← Kthehu te rezultatet për „zemrat tuaja u ngurtesuan si guri“

9. Tevbe · Ajeti 48 · Tefsir

Shënimet shpjeguese të Sherif Ahmetit (Kurani me Komentim) 9:46–9:57

Hipokritët betoheshin në Allahun se do të kishin shkuar në luftë me Pejgamberin sikur të kishin pasur mundësi, mirëpo, vetë fakti se ata nuk kishin bërë farë përgatitjeje tregon se ata gënjenin.

"Zoti xh. sh. e dinte se prej hipokritëve nuk pritej ndonjë e mirë për myslimanët, sepse edhe sikur të shkonin në luftë, ata më shumë do t'u sillnin kokëçarje myslimanëve, sikundër u solli në luftën e Uhudit Ibni Ubej, kreu i munafikëve kur u kthye me një grup njerëzish dhe ashtu shkaktoi njëfarë përçarje dhe indisponim në radhët e myslimanëve. Prandaj, edhe thuhet në këtë ajet se Allahu nuk e dëshiroi shkuarjen e tyre, deshi t'i damkosë me hipokrizinë e tyre, i përqeshi duke ju thënë të rrinë me të paaftët, me gra, fëmijë, pleq e të gjymtë. Hipokritët edhe me, rastin e asaj lufte treguan veten se ishin vetëm formalisht myslimanë, pse çdo fitore e myslimanëve nuk i kënaqte shpirtërat e tyre, më shumë i kënaqte disfata.

Myslimanët ishin të vetëdijshëm se nuk mund t'ju ndodhë asgjë, jashtë dëshirës së Zotit. Ata gjithsesi ishin në fitim, ngase o do ta fitonin luftën o do të vriteshin si shehidë, e cilado prej tyre për ata ishte fitim.

Atyre që nuk e kishin besuar me bindje e sinqeritet Allahun, të dërguarin e Tij, Ahiretin, Allahu nuk ua pranon veprat, pse edhe namazi i tyre ishte me përtaci, e edhe sadakatë që i jepnin ishin më tepër sa për sy e faqe.

Zoti porositi myslimanët të mos i mashtrojë, e as të mos e çmojnë aq shumë pasurinë e as fëmijët e tyre, sepse ato janë shkak i dënimit të tyre, ngase ata kanë lidhur lakminë për to, e do të ngelin jashtë besimit dhe do t'i ngulfatë vdekja me kufr. Myslimanët duhej të dinin se ata nuk ua donin të mirën, duke u bërë lajka nga frika, prandaj nuk duhet besuar atyre.

Tefsiri i shkurtuar i Ibn Kethirit (Tejsir el-Alijj el-Kadir) 9:48–9:51

Allahu i Lartësuar nxit Profetin e Tij për kujdes nga sherri i munafikëve. Ai thotë: - Ata, edhe më parë kanë tentuar përçarjen tuaj dhe t’i kanë ngatërruar çështjet - Ata i kanë përdorur gjithmonë mendjen e tyre për intriga e kurthe kundër teje dhe besimtarëve, për shuarjen e dobësimin e fesë. Qysh në fillim të ardhjes së Profetit në Medinë, arabët e sulmuan atë si një trup i vetëm, kurse jehudët dhe munafikët intriguan dhe e sulmuan nga brenda. Por kur Allahu i dha fitoren në luftën e Bedrit, Abdullah Ibn Ubej Ibn Seluli dhe pasuesit e tij thanë: “Kjo çështje tashmë po merr rrugë e konsolidohet”. E kështu filluan të shfaqeshin si muslimanë nga ana e jashtme. Por sa herë që Allahu e ngrinte Islamin dhe muslimanët, kjo i dëshpëronte në shpirt dhe i ligështonte pamasë. I Lartësuari thotë: - derisa ty të erdhi e Vërteta dhe ngadhënjeu vendimi i Allahut, edhe pse ata e urrenin shumë këtë gjë. - Pastaj i Lartësuari e njofton Profetin rreth hileve e arsyetimeve boshe të munafikëve, për t’iu shmangur xhihadit në rrugën e Tij. - Prej tyre ka edhe të tillë që thonë: “Më jep leje e mos më sprovo!” - Mos më shty në sprovë, duke më detyruar të dal në luftë kundër romakëve, sepse gratë e bukura të tyre do të bëhen fitne për mua dhe unë dua të jem i ruajtur nga kjo! Por i Lartësuari tha: - Por ata tashmë kanë rënë në sprovë - Pikërisht me të tilla fjalë që thonë dhe arsyetime boshe që paraqesin, ata kanë rënë në fitne. Muhamed Ibn Ishaku tregon: “Na është transmetuar prej Zuhriut, Zejd Ibn Rumanit, Abdullah Ibn Ebu Bekrit, Asim, Katades etj, se, një ditë, kur Profeti i Allahut ishte tek Xhed Ibn Kajsi, - vëllai i Benu Selemes - i tha atij: 1366. “Si thua, o

