Abdurrahman ibën Ebi Lejla tregon: "Njëherë, teksa ishim te Hudhejfe (Allahu qoftë i kënaqur me të!), ai kërkoi ujë për të pirë. Një zjarrputist i dha një enë për të pirë. Posa ia vuri sapllakun në dorë, Hudhejfja e gjuajti me të dhe tha: "Sikur të mos ia kisha ndaluar këtë gjë më shumë se një a dy herë!" (Disi deshi të thoshte se, nuk do ta gjuaja me të po të mos ia kisha ndaluar një apo dy herë, por në fakt, ia kam ndaluar më shumë se një apo dy herë!). E kam dëgjuar Profetin ﷺ duke thënë: “Mos vishni mëndafsh e as veshje të përziera me mëndafsh, mos pini në enë prej ari e argjendi dhe mos hani në enë të tilla, sepse ato janë për ta (jobesimtarët) në dynja, kurse për ne në ahiret!”
Enciklopedia e Haditheve · Rregullat e veshjes
Omeri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Profeti ﷺ ka thënë: "Ai që vesh mëndafsh në këtë botë, nuk do të veshë në botën tjetër."
Ebu Seid Hudriu (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Izari i muslimanit duhet të jetë te gjysma e kërcirit, mirëpo nuk prish punë ose nuk ka mëkat, edhe nëse e lëshon prej mesit të kërcirit e deri tek nyjat e këmbës. Ndërsa, ajo që zbret nën nyja të këmbës, do të jetë në Zjarr, dhe cilindo që e zvarritë izarin nga mendjemadhësia, nuk do ta shikojë Allahu.”
Ibn Omeri (Allahu qoftë i kënaqur me të dy!) tregon se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Allahu nuk do ta shikojë (në Ditën e Gjykimit), atë që e tërheq zvarrë rrobën e tij nga mendjemadhësia.”
Ibn Abasi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Vishni rroba të bardha, sepse ato janë ndër veshjet tuaja më të mira, dhe me to qefinosni të vdekurit tuaj.”