← Kthehu te rezultatet për „zemrat tuaja u ngurtesuan si guri“

9. Tevbe · Ajeti 94 · Tefsir

Shënimet shpjeguese të Sherif Ahmetit (Kurani me Komentim) 9:90–9:106

Në këto ajete flitet për hipokritët nga radhët e beduinëve që nuk patën shkuar në luftë, si fisi Esed e Gatfanë, të cilët kërkuan falje. Disa të tjerë nuk kërkuan fare. Allahu nuk i merr në përgjegjësi ata që ishin të dobët fizikisht, të sëmurë, ata që nuk kishin me çka të përgatiteshin, e as ata që u kthyen duke qarë, pse nuk patën me çka të udhëtonin. Këta ishin nja shtatë ensarë. Ai do t'i marrë në përgjegjësi ata që patën mundësi e nuk shkuan. Ata kërkuan falje duke u betuar i në Allahun dhe përpiqeshin t'i përfitonin myslimanët, por Allahu këshilloi myslimanët të hiqen i prej tyre, sepse Ai nuk ishte i kënaqur me ta.

Arabët beduinë ishin edhe më mohues e më hipokritë, ngase jetonin në shkretëtirë dhe nuk i dinin për norma morali, nuk dinin fare për sheriatin islam, ndërsa atë që e jepnin si lëmoshë I e trajtonin si gjobë, andaj mezi pritnin ndonjë të keqe për myslimanët. Por kishte edhe asish që besonin drejt.

Meritën më të madhe e kanë ata më të hershmit, muhaxhirë e ensarë, por meqë thuhet se edhe ata që ndjekin traditat e tyre janë me ata me të cilët Allahu është i kënaqur, është shpresë se kjo dispozitë do të vlejë për të gjithë myslimanët e mirë, deri në kijamet.

Edhe në Medinë, e edhe përreth saj kishte hipokritë të fshehtë për të cilët Zoti e njoftonte Muhammedin. Thuhet se Pejgamberi i kishte treguar një shokut të vet, Huzejfe bin Jumanit, emrat e disa hipokritëve të fshehur dhe i kishte thënë që të mos i tregonte askujt. Huzejfeja konsiderohej shoku i sekreteve të Pejgamberit, andaj Ymeri i Hatabit nuk shkonte t'i falë askujt xhenazën, pok nuk e shihte aty Huzejfen.

Hipokritët e tillë, Zoti tha se do t'i dënojë dy herë: herën e parë ose do t'i mbyste ose do t'i çonte në robërim, e herën tjetër në çastin e vdekjes dhe në varr. - Një grup ishte që nuk kishte vajtur në luftë, jo pse ishin hipokritë, por nga përtacia, e Pejgamberi porositet të pranojë nga ata lëmoshë dhe të lutet për ta në mënyrë që ta ndiejnë veten myslimanë të mirë.

Sikundër po shihet, hipokritët ishin tre llojesh: të vendosur në hipokrizi, të penduar që kërkonin falje dhe të tillë që çështja e tyre priste urdhërin e Zotit. Ata ishin tre shokë të Pejgamberit që kishin marrë pjesë në luftën e Bedrit, por në rastin e Tebukut ngelën në shtëpi dhe nuk u ngutën të kërkonin falje e as të shprehnin pendimin. Ata mbetën pesëdhjetë ditë të izoluar prej myslimanëve derisa erdhi shpallja nga Zoti kur ua pranoi pendimin.

