Enciklopedia e Haditheve · Përshkrimi i Xhenetit dhe i Xhehenemit

527 Sahih

Nga Usame ibn Zejdi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmetohet se i është thënë: "Sikur të shkoje tek Othmani dhe të flisje me të (rreth fitnes)!" Ai u tha: "Ju po mendoni se nuk i kam folur atij, meqë nuk po ju tregoj?! Për Allahun, unë i kam folur atij (për këto çështje) në fshehtësi, pa hapur një derë (atë të fitnes), gjë që nuk dua të jem unë i pari që e hap atë derë. Pas një hadithi që e kam dëgjuar prej të Dërguarit të Allahut ﷺ, askujt nuk i them se është më i miri i njerëzve, madje edhe në qoftë prijësi im: “Në Ditën e Kiametit, një njeri do të sillet dhe do të hidhet në Zjarr, ku do t'i shkapërderdhen zorrët e barkut nëpër zjarr. Ai do të sillet rreth tyre siç sillet gomari rreth rrotës së mullirit. Banorët e Zjarrit do të tubohen rreth tij dhe do ta pyesin: "O filan, ç'është puna jote? A nuk urdhëroje për të mirë dhe ndaloje të keqen (në dynja)?" Ai do të përgjigjet: "Po, urdhëroja për të mirë, por vetë nuk e punoja, si dhe ndaloja të keqen, por vetë e veproja.”

Gabim?
528 Sahih

Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton: "Teksa ishim me të Dërguarin e Allahut ﷺ, u dëgjua një krismë (sikur të binte diç nga lart) dhe, në atë rast, Profeti ﷺ tha: “E dini çfarë është kjo krismë? - Allahu dhe i Dërguari i Tij e dinë më së miri, - i thamë. - “Ky është një gur që ishte hedhur në Zjarr para shtatëdhjetë vjetësh. Ai po binte ende në Zjarr derisa e arriti fundin e tij”, - tha Profeti ﷺ."

Gabim?
529 Sahih

Sehël ibën Sadi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Atij që ma garanton atë që është mes dy nofullave dhe atë që është mes dy këmbëve, ia garantoj Xhenetin.”

Gabim?
530 Sahih

Abdullah ibën Mesudi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Profeti ﷺ ka thënë: “Xheneti është më afër jush sesa lidhësja e nallaneve tuaja. Ashtu është edhe Zjarri.”

Gabim?
531 Sahih

Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Zjarri është rrethuar me epshe, kurse Xheneti është rrethuar me vështirësi.”

Gabim?
532 Sahih

Ebu Seid Hudriu (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton: “I Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “O Ebu Seid! Ai që është i kënaqur me Allahun për Zot, me Islamin për fe dhe me Muhamedin për Pejgamber, gjithsesi do të futet në Xhenet.”- Përsëritma edhe një herë, o i Dërguari i Allahut, - tha Ebu Seidi, i mahnitur nga kjo. Pejgamberi ﷺ ia përsëriti, dhe shtoi: “Edhe diçka, me të cilën besimtari ngrihet njëqind shkallë në Xhenet, ndërsa distanca mes çdo dy shkallëve është sa largësia mes Tokës dhe Qiellit.” - E cila është ajo gjë, o i Dërguari i Allahut!? - “Xhihadi në rrugën e Allahut, xhihadi në rrugën e Allahut”, - ia ktheu Pejgamberi ﷺ.”

Gabim?
533 Sahih

Numan ibn Beshiri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Xhehenemliu me dënimin më të vogël është personi që do të mbathë një palë nallane me rripa të zjarrtë, nga të cilat i vlon truri, siç vlon vorba. Mendon se askush nuk është duke u dënuar më shumë se ai, ndërkohë ai e ka dënimin më të vogël nga të gjithë.”

