Abdullah ibn Mesudi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Profeti ﷺ ka thënë: “Çdo profet që Allahu e ka dërguar në popujt para meje ka pasur nga populli i tij ndihmës dhe shokë, të cilët kanë punuar me traditën e tij dhe u përmbaheshin urdhrave të tij. Pas tyre vijnë breza që flasin çfarë nuk punojnë dhe punojnë çfarë nuk janë urdhëruar. Kush i lufton (ndalon nga kjo praktikë) këta me dorë, është besimtar, kush i lufton me gjuhë, është besimtar, dhe kush i lufton me zemër, është besimtar, e pas kësaj nuk ka iman as sa kokrra e sinapit.”
Enciklopedia e Haditheve · Shtimi dhe pakësimi i imanit
Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Imani është shtatëdhjetë e ca degë, më e larta e të cilave është dëshmia "la ilahe il-lallah", ndërsa më e ulëta largimi i pengesave nga rruga. Edhe turpi është degë e imanit.”
Nga Abdullah ibën Amri (Allahu qoftë i kënaqur me të dy!) përcillet se Pejgamberi (paqja qoftë mbi të!) ka thënë: "Muslimani (i vërtetë) është ai nga gjuha dhe dora e të cilit muslimanët janë të sigurt dhe mërgimtar (i vërtetë) është ai i cili i braktis gjërat që Allahu i ka ndaluar."
Ebu Seid Hudriu (Allahu qoftë i kënaqur me të!) përcillet se e ka dëgjuar të Dërguarin e Allahut ﷺ duke thënë: "Kushdo prej jush që sheh ndonjë të keqe, le ta ndryshojë me dorën e tij, e, nëse nuk mundet, atëherë me gjuhën e tij, e, nëse nuk mundet as kështu, atëherë me zemrën e tij, por ky është imani më i dobët."
Abdullah ibën Amër ibën Asi (Allahu qoftë i kënaqur me të dy!) tregon se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: "Besimi vjetrohet brenda ndonjërit prej jush ashtu si vjetrohet rroba, prandaj kërkoni nga Allahu që të ripërtërijë besimin në zemrat tuaja."
Abas ibën Abdulmutalibi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se e ka dëgjuar të Dërguarin e Allahut të thotë: “Ai që është i kënaqur me Allahun për Zot, Islamin për fe dhe Muhamedin ﷺ për të Dërguar e ka shijuar ëmbëlsinë e imanit.”