Ibën Abasi (Allahu qoftë i kënaqur me të dy!) tregon: "Profeti ﷺ kaloi pranë dy varreve dhe tha: “Këta dy po dënohen, por nuk po dënohen për ndonjë mëkat të madh (sipas tyre). Njëri prej tyre nuk ruhej nga stërpikat e urinës, kurse tjetri bartte fjalë.” Pastaj mori një degë të njomë, e ndau në dysh dhe e nguli në secilin varr nga një pjesë. I thanë: "O i Dërguari i Allahut, pse e bëre këtë?" Tha: “Me shpresë që t'u lehtësohet dënimi për sa kohë që degët nuk thahen.”
Enciklopedia e Haditheve · Jeta e varrit
Ebu Seid Hudriu (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Kur të vendoset xhenazja (në tabut) dhe burrat ta bartin mbi supe, nëse ka qenë vepërmirë, thotë: “Ngutuni (për të më dërguar në varr)." E, nëse nuk ka qenë i tillë, thotë: “Mjerë unë, ku po më dërgoni!" Çdo gjë e dëgjon zërin e tij, përveç njeriut, i cili, sikur ta dëgjonte, do të alivanosej.”
Bera ibn Azibi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Kur besimtari merret në pyetje në varr, deklaron se s'ka të adhuruar të denjë përveç Allahut dhe se Muhamedi është i Dërguari i Allahut, gjë që e përshkruan ajeti: “Allahu i forcon besimtarët me fjalë të qëndrueshme në këtë botë dhe në botën tjetër...” (Ibrahim, 27)
Abdullah ibn Omeri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Atij që vdes, i shfaqet vendqëndrimi (i botës tjetër), mëngjes e mbrëmje. Nëse është banor i Xhenetit, vendi i banorëve të Xhenetit, e, nëse është banor i Zjarrit, vendi i banorëve të Zjarrit. Pastaj, i thuhet: “Ky është vendi yt, derisa Allahu të të ringjallë në Ditën e Kiametit.”
Enesi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) ka thënë: "Do t'ju transmetoj një hadith që e kam dëgjuar nga i Dërguari i Allahut ﷺ, të cilin s'do t'jua tregojë askush pos meje. E kam dëgjuar të Dërguarin e Allahut ﷺ duke thënë: “Disa prej shenjave të Kiametit janë: pakësimi i diturisë, përhapja e injorancës, përhapja e zinasë, përhapja e konsumimit të alkoolit, pakësimi i numrit të meshkujve dhe rritja e numrit të femrave, aq shumë, saqë pesëdhjetë femra do të kenë vetëm një mbikëqyrës.”
Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Profeti ﷺ ka thënë: “Kiameti nuk do të ndodhë pa ardhur koha kur njeriu të kalojë pranë varrit të tjetrit dhe të thotë: "Ah, sikur të isha në vend të tij!”
Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Kiameti nuk do të ndodhë pa i luftuar ju hebrenjtë, saqë edhe guri, mbrapa të cilit do të fshihet hebreu, do të thërrasë: "O musliman, këtu, mbrapa meje, është një hebre, vrite!”
Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Kiameti nuk do të ndodhë pa lindur Dielli nga perëndimi. Kur të lindë dhe njerëzit ta kenë parë, të gjithë do të besojnë. Por, kjo është koha kur: “... nuk do t'i bëjë dobi askujt besimi i tij, nëse nuk ka besuar më parë, ose nuk ka bërë ndonjë të mirë në besimin e tij.” (El Enam, 158) Kiameti do të ndodhë aq papritmas, saqë dy persona që i kanë shtrirë rrobat e tyre pranë njëri-tjetrit, nuk do të arrijnë as t'i shesin, as t'i palosin. Kiameti do të ndodhë aq papritmas, saqë personi që sapo e ka mjelë qumështin e devesë, nuk do të arrijë dot ta pijë. Kiameti do të ndodhë aq papritmas, saqë personi që sapo e ka mbaruar ndërtimin e pusit të tij, nuk do të arrijë të nxjerrë ujë prej tij. Kiameti do të ndodhë aq papritmas, saqë personi që e ka ngritur kafshatën pranë gojës, nuk do të arrijë dot ta hajë.”
Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se i Dërguari i Allahut (paqja qoftë mbi të!) ka thënë: “Kiameti nuk do të ndodhë derisa të afrohet (shkurtohet) koha, kështu që një vit do të jetë si një muaj, një muaj si një javë, një javë si një ditë, një ditë si një orë dhe një orë do të jetë si djegia e një gjethi palme."
Zijad ibn Lebidi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: "Profeti ﷺ përmendi diçka dhe tha: "Kjo do të jetë në kohën kur dija të zhduket." I thashë: "O i Dërguari i Allahut, si do të zhduket dituria kur ne lexojmë Kuran dhe ua mësojmë atë fëmijëve tanë, e ata ua mësojnë atë fëmijëve të tyre (e kështu me radhë) deri në Ditën e Kiametit?" Ai tha: "Mos të të pastë nëna, o Zijad! Mendoja se je njeriu më i ditur në Medinë. Vallë, hebrenjtë dhe të krishterë a nuk e lexojnë Tevratin dhe Ungjillin, por nuk veprojnë sipas ndonjë gjëje që gjendet aty?!"