Nga Aishja r.a. transmetohet se Pejgamberi sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem hyri në dhomën e saj, ku gjendej një grua, dhe i tha: “Kush është kjo?” Tha: “Kjo është filan gruaja, e kryen me kujdes namazin e saj.” (Pejgamberi) Tha: “Mos e obligoni veten se nuk keni mundësi, se pasha All-llahun, Ai nuk mërzitet derisa të mos ju mërzitë juve së tepruarit. All-llahu më së shumti e do devotshmërinë e përhershme tek ai që e kryen.”
Rijadus-Salihin
1013 hadithe · 305 kapituj403 hadithe · Të gjithë kapitujt
Transmetohet nga Enesi r.a.: “Tre njerëz prej të afërmve erdhën në shtëpitë e grave të Pejgamberit sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem dhe pyetën për ibadetin e Pejgamberit sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem e pasi morën përgjigje, atyre iu duk se kjo është pak dhe thanë: “Ku jemi ne e ku është Pejgamberi sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem.? All-llahu atij ia ka falur të gjitha mëkatet e mëparshme dhe ato të ardhshmet.” Njëri prej tyre tha: “Sa më përket mua, unë gjithnjë tërë natën do të falem.” I dyti tha: “Unë vazhdimisht do të agjëroj.” I treti tha: “Unë do të izolohem prej grave dhe kurrë nuk do të martohem.” Kur vjen i Dërguari i All-llahut sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem u thotë: “A jeni ju që keni thënë këtë dhe këtë? Sa më përket mua, pasha All-llahun, unë jam më i frikësuari dhe më i devotshmi ndaj All-llahut sesa ju, por unë agjëroj dhe ha, falem dhe flej, dhe bëj jetë bashkëshortore! Kush largohet nga Suneti im, ai nuk më përket mua.”
Transmetohet nga Enesi r.a.: “Pejgamberi sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem ka hyrë në xhami, kurse aty ishte një litar i zgjatur në mes dy shtyllave të xhamisë. (Pejgamberi) Tha: “Ç’është ky litar këtu?” (Të pranishmit) Thanë: “Ky litar është i Zejnebes r.a. (njëra nga bashkëshortet e alejhisselamit), kur përgjumet gjatë namazit, ajo mbahet tek ai.” Pejgamberi sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem tha: “Zgjidheni, secili prej jush le të falet me disponim, e kur të përgjumet, le të bjerë e të flejë.”
Nga Aishja r.a. transmetohet se i Dërguari i All-llahut sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem ka thënë: “Kur dikush prej jush kotet gjatë namazit (nafile), le të flejë gjersa t’i kalojë gjumi. Sepse nëse dikush duke u falur kotet, ai nuk e di nga kthehet dhe çka bën, andaj në vend që të kërkojë falje (istigfar), ai e qorton vetveten (pa vetëdije).”
Nga Ebu Hurejra r.a. transmetohet se Pejgamberi sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem ka thënë: “Kini kujdes atë që po ju lë; ata që kanë qenë para jush janë shkatërruar për shkak të pyetjeve të shumta dhe divergjencave me Pejgamberët e tyre. Kur t’ju ndaloj prej diçkaje, largohuni prej saj, ndërsa kur t’ju urdhëroj për diçka, atë përmbusheni sa të keni mundësi.”
Transmetohet nga Ebu Musa r.a. të ketë thënë: “U dogj një shtëpi në Medine bashkë me njerëzit e saj natën. Kur u informua për rastin e tyre, i Dërguari i All-llahut sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem tha: “Vërtet zjarri është armik juaji, prandaj, kur të flini, fikeni.”
