Nga Ebu Hurejra r.a. përcillet se Pejgamberi sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem ka thënë: “Vërtet All-llahu i Madhëruar xhelozon (nuk duron në asgjë shok). Xhelozia (mosdurimi i zënies shok) i All-llahut është kur njeriu i bën ato vepra të cilat All-llahu i ka ndaluar.”
Rijadus-Salihin
1013 hadithe · 305 kapituj403 hadithe · Të gjithë kapitujt
Nga Ebu Hurejra r.a. përcillet se e ka dëgjuar Pejgamberin sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem duke thënë: “Tre njerëz nga Beni Israilët, All-llahu xh.sh. dëshiroi t’i sprovojë. Njëri prej tyre ishte zgjeban, i dyti qelan kurse i treti i verbër. All-llahu ua dërgoi një engjëll, i cili së pari i vjen zgjebanit dhe i thotë: “Çdo të dëshiroje më së shumti?” Tha: “Më së shumti do të dëshiroja të kem ngjyrë dhe lëkurë të mirë dhe të çlirohem nga kjo për shkak të së cilës më urrejnë njerëzit.” Engjëlli e fërkoi me dorë dhe prej tij ranë krejt zgjebet dhe e fitoi ngjyrën e mirë (të trupit). (Pastaj engjëlli) Tha: “Cilën pasuri dëshiron më së shumti?” Tha: “Devetë - ose lopët” (nuk i kujtohet saktë transmetuesit), ai ia jep një deve barsë dhe i thotë: “All-llahu të bekoftë me të!” Pastaj shkoi te qelani dhe i tha: “Çdo të dëshiroje më së shumti?” (Qelani) Tha: “Flokë të bukura dhe të largohet prej meje ajo prej së cilës njerëzit neveriten nga unë.” “Engjëlli e fërkon dhe ai shërohet e i jepen flokë të bukur. (Engjëlli) Tha: “Cilën pasuri dëshiron më së shumti?” (Qelani) Tha: “Lopët.” Engjëlli ia jep një lopë barsë dhe i thotë: “All-llahu të bekoftë me te.” Engjëlli i shkon të verbërit e i thotë: “Çdo të dëshiroje më së shumti?” (I verbëri) Tha: “Të ma kthejë All-llahu të parët, që t’i shoh njerëzit.” Engjëlli e fërkon dhe All-llahu ia kthen të parët. (Engjëlli) Tha: “Cilën pasuri e dëshiron më së shumëti?” (I verbëri) Tha: “Dhentë!” Engjëlli ia jep një dele që lind. Te të tre pasuria u shtua e u rrit, kështu që njëri (zgjebani) bëri një luginë me deve, i dyti (qelani) e bëri një luginë me lopë dhe i treti (i verbëri) bëri një luginë me dele. Pas kësaj engjëlli i vjen zgjebanit në formën dhe pamjen e tij të mëparshme e i thotë: “Unë jam një njeri i mjerë, më janë këputur penjtë në udhëtimin tim, andaj sot askush nuk mund të më ndihmojë përveç All-llahut, pastaj ti, andaj po të lutem në emrin e Atij që të ka dhënë ngjyrë dhe lëkurë aq të bukur dhe që të ka dhënë kaq deve, të më japësh një deve që të mund ta vazhdoj rrugën.” (Ish zgjebani, tani pasanik) Tha: “Jo, unë kam shumë obligime (borxhe).” (Engjëlli) I tha: “Sikur po të njoh unë ty, a mos ke qenë një zgjeban nga i cili neveriteshin njerëzit, një i varfër të cilin All-llahu e ka pasuruar?” Tha: “Unë këtë pasuri e kam trashëguar nga të parët e mëdhenj.” (Engjëlli i) Tha: “Nëse po gënjen, le të të kthejë All-llahu në atë gjendje në të cilën ke qenë!” Engjëlli pastaj i shkon qelanit, por në formën dhe pamjen e tij të mëparshme, e i thotë ashtu siç i tha zgjebanit, por edhe ky i përgjigjet ashtu siç iu pat përgjigjur zgjebani. (Engjëlli) Tha: “Nëse po gënjen, le të të kthejë All-llahu në atë gjendje në të cilën ke qenë!” Pastaj engjëlli i shkon ish të verbërit, por në formën dhe pamjen e tij të mëparshme, dhe i thotë: “Unë jam i mjerë dhe udhëtar, më janë këputur penjtë në udhëtimin tim, andaj sot askush nuk mund të më ndihmojë përveç All-llahut, pastaj ti. Të lutem me atë që të ka kthyer të parët, më jep një dele, që (të ndihmohem me te e) të vazhdoj rrugën.” (Ish i verbri) Tha: “Vërtet unë kam qenë i verbër, por All-llahu ma ka kthyer të parët. Merr vëlla çka të duash dhe lër çka të duash! Pasha All-llahun, asgjë sot nuk të ndaloj të marrësh në emër të All-llahut të Gjithëfuqishëm e të Madhërishëm. (Engjëlli) Tha: “Mbaje krejt pasurinë, ju vetëm keni qenë të sprovuar. All-llahu është i kënaqur me ty, kurse është i hidhëruar me dy shokët e tu.”
