← Kthehu te rezultatet për „zemrat tuaja u ngurtesuan si guri“

9. Tevbe · Ajeti 97 · Tefsir

Shënimet shpjeguese të Sherif Ahmetit (Kurani me Komentim) 9:90–9:106

Në këto ajete flitet për hipokritët nga radhët e beduinëve që nuk patën shkuar në luftë, si fisi Esed e Gatfanë, të cilët kërkuan falje. Disa të tjerë nuk kërkuan fare. Allahu nuk i merr në përgjegjësi ata që ishin të dobët fizikisht, të sëmurë, ata që nuk kishin me çka të përgatiteshin, e as ata që u kthyen duke qarë, pse nuk patën me çka të udhëtonin. Këta ishin nja shtatë ensarë. Ai do t'i marrë në përgjegjësi ata që patën mundësi e nuk shkuan. Ata kërkuan falje duke u betuar i në Allahun dhe përpiqeshin t'i përfitonin myslimanët, por Allahu këshilloi myslimanët të hiqen i prej tyre, sepse Ai nuk ishte i kënaqur me ta.

Arabët beduinë ishin edhe më mohues e më hipokritë, ngase jetonin në shkretëtirë dhe nuk i dinin për norma morali, nuk dinin fare për sheriatin islam, ndërsa atë që e jepnin si lëmoshë I e trajtonin si gjobë, andaj mezi pritnin ndonjë të keqe për myslimanët. Por kishte edhe asish që besonin drejt.

Meritën më të madhe e kanë ata më të hershmit, muhaxhirë e ensarë, por meqë thuhet se edhe ata që ndjekin traditat e tyre janë me ata me të cilët Allahu është i kënaqur, është shpresë se kjo dispozitë do të vlejë për të gjithë myslimanët e mirë, deri në kijamet.

Edhe në Medinë, e edhe përreth saj kishte hipokritë të fshehtë për të cilët Zoti e njoftonte Muhammedin. Thuhet se Pejgamberi i kishte treguar një shokut të vet, Huzejfe bin Jumanit, emrat e disa hipokritëve të fshehur dhe i kishte thënë që të mos i tregonte askujt. Huzejfeja konsiderohej shoku i sekreteve të Pejgamberit, andaj Ymeri i Hatabit nuk shkonte t'i falë askujt xhenazën, pok nuk e shihte aty Huzejfen.

Hipokritët e tillë, Zoti tha se do t'i dënojë dy herë: herën e parë ose do t'i mbyste ose do t'i çonte në robërim, e herën tjetër në çastin e vdekjes dhe në varr. - Një grup ishte që nuk kishte vajtur në luftë, jo pse ishin hipokritë, por nga përtacia, e Pejgamberi porositet të pranojë nga ata lëmoshë dhe të lutet për ta në mënyrë që ta ndiejnë veten myslimanë të mirë.

Sikundër po shihet, hipokritët ishin tre llojesh: të vendosur në hipokrizi, të penduar që kërkonin falje dhe të tillë që çështja e tyre priste urdhërin e Zotit. Ata ishin tre shokë të Pejgamberit që kishin marrë pjesë në luftën e Bedrit, por në rastin e Tebukut ngelën në shtëpi dhe nuk u ngutën të kërkonin falje e as të shprehnin pendimin. Ata mbetën pesëdhjetë ditë të izoluar prej myslimanëve derisa erdhi shpallja nga Zoti kur ua pranoi pendimin.