Tefsiri i shkurtuar i Ibn Kethirit (Tejsir el-Alijj el-Kadir) 9:94–9:96

- Kur të ktheheni, ata do t’ju paraqesin justifikime. - Allahu i Lartësuar flet për munafikët dhe tregon se, kur të ktheheshin Profeti ﷺ e muslimanët në Medinë, ata do të vinin e të nxirrnin justifikime të ndryshme. - Thuaju: “Mos u arsyetoni, ne nuk kemi për t’ju besuar. - Nuk kemi për t’i pranuar e besuar justifikimet tuaja si të vërteta, sepse: - Tashmë, na ka njoftuar Allahu për gjendjen tuaj të vërtetë. - Ai na ka treguar qartë gjendjen tuaj. - Veprimet tuaja do t'i shohë Allahu dhe i Dërguari i Tij. - Allahu ka për t’i nxjerrë në pah veprimet tuaja, që të jenë të dukshme për njerëzit në këtë botë. - Në fund ju do të ktheheni tek Ai që e di çfarë fshihet dhe çfarë është e hapët. Ai do t’ju tregojë të vërtetën e gjithçkaje që keni bërë”. - Atëherë, Ai do t’ju njoftojë për të gjitha punët tuaja, të mira e të këqija dhe ka për t’ju dhënë atë që meritoni për to. Pastaj i Lartësuari njofton se ata do të betohen e stërbetohen për të justifikuar bishtnimin e tyre, që Profeti ﷺ të mos i qortojë e t’ua llogarisë atë si gabim. - Kur të ktheheni tek ata, do t’ju betohen në Allahun, për të mos i qortuar. - Allahu thotë: - Kthejuni shpinën atyre! Ata, me të vërtetë janë të ndyrë - Shmangini e kthejuni shpinën me përçmim atyre, sepse ata janë “ rixhsun” - të ndyrë. Ata janë të pisët në atë që fshehin në shpirt dhe në besimin e tyre të shëmtuar. Ndërsa në jetën tjetër, Allahu i lartësuar thotë: - dhe vendi i tyre do të jetë Xhehenemi, si shpërblim për at ë (padrejtësi) që bënë. - Ky është ndëshkimi i merituar për atë që kanë bërë, për gjynahet dhe padrejtësitë, ku janë zhytur. - Ata do t'ju betohen që të jeni të kënaqur me ta. Por edhe nëse ju shprehni kënaqësi, Allahu nuk është i kënaqur me ata që i shkelin kufijtë e Tij. - Edhe nëse ju kënaqeni prej tyre, le ta dinë se atyre që dalin jashtë bindjes ndaj Allahut dhe nuk

nënshtrohen në zbatimin e fesë së Tij, kjo nuk u vlen aspak. El fisk është dalja nga kufijtë e bindjes dhe nënshtrimit ndaj Allahut. El fasik quhet ai që tejkalon caqet. Arabët thonë: “Fesekat el habetu’ - kur fara çan lëvoren e saj dhe del sythi.

Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman) 9:94–9:96

- “Kur të ktheheni tek ata do t’ju paraqesin justifikime.” - Pasi tregoi se munafikët i bënë bisht luftës duke qenë të pajustifikuar, thotë se ata do të shkonin te Profeti për t'u justifikuar, pasi ai të kthehej nga lufta. Në këtë kohë, Profeti mësohet që t’u thotë: - “Thuaju: “Mos u arsyetoni, ne nuk kemi për t’ju besuar. Tashmë, na ka njoftuar Allahu për gjendjen tuaj të vërtetë.” - Kurrë nuk kemi për t’u besuar justifikimeve tuaja. E si mund t’ju besojmë kur tashmë na ka njoftuar Allahu për të vërtetën tuaj?! Allahu është më i vërteti në fjalën e Tij, prandaj justifikimi juaj nuk ka asnjë vlerë. - “Veprimet tuaja do t'i shohë Allahu dhe i Dërguari i Tij.” - Në jetën e kësaj dynjaje, janë veprat e tyre ato që zbulojnë çfarë fshehin në gjoks. Veprat janë peshorja e saktë, që kurrë nuk gënjen për të nxjerrë në pah sinqeritetin dhe gënjeshtrën. Ndërsa fjalët dhe pretendimet janë të parëndësishme në këtë rast. Sidoqoftë, do të vijë dita kur të gjithë do të kthehen tek Njohësi i të fshehtave: - “Në fund ju do të ktheheni tek Ai që e di çfarë fshihet dhe çfarë është e hapët. Ai do t’ju tregojë të vërtetën e gjithçkaje që keni bërë”.” - Allahut nuk mund t’i fshihet asgjë. Ai do t'jua nxjerë në shesh të gjitha qëllimet, fjalët dhe veprat tuaja, të mira apo të këqija qofshin ato. Ai do t'ju japë atë që meritoni dhe do ta shpërndajë shpërblimin me drejtësinë dhe bamirësinë e Tij. Allahu nuk do t’i bëjë askujt padrejtësi, as edhe një thërrmijë. Ata që nxjerrin justifikime janë në gjendje të ndryshme. Prej tyre ka të tillë, të cilëve u pranohet justifikimi, për shkak të sinqeritetit të tyre; ata falen dhe trajtohen sikur të mos kishin gabuar kurrë. Ndërsa munafikët nuk kanë sinqeritet, prandaj justifikimet e tyre janë të papranueshme. Ky refuzim ka të bëjë me veprat dhe fjalët e tyre të poshtra, për të cilat ata nuk janë penduar vërtet. Këta lloj njerëzish ose ndëshkohen në këtë dynja, me llojet e përcaktuara të ndëshkimit në Sheriat, ose thjesht shpërfillen dhe nënçmohen. Është pikërisht kjo e fundit që Zoti i Lartësuar urdhëroi të veprohej me këta të mjerë: pra, të shpërfillen dhe nënçmohen, pa u dhënë ndonjë ndëshkim konkret. - “Kur të ktheheni tek ata, do t’ju betohen në Allahun, për të mos i qortuar. Kthejuni shpinën atyre! Ata, me të vërtetë janë të ndyrë dhe vendi i tyre do të jetë Xhehenemi, si shpërblim për at o (padrejtësi) që bënë.” - Thjesht nënçmojini dhe as mos merrni mundimin t'i qortoni, t'i fshikulloni ose t’i ekzekutoni. Ata janë të ndyrë, thotë i Lartësuari. Si të tillë, as nuk e meritojnë që të merresh me ta e t 'u japësh një fare rëndësie. Edhe dënimi e qortimi nuk bëjnë dobi tek ata. Për ta është mëse i mjaftueshëm Xhehenemi, për veprat që kanë bërë. - “Ata do t'ju betohen që të jeni të kënaqur me ta. Por edhe nëse ju shprehni kënaqësi, Allahu nuk është i kënaqur me ata që i shkelin kufijtë e

