10. Junus · Ajeti 27 · Tefsir

Shënimet shpjeguese të Sherif Ahmetit (Kurani me Komentim) 10:21–10:30

Idhujtarët mekas qenë sprovuar me një skamje disa vjet rresht. Kërkuan prej Pejgamberit t'i lutet Zotit dhe i premtuan se do të besojnë. Kur u fali Zoti rahmet, shi, ata sërish e vazhduan rrugën e tyre të gabuar, duke përgënjeshtruar argumentet, por melaikeve, përcjellës të njeriut, nuk u shpëton asgjë pa evidentuar.

Të frikësuarit në anije, të cilët i humbën të gjitha shpresat për shpëtim, i drejtohen me lutje Allahut, pse njeriu është i gatuar në atë mënyrë që kur këputen lidhjet e tjera, i kthehet Zotit të vërtetë. E kjo bën të kuptohet se bindja ndaj Zotit është e ngjeshur në shpirtin e çdo njeriu, por duke u mbështetur në lidhjet e tjera, largohet për një kohë nga ajo bindje.

Kur njerëzit begatohen, zbukurojnë mjetet e kësaj jete, u mbushet mendja se janë të zotët i e çdo gjëje dhe e harrojnë Zotin, prandaj i gjen e keqja.

Turpësia më e madhe për ata që pos Zotit luten edhe ndonjë send tjetër, është ditën e kijametit, kur sendet të cilat i lutën dhe që pritën prej tyre ndonjë ndihmë, refuzojnë se kanë qenë të adhuruara prej tyre, dhe atyre u shkon lutja kot.

Tefsiri i shkurtuar i Ibn Kethirit (Tejsir el-Alijj el-Kadir) 10:27

Në ajetet më sipër, Allahu i Lartësuar na njoftoi për gjendjen e fatlumëve, të cilëve do t’ua shumëfishojë shpërblimin për punët e tyre të mira. Madje, Ai u premtoi edhe diçka më tepër, që është shikimi në fytyrën e Tij. Më pas, Ai flet për gjendjen e të dëshpëruarve dhe ndëshkimin e tyre. Ai thotë: “Për ata që bënë të këqija, (le ta dinë se) dënimi i të keqes është aq sa e keqja.” Kështu, Allahu i Lartësuar na tregon për drejtësinë e Tij absolute në lidhje me ta dhe faktin se Ai do t’i shpaguajë ata barabar për çdo të keqe, pa ua shtuar aspak ndëshkimin. 1. Pastaj i Lartësuari thotë: “Ata do t’i mbulojë poshtërimi.” Ata ka për t’i mbuluar përçmimi, prej poshtërsive dhe gjynaheve të tyre. Shpirtin e tyre do ta pushtojë tmerri, për shkak të gjynaheve që kanë bërë, siç thotë Allahu i Lartësuar në një ajet tjetër: “...Do t’i shohësh keqbërësit që, kur ta vërejnë dënimin, do të thonë: “A ka ndonjë rrugë për t'u kthyer (në jetën tokësore) ?”. Do t’i shohësh ata duke iu afruar Zjarrit të përulur nga nënshtrimi, se si e shikojnë tinëz me bisht të syrit...” [Shura 45]. Ose: “Kurrsesi mos mendo se Allahu është i pakujdesshëm ndaj veprimeve të keqbërësve! Ai vetëm është duke u dhënë afat deri në Ditën, kur sytë të shtangen nga tmerri. Ata janë duke vrapuar me kokat lart, me sytë e tyre të hapur e të papulitur me zemrat e tyre të zbrazëta. Prandaj paralajmëroji njerëzit për Ditën kur do t’u vijë Dënimi dhe kur keqbërësit do të thonë: “Zoti ynë! Na lër edhe për pak kohë që t’i përgjigjemi thirrjes Sate dhe t’i pasojmë të dërguarit!” Po, a nuk e kishit zakon të betoheshit më parë se nuk kishit për t’u larguar kurrë (nga mirësitë e kësaj dynjaje)?” [Ibrahim 42 - 44]. Në vijim, Allahu i Lartësuar thotë: “Ata nuk mund t’i mbrojë kush nga Allahu.” Askush nuk mund t’i mbrojë ata prej ndëshkimit të Allahut të Lartësuar. Kjo ngjan me ajetin: “... atë ditë, njeriu do të thotë: “Ku të futem?” Jo, nuk ka se ku të futet. Atë ditë, vetëm te Zoti yt është kthimi. Atë ditë, njeriu do të njihet me atë që ka bërë dhe me atë që ka lënë pa bërë. Madje, njeriu do të jetë dëshmitar i vetvetes, edhe nëse paraqet arsyetime.” [Kijame 10 - 15]. Ndërsa në këtë ajet tha: “Fytyrat e tyre do të jenë sikur t’i ketë mbuluar një pjesë nga terri i natës. Ata janë banorë të Zjarrit. Ata do të jenë

