Enciklopedia e Haditheve · Therja

280 Sahih

Enesi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: "Profeti ﷺ i theri dy desh të larmë e me brirë. Që të dy i theri me dorën e vet, duke thënë: "Bismilah (me emrin e Allahut)" e duke bërë tekbir (duke thënë: "Allahu ekber") dhe duke ua vendosur këmbën në faqe."

Gabim?
281 Sahih

Rafi ibn Hadixhi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Kur ishim në Dhul Hulejfe me Profetin ﷺ, njerëzit i kaploi uria, por me të fituar prenë e luftës, fituan shumë deve e dele. Kështu, ata u ngutën, i therën bagëtitë dhe i përgatitën kusitë (për t'i zier), ndërsa Profeti ﷺ ishte nga fundi i karvanit. Kur arriti (dhe i pa), Profeti ﷺ urdhëroi të derdheshin kusitë, pastaj i ndau bagëtitë dhe i barazoi dhjetë dele me një deve. Papritmas, një deve iku dhe njerëzit iu vunë pas, por nuk arrinin ta zinin dot. Atëkohë në mesin e njerëzve kishte pak kuaj, kështu që një burrë i hipi një kali dhe iu vërsul devesë, e gjuajti me një shtizë dhe e goditi. Profeti ﷺ tha: “Ndonjëherë bagëtitë egërsohen sikurse kafshët e egra. E, nëse ndodh që t'ju ikin kësisoj, atëherë veproni në këtë mënyrë (sikurse sahabiu në fjalë).” Rafiu i tha Profetit ﷺ: “Kemi frikë, - ose ka thënë: shpresojmë, - se armiku do të na sulmojë nesër, e ne nuk kemi thika (për të therur bagëtitë). Vallë, a t'i therim me kallam?" - “Çfarëdo që e derdh gjakun dhe përmendet emri i Allahut gjatë therjes, hajeni, përveç (nëse derdhet gjaku) me dhëmb ose thua. Po ju shpjegoj për çfarë është fjala: sa i përket dhëmbit, (ndalohet) sepse është asht, ndërsa thoi për shkak se etiopasit e përdornin në vend të thikës”, - iu përgjigj Profeti ﷺ.”

Gabim?
282 Sahih

Shedad ibën Evsi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) ka thënë: "Dy gjëra i kam mbajtur në mend nga i Dërguari i Allahut ﷺ: "Me të vërtetë, Allahu ka urdhëruar mirësinë në çdo çështje, andaj, kur të vrisni, vritni në mënyrën më të mirë dhe, kur të therni, therni në mënyrën më të mirë: mprihni thikat dhe qetësojeni bagëtinë (kurbanin)."

Gabim?
283 Sahih

Ebu Jala Shedad ibën Eusi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: "Vërtet Allahu e ka bërë të detyrueshme mirësinë në çdo çështje, andaj, kur të vrisni, vritni në mënyrën më të mirë dhe kur të therni, therni në mënyrën më të mirë: le ta mprehë secili prej jush thikën dhe le t'ia lehtësojë dhimbjen kafshës!"

Gabim?