Nga Ebu Hurejra r.a. transmetohet se Pejgamberi sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem. ka thënë: “Kini kujdes atë që po ju lë; ata që kanë qenë para jush janë shkatërruar për shkak të pyetjeve të shumta dhe divergjencave me Pejgamberët e tyre. Kur t’ju ndaloj prej diçkaje, largohuni prej saj, ndërsa kur t’ju urdhëroj për diçka, atë përmbusheni sa të keni mundësi.”
Rijadus-Salihin · Urdhëresa e ruajtjes së sunetit dhe adabeve të tij
Argumentet nga Kurani
All-llahu i Madhërishëm thotë:
“Çkado që ju jep Pejgamberi, merreni, e çka t’ju ndalojë, përmbahuni prej asaj.”
(el-Hashr, 7)
“Ai nuk flet me hamendje. Ajo nuk është tjetër vetëm se shpallje që shpallet.”
(en-Nexhm, 3-4)
“Thuaj: “Nëse e doni All-llahun, pasomëni, edhe ju All-llahu do t’ju dojë dhe do t’jua falë mëkatet.”
(Ali Imran, 31)
“Ju keni shembull të mrekullueshëm në Pejgamberin e All-llahut, kush shpreson në mëshirën e All-llahut dhe shpërblimin në botën tjetër.”
(el-Ahzab, 21)
“Dhe jo, pasha Zotin tënd, ata nuk janë besimtarë derisa për gjykatës në mosmarrëveshjet e tyre nuk të pranojnë ty, e pastaj për shkak të gjykimit tënd në shpirtrat e tyre nuk ndiejnë aspak peshë, dhe derisa të përulen plotësisht.”
(en-Nisa, 65)
.”.. Po nëse nuk pajtoheni në ndonjë çështje, drejto-juni All-llahut dhe Pejgamberit, nëse i besoni All-llahut dhe botës tjetër.”
(en-Nisa, 59)
Dijetarët kanë thënë se kjo do të thotë në Kur’an dhe Sunet. Dhe sërish në Kur’an thuhet:
“Kush e respekton Pejgamberin e ka respektuar edhe All-llahun.”
(en-Nisa, 80)
“Kurse edhe ti, pa dyshim udhëzon në rrugë të drejtë, në rrugë të All-llahut.”
(esh-Shûrâ, 52-53)
.”..Le të ruhen ata, të cilët veprojnë në kundërshtim me urdhrin e Tij, të mos i godasë ndonjë ngatërresë, ose të mos i godasë ndonjë dënim i dhembshëm.”
(en-Nûr, 63) dhe thotë:
“Dhe përkujtoni ajetet edhe urtësitë e All-llahut, të cilat lexohen në shtëpitë tuaja.”
(el-Ahzab, 34).
Ajete të kësaj sureje ka shumë. Ndërsa sa u përket haditheve, janë si vijon:
Nga Ebu Hurejra r.a. transmetohet se i Dërguari i All-llahut sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem. ka thënë: “Krejt umeti im do të hyjë në Xhenet, përveç atij që nuk do.” I thanë: “E kush nuk do, o i Dërguari i All-llahut?” Tha: “Kush më respekton mua, ai do të hyjë në Xhenet, ndërsa kush më kundërvihet (nuk më respekton), ai nuk do.”
Transmetohet nga Ebu Musa r.a. të ketë thënë: “U dogj një shtëpi në Medine bashkë me njerëzit e saj natën. Kur u informua për rastin e tyre, i Dërguari i All-llahut sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem. tha: “Vërtet zjarri është armik juaji, prandaj, kur të flini, fikeni.”
Transmetohet nga Xhabiri r.a. se i Dërguari i All-llahut sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem. ka urdhëruar që gjatë ngrënies të lëpihen gishtat dhe të fshihet ena me ushqim dhe ka thënë: “Vërtet ju nuk e dini se ku është bere-qeti.”
Transmetohet nga Ibni Abbasi r.a., i cili ka thënë: “I Dërguari i All-llahut sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem. u ngrit në mesin tonë dhe duke na këshilluar tha: “O njerëz, ju vërtet do të tuboheni tek All-llahu i Madhërishëm të zbathur, të zhveshur dhe të pabërë sunet: “Ashtu siç ju kemi krijuar herën e parë do të përsërisim atë (krijim). Ky është premtimi ynë, Ne me të vërtetë mund ta bëjmë këtë” (el-Enbija, 104). Kujdes, krijesa e parë që do të vishet në Ditën e Gjykimit është Ibrahimi sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem. Disa njerëz të umetit tim do të sillen në Ditën e Gjykimit dhe do t’i grabisin të majtët (engjëjt e Xhehenemit), e unë do të them: “O Krijuesi im, këta janë shokët e mi. “Pastaj do të më thuhet: “Ti vërtet nuk e di çfarë kanë bërë ata pas Teje”, kurse unë do të them siç ka thënë robi i mirë (Isai a.s.): “Kam qenë dëshmitar derisa isha në mesin e tyre, e pasi që ma more shpirtin, mbete Ti mbikëqyrës i tyre. Dhe Ti je dëshmitar i çdo sendi. Nëse i dënon, dënon robërit e Tu, e nëse ua fal, me të vërtetë Ti je i Fortë e i Urtë” (el-Maide, 117-118), e pastaj do të më thuhet: “Ata vazhdimisht janë kthyer prapa (janë bërë murted) qysh se je ndarë ti prej tyre.”