Abdullah ibën Mesudi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton: "E kam pyetur Profetin ﷺ: "Cili është gjynahu më i madh tek Allahu?" Më tha: “T'i bësh ortak Allahut, ndërsa Ai të ka krijuar.” Thashë: "Kjo me të vërtetë që është e madhe. E, pastaj cili?" Më tha: “Të vrasësh fëmijën tënd nga frika se do të ushqehet së bashku me ty.” E pyeta prapë: "Pastaj cili?" Më tha: “Të bësh kurvëri me gruan e fqinjit.”
Enciklopedia e Haditheve · Teuhidi rububije
Nga Aisheja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) përcillet se ka thënë: "Njëherë Pejgamberi (paqja qoftë mbi të!) erdhi në dhomën time dhe unë kisha mbuluar një dollap me një pëlhurë në të cilën kishte figura frymorësh. Kur e pa, atij i ndryshoi ngjyra e fytyrës dhe pasi e grisi atë, tha: 'O Aishe, njerëzit që do të kenë dënimin më të ashpër tek Allahu në Ditën e Gjykimit, janë ata që imitojnë krijimin e Allahut.'" Aishja tha: "Ne e premë atë dhe me të bëmë një ose dy jastëkë."
Enes ibën Maliku (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se Profeti ﷺ i tha Muadhit, i cili ishte ulur mbrapa tij mbi samar: “O Muadh ibn Xhebel!” Muadhi tha: "Të përgjigjem me kënaqësi, o i Dërguari i Allahut!" Profeti ﷺ sërish tha: “O Muadh!” Muadhi tha tri herë: "Të përgjigjem me kënaqësi, o i Dërguari i Allahut!" Profeti ﷺ tha: “Nuk ndodh që një rob të deklarojë sinqerisht nga zemra se s'ka të adhuruar të denjë përveç Allahut dhe se Muhamedi është rob dhe i Dërguari i Tij, e që Allahu atë njeri të mos ia ndalojë Zjarrit.” Muadhi i tha: “O i Dërguari i Allahut! A t'i njoftoj njerëzit, që të gëzohen?" Profeti ﷺ tha: “(Kur ta dëgjojnë këtë njerëzit), atëherë do t'i mbështeten vetëm asaj (e do t'i braktisin veprat).” Muadhi e tregoi këtë në fund të jetës së tij, nga frika se do të mëkatonte (nëse nuk do ta tregonte)."
Zejd ibën Halid Xhuheniu (Allahu qoftë i kënaqur me të!) ka thënë: I Dërguari i Allahut ﷺ na e fali namazin e sabahut në Hudejbije pas një nate me shi. Pasi e kreu namazin, u kthye nga njerëzit dhe u tha: “E dini se çfarë tha Zoti juaj?” Të pranishmit thanë: "Allahu dhe i Dërguari i Tij e dinë më së miri." I Dërguari vazhdoi: “Ai tha: "Disa robër të Mi më besuan, e disa të tjerë më mohuan. Ata që thanë: "Ra shi nga mirësia dhe mëshira e Allahut", më besuan Mua dhe i mohuan yjet. Ndërkaq, ata që thanë: "Ra shi për shkak të këtij e atij ylli", më mohuan Mua, e u besuan yjeve."