Omer ibn Hatabi (Allahu qoftë i kënaqur me të) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Allahu i Lartmadhëruar ju ndalon të betoheni në baballarët tuaj.” Omeri shton: "Për Allahun, qëkurse e kam dëgjuar të Dërguarin e Allahut ﷺ duke e ndaluar atë, as vetë nuk jam betuar (në prindër) e as e kam cituar betimin e tjetërkujt (në prindër)."
Enciklopedia e Haditheve · Teuhidi uluhije
Aishja dhe Abdullah ibën Abasi (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) tregojnë: "Kur të Dërguarin e Allahut ﷺ e kapluan dhimbjet e vdekjes, e mbulonte fytyrën me një këmishë. E, kur i pushonin dhimbjet, e zbulonte. Duke qenë në këtë gjendje, tha: “Allahu i mallkoftë hebrenjtë dhe të krishterët: varret e të dërguarve i shndërruan në faltore!” Pra, tërhiqte vërejtjen kundër veprimeve të tyre.
Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Allahu i Larmadhëruar thotë: "Unë aspak nuk kam nevojë për ortak. Kushdo që bën një vepër duke më bërë Mua ortak dikë në atë vepër, Unë e braktis atë së bashku me ortakërinë që ma ka bërë.”
Xhundubi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: "Pesë ditë para se të vdiste, e kam dëgjuar Profetin ﷺ të thotë: “Me ndërgjegje të pastër para Allahut, refuzoj të kem ndonjë mik të ngushtë nga mesi juaj, sepse Allahu i Lartësuar më ka zgjedhur mua për mik të ngushtë (ar. halil) ashtu siç e ka zgjedhur mik të ngushtë Ibrahimin. Madje, sikur të kisha zgjedhur dikë për mik të ngushtë, do ta kisha zgjedhur Ebu Bekrin. Dijeni se popujt para jush varret e profetëve të vet dhe të njerëzve të devotshëm i shndërronin në faltore. Prandaj, mos i shndërroni varret në faltore. Unë po ju ndaloj një vepër të tillë.”
Hudhejfe (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: "Mos thoni: "Siç dëshiron Allahu dhe siç dëshiron filani!", por thoni: "Siç dëshiron Allahu, pastaj siç dëshiron filani!"
Omer ibën Hatabi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) ka thënë: "E kam dëgjuar Profetin ﷺ të thotë: “Mos më shenjtëroni siç e kanë shenjtëruar të krishterët të birin e Merjemes. Unë jam rob i Allahut, andaj thoni: "Rob i Allahut dhe i Dërguari i Tij.”
Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: I Dërguari i Allahut ﷺ është pyetur "Kush është njeriu më fatlum që do ta fitojë ndërmjetësimin (shefatin) tënd Ditën e Gjykimit?" I Dërguari i Allahut ﷺ i tha: “Kam pandehur, o Ebu Hurejre, se askush para teje nuk do të më pyesë për këtë çështje, për shkak se kam vënë re se ke interesim të madh për hadithin. Njeriu më fatlum që do ta fitojë ndërmjetësimin (shefatin) tim Ditën e Gjykimit është ai që deklaron: "La ilahe il lallah (s'ka të adhuruar të denjë përveç Allahut)" me zemër të sinqertë, - ose ka thënë: me sinqeritet.”
Abdullah ibën Mesudi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton: "Profeti ﷺ ka thënë një fjalë, ndërsa unë kam thënë një tjetër. Profeti ﷺ ka thënë: “Ai që vdes duke i bërë Allahut shok, do të hyjë në Zjarr.” Ndërkaq, unë kam thënë: "Ai që vdes pa i bërë shok Allahut, do të hyjë në Xhenet."
Abdullah ibën Mesudi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: "Do të shkatërrohen (në botën tjetër) ata që e teprojnë në shtrëngim (të dispozitave të fesë).” Këtë e tha tri herë.
Nga Enes ibën Maliku (Allahu qoftë i kënaqur me të!) përcillet se Pejgamberi (paqja qoftë mbi të!) ka thënë: "Nuk ka sëmundje ngjitëse e as ogur të zi, mirëpo mua më pëlqen optimizmi (ndjellja e së mirës)" Dikush i tha: Çfarë është optimizmi (ndjellja e së mirës)? Ai tha: "Fjala e mirë!"
