جَزَآؤُهُمۡ عِندَ رَبِّهِمۡ جَنَّٰتُ عَدۡنٖ تَجۡرِي مِن تَحۡتِهَا ٱلۡأَنۡهَٰرُ خَٰلِدِينَ فِيهَآ أَبَدٗاۖ رَّضِيَ ٱللَّهُ عَنۡهُمۡ وَرَضُواْ عَنۡهُۚ ذَٰلِكَ لِمَنۡ خَشِيَ رَبَّهُۥ
Shpërblimi për ta te Zoti i tyre janë: vendet në xhennete nëpër të cilët burojnë lumenj, e aty janë përgjithmonë, pa këputur. All-llahu është i kënaqur ndaj tyre, e edhe ata janë të kënaqur prej Tij. E ky është për atë, që i ka pasur dronë Zotit të vet.*
Shënim i përkthyesit — Sherif Ahmeti
Ithtarët e Librit, jehudi dhe të krishterë, si dhe idhujtarët, nuk i shmangeshin besimit të tyre të kotë, derisa iu erdhi Pejgamberi Muhamed a.s. dhe ua sqaroi gabimin e tyre, i udhëzoi dhe i thirri për në rrugën e drejtë. Pastaj disa prej tyre i pranuan ato mësime dhe gjetën të vërtetën. Atyre Pejgamberi nuk iu ligjëronte tjetër pos atë që ishte e drejtë, e vërtetë, pra rregulla e norma të vlefshme, që disa prej tyre kanë qenë të shënuara edhe në librat e mëparshëm. Ai i këshillonte pra, të jenë të sinqertë në adhurimet e tyre, çdo gjë ta bëjnë vetëm për Zotin e tyre dhe të largohen prej gjërave të kota, ashtu siç ishte i larguar prej tyre babai i pejgamberëve Ibrahimi. Falja e namazit, dhënia e zeqatit janë shenja dhe pjesë e një besimi të drejtë. Para se të dërgohej Muhamedi pejgamber, Ithtarët e Librit ishin të pandarë në bindjen e tyre, se do të vijë një pejgamber, pse ashtu e kishin të shënuar në librat e tyre, dhe mezi e pritnin për t’iu kundërvënë idhujtarëve politeistë. Kur erdhi Muhamedi pejgamber ata u ndanë dhe e kundërshtuan, për shkak se erdhi prej arabëve, pse disa idhujtarë arabë që kishin qenë të pafe dhe që kishin qenë më të gabuar se Ithtarët e Librit u bënë muslimanë dhe filluan t’ua udhëheqnin Fenë Islame. Ithtarët e Librit para ardhjes së Muhamedit a.s., nuk ishin jobesimtarë, ndërsa idhujtarët po, mirëpo kur Muhamedit a.s. i erdhi Kurani, që të mësonte sikurse edhe librat e tjerë Ithtarët e Librit nuk besuan, atëherë mbetën si idhujtarët, pse mohuan Kuranin, pra mohuan edhe librin e vet. Formaliteti në adhurime ose në veprime është i përbuzur dhe nuk sjell kurrfarë dobie. Dijetarët veprat i kanë ndarë në tri lloje: - të urdhëruara, obligime. Sinqeriteti në këto vepra është që ato të kryhen për hir të Zotit, e nëse qëllimi është diçka tjetër, vepra e tillë është e refuzuar; - të ndaluara. Nëse të ndaluarën e braktis për hir të Zotit, për të ka shpërblim, nëse e braktis, por jo për hir të Zotit, për të nuk ka shpërblim, anipse ka shpëtuar prej ndëshkimit për të; - as të urdhëruara, e as të ndaluara, p.sh., ngrënia, fjetja, etj. Nëse e bën pa ndonjë qëllim të caktuar, nuk ka shpërblim, e nëse e bën me qëllim të caktuar, ka shpërblim; fjala vjen; han për të fituar fuqi për adhurim e punë të tjera të mbara, martohet për të mos kaluar në amoralitet etj. Falënderoj Allahun e Madhëruar!