Transmetohet nga Ebu Hurejra r.a. që thotë se e kanë pyetur Pejgamberin: “O i Dërguari i All-llahut, cili është njeriu më i ndershëm?” (Pejgamberi) Tha: “Ai që është më i devotshëm.” (Të pranishmit i) Thanë: “Nuk të pyetëm për këtë.” (Pejgamberi) Tha: “Jusufi është Pejgamber i All-llahut, bir i Pejgamberit të All-llahut, bir i Pejgamber të All-llahut, bir i mikut (halilit) të All-llahut.” Thanë: “Ne as për këtë nuk të pyetëm!” (Pejgamberi) Tha: “Atëherë për të parët e arabëve po më pyetni? Ata të cilët kanë qenë të zgjedhur në xhahilijjet janë të zgjedhur edhe në Islam, vetëm nëse janë që kuptojnë (njohës të dispozitave fetare).”
Transmetohet nga Ibni Abbasi r. anhuma se i Dërguari i All-llahut sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem ka thënë: “O Zoti im, Ty të jam dorëzuar, Ty të kam besuar, te Ti jam mbështetur, te Ti jam kthyer dhe në emër Tënd i luftoj (armiqtë e fesë). O Zoti im, i mbështetem madhërisë Tënde, nuk ka Zot tjetër përveç Teje, të më ruash nga lajthitja. Ti je i Gjallë që nuk vdes, kurse xhinnët dhe njerëzit vdesin.”
Transmetohet nga Ebu Umarete el-Berá ibn Azibi r. anhuma se i Dërguari i All-llahut sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem ka thënë: “O filan, kur të biesh në shtratin tënd thuaj: “O Zoti im, shpirtin tim ta dorëzova Ty, fytyrën time e drejtova nga Ti, çështjen time ta dorëzova Ty, shpinën time e mbështeta te Ti - duke shpresuar në Ty dhe duke u frikësuar nga Ti, nuk ka nga Ti vendstrehim as vendshpëtim përveç te Ti. Kam besuar në Librin Tënd, të cilin e ke shpallur, dhe në Pejgamberin Tënd që e ke dërguar.” Nëse vdes atë natë, do të vdesësh me iman, e nëse gdhihesh, atëherë (gdhihesh) i shpërblyer me mirësi.”
Transmetohet nga Ebu Hurejra r.a. të ketë thënë: “Erdhi një njeri te Pejgamberi sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem dhe i tha: “O i Dërguari i All-llahut, cila sadaka e ka shpërblimin më të madh?” Tha: “Të japësh sadaka kur të jesh i shëndoshë e koprrac, e frikësohesh nga varfëria, dhe e dëshiron pasurinë. Mos e vono këtë gjer kur të vije shpirti në fyt, e atëherë të thuash: “Jepjani këtë atij dhe këtë atij tjetrit, ndërsa kjo qysh më herët ka qenë e tij.”
Nga Aishja r. anha transmetohet të ketë thënë se Pejgamberi sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem ngrihej natën (për namaz) aq gjatë, saqë këmbët i patën pëlcitur (nga dhembjet), andaj unë i thashë: “Përse po vepron kështu o i Dërguari i All-llahut, kur t’i ka falur ty All-llahu mëkatet e mëparshme dhe të pastajmet?” Ai tha: “A nuk dua që të jem rob falënderues?”
Transmetohet se Aishja r. anha ka thënë: “Kur vinte dhjetëshja (dhjetë ditët e fundit të Ramazanit) i Dërguari i All-llahut s.a.v. se gjallëronte natën (me ibadet), e zgjonte familjën e tij, angazhohej më tepër dhe vetmohej (për ibadet dhe izolim prej grave).”
Nga Ebu Hurejra r.a. transmetohet se i Dërguari i All-llahut sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem ka thënë: “Xhehenemi është i fshehur dhe i mbuluar me epshe, kurse Xheneti është i fshehur dhe i mbuluar me pakënaqësi.”
Transmetohet nga Enesi r.a. se i Dërguari i All-llahut sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem ka thënë: “Të vdekurin e përcjellin tri gjëra: familja e tij, pasuria e tij dhe veprat e tij. Dy kthehen, kurse një mbetet me të. Kthehet familja dhe pasuria e tij, kurse me të mbesin veprat e tij.”
