Rijadus-Salihin · Ndalimi i ndërprerjes së lidhjeve ndërmjet muslimanëve mbi tri ditë, përveç nëse ndërprerja e lidhjeve nuk është për shkak të herezisë, thyerjes publike të rregullave fetare e të ngjashme

Argumentet nga Kurani

All-llahu i Madhëruar thotë:

“Pa dyshim besimtarët janë vëllezër, prandaj pajtoni dy vëllezër tuaj.”

(el-Huxhurat, 10)

“Dhe mos ndihmoni në mëkat dhe armiqësi.”

(el-Maide, 2)

1599 Muttefekun alejhi

Nga Enesi r.a. transmetohet se ka thënë: “I Dërguari i All-llahut sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem. ka thënë: “Mos i ndërpreni lidhjet reciproke, as mos ia ktheni shpinën njëri-tjetrit dhe bëhuni, o robër të All-llahut, vëllezër të mirëfilltë. Për muslimanin nuk është e lejuar të jetojë në hidhërim me vëllanë e tij më tepër se tri ditë.”

1602 Transmeton Muslimi

Nga Xhabiri r.a. transmetohet se ka thënë: “E kam dëgjuar të Dërguarin e All-llahut sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem. duke thënë: “Vërtet shejtani tashmë ka rënë në dëshpërim se në Siujdhesën Arabe nuk do të adhurohet nga falësit e namazit, por nuk ka rënë në dëshpërim se do t’i ngatërrojë dhe ndërprejë marrëdhëniet e tyre reciproke.”

1603 Ebu Davudi me sened sipas kushteve të Buhariut

Nga Ebu Hurejra r.a. transmetohet të ketë thënë: “I Dërguari i All-llahut sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem. ka thënë: “Për muslimanin nuk është e lejuar të jetojë në hidhërim (ngatërresë) me vëllanë e tij më tepër se tri ditë. Kush mban hidhërim mbi tri ditë dhe vdes, do të hyjë në zjarr (të Xhehenemit).”