← Kthehu te rezultatet për „zemrat tuaja u ngurtesuan si guri“

9. Tevbe · Ajeti 86 · Tefsir

Shënimet shpjeguese të Sherif Ahmetit (Kurani me Komentim) 9:79–9:89

Për përgatitje të luftës në Tebuk, myslimanët dhanë sasi të mëdha të pasurisë së vet, dhanë edhe ata që nuk kishin aq mundësi, vetëm që të mos ndaheshin nga vëllezërit e tyre. Hipokritët për ata që dhanë shumë thonin: Japin për autoritet, kurse për ata që dhanë pak: Zoti nuk ka nevojë për një dhënie të tillë.

Thuhet: Kur vdiq Ibni Ubejj ibni Selul, kreu i munafikëve në Medinë, vjen djali i tij, Abdullahu, që ishte sahabij shumë i mirë dhe kërkoi prej Pejgamberit t'i japë këmishën e vet për ta mbështjellur babain e tij në vend të qefinit. Pejgamberi ia dha. Pastaj, lut Pejgamberin t'ia falë xhenazën. Pejgamberi ngritet t'ia falë, e Ymeri thotë: O i dërguar i Allahut A munafikut më të përbetuar i i fal xhenazën"'" Pejgamberi ia ktheu: Largohu Ymer, Zoti më tha: kërko ose mos kërko... e unë po shfrytëzoj të parën: kërko falje...t Ia fali xhenazën, e përcolli dhe u ngrit mbi varrin e tij. Por nuk shkoi shumë e u shpall ajeti: 84, sipas së cilit ndërpriten të gjitha lidhjet me munafikët.

Fjala shtatëdhjetë, nuk është numër i kufizuar, por arabët kishin adet të thonin për diçka shumë, I shtatëdhjetë herë, sikur që kemi zakon të themi në: njëqind herë. Pra, nuk është qëllim numri i caktuar.

Pasi munafikët nuk shkuan me Pejgamberin në momentin më të vështirë në luftë, edhe të tjerëve u thanë të mos shkojnë, pastaj u tallën me besimtarët, Allahu tha: qeshni në këtë dynja, por kjo është kohë e shkurtër, keni për të qarë në Ahiret pa pushim.

Në Medinë kishin mbetur pa shkuar në luftë edhe disa besimtarë, me arsye dhe me lejen e Pejgamberit, por për ata që kishin bërë gënjeshtër, Allahu e urdhëroi Pejgamberin që të mos i pranojë të shkojnë me të kurrë, edhe nëse kërkojnë. Dhe kështu, me munafikët e Medinës këputen të gjitha marrëdhëniet, madje edhe ato shpirtërore.

Tefsiri i shkurtuar i Ibn Kethirit (Tejsir el-Alijj el-Kadir) 9:86–9:87

- Kur zbriti surja që urdhëron për të besuar në Allahun dhe për të luftuar së bashku me të Dërguarin e Tij, pasanikët kërkuan leje prej teje, duke thënë: “Na lejo të rrimë (në shtëpi) me ata që nuk shkojnë në luftë!” - Allahu i Lartësuar na tregon për munafikët, duke i përçmuar e poshtëruar ata, që i bishtnuan xhihadit, edhe pse kishin plotësisht mundësi për të marrë pjesë në të. Ata i kërkuan leje Profetit, duke thënë: “Na lejo të rrimë (në shtëpi) me ata që nuk shkojnë në luftë!” Kështu, ata pranuan turpin e qëndrimit me gratë e të dobëtit, pasi ushtria u nis për luftë. Të tillë janë këta të mjerë. Sa herë që ftohen për luftë, tregohen frikacakë e fshihen, ndërsa kur mbaron lufta, janë njerëzit që hiqen më shumë si trima, sikurse thotë i Lartësuari për ta: “Allahu i di mirë ata që i pengojnë vëllezërit e tyre (nga lufta) dhe u thonë: “Ejani me ne!” Ata vijnë në luftë vetëm për pak kohë. Por edhe atëherë vrapojnë të marrin veç për vete. Pastaj, kur i pushton frika, do t'i shohësh se si të shikojnë me ata sytë e tyre që rrotullohen si të atij që është në agoni. Dhe kur u largohet frika, ata ju sulmojnë me ato gjuhë therrëse, duke lakmuar për pasuri (plaçkë lufte). Të tillë njerëz nuk kanë besuar prandaj Allahu ua asgjësoi veprat e tyre dhe kjo për Allahun është lehtë. Ata mendonin (nga frika e madhe) se ushtritë (armike) ende nuk ishin larguar. Dhe nëse ushtritë (armike) do të ktheheshin edhe njëherë, ata (hipokritët) do të dëshironin të kishin qenë mes beduinëve dhe të sigurt atje larg të merrnin lajme për ju. Por, edhe sikur të ishin në mesin tuaj, shumë pak do të luftonin.” [Ahzab 19]. Gjuha e tyre është e mprehtë në kohë sigurie, por ata janë burracakë në kohë lufte. Në një ajet tjetër, i Lartësuari thotë: “Disa besimtarë thonë: “Sikur të ishte shpallur një sure (për luftën) !” Por kur shpallet ndonjë sure e qartë që flet për luftë, ata që kanë zemra të sëmura, të shikojnë sikur të ishin në agoninë e vdekjes. Më e volitshme për ta do të ishin bindja dhe fjala e mirë. Por, kur merret vendimi (për luftë) , do të ishte më mirë për ata që të jenë besnikë ndaj Allahut.” [Muhamed 19, 20]. - Ata parapëlqyen të rrinin me ata që nuk shkojnë në luftë, prandaj zemrat e tyre u vulosën dhe tashmë ata nuk

