshkimin e përmendur në ajet), edhe nëse është fshehur poshtë shtatë tokave.” Edhe Umer Ibn Hatabi ka thënë diçka të ngjashme. Kanë ardhur hadithe të shumta, që lëvdojnë dhe inkurajojnë mosrendjen pas floririt dhe argjendit dhe qortojnë etjen për shtimin e tyre. Kështu, mund të përmendim Abdurezak Ibn Aliun, i cili, duke folur për fjalën e Allahut: “Ka edhe nga ata të cilët e fshehin arin e argjendin...”, tregoi se Profeti i Allahut ka thënë: 1356. “U shkatërroftë floriri! U shkatërroftë argjendi!” Këtë e përsëriti tri herë. Kjo i rëndoi sahabët e Profetit të Allahut, të cilët pyetën njëri - tjetrin: “Atëherë, çfarë pasurie të mbajmë?” Umeri u tha: “Do t’ju njoftoj unë për këtë!” Atëherë, ai shkoi dhe e pyeti: “O i Dërguari i Allahut! Shokët e tu u rënduan nga kjo fjalë dhe pyetën se çfarë pasurie të mbajnë e grumbullojnë?” Ai tha: “Një gjuhë që përmend shumë Allahun, një zemër mirënjohëse dhe bashkëshorte që ju ndihmojnë në fe.” Ibn Ebu Hatimi përcjell dëshminë nga Ibn Abasi: 1357. “Kur zbriti ajeti: “Ka edhe nga ata të cilët e fshehin arin e argjendin...”, muslimanët u rënduan dhe shqetësuan, dhe pyetën njëri -tjetrin: “Nuk mundet, vallë, që të ruajmë e grumbullojmë pasuri, që t'ua lëmë fëmijëve tanë?” Umeri tha: “Do t’jua lehtësoj unë këtë punë!” Dhe u nis për tek Profeti ﷺ . Pas tij shkoi edhe Theubani. Umeri tha: “O Profeti i Allahut! Shokët e tu u rënduan dhe shqetësuan shumë nga ky ajet...”. Profeti i tha: “Allahu i Lavdëruar e bëri të detyrueshëm zekatin veçse për të pastruar atë pjesë të pasurisë që ju mbetet pas dhënies së tij. Ai vendosi edhe rregullat e trashëgimisë pikërisht për ndarjen e pasurisë tuaj, që do të lini pas.” Umeri bëri tekbir. Pastaj Profeti i tha: “A dëshiron të të tregoj për diçka që është më e mirë se pasuria që njeriu ruan dhe e grumbullon?! Është një grua e mirë që, kur

e sheh të gëzon, kur e urdhëron, të bindet dhe kur mungon, të ruan nderin.” Këtë hadith e kanë sjellë, gjithashtu, Ebu Daudi, Hakimi në Mustedrak dhe Ibn Merdeuejhi, prej Jahja Ibn Jealas, me një version të ngjashëm. Hakimi thotë që ky është një hadith i saktë sipas kushteve të Buhariut dhe Muslimit, megjithëse ata nuk e kanë futur në Sahih-ët e tyre. - Ditën kur ajo (pasuria) do të digjet në zjarrin e Xhehenemit, e me të do t’u damkoset balli, anët dhe shpinat. Ky është thesari që ju keni grumbulluar për veten. Shijojeni tani atë që keni grumbulluar!”. - Këto fjalë u thuhen në formë poshtërimi dhe për t’ua shtuar edhe më shumë vuajtjen, sikurse thuhet edhe në një ajet tjetër: “Rrëmbejeni atë (mosbesimtarin) dhe flakeni në mes të Zjarrit. Pastaj, mbi kokën e tij derdhni ujin e valë të ndëshkimit!” Shijoje dënimin (i thuhet mosbesimtarit), ti krenari e fisniku (i pamposhtur)!” [Duhan 47- 49]. Domethënë, këtë ndëshkim e kanë pikërisht për fshehjen e pasurisë, nga e cila shpresonin të përfitonin. Për këtë arsye është thënë se, kush e do fort diçka dhe i jep përparësi asaj mbi dashurinë për Allahun dhe bindjen ndaj Tij, ka për të vuajtur dhe për t’u dënuar për shkak të saj. Kështu ndodhi edhe me ata të mjerë. Ata mblodhën dhe e fshehën pasurinë, duke i dhënë rëndësi asaj më shumë sesa bindjes ndaj Allahut, prandaj e merituan ndëshkimin prej saj. Pasuria është nga gjërat më të vyera për robin, prandaj do të jetë edhe një nga shkaktaret e dënimeve më të rënda në ahiret. Ajo do të digjet në zjarrin e Xhehenemit, e me të do të damkosen balli, anët dhe shpina e banorëve të Tij. Mos pyet për nxehtësinë e saj dhe vuajtjen dhe dhimbjet që ajo shkakton! Imam Muslimi sjell hadithin nga Ebu Hurejra, se Profeti i Allahut ka thënë: 1358. “Për çdo njeri që nuk e ka dhënë zekatin e pasurisë së vet, Ditën e Kijametit ajo ka për t’u shndërruar në pllaka të zjarrta, me të cilat do të damkosen anët, balli dhe shpina e tij. Kjo do të ndodhë në një ditë, që do të zgjasë 50 mijë vjet, derisa të vendoset dhe të gjykohet mes njerëzve. Atëherë do të vendoset për vendin e këtij njeriu, ose në Xhenet ose në Zjarr.” Imam Ebu Xhafer Ibn Xherir përcjell nga Theubani se Profeti i Allahut thoshte: 1359. “Ai që lë pas vetes pasuri të fshehur ( kenz), ajo do të shndërrohet në Ditën e Kijametit në një gjarpër të madh me dy pulla ( të zeza në kokë), që do ta ndjekë pas. Ai do t’i thotë: “I mjeri, çfarë je ti?!” Ai do t’i thotë: “Unë jam pasuria, që ke lënë pas.” Ai do të vazhdojë ta ndjekë, derisa t’ia mbërthejë dorën dhe kafshojë me forcë . Kështu do të bëjë me të gjithë trupin e tij.” E ka sjellë Ibn Hibani në Sahih-un e tij. Baza e këtij hadithi gjendet edhe në dy Sahih-ët.

Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman) 9:34–9:35

- “O ju që keni besuar! Ka, vërtet shumë priftërinj dhe oshënarë që në mënyrë të paligjshme hanë pasurinë e njerëzve dhe i pengojnë të tjerët nga rruga e Allahut.” - Ky ajet tregon përkujdesjen e madhe të Allajut të Lartësuar për besimtarët e Tij të

dashur, kur i porosit që të ruhen nga ata priftërinj dhe oshnarë të cilët hanë pasurinë e njerëzve në mënyrë të paligjshme dhe pengojnë të tjerët nga rruga e Allahut. Dihet se ata marrin pasuri të dhuruar nga njerëzit, për shkak të diturisë dhe fesë së tyre, por ata, - në vend që t’i udhëzojnë në rrugën e drejtë dhe t’u shpjegojnë të vërtetën njerëzve, - i pengojnë nga kjo rrugë dhe nuk ua qartësojnë të vërtetën. Kështu, ata i përvetësojnë pasuritë e njerëzve padrejtësisht, sepse nuk u ofrojnë atë për të cilën paguhen. Një tjetër mënyrë e përfitimit të padrejtë është edhe marrja e rryshfetit në këmbim të dhënies së gjykimeve që bien ndesh me ligjin dhe fenë e Zotit, vetëm e vetëm për të kënaqur njerëzit dhe për të përfituar nga pasuritë e tyre. Kështu, o ju besimtarë të vërtetë, kini kujdes dhe ruajuni nga këta priftërinj dhe oshnarë, në dy drejtime: nga zhvatja e pasurisë dhe nga devijimi që ata shkaktojnë. - “Dhe ka nga ata të cilët e fshehin arin e argjendin dhe nuk e shpenzojnë atë në rrugën e Allahut. Lajmëroji ata për një dënim të dhembshëm!” - Ata e ruajnë arin e argjendin, pra, e fshehin atë dhe nuk e shpenzojnë në rrugët që të shpien tek Allahu, të cilat janë të shumta. Ata nuk i plotësojnë detyrimet pasurore, në lidhje me familjet apo të afërmit e tyre, dhe as nuk pyesin për zekatin, që është detyrim i madh fetar. Të tillë njerëz lajmërohen për një ndëshkim të dhimbshëm. Pastaj i Madhëruari e sqaron këtë ndëshkim, duke dhënë hollësi të tjera: - “Ditën kur ajo (pasuria) do të digjet në zjarrin e Xhehenemit, e me të do t’u damkoset balli, anët dhe shpinat.” - Atë ditë, pasuria që ata e fshehin dhe grumbullojnë padrejtësisht do të fërgohet në zjarrin e Xhehenemit, dhe me të do të digjen "balli, anët dhe shpinat e tyre.". Çdo dinar dhe dirhem i fshehur dhe për të cilin nuk është dhënë haku i Zotit, pra, zekati, do të fërgohet në zjarr, dhe me të pastaj do të digjet trupi i pronarit të tij. Sa herë që ftohet kjo pasuri, ajo nxehet përsëri, për të ndëshkuar të padrejtët, atë ditë që zgjat 50 mijë vjet. Në formë qortimi, atyre do t’u thuhet: - “Ky është thesari që ju keni grumbulluar për veten. Shijojeni tani atë që keni grumbulluar!” - Allahu i Madhëruar nuk ju bëri asnjë padrejtësi, por ishit ju që i bëtë padrejtësi vetes tuaj, duke mos dhënë zekatin dhe detyrimet e përcaktuara. Këto ajete përshkruajnë qartë devijimin dhe padrejtësinë që njeriu bën me pasurinë e tij. Kjo shfaqet në dy mënyra: 1. Duke e shpenzuar atë në drejtime të kota, të cilat nuk i sjellin asnjë dobi, madje janë të dëmshme, për shembull në përmbushjen e dëshirave të shfrenuara, në poshtërsi e gjynahe, ose në drejtime që nuk të ndihmojnë t’i bindesh Allahut të Lartësuar, ose për të penguar njerëzit nga rruga e Zotit. 2. Grumbullimi i pasurisë dhe mosdhënia e saj për detyrimet që ka urdhëruar Zoti i Madhërueshëm. Dihet mirë se urdhri për të bërë diçka konsiderohet si ndalesë për të kundërtën e saj.

← Tevbe 9:34