Tefsiri i shkurtuar i Ibn Kethirit (Tejsir el-Alijj el-Kadir) 9:97–9:99

- Beduinët janë më të zhyturit në mohim e hipokrizi dhe janë më të prirurit për të mos i njohur dispozitat që Allahu ia zbriti të Dërguarit të Tij. - Beduinë quhen banorët e shkretëtirës dhe të zonave të largëta, larg qyteteve ose përqendrimeve të mëdha të njerëzve. Allahu i Madhëruar na njofton se, mes tyre, ka mohues të besimit, ka munafikë, por ka edhe besimtarë. Kjo shtresë karakterizohet nga një mosbesim më i madh dhe më i theksuar, në lidhje me fenë. I Lartësuari thotë se ata janë më të prirur që të mos i njohin kufijtë dhe ligjet që Ai i shpalli Profetit të Tij. El Eameshi sjell hadithin nga Ibrahimi, i cili ka thënë: “Njëherë, një beduin u ul pranë Zejd Ibn Sauĥânit, ndërsa ky i fundit po u fliste shokëve të vet. Ai ishte plagosur dhe kishte humbur dorën në luftën e Nehâuendit. Beduini tha: “Fjalët që thua më pëlqejnë dhe më bëjnë përshtypje, por dora jote më bën të jem i luhatur dhe në dyshim rreth teje.” - “Çfarë dyshimi, - e pyeti ai, - ke rreth meje e dorës sime të majtë?!” Beduini tha: “Vallahi, nuk e di, a pritet dora e djathtë apo e majtë (si ndëshkim për vjedhjen)?” Atëherë Zejd Ibn Sauĥâni tha: “Të vërtetën thotë Allahu i Lartësuar (në lidhje me vrazhdësinë e beduinëve) në ajetin: “... dhe janë më të prirurit për të mos i njohur dispozitat që Allahu ia zbriti të Dërguarit të Tij.” Nga Profeti është transmetuar se ka thënë: 1411. “Ai që banon në badije (në shkretëtirë dhe në zona të largëta, larg qyteteve ose përqendrimeve të mëdha të njerëzve) është i ashpër (i ngurtë, i vrazhdë, i pabindur dhe nuk pranon këshillën e mirë.)” Hadithin e sjell Imam Ahmedi, Ebu Daudi, Termidhiu, Nesaiu, me rrugë të ndryshme transmetimi, të gjitha nga Sufjan el Teuriu. Tirmidhiu e ka gjykuar si hasen. Duke qenë se këta banorë kanë një natyrë të tillë të vrazhdë të ashpër e të ngurtë, Allahu nuk zgjodhi kurrë profet ndër ta. Profetët gjithmonë janë përzgjedhur nga qytetet e mëdha e vendbanimet e gjera e të populluara, të cilët karakterizohen nga një karakter i butë, natyrë e qetë dhe lehtësisht e përshtatshme. Ata janë të arsyeshëm dhe binden lehtë kur u afrohet e mira, sikurse thotë i Lartësuari: “Ne dërguam para teje si të dërguar vetëm se burra nga banorët e qyteteve, të cilët i pajisëm me shpallje....” [Jusuf 109]. Ndërsa Muslimi sjell hadithi n nga Aishja, e cila ka thënë: 1412. “Një grup beduinësh erdhën për vizitë tek i Dërguari i Allahut dhe (ndër të tjera) thanë: “A i puthni fëmijët tuaj?! - “Po.” - “Ndërsa ne, vallahi, nuk i puthim ata.” Profeti i Allahut tha: “E çfarë të bëj unë, që Allahu jua ka hequr mëshirën?!” 117 - Allahu është i Gjithëditur e i Urtë. - Allahu është i Gjithëditur, në lidhje me atë që e meriton imanin dhe diturinë. Ai është, gjithashtu, i Urtë, në lidhje me ndarjen që ka bërë mes robërve, për diturinë e injorancën, imanin e kufrin, sinqeritetin e hipokrizinë në zemrat e tyre.