Nga Ebu Muslim el-Khaulani përcillet se ka thënë: "Më ka treguar ai, i cili ishte për mua i shtrenjtë dhe besnik; Auf ibn Malik el-Eshxheiu (Allahu qoftë i kënaqur me të!): 'Ishim nëntë apo tetë, apo shtatë veta te Profeti i Allahut (paqja qoftë mbi të!) dhe ai tha: 'A nuk do t'ia jepni besën Profetit të Allahut?' Duke qenë se nuk kishim shumë kohë që ia kishim dhënë besën, i thamë: 'Ne ta kemi dhënë besën ty o Profet i Allahut!' Ai e përsëriti: 'A nuk do t'ia jepni besën Profetit të Allahut?' Ne i thamë: 'Ne ta kemi dhënë besën ty o Profet i Allahut!' Ai e përsëriti sërish: 'A nuk do t'ia jepni besën Profetit të Allahut?' Atëherë ne shtrimë duart tona dhe i thamë: 'Ne ta kemi dhënë besën ty o Profet i Allahut, për çfarë ta japim besën?' Ai tha: 'Të adhuroni Allahun dhe të mos i bëni Atij ortak, të falni pesë namazet dhe të jeni të dëgjueshëm'. Pastaj ai tha me zë të ulët: 'Dhe të mos kërkoni asgjë nga njerëzit!" I kam parë disa nga ata që i dhanë besën që kur i binte kamxhiku nga dora, nuk i kërkonin askujt që t'ia jepte."'
Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se i Dërguari i Allahut ﷺ, gjatë sëmundjes, prej së cilës nuk u çua më, ka thënë: “Allahu i mallkoftë hebrenjtë dhe të krishterët. Varret e të dërguarve të tyre i kanë bërë faltore!” Ajo tha: “Po të mos ishte kjo fjalë, do të ekspozohej varri i tij. Ai frikësohej se varrin do t'ia shndërronin në faltore.”
Nga Ebu Uakid el-Lejthi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) përcillet se: Kur Pejgamberi (paqja qoftë mbi të!) ishte rrugës për në Hunejn, kaloi pranë një peme të idhujtarëve, të cilën e quanin "Dhatu en'uat". Në këtë pemë idhujtarët varnin armët e tyre. Disa nga të pranishmit i thanë Pejgamberit (paqja qoftë mbi të!): "Na cakto dhe neve një Dhatu en'uat siç e kanë ata. Pejgamberi (paqja qoftë mbi të!) tha: "I patëmeta është Allahu! Kjo që sapo thatë është si ajo që tha populli i Musait: "Cakto një zot për ne siç kanë ata zota!" (A'raf: 138) "Betohem për Atë në dorën e të cilit është shpirti im, ju do të ndiqni zakonet e atyre që kanë jetuar para jush!".
Nga Abdullah ibn Abasi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) përcillet se një burrë erdhi te Pejgamberi (paqja qoftë mbi të!) dhe foli me të për një çështje dhe pastaj tha: "Si të dojë Allahu dhe si të duash ti!" Sakaq, Pejgamberi (paqja qoftë mbi të!) i tha: "A më bëre të barabartë me Allahun!?" Thuaj: "Si të dojë Allahu i Vetëm!"
Ebu Hejaxh Esediu tregon se Ali ibn Ebu Talibi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) i ka thënë: “A të të dërgoj për atë me të cilën më ka dërguar i Dërguari i Allahut ﷺ: të mos lësh statujë pa prishur e as varr të ngritur pa e rrafshuar!"
Abdullah ibn Mesudit (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se Profeti ﷺ ka thënë: "Gjynahet më të mëdha janë: shirku ndaj Allahut, siguria nga kurthet (të papriturat) e Allahut dhe humbja e shpresës në mëshirën e Allahut."
Ebu Beshir Ensariu (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se, teksa ishte me të Dërguarin e Allahut ﷺ në një udhëtim, i Dërguari i Allahut ﷺ dërgoi një lajmëtar: “Të mos mbetet pa u këputur asnjë qafore teli, - ose ka thënë vetëm: qafore, - në qafat e deveve.”
