← Kthehu te rezultatet për „zemrat tuaja u ngurtesuan si guri“

9. Tevbe · Ajeti 38 · Tefsir

Shënimet shpjeguese të Sherif Ahmetit (Kurani me Komentim) 9:34–9:45

Paria e keqe fetare nga radhët e jehudive dhe e të krishterëve, sillej keq ndaj masës besimtare, duke ndryshuar dispozitat e librit dhe duke trilluar dispozita të reja, me qëllim të pasurimit të vet.

Kjo vërejtje vlen për të gjithë parinë fetare, edhe të fesë islame.

Ata që depozitojnë pasurinë e tyre dhe nuk zbatojnë obligimin fetar, ndaj saj, ajo pasuri e tyre do të vihet në zjarrin e xhehenemit, e pastaj ashtu e ndezur do t'u ngjitet për trupin e tyre.

Zoti ka caktuar përgjithmonë dymbëdhjetë muaj të vitit, e në katër prej tyre ka ndaluar luftën. Arabët, ndonjëherë nuk përfillnin atë urdhër dhe ndonjë muaj që ishte i shenjtë, ata e shpallnin të pashenjtë, e kështu e vazhdonin luftën, kurse më vonë e shpallnin ndonjë tjetër, pra e shtonin kufrin e vet.

Muajt e shenjtë janë: Dhil kade, Dhil hixhe, Muharrem dhe Rexheb.

Kur Pejgamberi kthehet prej Taifit dhe luftës së Hunejnit, urdhëron për luftë në Tebuk. Ishte skamje, sepse frutat e bereqetit nuk ishin pjekur ende, vapë e madhe, udhëtimi bukur i gjatë, andaj disa njerëz nuk qenë të disponuar për të shkuar në atë luftë. Zoti i qorton përtacët dhe lakmuesit e përjetimeve të kësaj jete dhe i urdhëron të shkojnë në luftë pa marrë parasysh vështirësitë.

Disa hipokritë i ankohen Pejgamberit se s'kanë mundësi të shkojnë, e duke menduar se ata e thanë të vërtetën, Pejgamberi i lejon. Për këtë Zotih xh. sh. e falë Pejgamberin, por i thotë se do të duhej t'i linte të dalin në shesh ata që ishin të drejtë në thëniet e tyre dhe ata të cilët nga hipokrizia përpiqeshin të arsyetoheshin. Hipokritët nuk do të shkonin në luftë edhe sikur të mos i lejonte Pejgamberi, por atëherë do të vërtetohej hipokrizia e tyre në mënyrë të hapët.

Tefsiri i shkurtuar i Ibn Kethirit (Tejsir el-Alijj el-Kadir) 9:38–9:39

Në këto ajete kemi një qortim të rëndë për ata që nuk morën pjesë së bashku me Profetin e Allahut në luftën e Tebukut. Ishte pikërisht koha kur frutat po piqeshin, i nxehti ishte shumë i madh, hijet e pemëve të dashura, kështu që nevoja e njerëzve për të qëndruar në shtëpi ishte shumë e madhe. Allahu i Lartësuar thotë: - O ju që keni besuar! Ç’është kështu me ju, që, kur ju thuhet të dilni në rrugën e Allahut juve ju rëndon vendi? - Kur thirreni për xhihad në rrugën e Zotit, ju preferoni qëndrimin pranë pronës e rehatisë dhe i dorëzoheni plogështisë?! - A mos jeni, vallë, më të kënaqur me jetën e kësaj bote, sesa me ahiretin? - Mos, vallë, e bëni këtë zgjedhje, për shkak se ju dëshironi më shumë jetën e kësaj dynjaje e stolitë e saj, sesa përjetësinë e ahiretit?! Në vijim, i Lartësuari i nxit besimtarët që të tregohen asketë në këtë botë dhe të përmallohen më shumë për ahiretin. Ai thotë: - Jeta e kësaj bote, përkundër ahiretit, është diçka shumë e vogël. - Imam Ahmedi sjell hadithin nga El Musteuridi, vëllai i fisit Beni Fehd, se i Dërguari i Allahut tha njëherë: 1362. “Kjo botë, në krahasim me ahiretin, është sikur njëri prej jush të zhysë gishtin në det. Le të shohë se sa ujë ka marrë prej tij (me gishtin e vet)...” Dhe tregoi gishtin e vet tregues.” Këtë hadith e ka sjellë vetëm Muslimi. Kështu, e tërë dynjaja, me të gjithë çfarë ka kaluar dhe atë që pritet të vijë, për Allahun është shumë pak dhe e pavlerë. Në vijim i Lartësuari kërcënon besimtarët për braktisjen e xhihadit në rrugën e Tij dhe thotë: - Nëse nuk dilni, Ai do t'ju ndëshkojë me një dënim të rëndë - Ibn Abasi shpjegon: “Profeti i Allahut u dha kushtrimin për luftë një fisi arab, por ata nuk iu përgjigjën thirrjes së tij. Atëherë Allahu i Lartësuar ndaloi edhe pikën e shiut për ta, në formë ndëshkimi. - dhe do t'ju zëvendësojë me një popull tjetër - Me njerëz që do ta ndihmojnë e bëhen krah Profetit në ngritjen, zbatimin dhe përhapjen e fesë së Allahut, sikurse thotë i Lartësuari në një ajet tjetër: “...Nëse ju i ktheni shpinën, Ai do t’ju zëvendësojë me një popull tjetër, që nuk do të jetë si ju.” [Muhamed 38]. - dhe Atij nuk i bëhet aspak dëm. - Ju nuk mund ta dëmtoni aspak Allahun me braktisjen e xhihadit, me dembelizmin tuaj dhe me zhytjen në rehatitë e kësaj bote. - Allahu është i Plotpushtetshëm për gjithçka. - Ai mund t’i mposhtë armiqtë e Profetit dhe të fesë së Tij edhe pa pjesëmarrjen tuaj.

Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman) 9:38–9:39

Shumë ajete të kësaj sureje të nderuar i referohen luftës së Tebukut. Në këtë ngjarje, Profeti ﷺ i urdhëroi besimtarët që të bëheshin gati për një betejë kundër romakëve. Ishte mot i nxehtë, furnizimet për udhëtim dhe për luftë ishin të pakta, gjendja ekonomike ishte shumë e rëndë, prandaj disa muslimanë po e shihnin si të vështirë pjesëmarrjen në këtë luftë të vështirë. Ata po shfaqnin njëfarë pakënaqësie dhe hezitimi për të shkuar në betejë. Ky qëndrim i disa besimtarëve bëri që Allahu i Lartësuar t’i qortonte ata përmes këtyre ajeteve. Allahu i Madhëruar dëshironte të nxiste gjallërinë e muslimanëve për t'iu përgjigjur urdhrave të Tij. Duke nxitur besimtarët për të hedhur

nga supet e tyre peshën e rëndë të vështirësive të kësaj jete dhe për t'u çliruar nga prangat e saj, e për të dalë në lirinë që ofron lufta në rrugën e Tij, Allahu i Madhëruar thotë: - “O ju që keni besuar! Ç’është kështu me ju, që, kur ju thuhet të dilni në rrugën e Allahut juve ju rëndon vendi?” - Fillimisht, Allahu i Lartësuar u drejtohet muslimanëve me cilësinë e besimit, duke u thënë: “O ju që keni besuar!”. Duket sikur Allahu i Lartësuar u drejtohet atyre dhe u thotë: Pse nuk veproni ashtu siç ju udhëzon besimi juaj?! A nuk ju shtyn imani që t’i përgjigjeni ftesës së Allahut të Lartësuar dhe të luftoni?! A nuk janë të mjaftueshme këto nxitje për të qenë absolutisht të sigurt për premtimin e Allahut të Lartësuar dhe ju të nxitoni për të zbatuar urdhrin e Tij? Kjo fjalë e dashur ose ky emërtim i mrekullueshëm, janë mëse të mjaftueshëm që ju të përpiqeni për të kënaqur Zotin tuaj, Allahun e Lartësuar, e të luftoni armiqtë e Tij. Kjo duhet t’ju nxisë për të ndihmuar fenë tuaj, që të fitoni në dynja dhe ahiret. Por, kur ju thuhet që të luftoni në rrugën e Allahut, ju shfaqni dembelizëm, dobësi, pamundësi dhe ju tërheq jeta e kësaj bote, me stoli e rehati. - “A mos jeni, vallë, më të kënaqur me jetën e kësaj bote, sesa me Ahiretin?” - Mosangazhimi në rrugën e Zotit është cilësi e atyre njerëzve që janë kënaqur me dynjanë dhe duan vetëm të përmbushin dëshirat e tyre. Ata nuk i japin rëndësi aspak ahiretit, a thua se nuk e besojnë fare atë! Por Allahu i Lartësuar u drejtohet besimtarëve dhe u thotë: - “Jeta e kësaj bote, përkundër ahiretit, është diçka shumë e vogël.” - Jeta e kësaj bote, - të cilën ju e doni shumë dhe për hir të së cilës ju braktisni urdhrin e Zotit, por edhe ftesën e Tij të mrekullueshme për të hyrë në Xhenet dhe për të fituar lumturinë në dynja dhe ahiret, - është e pakët dhe e shkurtër, siç thotë edhe Allahu i Madhëruar. Ajo është e papërfillshme dhe e parëndësishme, në krahasim me ahiretin. A nuk ju ka dhënë Allahu i Lartësuar logjikë të shëndoshë dhe aftësi për të gjykuar drejt, që t’i jepni përparësi asaj që është më e rëndësishme? Cila e meriton t’i japësh më tepër rëndësi dhe përkushtim? Dynjaja, që nga fillimi e deri në fund, me gjithçka që përmban, nuk mund të krahasohet me ahiretin dhe nuk vlen as sa një thërrmijë e ahiretit. E sa mendon njeriu se do të jetojë në këtë dynja?! E çfarë vendi ka jeta e njeriut në këtë dynja të përkohshme, që ai t’i japë një rëndësi kaq të madhe, duke e bërë atë si pikësynimin më të madh, pas së cilës duhet të rendë dhe të shpenzojë gjithçka të vyer që zotëron?! Ai rend, lodhet, përpiqet, punon, lufton dhe harxhon të gjitha forcat e veta thjesht e vetëm për të përmbushur kënaqësitë e jetës së shkurtër në dynja, por e kupton shpejt se ajo është e mbushur plot me dëshpërime, shqetësime, lodhje, rreziqe dhe fatkeqësi. Atëherë, me çfarë arsyetimi vazhdon t'i japë përparësi asaj kundrejt ahiretit, i cili është përmbledhësi i të gjitha begative dhe mirësive të përjetshme?! Për mirësitë e ahiretit, Profeti ka thënë: "Atje ka gjithçka që e dëshiron shpirti dhe që kënaq syrin". Në ahiret besimtarët do të jenë të përjetshëm, duke u lumturuar pafundësisht mes mirësive dhe freskive të tij. Nuk mund t'i japë përparësi dynjasë kundrejt ahiretit dikush në zemrën e të cilit ka zënë vend drita e besimit të pastër në Allahun e Lartësuar. Askush me arsye të shëndoshë dhe mendje të pjekur nuk e bën këtë përzgjedhje kaq të ulët. Të urtët dhe të mençurit kurrë nuk do të zgjidhnin këtë dështim.44 Në vijim, Allahu i Lartësuar kërcënon ata që nuk marrin pjesë në luftë, duke mos iu përgjigjur kushtrimit të Tij: - “Nëse nuk dilni, Ai do t'ju ndëshkojë me një dënim të rëndë dhe do t'ju zëvendësojë me një popull tjetër dhe Atij nuk i bëhet aspak dëm.” - Nëse nuk i përgjigjeni kushtrimit, Allahu i Lartësuar ka për t'ju ndëshkuar dhimbshëm në dynja dhe në ahiret. Refuzimi i thirrjes së komandantit për të marrë pjesë në luftë konsiderohet si