kuptojnë. - Për shkak të mosvajtjes në luftë në mbështetje të rrugës së Allahut dhe për t’i qëndruar krah Profetit të Allahut, ata e merituan këtë ndëshkim: “...zemrat e tyre u vulosën dhe tashmë ata nuk kuptojnë.” Ata nuk arrijnë të kuptojnë atë që është në të mirën e tyre e ta veprojnë atë dhe as nuk dallojnë çfarë është në dëmin e tyre dhe të ruhen prej saj.

Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman) 9:86–9:87

Allahu i Madhëruar njofton se munafikët vazhdonin të ishin të rënduar në lidhje me bindjen ndaj Tij. Atyre nuk u bënin aspak dobi ajetet dhe suret e shpallura nga Allahu: - “Kur zbriti surja që urdhëron për të besuar në Allahun dhe për të luftuar së bashku me të Dërguarin e Tij, pasanikët kërkuan leje prej teje, duke thënë: “Na lejo të rrimë (në shtëpi) me ata që nuk shkojnë në luftë!”” - Sa herë që shpallen sure ku urdhërohet për besim të drejtë dhe për luftë në rrugën e Zotit, pikërisht njerëzit e pasur dhe të shëndetshëm, të cilët nuk kanë asnjë justifikim për t’iu shmangur këtyre urdhrave, nxitojnë të kërkojnë leje për të mos marrë pjesë në luftë. Allahu i Madhëruar i ka begatuar me pasuri dhe fëmijë, e megjithatë ata nuk tregohen mirënjohës dhe nuk e lavdërojnë Dhuruesin ashtu si Ai dëshiron. Ata nuk kryejnë as detyrimet më themelore. Nëse do të tregoheshin mirënjohës, zbatimi i urdhrave do të ishte i lehtë për ta. Por ata nuk dinë të bëjnë gjë tjetër, veçse të justifikohen. Të rënduar nga dembelizmi, ata duan të qëndrojnë me të dobtit dhe të pamundurit, duke thënë: “Na lejo të rrimë me ata që nuk shkojnë në luftë!” I Lartësuari thotë: - “Ata parapëlqyen të rrinin me ata që nuk shkojnë në luftë, prandaj zemrat e tyre u vulosën dhe tashmë ata nuk

kuptojnë.” - Si është e mundur që ata qëndruan bashkë me fëmijët dhe gratë, që u lejohet të mos marrin pjesë në xhihad?! Mos vallë kështu i udhëzoi logjika dhe urtësia e tyre?! Apo Allahu i Madhëruar ua vulosi zemrat dhe ata nuk arrijnë të kuptojnë të mirën e vetes së tyre? Ata nuk kanë dëshirën më të vogël për të bërë diçka që u sjell mirësi e shpëtim. Ata nuk arrijnë as ta konceptojnë bamirësinë ndaj vetes së tyre. Nëse do të logjikonin drejt, nuk do kënaqeshin me këtë lloj gjendjeje, e cila është poshtëruese për burrat e vërtetë.

← Tevbe 9:86