9. Tevbe · Ajeti 8 · Tefsir
Shënimet shpjeguese të Sherif Ahmetit (Kurani me Komentim) 9:1–9:10
Derisa palët kundërshtare të myslimanëve, si idhujtarët ashtu edhe jehuditë herë pas herë thyen marrëveshjen që kishin me myslimanët, ekzistimi i një kontrate me ta ishte i kotë, andaj zbret kjo pjesë e Kur'anit me të cilën anulohen marrëveshjet me ta.
Ishte viti i nëntë i hixhretit. Ebu Bekri ishte caktuar udhëheqës i haxhinjve nga ana e Pejgamberit. Pasi kishte shkuar Ebu Bekri me haxhinjtë, Pejgamberi e dërgon Aliun që t'ua kominukojë këto dispozita të Kur'anit në ditën e Bajramit. Aliu ngritet e thotë: pas këtij viti te Qabja nuk mund të afrohet asnjë idhujtar, tavafi (vizita) rreth Qabes nuk mund të bëhet duke qenë lakuriq: në xhennet nuk do të hyjë kush pos myslimanëve: kush ka marrëveshje me Pejgamberin dhe nuk e ka thyer deri tash ajo vazhdon deri në afatin e caktuar dhe prej sot Allahu dhe i dërguari i Tij shkëpusin çfarëdo lidhjesh me idhujtarët.
Vizata e Qabes në kohën e caktuar të vitit, konsiderohet "haxh", e vizita jashtë kohës së caktuar në cilëndo kohë të vitit quhet "umre", ndërsa derisa ishte koha e caktuar për haxh, kur bie edhe Bajrami, u quajt: "Haxhi i madh", e Umreja është "Haxhi i vogël".
Idhujtarëve u jepet afat të qarkullojnë e të përgaiten katër muaj rresht, pastaj ose do të kthehen në fenë islame ose do të luftohen pa mëshirë, ngase ata nuk respektonin as besën e dhënë e asgjë tjetër, por sa herë që u vinte në dorë bënin masakër ndaj myslimanëve.
Tefsiri i shkurtuar i Ibn Kethirit (Tejsir el-Alijj el-Kadir) 9:8
Allahu i Lartësuar nxit urrejtjen dhe armiqësinë në zemrat e besimtarëve, që ata të distancohen nga idhujtarët dhe mohuesit, sepse ata janë njerëz që nuk mund t’ u zihet besë. Ata janë idhujtarë dhe mohues të Profetit të Zotit. Nëse ata arrijnë të fitojnë epërsi, ata nuk përfillin as farefisni e as marrëveshje. Mendoni pak me kujdes! Një
idhujtar, i cili nuk i jep hakun Zotit, duke e njësuar në adhurim, si mendoni se do t’i përmbahet paktit me një besimtar. Ata nuk pyesin as për farefisni, as për pakte. Edhe nëse shprehen me fjalë se e duan diçka të tillë, zemrat e tyre e refuzojnë këtë.
Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman) 9:8–9:11
- “Si mund të kenë besë ata, të cilët, nëse ju mundin, nuk përfillin as farefisni e as marrëveshje me ju?!” - Ata nuk kanë
asnjë të drejtë që të kërkojnë pakt dhe siguri prej muslimanëve, sepse janë njerëz të pabesë, që nuk iu qëndrojnë asnjëherë pakteve. E si kërkojnë pakt ata të cilët, nëse ju mundin, nuk përfillin as farefisni e as marrëveshje me ju?! Nëse ata marrin epërsi ushtarake e numerike ndaj jush, atëherë nuk njohin më as kufij dhe as të drejta, nuk njohin më farefis apo marrëveshje me ju. Ata nuk i frikësohen Allahut në trajtimin tuaj, madje do t’ju ndëshkojnë ashpër dhe pa mëshirë. Kështu do të trajtoheni prej tyre, nëse marrin epërsi mbi ju. Kurrë mos u mashtroni nga mirësjellja e tyre atëherë kur ju jeni më të fuqishëm sesa ata. Kur ju jeni të fuqishëm është normale që: - “Ata ju bëjnë lajka me fjalë, kurse me zemër ju kundërshtojnë fort.” - Ata thjesht ju bëjnë qejfin në fjalë, por me zemër nuk duan drejtësi dhe respekt për ju. Ata janë në realitet armiqtë tuaj të përbetuar. - “Shumica e tyre janë të ligj.” - Ata nuk kanë fe, që t’i nënshtrohen dhe t'i përmbahen. Ata nuk kanë as burrëri dhe personalitet, që t'i qëndrojnë fjalës dhe marrëveshjeve. Gjithçka që dëshirojnë është përbushja e interesave të kësaj dynjaje dhe epsheve të tyre pa fre. - “Ata i shkëmbejnë ajetet e Allahut me një vlerë fare të vogël dhe pengojnë njerëzit nga rruga e Tij. Të shëmtuara janë veprat e tyre. Ndaj besimtarëve ata nuk respektojnë as farefisni e as marrëveshje. Pikërisht ata janë të shfrenuarit.” - Ata preferojnë pasuritë e përkohshme dhe të pavlera të kësaj dynjaje kundrejt besimit në Allahun dhe në Profetin e Tij. Kështu, ata privojnë veten nga rruga e drejtë, por edhe të tjerët. Për hir të synimeve të tyre, ata nuk njohin kufij dhe masë. Nëse i pengon, je armiku i tyre dhe meriton të ndëshkohesh. Nuk ka marrëveshje që mund t'i bëjë të jenë besnikë e të përmbajtur. Urrejtja për fenë dhe besimtarët është bërë ves i tyre. Kuptojeni mirë, o besimtarë, se shkaku përse ata ju urrejnë është besimi juaj te Zoti dhe nënshtrimi për ta adhuruar Atë sipas shpalljes së Tij. Prandaj luftoni, që të mbroni fenë tuaj! Këdo që tregon armiqësi ndaj jush dhe fesë suaj konsiderojeni si armik, ndërsa ata që ju ndihmojnë dhe e duan fenë tuaj konsiderojini si miq e aleatë, që duhen mbështetur. Ky le të jetë gjykimi juaj i vazhdueshëm për aleancat dhe marrëveshjet që bëni! Mos lejoni kurrë që aleanca, miqësia dhe dashuria juaj të jenë emocionale dhe të pabazuara në urtësi e njohje të saktë. Nuk duhet të lejoni emocionet personale të ndikojnë në gjykimin për marrëdhëniet me armiqtë tuaj. Egoja ju nxit shpesh për ligësi, prandaj duhet të gjeni udhëzimin dhe drejtësinë në porositë e Zotit tuaj. - “Megjithatë, nëse ata pendohen, falin rregullisht namazin dhe japin zekatin, atëherë janë vëllezërit tuaj në besim.” - Nëse pendohen për shirkun dhe kthehen në besimin e pastër, i cili i nënshtron ata që të falin namazin dhe të japin zekatin, atëherë ata janë vëllezërit tuaj në fe dhe si të tillë duhet t’i trajtoni, duke harruar armiqësitë e vjetra të nxitura nga idhujtaria. Duke u bashkuar dhe vëllazëruar, do të jeni adhurues të vërtetë të Allahut. Pasi shtjelloi me imtësi këto dispozita, duke nxjerrë urtësitë dhe rregullat e mrekullueshme të fshehura mes tyre, Allahu i Madhëruar vijon dhe thotë: - “Kështu i sqarojmë Ne argumentet për njerëzit e ditur.” - Në këtë mënyrë i qartësojmë ajetet dhe ligjet për ata që dinë. Dijetarët janë ata që i kuptojnë siç duhet ajetet dhe ligjet e Zotit. Përmes tyre mësohet Islami dhe sqarohen kuptueshëm dispozitat dhe ligjet e fesë islame. O i Adhuruari ynë, na bëj nga ata që kanë dituri të saktë dhe të dobishme dhe që punojnë me sinqeritet sipas kësaj diturie! Të lutemi të na e dhurosh këtë gjë me mëshirën Tënde, me bujarinë, butësinë dhe mirësinë Tënde!