nga gjynahet më të mëdha, që meriton një nga ndëshkimet më të rënda, sepse edhe dëmi që sjell ky refuzim është shumë i madh. Ai që nuk i përgjigjet kushtrimit të udhëheqësit nuk i bindet urdhrit të Allahut. Ai nuk ndihmon në ruajtjen e fesë dhe ligjit të Allahut të Lartësuar. Gjithashtu, ai nuk ndihmon as vëllezërit e tij muslimanë kundër armikut të tyre, i cili dëshiron t’i shfarosë ata dhe ta zhdukë fenë e tyre. Ai bëhet shembull për njerëz të dobët me besim të mangët, që edhe ata t’i bëjnë bisht këtij urdhri tepër të rëndësishëm. Madje, ai mund të dobësojë edhe radhët e atyre që luftojnë në rrugën e Allahut të Lartësuar. Kështu, ata që bëjnë të tilla vepra janë të kërcënuar ashpër nga Allahu i Lartësuar: "…ju zëvendëson me një popull tjetër dhe Atij nuk i bëhet aspak dëm." Ata i pret një ndëshkim i dhimbshëm dhe Allahu ka për t’i zëvendësuar me të tjerë, të cilët do të jenë ndryshe nga ata. Kjo nuk e dëmton aspak Allahun e Lartësuar. Allahu i Lartësuar do ta bëjë këtë fe që të triumfojë mbi të gjitha fetë dhe besimet e tjera. Nuk ka asnjë ndikim në pushtetin e Zotit sikur besimtarët t’i zbatojnë urdhëresat e Tij apo edhe nëse ata i hedhin pas shpine ato. Allahu i Lartësuar ka për ta ndihmuar fenë e Tij dhe ka për ta lartësuar fjalën e Tij nëpërmjet robve të sinqertë, që Ai vetë i përzgjedh. Duhet ta kuptojmë mirë se mosbindja e njerëzve nuk e pakëson aspak pushtetin e Allahut të Lartësuar, ashtu sikurse edhe bindja e tyre nuk i shton asgjë madhështisë së Tij. - “Allahu është i Plotpushtetshëm për gjithçka.” - Allahut nuk mund t’i shpëtojë askush. Asgjë nuk mund t’i shmanget dëshirës së Allahut, nëse Ai e dëshiron. Asgjë nuk del jashtë gjykimit dhe përcaktimit të Allahut dhe asgjë nuk mund ta mposhtë Atë. Allahu është Mposhtësi dhe Sunduesi i gjithçkaje. Ai është Triumfuesi, Krenari e Ngadhënjimtari mbi gjithçka.

← Tevbe 9:38