Ibnu Shumaseta thotë: “Shkuam ta vizitojmë Amr ibnul Asin r.a. të shtrirë në shtratin e vdekjes, i cili qau shumë. Pastaj e ktheu fytyrën nga muri. I biri i tij filloi t’i flasë: “O babai im! A nuk të ka përgëzuar Pejgamberi sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem. me këtë dhe këtë?” Ai u kthye me fytyrë nga ne dhe tha: “Më e vlefshmja dhe ajo të cilën e llogarisim më shumë është fjala e dëshmisë (shehadeti) se nuk ka Zot tjetër përveç All-llahut dhe se Muhammedi sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem. është i Dërguari i Tij. Unë vërtet kalova nëpër tri periudha: E konsideroja veten se isha armiku më i madh i Pejgamberit sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem., më dukej se askush nuk e urrente më shumë se unë, dhe në atë kohë nuk kishte për mua kënaqësi më të madhe vetëm se ta mbytja Pejgamberin. Sikur të vdisja në atë gjendje, do të isha me siguri gjithmonë në Xhehenem. Mirëpo, kur All-llahu e vendosi Islamin në zemrën time, shkova tek Pejgamberi sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem. dhe i thashë: “Shtrije dorën e djathtë që të betohem (zotohem).” Ai e shtriu dorën e tij të djathtë, ndërsa unë e tërhoqa dorën time. Pejgamberi sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem. tha: “Ç’ke o Amr?” Unë pastaj i thashë: “Dua të të kushtëzoj!” Pejgamberi u përgjigj: “Kushtëzo ç’të duash!” Unë pastaj i thashë: “Dua që të më falen gabimet!” Pejgamberi tha: “A nuk e di se Islami shlyen çdo gjë që ka qenë më parë? A nuk e di ti se hixhreti rrënon çdo gjë që ka qenë më parë? A nuk e di se haxhi shlyen çdo gjë që ka qenë më parë?” Për mua atëherë nuk kishte njeri më të dashur si dhe më të madh në sytë e mi se Pejgamberi sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem. Unë nuk mundesha t’i ngopja sytë me të për shkak të respektit që kisha ndaj tij. Sikur të më pyesë sot dikush që ta përshkruaj, nuk do të mundesha ta bëj, për arsye se unë nuk i kam ngopur sytë e mi me të. Sikur të kisha vdekur në atë gjendje me siguri do të shpresoja që të jem prej xhenetlinjve. Pastaj ishte periudha e tretë. Isha i ngarkuar në vende udhëheqëse me përgjegjësi (veli) dhe nuk e dija gjendjen time si jam gjendur gjatë kësaj kohe. Për këtë kur të vdes, të mos më përcjellë vajtimi e zjarri, ndërsa kur të më varrosni, hidheni mbi mua dheun nga pak, pastaj qëndroni rreth varrit tim aq sa të mund të prehet kurbani dhe të copëtohet mishi i tij, që të heq mërzinë me ju deri sa të shoh se me çfarë t'iu drejtohem të dërguarve të Krijuesit tim.”
Rijadus-Salihin · Hadithi 716
Përgëzimi dhe urimi janë virtyt fetar
716
Transmeton Muslimi