Tij.” - Përveç shfajësimit, ata njerëz të pështirë duan që ju të jeni të kënaqur me ta, a thua se asgjë nuk ka ndodhur. Por mësojeni mirë se, edhe nëse ju kënaqeni me ta, Allahu i Lartësuar kurrë nuk kënaqet me njerëz të prishur. Vëreni me kujdes! Në ajet nuk thuhet: "Allahu nuk kënaqet me ta", por: "...nuk kënaqet me një popull që shkel kufijtë". Domethënë, Allahu i Madhëruar e ka lidhur ngushtë pakënaqësinë dhe zemërimin e Tij me cilësinë e keqe të kalimit të kufijve të Tij. Me fjalë të tjera, porta e pendimit është lënë e hapur për ta. Nëse ata, si çdo i pabindur tjetër, pendohen, Allahu e pranon pendimin e tyre. Allahu i Lartësuar është i pakënaqur nga ata për shkak të cilësisë që e pengon këtë gjë. Ata shkelin kufijtë e Zotit, ata nuk i duan gjërat që Zoti kërkon prej tyre, si besimi i sinqertë dhe bindja ndaj Tij, por janë zhytur në vepra që zemërojnë të Drejtin, siç janë: idhujtaria, hipokrizia e poshtërsitë e tjera. Kështu, o besimtarë të sinqertë, edhe ju duhet të veproni njëlloj siç ju mëson Zoti juaj. Kurrë mos u kënaqni e miqësoni me të tillë njerëz, derisa ata të shfaqin sinqerisht pendimin dhe nënshtrimit ndaj Zotit, me fenë e Tij të pastër. Shkurtimisht, Allahu i Madhëruar na bën të ditur se munafikët që iu shmangën thirrjes së Profetit për luftë, dëshironin që, me justifikimet dhe betimet e tyre, besimtarët jo vetëm t’i pranonin, por edhe të ishin të kënaqur me ta. Kjo nuk duhet të ndodhte kurrë! Nuk mund të jesh i kënaqur me ata që nuk i binden Zotit. Ata nuk e meritojnë dashurinë, miqësinë dhe respektin e besimtarëve. Përkundrazi, atyre u kthehet shpina e braktisen, ashtu si largohesh nga gjërat e pështira e të poshtra. Ajeti që thotë: "...na ka treguar Allahu për veprat tuaja" është provë se Allahu i Madhëruar flet. E folura është atribut i Allahut të Madhëruar. Gjithashtu, ajeti tregon se Allahu i Madhëruar vepron sipas dëshirës dhe pushtetit të Tij, i pa ndikuar nga askush. Pjesa: "...veprën tuaj do ta shohë Allahu…" , tregon se Allahu i sheh veprat e robve si para, ashtu edhe pas realizimit të tyre. Ajetet dëshmojnë se Allahu i Madhëruar i do punëmirët dhe të penduarit e sinqertë, ashtu sikundër i urren dhe zemërohet me ata që janë të prishur, që shkelin kufijtë e Tij.

← Tevbe 9:94