Ebu Dherr Gifarij, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, transmeton nga Pejgamberi, lavdia dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të, i cili sipas asaj që e transmeton nga Zoti i tij ka thënë:"O robërit e Mi, vërtet Unë ia ndalova Vetes zullumin dhe e bëra mes jush të ndaluar, andaj mos i bëni zullum njëri tjetrit. O robërit e Mi, çdonjëri prej jush është i humbur përpos atij që Unë e udhëzoj, andaj kërkoni udhëzimin prej Meje, ju udhëzoj. O robërit e Mi, çdonjëri prej jush është i uritur përpos atij që Unë e ushqej, kërkoni prej Meje të ushqyerit, ju ushqej. O robërit e Mi, çdonjëri prej jush është i zhveshur përpos atij që Unë e vesh, kërkoni prej Meje veshje, ju vesh. O robërit e Mi, ju gaboni natën e ditën kurse Unë i falë të gjitha mëkatet, andaj kërkoni falje prej Meje, Unë ju fal. O robërit e Mi, ju nuk mund të arrini dëmin që Mua të më dëmtoni as të arrini dobinë që Mua të më bëni dobi. O robërit e Mi, sikur i pari dhe i fundit prej jush, njerëzit dhe xhinët të ishin si njeriu që ka zemrën më të devotshme prej jush, kjo nuk do ta shtonte mbretërinë Time aspak. O robërit e Mi, sikur i pari dhe i fundit prej jush, njerëzit dhe xhinët të ishin si njeriu që ka zemrën më të prishur prej jush, kjo nuk do të bënte mbretërinë Time të mangët aspak. O robërit e Mi sikur i pari dhe i fundit prej jush, njerëzit dhe xhinët tubohen në një vend, më kërkojnë diçka dhe unë çdonjërit ia plotësojë kërkesën, kjo gjë nuk e bën të mangët atë që është tek Unë ashtu siç nuk e bën të mangët gjilpëra ujin e detit kur futet në të. O robërit e Mi, ato janë veprat tuaja që ua llogaris pastaj ju shpërblej. Ai që i gjen ato të mira le ta falënderoj Allahun e kush gjen diçka tjetër le të mos e qortojë askënd veç vetes."
40 Hadithet e Imam Neveviut · HADITHI 24
24
Muslimi