Gabim?
534 Sahih

Enes ibn Maliku (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Njëherë i Dërguari i Allahut ﷺ, pasi kuptoi diçka për shokët e tij, mbajti një fjalim dhe tha: “M'u shfaqën Xheneti dhe Zjarri. Nuk kam parë ndonjëherë mirësi e sherr më të madh se sot. Sikur ta dinit atë që e di unë, do të qeshnit pak e do të qanit shumë.” Enesi vazhdoi: “Shokët e të Dërguarit të Allahut ﷺ s'kishin përjetuar ndonjëherë ditë më të vështirë se kjo, saqë i mbuluan kokat dhe dënesnin me gulçim. Atëherë Omeri u ngrit dhe tha: “Jemi të kënaqur me Allahun për Zot, me Islamin për fe dhe me Muhamedin për Pejgamber!” Një burrë i pranishëm u ngrit dhe pyeti: “Cili është babai im?” Profeti ﷺ i tha: “Baba e ke filanin.” Pas kësaj zbriti ajeti: “O ju që keni besuar, mos pyetni (pa nevojë) për gjëra, që, sikur t'ju thuheshin haptazi, nuk do t'ju pëlqenin.” (El Maide, 101)

Gabim?
535 Sahih

Ebu Seid Hudriu dhe Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) transmetojnë se Profeti ﷺ ka thënë: “Një thirrës (në Xhenet) do të thërrasë: “Ju, gjithnjë do të gëzoni shëndet e nuk do të sëmureni kurrë. Do të keni jetë të përhershme e nuk do të vdisni kurrë. Do të keni rini të përhershme e nuk do të plakeni kurrë dhe do të begatoheni e nuk do të përjetoni vështirësi kurrë.” Ky është kuptimi i fjalës së Allahut të Lartmadhëruar: “Dhe atyre do t'u thuhet: “Ky është Xheneti që ju është dhënë, për atë që keni punuar.” (El Araf, 43)

Gabim?
536 Sahih

Suhejbi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Profeti ﷺ ka thënë: “Pasi banorët e Xhenetit të hyjnë në të, Allahu i Lartësuar u thotë: “A dëshironi t'ju jap edhe më shumë?” Ata thonë: “A nuk na i ke zbardhur fytyrat? A nuk na ke futur në Xhenet dhe na ke shpëtuar nga Zjarri?” Atëherë Ai e largon perden, saqë, atyre nuk u është dhënë diçka më e dashur sesa shikimi në Zotin e tyre të Lartmadhërishëm.”

Gabim?
537 Sahih

Ebu Musa Eshariu (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Profeti ﷺ ka thënë: “Për besimtarin në Xhenet ka tenda prej një margaritari të vetëm, të zgavruar përbrenda, të gjata gjashtëdhjetë milje. Aty besimtari do të ketë bashkëshorte, me të cilat e kalon kohën, kurse ato nuk shohin njëra-tjetrën.”

Gabim?
538 Sahih

Ebu Seid Hudriu (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Profeti ﷺ ka thënë: “Në Xhenet është një pemë të cilës kalorësi me kalë të shpejtë vrapimi nuk do t'i dilte në fund për njëqind vjet.”

Gabim?
539 Sahih

Enes ibn Maliku (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Në Xhenet është një treg, të cilin e vizitojnë banorët e Xhenetit çdo të premte. Aty fryn një erë nga Veriu, e cila përfshin fytyrat dhe rrobat e tyre dhe, rrjedhimisht, u shtohet bukuria e hijeshia. E, kur të kthehen te familjet e veta, ndërkohë që u është shtuar bukuria e hijeshia, familjet do t'u thonë: “Pasha Allahun, qëkurse jemi ndarë, juve ju është shtuar bukuria e hijeshia edhe më shumë.” Ata do t'ua kthejnë: “Edhe juve, pasha Allahun, qëkurse jemi ndarë, ju është shtuar bukuria e hijeshia edhe më shumë.”

Gabim?
540 Sahih

Nga Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) përcillet se Pejgamberi (paqja qoftë mbi të!) ka thënë: "Dy lloje njerëzish që janë nga banorët e Zjarrit, nuk i kam parë (ende). Lloji i parë: njerëz që kanë kamxhikë si bishtat e lopëve, me të cilët i godasin njerëzit (padrejtësisht). Lloji i dytë: gra të veshura e të zhveshura; të lakuara e të anuara! Kokat e tyre i kanë si gungat e anuara të devesë. Këto lloj grash s’kanë për të hyrë në Xhenet dhe as që kanë për ta nuhatur aromën e tij, e cila nuhatet nga shumë larg.”

Gabim?
541 Sahih

Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Allahu thotë: “Për robërit e Mi të mirë kam përgatitur gjëra që syri nuk i ka parë, veshi nuk i ka dëgjuar dhe askujt nuk i ka shkuar në mendje.” Nëse doni, lexojeni ajetin: “Askush nuk di se çfarë kënaqësish janë fshehur për ta (në jetën tjetër)...” (Es Sexhde, 17)

Gabim?