Nga Ukbeh ibën Amir el-Xhuheni (Allahu qoftë i kënaqur me të!) përcillet se Pejgamberit (paqja qoftë mbi të!) i erdhi një delegacion dhe ai lidhi besën me nëntë prej tyre, ndërsa me njërin jo. Ata i thanë: "O Profet i Allahut, e lidhe besën me nëntë veta dhe le njërin?" Pejgamberi tha: "Ai mban në trup një hajmali!" Sakaq, personi e mori dhe e grisi hajmalinë dhe lidhi besën me Pejgamberin (paqja qoftë mbi të!). Mandej Pejgamberi (paqja qoftë mbi të!) tha: "Kush var hajmali në trup ka bërë shirk (idhujtari)!"
Abdullah ibn Akimi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) përcjell se Profeti ﷺ ka thënë: "Ai që vendos diçka (ndonjë hajmali), çështja e tij i lihet asaj."
Tarik ibën Ushejm Eshxheiu (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se e ka dëgjuar të Dërguarin e Allahut ﷺ të thotë: "Për atë që thotë: "La ilahe il-lallah" dhe mohon çdo gjë që adhurohet përveç Allahut, pasuria dhe gjaku i tij janë të ndaluara, e llogaria e tij është tek Allahu."
Enes ibn Maliku (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Profeti ﷺ ka thënë: “Në Ditën e Kiametit, Allahu i Lartësuar do t'i thotë të dënuarit me dënimin më të lehtë në Zjarr: "Sikur të posedoje gjithçka në Tokë, a do ta flijoje për të shpëtuar nga kjo?" - Po, - përgjigjet ai. Allahu ia kthen: "Teksa ishe në palcën e Ademit, të kërkova diçka edhe më të lehtë se kjo: të mos më bëje ortak (shirk). Por, ti nuk doje ndryshe, përveçse të më bëje ortak.”
Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: "Disa persona e pyetën të Dërguarin e Allahut ﷺ rreth falltarëve, e në atë rast ai tha: “E tëra është kotësi.” Ata thanë: "O i Dërguari i Allahut, nganjëherë ata na tregojnë diçka e cila, pas një kohe, realizohet!" I Dërguari i Allahut ﷺ iu përgjigj: “Kjo që ndodh është një fjalë e vërtetë, të cilën ndonjë xhin e grabit dhe e përcjell në veshin e mikut të tij, i cili pastaj e përzien atë me njëqind gënjeshtra.”
Ebu Talhai (Allahu qoftë i kënaqur me të) transmeton se Profeti ﷺ ka thënë: “Melekët nuk hyjnë në atë shtëpi që ka qen ose piktura (frymorësh).”
Abdurrahman ibn Semure (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Mos u betoni në idhuj e as në baballarët tuaj!”
Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Një grup njerëzish ishim mbledhur dhe po rrinim përreth të Dërguarit të Allahut ﷺ. Në mesin tonë ishin edhe Ebu Bekri dhe Omeri. I Dërguari i Allahut ﷺ u largua për disa çaste dhe, kur ndjemë se u vonua, filluam të frikësoheshim mos ndokush ia kishte prerë rrugën, andaj dolëm ta kërkonim. Unë qeshë i pari që u frikësova për të dhe dola ta kërkoja. Arrita te një kopsht i ensarëve të fisit Benu Nexhar, të cilit iu solla rreth e përqark duke kërkuar ndonjë portë, por nuk gjeta. Sakaq, vërejta një përrua që rridhte për në kopsht përmes një vrime në murin rrethues, kështu që u përbirova në të sikurse dhelpra dhe shkova tek i Dërguari i Allahut ﷺ, e ai më tha: - “Ebu Hurejre!” - Po, o i Dërguari i Allahut! - iu përgjigja. - “Ç'është puna jote?” - Po rrije me ne, pastaj u largove dhe u vonove shumë, andaj u frikësuam mos ndokush ta ka prerë rrugën. Unë qeshë i pari që u frikësova, kështu që dola dhe erdha te ky kopsht, ku u përbirova sikurse