- Ka beduinë, të cilët shpenzimin në rrugën e Allahut e konsiderojnë si gjobë dhe presin fatkeqësira për ju. - Këta të paditur e të padrejtë e konsiderojnë dhe e trajtojnë çdo shpenzim që bën në rrugën e Zotit si një gjobë ose pasuri të marrë padrejtësisht prej tyre, prandaj presin fatkeqësi për ju. Këtë shpresojnë dhe mezi e presin për ju. - Atyre u rëntë fatkeqësia! - Ajo që ata mezi e presin për besimtarët, ka për të goditur pikërisht vetë ata të mjerë. - Allahu dëgjon e di gjithçka. - Allahu dëgjon lutjet e robërve të Tij dhe është i Gjithëditur për atë që meriton gjithësecili. - Por ka edhe beduinë të cilët besojnë në Allahun dhe në Jetën tjetër dhe atë, që e japin, e konsiderojnë si mirësi që të afron tek Allahu dhe që të bën t'i meritosh lutjet e të Dërguarit (për bamirësit). - Ky është grupi i lëvduar i beduinëve. Ata shpenzojnë nga pasuria e tyre për hir të Allahut dhe në ndihmë të rrugës së Tij. Këto shpenzime i bëjnë me sinqeritet e duke synuar t’i afrohen Allahut përmes veprave të mira dhe që të përfitojnë nga lutjet e Profetit për ata që shpenzojnë për hir të Allahut. - Dijeni se ato janë me të vërtetë rrugë për afrim (tek Allahu). - Allahu i Madhëruar i përgëzon, duke i njoftuar se këto vepra të mira janë vërtet afrim e mirësi për ta. - Allahu do t’i përfshijë ata në mëshirën e Tij. Allahu është Falës i Madh e Mëshirëplotë.

Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman) 9:97–9:100

- “Beduinët janë më të zhyturit në mohim e hipokrizi dhe janë më të prirurit për të mos i njohur dispozitat që Allahu ia zbriti të Dërguarit të Tij. Allahu është i Gjithëditur e i Urtë.” - Beduinë quhen banorët e shkretëtirës dhe të zonave të largëta, larg qyteteve ose përqendrimeve të mëdha të njerëzve. Kjo kategori karakterizohet nga një mosbesim më i madh dhe më i theksuar në fe, për shkaqe të shumta. Për shembull, ata janë më larg diturisë dhe mundësive për ta arritur atë. Dituria rreth besimit, ligjeve dhe dispozitave të fesë, rreth veprave e cilësive të larta të besimit janë më të huaja për ta. I