atje përjetësisht.” Ja, kështu do të jenë fytyrat e tyre në ahiret. Sikurse ka thënë i lartësuari: “Ditën kur do të ketë fytyra që zbardhen dhe fytyra që nxihen, atyre të cilëve u janë nxirë fytyrat do t'u thuhet: “A mohuat edhe pasi kishit besuar?! Atëherë, vuajeni dënimin, për shkak të mohimit tuaj!” Ndërsa ata të cilëve u janë zbardhur fytyrat, ata janë në Mëshirën (xhenetin) e Allahut, ku do të jenë përjetësisht.” [Al Imran 106, 107], ose: “Atë Ditë do të ketë fytyra të shndritura,të buzëqeshura e të gëzuara. Atë ditë do të ketë edhe fytyra të pluhurosura, që i ka mbuluar errësira. Këta janë mohuesit, gjynahqarët. ” [Abese 38 - 42].

Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman) 10:27

- "Për ata që bënë të këqija, (le ta dinë se) dënimi i të keqes është aq sa e keqja. " - Pasi përshkroi banorët e Xhenetit, Allahu i Madhëruar vijoi të flasë për banorët e Zjarrit. Ai na tregon se ligësia që grumbullojnë në këtë dynja janë pikërisht veprat e këqija, që e zemërojnë Atë, si llojet e shumta të kufrit dhe të gjitha format e poshtërsive dhe të shfrenimit. Për këtë arsye, shpërblimi që do të marrin është sipas

poshtërsive të tyre, pra, i keq dhe dëshpërues. Ky dënim ka për t’i trishtuar në varësi të veprave që bëjnë. Allahu i Madhëruar na njofton se: - Ata do t’i mbulojë poshtërimi. Ata nuk mund t’i mbrojë kush nga Allahu. " - Ata i mbulon poshtërimi dhe tmerri nga ndëshkimi i Allahut. Askush nuk mund ta pengojë atë ndëshkim apo t’i shpëtojë ata prej tij. Tmerri i brendshëm shfaqet edhe së jashtmi, sepse ai shndërrohet në nxirje për fytyrat e tyre: - "Fytyrat e tyre do të jenë sikur t’i ketë mbuluar një pjesë nga terri i natës. Ata janë banorë të Zjarrit. Ata do të jenë atje përjetësisht." - Do të jenë përjetësisht në këtë gjendje të mjerueshme, nga e cila askush nuk u del në ndihmë që t’i shpëtojë. Krahasoni vetë tani gjendjen e dy grupeve. Në një ajet tjetër, i Madhëruari thotë: "Atë Ditë do të ketë fytyra të ndritura, që Zotin e tyre do të shikojnë. Atë Ditë do të ketë edhe fytyra të zymta, që presin atë (Dënim të ashpër) që të thyen kurrizin." [Kijame 22 - 25]. Gjithashtu: "Atë Ditë do të ketë fytyra të shndritura, Të buzëqeshura e të gëzuara. Atë ditë do të ketë edhe fytyra të pluhurosura, që i ka mbuluar errësira. Këta janë mohuesit, gjynahqarët." [Abese 38 - 42].

← Junus 10:27