Nga Ebu Mes’ud Ukbe ibn Amr el-Ensarij r.a. transmetohet të ketë thënë: “Pasi u shpall ajeti i sadakasë, ne asokohe punonim si hamej, pastaj erdhi një njeri dhe dha shumë pasuri sadaka. (Të pranishmit) Thanë: “Dëshiron të tregohet”, pastaj erdhi një njeri tjetër dhe dha një tas sadaka. Thanë: “Vërtet All-llahu është i panevojshëm për këtë tas!” Me atë rast u shpall ajeti: “Ata që përgojojnë besimtarët në dhënien vullnetare të kontributeve, madje i përbuzin edhe ata të cilët japin me përpjekje të madhe.” (et-Tewbe, 79)
Transmetohet nga Aishja r. anha se ka thënë: “Pasi u shpall surja En-Nasr (“Kur vjen ndihma e fitorja e All-llahut”), i Dërguari i All-llahut sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem nuk ka falur asnjë namaz e të mos ketë thënë: “Suhbhaneke rabbena ve bi hamdike, All-llahummagfir lî” (Lavdia të qoftë Ty, Krijuesi ynë dhe qofsh i falënderuar. O All-llahu im, më fal)
Transmetohet nga Ebu Dherr Xhundub ibn Xhunade r.a. se ka thënë: “I thashë: “O i Dërguari i All-llahut, cila është vepra më e mirë?” Tha: “Besimi në All-llahun dhe lufta (xhihadi) në rrugën e Tij.” I thashë: “Cila pasuri është më e mirë?” Ai tha: “Ajo që është më e shtrenjtë dhe më e çmuar.” (Unë) i thashë: “Nëse nuk (mund ta) e jap?” (Pejgamberi) Tha: “Ndihmoji atij që bën mjeshtëri, ose bëji mjeshtëri atij që nuk di mjeshtëri.” Thashë: “O i Dërguari i All-llahut, e çka mendon nëse unë nuk mund të bëj diçka nga dobësia?” (Pejgamberi) tha: “Ruhu mos u bëj keq të tjerëve, e kjo do të jetë sadaka jotja për veten tënde.”
Transmetohet nga Ebu Hurejra r.a. se i Dërguari i All-llahut sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem ka thënë: “Për çdo nyje të njeriut, çdo ditë kur lind dielli, duhet dhënë sadaka. Nëse pajton dy veta, edhe kjo është sadaka, nëse dikujt i ndihmon që të hipë në kafshën e tij, ose i ndihmon që ta ngarkojë barrën në kafshën e tij (kalë ose deve), edhe kjo është sadaka, edhe fjala e mirë është sadaka, çdo hap që bën për të shkuar në namaz është sadaka, edhe largimi nga rruga e asaj që i pengon kalimtarët është sadaka.”
Nga Ebu Hurejra r.a. transmetohet se Pejgamberi sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem ka thënë: “Kush shkon në xhami për namaz në mëngjes ose në mbrëmje, All-llahu për këtë do t’i përgatisë atij gosti (në Xhenet) në mëngjes ose në mbrëmje.”
Nga Ebu Hurejra r.a. transmetohet se i Dërguari i All-llahut sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem ka thënë: “O ju gratë muslimane, asnjëra nga ju mos ta përbuzë shoqen fqinje të saj, qoftë ajo edhe për një thundër deleje.”
Ebu Hurejra r.a. thotë se Pejgamberi sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem ka thënë: “Imani (besimi) është gjashtëdhjetë e disa a shtatëdhjetë e disa degë. Më e vlefshme është fjala: “La ilahe il-lall-llah” (nuk ka Zot tjetër përveç All-llahut), kurse më e ulëta është largimi nga rruga e asaj që i mundon kalimtarët. Edhe turpi është një degë e imanit.”
Ebu Hurejra r.a. thotë se i Dërguari i All-llahut sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem ka thënë: “Një njeri duke udhëtuar në një rrugë e kaplon etje e madhe, e gjen një pus, zbret në të dhe pi ujë. Pastaj del nga pusi dhe has një qen me gjuhë të nxjerrë jashtë, që ha baltë nga etja. Njeriu thotë: “Këtë qen e paska kapluar etja siç më pat kapluar edhe mua më parë.” Pastaj njeriu zbret në pus dhe mbush këpucën e vet me ujë, pastaj e kap me gojë derisa ngjitet lart dhe i jep të pijë qenit. All-llahu për këtë e shpërblen dhe ia fal mëkatet.” (As’habët i) Thanë: “O i Dërguari i All-llahut, edhe për kafshët kemi shpërblim?” (Pejgamberi) Tha: “Në gjithçka që ka mëlçi të lagur ka shpërblim.”
Transmetohet nga Adijj ibn Hatim të ketë thënë: “E kam dëgjuar Pejgamberin sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem duke thënë: “Frikësohuni (ruhuni) nga zjarri, qoftë edhe me gjysmë hurme.”
Transmetohet nga Ebu Musa r.a. se Pejgamberi sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem ka thënë: “Secili musliman e ka obligim një sadaka.” Iu tha: “E çfarë mendon nëse nuk e gjen?” Tha: “Do të punojë me duart e veta, e shfrytëzon vetveten dhe do të japë sadaka.” Pastaj iu tha: “E nëse nuk mundet?” Tha: “Do t’i ndihmojë të nevojshmit që është i dëmtuar.” Pastaj iu tha: “E çka mendon nëse edhe këtë nuk mundet?” Atëherë (Pejgamberi) tha: “Do të rekomandojë dhe urdhërojë veprat e mira apo të hajrit.” Thanë: “E nëse edhe këtë nuk e bën dot?” Tha: “Do të përmbahet nga e keqja, sepse edhe ajo është sadaka.”