10. Junus · Ajeti 11 · Tefsir
Shënimet shpjeguese të Sherif Ahmetit (Kurani me Komentim) 10:11–10:20
Ndodh që njeriu të jetë i hidhëruar ndaj vetes ose ndaj dikujt, e të kërkojë prej Zotit ndonjë të keqe për veten ose tjetrin. Mirëpo, Zoti mëshirues nuk e pranon atë lutje, që ta shkatërrojë atë, kundër të cilit bëhet lutja, duke ditur se lutësi do të tërhiqet prej asaj po sa t'i kalojë hidhërimi. E kur është fjala për lutjet për të mira, ato me të shpejtë i pranon, prandaj kjo është një e mirë e madhe për njerëzit nga i Madhi Zot.
Njerëzit me karakter të dobët janë të atillë që kur i gjen ndonjë gjë e pakëndshme, e lusin Zotin në të gjitha gjendjet, e kur ua largon ai atë të keqe, harrojnë Zotin. Kjo është dobësi e njeriut, besimtar ose jobesimtar.
Idhujtarët mekas nuk mendonin se shumë popuj para tyre ishin shkatërruar, e do të shkatërroheshin edhe ata, poqese nuk do të ndiqnin rrugën e drejtë. Ata i thonin Muhammedit: na e sill një libër tjetër që nuk i përqesh zotat tanë, ose ndrysho ato pjesë ku përqeshen zotat tonë e lavdëroi ata. Muhammedi ju tha: Unë nuk e shpika Kur'anin, ju e dini se katërdhjetë vjet isha me ju e nuk u thash asgjë, sepse as nuk kam ditur gjë, tash më mësoi Allahu, prandaj po i ju kumtoj ato. Shpallja është çështje e Zotit e jo imja.
Prej Ademit e deri në kohën pak para Nuhut, njerëzit ishin të një besimi, e kur u shfaq ndër disa besimi i kotë, Zoti dërgoi Nuhun e pas tij edhe të tjerët, sepse vendimi i Zotit në ezel ishte të mos i shkatërrojë menjëherë kundërshtarët, andaj i la të jetonin deri në një kohë. Idhujtarët mendonin se mrekullia është vepër e Pejgamberit, ndaj, kërkonin ndonjë mrekulli fizike. Ajo është vepër e Zotit, të cilën e shfaq Ai atëherë kur do.
Tefsiri i shkurtuar i Ibn Kethirit (Tejsir el-Alijj el-Kadir) 10:11
Allahu i Lartësuar na tregon për kujdesin, butësinë dhe mëshirën e Tij të pashembullt me robërit e Tij. Kështu, Ai nuk u përgjigjet lutjeve ose mallkimeve, që ata bëjnë kundra vetes, pasurisë ose fëmijëve të tyre në momentet e zemërimit, kur nuk mendojnë me qetësi. Ai e di mirë se ato janë fjalë që lëshohen pa qëllim dhe, për këtë arsye, Ai nuk i përmbush lutjet e tyre, prej butësisë dhe mëshirës së Tij të madhe. Ndryshe ndodh kur ata luten për mirë për veten, fëmijët dhe pasurinë e tyre, që Allahu t’u dhurojë bekim e mirësi në to, t’ua shtojë e ruajë nga çdo e keqe. Për këtë arsye, i Lartësuari thotë: “Sikur Allahu t’ua shpejtonte njerëzve pranimin e kërkesës për të keqen, ashtu siç pranon shpejtimin e kërkesës për të mirën, atyre do t’u përfundonte afati.” Pra, ata do të shkatërroheshin. Sidoqoftë, njeriu duhet të jetë i kujdesshëm dhe nuk duhet të shtojë e teprojë me të tilla mallkime e lutje kundër vetes, sikurse vjen në hadithin që e sjell Bezzari nga Xhabiri, se Profeti i Allahut ka thënë: 1450. “Mos u lutni kundër vetes tuaj, mos u lutni kundër fëmijëve tuaj, mos u lutni kundër pasurive tuaja; se mund të ndodhë të takoni çastin kur Allahu i përgjigjet lutjeve, dhe atëherë Ai do t’iu përgjigjet lutjeve tuaja.” Kjo ngjan me ajetin kuranor: “ Njeriu lutet për keq, ashtu sikurse lutet për mirë. Njeriu është, vërtet i ngutshëm.” [Isra 11].
Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman) 10:11
- "Sikur Allahu t’ua shpejtonte njerëzve pranimin e kërkesës për të keqen, ashtu siç pranon shpejtimin e kërkesës për të
mirën, atyre do t’u përfundonte afati. " - Kjo tregon për mëshirën dhe kujdesin e Allahut të Madhëruar për robërit e Tij. Nëse Ai do t'ua përshpejtonte ndëshkimin për ligësitë që bëjnë, ashtu sikurse ua përshpejton shpërblimin kur bëjnë punë të mira, do të merrte fund çështja e tyre dhe ata do të shfaroseshin nga ndëshkimi. Allahu i Madhëruar i afatizon ata, por kurrsesi nuk i harron apo braktis. Ai fal shumë e shumë prej hakut të Tij të shkelur prej tyre. Nëse do t’i merrte në përgjegjësi e ndëshkonte për të gjitha padrejtësitë e tyre, nuk do të linte asnjë në faqen e dheut. 56 Në këtë fjalë të Zotit përfshihet edhe rasti kur njerëzit mund të zemërohen dhe mallkojnë nga zemërimi familjen dhe fëmijët. Nëse këto lutje të këqija do të pranoheshin prej Allahut ashtu sikurse Ai pranon dhe realizon lutjet e mira, atëherë njerëzit do të shkatërroheshin. Por Allahu i Lartësuar është i Dashur, i Urtë dhe nuk nxitohet të ndëshkojë gabimtarët. - "Por ata që nuk janë të bindur për takimin Tonë, Ne i lëmë të enden në shfrenimin e tyre." - Këta nuk besojnë në jetën e përjetshme dhe në ringjallje, prandaj dhe nuk përgatiten për të. Ata nuk kanë frikë llogarinë e drejtë para Zotit, prandaj nuk bëjnë ndonjë vepër që t’i shpëtojë nga ndëshkimi i Tij. Të tillë njerëz, i Urti i lë në shfrenimin e tyre për të kaluar kufijtë. Ata zhyten në të kotën, për hir të së cilës kanë braktisur të vërtetën dhe kanë shkelur kufijtë e Zotit. Allahu i lë ata, sikurse thotë: "jea'mehun", domethënë, të çorod itur, të pavendosur dhe të turbullt në vendimet e tyre. Ata nuk arrijnë ta gjejnë rrugën e drejtë dhe nuk u jepet sukses që të kuptojnë argumentet dhe faktet më të drejta dhe të vërteta. Ky është ndëshkimi i tyre dhe i çdokujt që zhytet në padrejtësi dhe që shpërfill e mohon argumentet dhe shpalljet e Zotit.