Lartësuari thotë se ata janë më të prirur që të mos i njohin kufijtë dhe ligjet që Ai i shpalli Profetit të Tij. Përmes Shpalljes, Allahu i Lartësuar i zbriti Profetit parimet e besimit, por edhe ligje fetare për shoqërinë. Por njerëzit larg qytetërimit dhe diturisë nuk janë në kontakt me këto njohuri, ndryshe nga njerëzit e qyteteve dhe vendbanimeve të gjera. Njerëzit që janë në kontakt më të ngushtë me diturinë e shpallur nga Zoti janë më pranë njohjes së kufijve të Tij. Kjo dituri u mundëson dy gjëra: 1. Një koncept më të drejtë për realitetin dhe të mirën. 2. Kultivim të motiveve të mira dhe të dobishme. Këto mirësi nuk mund t'i kenë ata që janë larg diturisë. Nga ana tjetër, qytetarët karakterizohen nga një karakter i butë, natyrë e qetë dhe lehtësisht e përshtatshme. Ata janë të arsyeshëm dhe binden lehtë kur u afrohet e mira, ndryshe nga banorët e shkretëtirave dhe larg qyteteve, të cilët janë të ngurtë, të ashpër, të vrazhdë, të pabindur dhe nuk pranojnë këshillën e mirë. Në fakt, kudo ka qafirë dhe munafikë, por ata i gjen më tepër larg qytetit. Gjithashtu, beduinët janë më të dhënë pas pasurisë, si edhe koprracë, kur është fjala për të shpenzuar atje ku urdhëron Zoti. - “Ka beduinë, të cilët shpenzimin në rrugën e Allahut e konsiderojnë si gjobë dhe presin fatkeqësira për ju. Atyre u rëntë fatkeqësia! Allahu dëgjon e di gjithçka.” - Zekatin dhe çdo lloj shpenzimi për hir të Zotit e konsiderojnë si garamet, si gjobë ose taksë rënduese, nga e cila vetëm humb dhe nuk fiton asgjë, as kënaqësinë e Zotit. Prandaj, edhe kur u kërkohet që të japin, mezi japin dhe i mallkojnë besimtarët. Ata i urrejnë besimtarët dhe urojnë që çdo fatkeqësi t’u bjerë atyre. Por ajo që do të ndodhë në realitet është e kundërta. Fati i zi u vërtitet pikërisht atyre njerëzve pa tru. Besimtarët i ndjek çdo e mirë, me lejen e Zotit të Madhëruar. Ata do t’i lartësojë Zoti mbi çdo armik të tyre dhe përfundimin do ta kenë të mirë. Allahu i Lartësuar dëgjon e di gjithçka , prandaj Atij kurrë nuk mund t’i fshihen qëllimet e robve. Allahu sheh, dëgjon dhe di hollësitë dhe qëllimin e çdo pune që bëjnë njerëzit. Ai e di mirë se cilët janë të sinqertë dhe cilët hipokritë, e në fund do t’i japë secilit atë që meriton. - “Por ka edhe beduinë të cilët besojnë në Allahun dhe në Jetën tjetër dhe atë, që e japin, e konsiderojnë si mirësi që të afron tek Allahu dhe që të bën t'i meritosh lutjet e të Dërguarit (për bamirësit).” - Jo të gjithë beduinët janë të qortuar dhe jobesimtarë. Ka prej tyre që besojnë në Allahun dhe në Ditën e Gjykimit. Është pikërisht ky besim që i shpëton dhe i ruan ata nga mohimi dhe hipokrizia. Këta bëjnë vepra të mira sipas imanit të tyre. Edhe shpenzimet që japin i konsiderojnë si një mundësi e mirë, që i afron tek Allahu i Madhëruar: "…atë që e japin e konsiderojnë si mirësi që të afron tek Allahu dhe që të bën t'i meritosh lutjet e të Dërguarit (për bamirësit)." Besimtarët llogarisnin shpërblimin e Allahut dhe synonin kënaqësinë e Tij përmes punëve të mira.

