Umer ibnu Ebi Selemi r.anhuma thotë: “Isha fëmijë dhe nën mbikëqyrjen e Pejgamberit sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem në shtëpinë e tij. Njëherë, para se t’ia fillonim ushqimit, zgjata dorën në një enë të ushqimit, por Pejgamberi sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem më tha: “Djalosh, thuaj ‘Bismil-lah’, përmende emrin e All-llahut, ha me dorën e djathtë dhe ha para vetes.”
Rijadus-Salihin
1013 hadithe · 305 kapituj403 hadithe · Të gjithë kapitujt
Xhebelete bin Suhajmi thotë: “Një vit të urisë kam ngrënë hurma me Ibnu Zubejrin. Pranë nesh kaloi Abdull-llah ibni Umeri r.a. e ne ishim duke ngrënë hurma, ndërsa ai na tha: “Mos i hani nga dy hurma menjëherë, sepse Pejgamberi sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem ka ndaluar që të hahen nga dy hurma përnjëherë.” Pastaj tha: “Përveç nëse njeriu ia lejon vëllait të vet ngrënien e dy hurmave menjëherë.”
Nga Enesi r.a. tregohet se Pejgamberi sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem merrte frymë kur pinte ujë nga tri herë.
Nga Ebu Katade tregohet se Pejgamberi sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem e ka ndaluar frymëmarrjen në enë.
Nga Sehl ibni Sa’di r.a. tregohet se Pejgamberit sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem i kishin sjellur diçka për të pirë, piu prej saj, por në anën e djathtë kishte një djalosh, ndërsa në anën e majtë ishin disa njerëz të moshuar, e i Dërguari i All-llahut i tha djaloshit: “A më lejon mua që së pari t’u jap këyre?” Djaloshi u përgjigj: “Jo, për All-llahun, unë askujt nuk i jap përparësi në atë që më takon prej teje.” Pejgamberi sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem me dorën e vet i dha të pijë.” Ky djalosh ishte ibni Abbasi
Nga Ebu Seid El-Hudriu r.a. tregohet: “I Dërguari i All-llahut ndaloi kthimin e grykës së enëve për pije.” (Fjala është për enë prej lëkure, kur gryka e saj kthehet ashtu që pjesa e brendshme të dalë jasht).
Ibni Abbasi r.a. thotë: “I dhash ujë Pejgamberit sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem prej Zemzemit dhe ai piu duke qëndruar në këmbë.”
Ebu Xhuhajfe, Vehb ibni Abdil-lahu r.a. thotë: “E kam parë Pejgamberin sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem në Meke, në Ebtah (vend afër Mekes), në tendën e tij të kuqe prej lëkure. Doli Bilali me ujin për abdest. Disave u kullonte uji i abdestit, e disa e fshinin. Atëherë doli Pejgamberi sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem që kishte veshur një pallto të kuqe. Sikur tani i shoh kërcijtë e tij të bardhë. Mori abdest, ndërsa Bilali thirri ezanin. Unë e përcillja se çfarë thonte me gojën e vet, duke u kthyer herë në të djathtë e herë në të majtë: “Ejani në namaz, ejani në shpëtim!” Pastaj para vetes vuri një shkop të shkurtër, doli përpara dhe u fal. Para tij kalonin qentë dhe gomarët pa pengesë.”
Xhabiri r.a. tregon se : “Pejgamberi sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem ditën e çlirimit të Mekkes ka hyrë në të me çallmë të zezë.”
Mugire ibni Shu’be r.a. thotë: “Një natë udhëtova me të Dërguarin e All-llahut, e ai më tha: “A ke ujë?” Unë iu përgjigja: “Po!” Ai atëherë zbriti prej kafshës kalëruese të vet dhe shkoi larg derisa më nuk dukej nga terri i natës, pastaj u kthye. Unë atëherë ia përgatita një enë me ujë dhe ai e lau fytyrën e vet, por, pasi kishte veshur një xhybe prej leshi, nuk mundej t’i nxirrte duart, derisa i përvoli mëngët nga ana e poshtme e xhybes. Pastaj i lau bërrylat dhe i dha mes-h kokës. Unë desha t’i ndihmoj që t’i heq të dy mestet, e ai tha: “Lëre, i kam mbathur në këmbë të pastra”, atëherë vetëm i ka dhënë mes-h mesteve.”