Transmetohet nga Ibni Abbasi r.a., i cili ka thënë: “I Dërguari i All-llahut sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem u ngrit në mesin tonë dhe duke na këshilluar tha: “O njerëz, ju vërtet do të tuboheni tek All-llahu i Madhërishëm të zbathur, të zhveshur dhe të pabërë sunet: “Ashtu siç ju kemi krijuar herën e parë do të përsërisim atë (krijim). Ky është premtimi ynë, Ne me të vërtetë mund ta bëjmë këtë” (el-Enbija, 104). Kujdes, krijesa e parë që do të vishet në Ditën e Gjykimit është Ibrahimi sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem. Disa njerëz të umetit tim do të sillen në Ditën e Gjykimit dhe do t’i grabisin të majtët (engjëjt e Xhehenemit), e unë do të them: “O Krijuesi im, këta janë shokët e mi. “Pastaj do të më thuhet: “Ti vërtet nuk e di çfarë kanë bërë ata pas Teje”, kurse unë do të them siç ka thënë robi i mirë (Isai a.s.): “Kam qenë dëshmitar derisa isha në mesin e tyre, e pasi që ma more shpirtin, mbete Ti mbikëqyrës i tyre. Dhe Ti je dëshmitar i çdo sendi. Nëse i dënon, dënon robërit e Tu, e nëse ua fal, me të vërtetë Ti je i Fortë e i Urtë” (el-Maide, 117-118), e pastaj do të më thuhet: “Ata vazhdimisht janë kthyer prapa (janë bërë murted) qysh se je ndarë ti prej tyre.”
Transmetohet nga Aishja r.a., e cila thotë se ka thënë i Dërguari i All-llahut sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem.: “Kush shpik në fenë tonë atë që nuk është nga ajo, ajo gjë është e refuzuar.”
Transmetohet nga Ibni Mesudi r.a. se Pejgamberi sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem ka thënë: “Asnjë person nuk mbytet me dhunë e që birit të Ademit (Kabilit) të mos i bjerë hise nga gjaku i tij, sepse ai i pari e ka filluar vrasjen.”
Transmetohet nga Ebu Abdurrahman Zejd ibn Halid el-Xhuhnij r.a. i cili ka thënë: “I Dërguari i All-llahut sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem ka thënë: “Kush e përgatit (me pajisje luftarake) një luftëtar në rrugë të All-llahut, edhe ai ka luftuar (e ka shpërblimin si të atij që ka luftuar). Kush mbetet dhe kujdeset për familjen e një luftëtari duke i bërë mirë, edhe ai ka luftuar.”
Nga Ebu Musa el-Esh’arij r.a. transmetohet se Pejgamberi sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem ka thënë: “Arkëtari i besueshëm musliman është i cili e zbaton urdhrin dhe jep a paguan në mënyrë të plotë me gjithë dëshirë dhe ia dorëzon atij për të cilin është urdhëruar çdokush nga dhënësit e zekatit.”
Transmetohet nga Enesi r.a., se Pejgamberi sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem ka thënë: “Askush nga ju nuk do të jetë besimtar i vërtetë përderisa nuk dëshiron për vëllanë e vet atë që e dëshiron për vetveten.”
Nga Ebu-l-Velid Ibadete ibn es-Samit r.a. transmetohet të ketë thënë: “Iu zotuam të Dërguarit të All-llahut sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem për dëgjim dhe respektim në vështirësi dhe në lehtësi në vende të gëzimit dhe të mërzisë dhe për përparësi të tij mbi ne në gjithçka dhe se nuk do të grindemi as s’do t’ua kontestojmë udhëheqjen atyre që janë të denjë, përveç nëse vërehet kufër (mosbesim) i hapur për të cilin kemi argumentin e All-llahut të Madhëruar. (Dhe i jemi betuar Pejgamberit) Që të flasim vetëm të vërtetën kudo që të jemi dhe se nuk do t'i frikësohemi qortimit të askujt në lidhje me All-llahun.”
Nga Ebu Seid el-Hudrij r.a. transmetohet se Pejgamberi s.a. v.s. ka thënë: “Ruajuni uljes nëpër rrugë!” Thanë: “O i Dërguari i All-llahut, ne nuk kemi rrugëdalje nga qëndrimi ynë në rrugë për të biseduar mes vete.” Atëherë i Dërguari i All-llahut sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem tha: “Nëse nuk mund t’ia dilni pa qëndruar (ulur) në rrugë, atëherë jepjani rrugës të drejtën e saj!” Thanë: “E çfarë është e drejta e rrugës, o i Dërguari i All-llahut? Tha: “Ulja e shikimit, mospengimi në të, kthimi i selamit, të urdhëruarit për të mirë dhe ndalimi nga e keqja.”