Kështu, ata bëheshin prej atyre për të cilët Profeti lutej dhe kërkonte falje, dhe kjo i kënaqte ata pa masë. Ai lutej për ta që Zoti t’i bekonte ata në pasuritë dhe familjet e tyre. Allahu i Madhëruar, duke treguar dobinë e madhe të lutjeve të Profetit për besimtarët, thotë: - “Dijeni se ato janë me të vërtetë rrugë për afrim (tek Allahu) .” - Duke dhënë pasurinë e tyre për hir të Zotit, ata bënin që Profeti të kërkonte falje për ta dhe të lutej për bereqet e mbarësi. Në këtë mënyrë, ata të afroheshin edhe më shumë tek Allahu i Lartësuar dhe u shtohej e bekohej pasuria e tyre. Të gjitha mirësitë përmblidhen në fjalën e Allahut: - “Allahu do t’i përfshijë ata në mëshirën e Tij. Allahu është Falës i Madh e Mëshirëplotë.” - Allahu i Lartësuar do t’i llogarisë si njerëz vepërmirë. Allahu i Madhërishëm është Falës i madh dhe Mëshirplotë. Ai ua fal gjynahet atyre që pendohen dhe kthehen tek Ai të nënshtruar. Ai i përfshin me dashuri adhuruesit e Tij, me mëshirën e Tij, që ka përfshirë gjithçka. Për këta fatlumë Ai ka posaçëruar një mëshirë të veçantë, që askush tjetër nuk e gëzon. Prej kësaj mëshire, besimtarët përftojnë dituri të saktë dhe të nevojshme, mbushen me vullnet për të bërë vepra të mira, që Zoti i do. Është i Madhërishmi që e fut këtë udhëzim në zemrat e tyre, që ata të ecin drejt kënaqësisë dhe Xhenetit të Tij. Në këtë rrugë, po me mëshirën e Tij të posaçme, Ai i ruan nga çdo gjë që cenon imanin e tyre, i ruan nga gjynahet dhe u rezervon shpërblime pa fund. Nga ajeti kuptojmë se edhe nomadët nuk ndryshojnë totalisht nga qytetarët e vendbanimeve të mëdha, në kuptimin që edhe ata janë të ndarë në besimtarë dhe jo të tillë. Disa janë të lavdëruar për cilësitë e mira e disa janë të dënueshëm për cilësitë e ulëta. Allahu i Madhëruar nuk i qorton ata për faktin se janë banorë çadrash dhe shkretëtëtirash, por për faktin se janë të prirur drejt mohimit, hipokrizisë dhe mosnjohjes së kufijve që Zoti i shpalli Profetit të Tij. Kështu, qortimi shkon për të gjithë ata që kanë të tilla cilësi, edhe nëse jetojnë në mes të qyteteve të mëdha. Nga ajetet kuptohet gjithashtu se mohimi, hipokrizia dhe mosbindja ndaj Zotit shtohen ose pakësohen, ashpërsohen ose zbuten, në varësi të gjendjes së robit dhe shoqërisë ku ai jeton, si dhe në varësi të paditurisë rreth shpalljeve të Zotit. Prej këtej, kuptohet vlera e madhe e diturisë. Injoranti është më pranë të keqes sesa i dituri. I Madhëruari i qortoi nomadët si më të prirur drejt mohimit e hipokrizisë, pikërisht për shkak të largësisë së tyre nga dituria e mirë, e cila është dituria rreth Shpalljes së Zotit. Kjo dituri përfshin themelet e fesë dhe degëzimet e saj, si: çështjet e imanit, islamit, ihsanit; njohjen e kufrit, hipokrizisë dhe shfrenimit në gjynahe Zotit; njohjen e devotshmërisë dhe rrugëve të arritjes së saj; njohjen e mënyrave dhe veprave që të çojnë drejt shpëtimit nga e keqja dhe arritjes së të mirave; fjalët e veprat që konsiderohen si bindje e adhurime ndaj Zotit dhe për të cilat Zoti shpërblen pa masë; bamirësia dhe llojet e saj; lidhjet që njeriu duhet të ruajë dhe forcojë; çfarë janë gjynahet e mëdha, si vrasja, zinaja, pirja e pijeve dehëse , fajdet etj. Pa dyshim, ai që i njeh këto çështje dhe synon të mirën, ka për të zbatuar porositë dhe ka për t'u kujdesur që të jetë i rregullt dhe të jetojë sipas ligjit të Zotit. Ai do të veprojë të mirën dhe do të largohet nga e keqja. Pasi të përkushtohet vetë në këtë rrugë, ai do të ftojë edhe të tjerët, me butësi dhe urtësi, në të. Nga ajetet kuptohet se besimtari duhet t’i të plotësojë detyrimet e tij me gjoks të zgjeruar, me zemër e shpirt të qetë dhe të përkujdeset që të jetë gjithmonë i fituar dhe i shpërblyer, dhe jo humbës dhe i dënuar. - “Allahu është i kënaqur me besimtarët e hershëm muhaxhirë e ensarë dhe me ata që i pasuan me vepra të mira.” - Besimtarët e hershëm janë të parët e këtij umeti që pranuan fenë e vërtetë dhe sakrifikuan gjithçka në emër të Zotit, duke emigruar dhe duke luftuar për ta mbrojtur