Umer bin Hattabi r.a. thotë: “E kam dëgjuar Pejgamberin s.a. v.s. duke thënë: “Vërtet, mëndafshin e vesh ai që nuk ka fat.”
Enesi r.a. thotë: “Pejgamberi sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem ka thënë: “Kush e ka veshur mëndafshin në këtë botë, nuk do ta veshë atë në botën e ardhshme (ahiret).”
Enesi r.a. thotë: “I Dërguari i All-llahut ua lejoi veshjen e rrobave të mëndafshta Zubejrit dhe Abdurrahman ibni Avfit, për shkak të zgjebes.”
Berra ibni Azibi r.a. thotë: “Pejgamberi sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem më ka thënë: “Kur të shkosh në shtrat, merr abdest sikurse për namaz, e pastaj shtrihu në anën e djathtë dhe thuaj: ‘O Zoti im, Ty të dorëzohem me shpirtin tim, te Ti drejtohem me fytyrën time, Ty të autorizoj për çështjen time, Ty të dorëzohem për dëshirat dhe peripecitë e mia. Nuk ka strehim dhe shpëtim përveç te Ti. Unë i besoj Librit Tënd të shpallur si dhe Pejgamberit Tënd të dërguar.’ Le të jenë këto fjalët e tua të fundit.”
Aishja r.anha thotë: “I Dërguari i All-llahut falte gjatë natës njëmbëdhjetë rekate dhe kur agonte i falte dy rekate të shkurtra, pastaj shtrihej në anën e tij të djathtë derisa vinte muezini dhe thirrte ezanin.”
Ebu Katade r.a. tregon se Pejgamberi sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem ka thënë: “Ëndrra e mirë - në një rivajet tjetër ëndrra e bukur - është prej All-llahut, ndërsa ëndërrimi i keq është prej shejtanit. Prandaj, ai që sheh në ëndërr diçka që nuk i pëlqen, le të fryjë tri herë në të majtë dhe le të kërkojë mbrojtjen e All-llahut nga shejtani dhe nuk do t’i bëjë dëm asgjë.”
Ebu Hurejra r.a. tregon se Pejgamberi sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem ka thënë: “Pasi All-llahu e krijoi Ademin a.s. i tha: “Shko dhe përshëndete atë grup të melekëve që janë ulur dhe dëgjo si do të përshëndesin. Ajo përshëndetje do të jetë përshëndetja jote si dhe përshëndetja e pasardhësve të tu.” Ademi a.s. u tha: “Es-selamu alejkum”, e ata u përgjigjën: “Es-selamu alejke ue rahmetull-llah!” (Paqja dhe mëshira e All-llahut qoftë mbi ty!), duke ia shtuar: “Ue rahmetull-llah” (mëshira e Zotit).”
Ebu Umare El-Berra ibni Azibi r.anhuma thotë: “Pejgamberi i All-llahut më ka urdhëruar me shtatë gjëra: vizitën e të sëmurit, përcjelljen e xhenazes, kërkimin e shëndetit për atë që teshtin, ndihmën e të dobëtit, ndihmën e të shtypurit, përhapjen e selamit – paqes dhe pranimin e betimit të atij i cili betohet në diçka.”
Aishja r.a. tregon se Pejgamberi sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem ka thënë: “Ky është Xhibrili, të përshëndet me selam.” Unë atëherë i thashë: “Ue alejhis-selamu ue rahmetullahi ue berekatuhu.”
Ebu Hurejra r.a. tregon se Pejgamberi sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem ka thënë: “Kalorësi përshëndet këmbësorin, këmbësori atë që është ulur, grupi i vogël e përshëndet grupin e madh.”