Xhed, për një luftë me Benu Asfarët (romakët) këtë vit?” Ai tha: “O i Dërguari i Allahut! Me lejo të mos vij dhe mos më shty në fitne! Vallahi, gjithë fisi im e di se sa i paduruar jam në lidhje me gratë! Kam frikë se, kur të shoh gratë e Benu Asfarëve, nuk do të bëj dot durim.” Atëherë, Profeti u largua prej tij, duke i thënë: “Po të lejoj të qëndrosh.”. Pikërisht për Xhed Ibn Kajsin zbriti ajeti: “Prej tyre ka edhe të tillë që thonë: “Më jep leje e mos më sprovo!...” Ai pretendonte se i frikësohej fitnes me gratë, edhe pse kjo nuk ishte e vërtetë, duke rënë në një fitne edhe më të madhe; bishtnimi prej luftës me Profetin e Allahut dhe mbështetja e tij. Edhe nga Ibn Abasi e të tjerë është transmetuar se kanë thënë që ky ajet u zbrit e flet për Xhed Ibn Kajsin, i cili konsiderohej si prijësi dhe ndër më të nderuarit në fisin Benu Selem. - dhe Xhehenemi do t'i rrethojë mohuesit (në të gjitha anët) . - Ata nuk mund t’i shmangen, të ruhen e të mbrohen prej tij. Në fakt, fisi Benu Seleme ishin lodhur e ngushtuar shumë nga udhëheqja e Xhed Ibn Kajsit, që njihej si një koprrac e dorështrënguar, prandaj Profeti i Allahut emëroi në krye të tyre Bishër Ibn el Bera Ibn Mearurin, sikurse është transmetuar në hadith të saktë. - Nëse ty të vjen ndonjë e mirë, ata trishtohen - Allahu i Lartësuar i tregon Profetit për armiqësinë e urrejtjen që ata fshihnin në zemër kundër tij dhe besimtarëve. Aq e madhe ishte kjo urrejtje, saqë ata dëshpëroheshin dhe ligështoheshin për çdo të mirë që u vinte atyre. - e nëse të godet ndonjë fatkeqësi, ata thonë “Ne kemi qenë të kujdesshëm për çështjen tonë edhe më parë.” dhe kthehen të gëzuar. - Duke mëtuar urtësi e maturi, thonë: “Ne kemi qenë të kujdesshëm për çështjen tonë edhe më parë, prandaj jemi treguar të kujdesshëm e i jemi shmangur pasimit të tij, që më herët.” Kështu i kthejnë shpinën urdhrave të Profetit dhe gëzohen. Allahu i Lartësuar e udhëzon Profetin e Tij që t’u japë këtë përgjigje: - Thuaj: “Asgjë nuk do të na ndodhë, përveç asaj që ka caktuar Allahu për ne” - Ne të gjithë jemi nën dëshirën dhe pushtetin e Allahut të Madhëruar, të nënshtruar në urdhrat dhe përcaktimin e Tij. - Ai është Mbrojtësi ynë. - Ai është Mbrojtësi, Kujdestari dhe shpresa jonë. Vetëm tek Ai drejtohemi e gjejmë mbështetje. - Prandaj, vetëm Allahut le t’i mbështeten besimtarët! - Vetëm Atij i mbështetemi, Ai na mjafton dhe Ai është më i miri Ndihmës e Kujdestar i çështjeve tona.

Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman) 9:46–9:48

- “Nëse vërtet do të kishin dashur të shkonin, me siguri do të kishin bërë ndonjë përgatitje.” - Allahu i Lartësuar na qartëson se të gjithë ata munafikë që i bënë bisht luftës, edhe më parë kishin shfaqur shumë shenja, nga të cilat kuptohej se ata asnjëherë nuk kishin qëllim të shkonin në luftë. Allahu i Lartësuar tregon se justifikimet e tyre për të mos dalë në luftë ishin të kota, të pabaza dhe të pavlefshme. Justifikim i vërtetë është kur njeriu ka bërë gjithçka të mundshme, me pasurinë dhe aftësitë e tij, për të marrë pjesë në luftë, dhe nuk ka arritur ta bëjë një gjë të tillë, me arsye të pranueshme nga Sheriati. Ndërsa për munafikët, Allahu i Lartësuar thotë: "Nëse vërtet do të kishin dashur të shkonin, me siguri do të kishin bërë ndonjë përgatitje." Ata do të kishin marrë të gjitha masat, duke shfrytëzuar çdo rrugë të mundshme për të arritur një gjë të tillë. Por duke qenë se ata nuk u përgatitën dhe nuk bënë asgjë për hir të këtij qëllimi, kjo tregon se ata kurrë nuk e kishin dëshiruar vajtjen në këtë luftë. - “Por Allahu nuk e pëlqeu pjesëmarrjen e tyre; prandaj i sprapsi, duke u thënë: “Qëndroni aty me ata që rrinë!”” - Allahu i Madhëruar nuk deshi që ata të vinin së bashku me ju në këtë luftë për hir të Tij. Për këtë arsye, me përcaktimin e Tij të urtë dhe të drejtë, Ai i bëri që të rëndoheshin dhe të mos e dëshironin pjesëmarrjen në luftë, edhe pse në Sheriat Ai i kishte urdhëruar për luftë. Madje, Ai i pajisi me të gjitha gjërat e nevojshme për të arritur diçka të tillë, nëse vërtet do të dëshironin. Por, me urtësinë e Tij, Allahu i Lartësuar nuk dëshiroi që ata të merrnin pjesë në atë luftë, prandaj i bëri që të rëndoheshin në tokë dhe të mos e dëshironin atë. Kështu, me urtësinë dhe diturinë e Tij absolute, Allahu vepron m bi dëshirat dhe veprat të hapura apo të fshehta të njerëzve. I Gjithëdituri tha: “Qëndroni aty me ata që rrinë!” Ai i bëri që të qëndronin me gratë dhe të pamundurit, të cilët vërtet kishin arsye. Pastaj Allahu i

Lartësuar përmend urtësinë e këtij vendimi për këtë kategori njerëzish: - “Edhe sikur të dilnin me ju, ata nuk do t’ju shtonin asgjë tjetër, veç çrregullime, duke përçarë rradhët tuaja (me shpifje e intriga).” - Edhe sikur të vinin me ju, do t’ju shkaktonin veçse probleme dhe dobësi. Ata do të përpiqeshin të fusnin fitne mes rradhëve tuaja, duke prishur unitetin. Ata gjithmonë synojnë përçarjen dhe futjen e armiqësisë mes jush. E keqja e munafikëve bëhet edhe më e rrezikshme edhe për një shkak tjetër: - “Ka prej jush që i dëgjojnë ata.” - Në radhët tuaja ka edhe mendjelehtë, që i dëgjojnë munafikët, sepse janë të mashtruar pas tyre. Kështu, nëse do të vinin me ju në luftë, munafikët do të sillnin një dëm të paimagjinueshëm për ju, duke ndikuar lehtë tek ata që ua dëgjojnë fjalën. Kështu, urtësia e Allahut për të mos e bërë të mundur pjesëmarrjen e tyre në luftë, ishte treguese e mëshirës së tij të pakufishme me besimtarët e Tij të sinqertë. Kjo tregon për kujdesin e madh të Allahut për të zgjedhurit e tij. Ai kurrë nuk do ta lejonte që mes tyre të futej dikush që, jo vetëm që nuk u sillte dobi, por i dëmtonte ata. - “Allahu di gjithçka për të padrejtët.” - Prandaj dhe u mëson adhuruesve të Tij të sinqertë cilësitë e munafikëve dhe dëmin e shoqërimit me ta. - “Ata, edhe më parë kanë tentuar përçarjen tuaj dhe t’i kanë ngatërruar çështjet, derisa ty të erdhi e Vërteta dhe ngadhënjeu vendimi i Allahut, edhe pse ata e urrenin shumë këtë gjë.” - Ata kanë tentuar përçarjen tuaj edhe më parë, kur ju emigruat në Medinë. Ata bënë çdo gjë për të ngatërruar punët tuaja. Ata thurnin plane dhe intriga për të penguar thirrjen dhe për të shkatërruar fenë tuaj. Nuk lodheshin asnjëherë për të arritur këtë qëllim, derisa erdhi e vërteta dhe ngadhënjeu vendimi i Allahut, edhe pse ata e urrenin. Kotësia dhe synimet e tyre të poshtra u asgjësuan. Këta lloj njerëzish e merituan që Allahu i Madhëruar të paralajmëronte besimtarët e sinqertë prej tyre, prandaj muslimanët nuk duhet të shqetësoheshin aspak për mospjesëmarrjen e tyre në luftë.

← Tevbe 9:48