Nga Ebu Zejd Usame ibn Zejd ibn Harithe r.a. transmetohet se ka thënë: “E kam dëgjuar të Dërguarin e All-llahut sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem duke thënë: “Në Ditën e Gjykimit do të sillet një njeri dhe do të hidhet në zjarr (Xhehenem), e organet e barkut do t'i dalin jashtë dhe do të sillet rreth tyre siç sillet gomari në rrotulluesen e mullirit. Banorët e Xhehenemit do të mblidhen rreth tij e do t’i thonë: “O ti filan, çfarë të ka ndodhur? A nuk ke urdhëruar për vepra të mira dhe ke ndaluar nga të këqijat?” Ai do t’ju thotë: “Po, gjithsesi, kam urdhëruar për vepra të mira, por vetë nuk i kam kryer dhe kam ndaluar nga të këqijat, por vetë i kam punuar.”
Transmetohet nga Ebu Hurejra r.a. se i Dërguari i All-llahut sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem ka thënë: “Shenjat e munafikut (hipokritit) janë tri: kur flet, gënjen; kur premton, nuk e përmbush premtimin dhe kur diçka i besohet, ai të tradhton.”
Transmetohet nga Aishja r.anha se i Dërguari i All-llahut sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem ka thënë: “Kush bën zullum (dhunë, padrejtësi) sa një pëllëmbë tokë, do të jetë i ngarkuar me shtatë (do ta bartë në qafë në Ditën e Gjykimit).”
Transmetohet nga Ebu Musa r.a. se i Dërguari i All-llahut sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem ka thënë: “Vërtet All-llahu i jep jetë të gjatë mizorit, ndër-sa kur ta rrëmbejë nuk i shpëton dot”, pastaj lexoi: “Ja, ashtu dënon Zoti yt kur dënon qytete që kanë bërë mizori. Dënimi i tij është fort i dhembshëm.” (Hûd, 102)
Transmetohet nga Muadhi r.a. të ketë thënë: “Më dërgoi i Dërguari i All-llahut sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem e më tha: “Ti do t’i vish një populli prej Ehli Kitabit (të cilëve u është shpallë Libri, të krishterëve a jehudëve), andaj thirri ata në dëshmi se nuk ka zot përveç All-llahut dhe se vërtet unë jam i Dërguari i All-llahut. Nëse ata i binden kësaj, atëherë mësoji ata që All-llahu i ka urdhëruar me pesë namaze çdo ditë e natë, e nëse edhe këtë e pranojnë, atëherë mësoji ata që All-llahu i ka obliguar me sadaka (zekat), të cilën do t’ua marrësh pasanikëve të tyre e do t’ua japësh të varfërve të tyre, e nëse edhe këtë e pranojnë, atëherë ruhu (mos merr) nga gjërat e çmueshme të pasurisë së tyre. Dhe ruhu nga mallkimi (nëma) i të dëmtuarit, sepse mes mallkimit të tij dhe All-llahut nuk ka perde (pengesë).”
Transmetohet nga Ebu Humejd Abdurrahman ibn Sa’d es-Saidij r.a. se ka thënë: “Pejgamberi sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem e angazhoi një njeri nga Ezdi, të cilin e quanin Ibni Lutbijje- për ta mbledhur zekatin. Kur ka ardhur, ka thënë: “Kjo është juaja, kurse kjo është dhuratë për mua.” Atëherë i Dërguari i All-llahut s.av.s. u ngrit në minber dhe pasi e falënderoi dhe madhëroi All-llahun tha: “Unë e kam angazhuar një njeri nga ju të ma kryejë punën me të cilën më ka ngarkuar All-llahu, e ai vjen dhe më thotë: “Kjo është juaja, kurse këtë e kam dhuratë që më është dhuruar mua. E përse nuk ka ndenjur në shtëpinë e prindërve të vet që ta marrë atje atë dhuratë, nëse është i sigurtë? Pasha All-llahun, çdokush nga ju që, pa të drejtë, merr pjesë të zekatit do të vijë në Ditën e Gjykimit duke e bartur në qafën e vet. Nëse e ka marrë devenë, do ta bartë në qafë dhe ajo me pëllitje do ta kumtojë turpin e tij. Nëse e ka marrë lopën, do ta bartë në qafë dhe ajo me palljen e vet do ta kumtojë turpin e tij. Nëse e ka marrë delen, do ta bartë në qafë dhe ajo me blegërimën e vet do ta kumtojë turpin e tij.” Pas kësaj (i Dërguari) i ka ngritur duart e veta, aq sa e kemi parë bardhësinë e sqetullave të tij, pastaj ka thënë: “O All-llahu im, a kam komunikuar (mjaft)?”