dhe përhapur këtë fe madhështore. Muhaxhirët janë ata për të cilët i Madhëruari ka thënë: “ Ajo u takon muhaxhirëve të varfër, të cilët u dëbuan prej shtëpive dhe pasurisë së tyre, për shkak se kërkonin mirësinë e kënaqësinë e Allahut dhe që të ndihmonin Allahun dhe të Dërguarin e Tij. Pikërisht këta janë të drejtët!” [Hashër 8]. Besimtarët e parë ishin edhe ensarët - ndihmëtarët, për të cilët i Lartësuari ka thënë: " Edhe atyre që përgatitën vendin dhe besimin para tyre, të cilët i duan ata që emigruan tek ata dhe nuk ndiejnë në gjoks smirë për çfarë u jepet atyre. Madje ata u japin përparësi atyre para vetvetes, edhe sikur të kenë vetë nevojë të domosdoshme. Kush u ruajt prej koprracisë së vetes, ata janë të fituarit!” [Hashër 9]. Në ajet përmendet edhe një grup tjetër, për të cilët Allahu i Lartësuar thotë: “... dhe me ata që i pasuan me vepra të mira. " Këta ishin pasuesit më të mirë e më besnikë të atyre që ishin më të hershmit. Këta e pasuan Profetin dhe shokët e tij në të gjitha drejtimet: në besimin e pastër dhe autentik që ata e lanë trashëgim, në fjalët e mira plot vërtetësi e drejtësi, që ata i morën nga Profeti i fundit, si dhe në drejtim të veprave të sinqerta dhe korrekte, ashtu sikurse porositi Zoti dhe Profeti i Tij. Këto kategori të përmendura në ajet janë ata për të cilët Profeti ka thënë: “Brezi më i mirë është ai në të cilin unë u dërgova, pastaj ata që vijnë pas tyre ( tabiinët)." Këta janë të lavdëruar nga Zoti dhe Profeti i Tij. Brezi i sahabëve muhaxhirë e ensarë dhe pasuesit e denjë të tyre patën nderin e madh të transmetimit korrekt të kësaj feje. Zoti i dalloi ata me besnikëri ndaj Shpalljes, me jetesën sipas saj dhe me përcjelljen korrekte dhe të plotë të saj. Ata janë brezat e ndritur, ku muslimani sot gjen besimin e pastër dhe fenë e vërtetë. Për ta Allahu i Lartësuar thotë: “Allahu është i kënaqur me ta”. Arritja e kënaqësisë së Allahut është më e madhe dhe më e rëndësishme se çdo kënaqësi e Xhenetit. Ky është një tregues shumë i qartë për atë se çfarë përfaqësojnë këta fatlumë. Zoti është i kënaqur nga besimi dhe veprat e tyre, prandaj do t’i shpërblejë pa masë ata dhe cilindo që pason rrugën e tyre. Sigurisht, edhe ata do të jenë të kënaqur me shpërblimin e Allahut të Madhëruar: - “Edhe ata janë të kënaqur me Të. Për ta Ai ka përgatitur kopshte, nëpër të cilët rrjedhin lumenj, ku do të jenë përjetësisht. Ky është fitimi i madh.” - Lumenj të mrekullueshëm vërshojnë nëpër kopshte. Kështjellat janë të zbukuruara me lëndina e lule të mrekullueshme. Ata do të jenë përjetësisht në këto mirësi dhe kurrë nuk do të dëshirojnë të largohen apo të mërziten me to. E si mund të ndodhë diçka e tillë, kur atyre do t'u jepet gjithçka që e dëshirojnë dhe ëndërrojnë?! Allahu i Madhëruar e ka quajtur këtë: “fitore e madhe: Ata arritën çdo gjë të dashur për shpirtin, që lumturon zemrën dhe kënaq trupin. Ata shpëtuan nga çdo gjë e keqe.

← Tevbe 9:97