dhelpra. Ja, edhe të tjerët janë mrapa meje, - i thashë. - “O Ebu Hurejre!”, - m'i dha nallanet e veta dhe vazhdoi: “Merri këto nallane e shko dhe, këdo që takon mbrapa këtij kopshti, që dëshmon se s'ka të adhuruar të denjë përveç Allahut me zemër plotësisht të bindur në këtë, përgëzoje me Xhenet.” I pari që e takova qe Omeri, i cili më pyeti: - Ç'janë këto nallane, o Ebu Hurejre? - Janë nallanet e të Dërguarit të Allahut ﷺ, i cili më dërgoi me to që, këdo që takoj, i cili dëshmon se s'ka të adhuruar të denjë përveç Allahut, me zemër plotësisht të bindur në këtë, ta përgëzoj me Xhenet, - i thashë. Omeri më goditi me dorë në gjoks dhe, si pasojë, rashë ulur në tokë. Më tha: “Kthehu, o Ebu Hurejre!” Prandaj, u ktheva sërish tek i Dërguari i Allahut ﷺ. Aty sytë m'u mbushën me lot, ndërsa Omeri më ishte vënë mbrapa. - “Çfarë ke, o Ebu Hurejre?” - më pyeti i Dërguari i Allahut ﷺ. - Rrugës e takova Omerin dhe i tregova për atë që më porosite, por ai më goditi në gjoks aq fort sa më rrëzoi përtokë dhe më tha: “Kthehu!” - iu përgjigja. - “O Omer, çfarë të shtyri të veprosh ashtu?” - e pyeti Pejgamberi ﷺ. - O i Dërguari i Allahut, flijofsha babë e nënë për ty, a ti e ke dërguar Ebu Hurejrën me nallanet e tua që këdo që takon, që dëshmon se s'ka të adhuruar të denjë përveç Allahut me zemër plotësisht të bindur në këtë, ta përgëzojë me Xhenet? - “Po”, - iu përgjigj Pejgamberi ﷺ. - Mos e bëj, se kam frikë se njerëzit do të mbështeten në këtë (të mjaftohen me këtë e t'i lënë punët e mira). Lëri të punojnë vetë. - “Lëri, pra!”, - tha i Dërguari i Allahut ﷺ.
Ebu Merthed Ganeviu (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: "Mos u ulni mbi varre e mos u falni në drejtim të tyre!"
Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se Umu Seleme i rrëfeu të Dërguarit të Allahut ﷺ se, gjatë kohës sa ishin në Abisini, kishte parë një kishë të quajtur Maria, dhe ia përmendi pikturat (e frymorëve) që kishte parë aty. Atëherë i Dërguari i Allahut ﷺ tha: “Ata janë njerëz që, kur u vdes ndonjë rob i devotshëm, - ose ka thënë: burrë i devotshëm, - mbi varrin e tij ndërtojnë faltore dhe vizatojnë brenda saj piktura të atilla. Ata janë krijesat më të këqija tek Allahu.”
Muadhi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) rrëfen: "Isha ulur mbrapa Profetit ﷺ në një gomar të quajtur Ufejr. Profeti ﷺ më tha: “O Muadh! Vallë, e di cila është e drejta e Allahut kundrejt njerëzve dhe e drejta e njerëzve tek Allahu?" - Allahu dhe i Dërguari i Tij e dinë më së miri, - i thashë. - “E drejta e Allahut kundrejt njerëzve është që ta adhurojnë Atë dhe të mos i bëjnë ortak asgjë. Ndërkaq, e drejta e njerëzve tek Allahu është që të mos dënojë askënd që nuk i bën ortak Atij asgjë”, - tha Profeti ﷺ. - O i Dërguari i Allahut! A t'i përgëzoj njerëzit? - i thashë. - “Jo. Mos i përgëzo, se pastaj i mbështeten kësaj (dhe i lënë veprat)”, - tha Profeti ﷺ."
Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Allahu i dëshiron tri gjëra nga ju dhe i urren tri tjera.Dëshiron që ju ta adhuroni e të mos i bëni shok Atij, të kapeni të gjithë për Librin e Allahut dhe të mos përçaheni, kurse urren te ju thashethemet, të pyeturit e shumtë dhe shpërdorimin e pasurisë.”