← Kthehu te rezultatet për „zemrat tuaja u ngurtesuan si guri“

10. Junus · Ajeti 31 · Tefsir

Shënimet shpjeguese të Sherif Ahmetit (Kurani me Komentim) 10:31–10:39

Të gjitha mjetet për jetesë janë dhuratë prej Zotit, si nga toka siç janë bimët, shtazët, shpezët, si nga brendia e saj siç janë mineralet, burimet etj. Të tilla janë edhe ato që vijnë nga qielli si shiu, rrezet e diellit, ndriçimi i hënës etj. Të gjitha këto ndikojnë në jetën e njeriut. Këtë do të duhej ta kuptojë çdo mendje e shëndoshë, mirëpo, duke e ditur Zoti, për shpirtin e sëmurë të disave, vendosi që ata të mbesin në errësirë, andaj ata nuk do të besojnë.

Vetëm Allahu ka fuqi të japë jetë në fillim e pa kurrfarë shembulli të mëparshëm, pra ka fuqi ta përsërisë atë edhe pas zhdukjes së saj. Prej një pike ujë, njeriu i gjallë, prej jobesimtarit, besimtar dhe anasjelltas, është fuqi e mjeshtëri vetëm e Zotit.

Për shkak se mësimet e Kur'anit nuk shkonin sipas dëshirave të idhujtarëve, ata përpiqeshin t'ia humbnin shenjtërinë e tij, duke thënë se vetë Muhammedi i shpiku ato dhe nuk janë prej Zotit, edhepse e dinin mirë të vërtetën. Edhe sot ka asish që dëshirojnë revidimin e dispozitave të Kur'anit, vetëm pse nuk përputhen me epshet e dëshirat e tyre. Gabim i madh është edhe kur disa mësues fetarë mundohen t'i përshtatin kuptimet e Kur'anit me kuptimet e ndonjë dijetari. Të gjitha mendimet e njerëzve duhet të mbështeten në Kur'an, e jo Kur'ani të mbështetet në to.

Tefsiri i shkurtuar i Ibn Kethirit (Tejsir el-Alijj el-Kadir) 10:31–10:33

- Thuaj: “Kush ju furnizon me ushqim nga qielli e nga Toka dhe kush e ka në dorë dëgjimin e shikimin tuaj? - Allahu i Lartësuar sjell një argument të pakundërshtueshëm për idhujtarët, të cilët e pranojnë njëshmërinë e Tij në rububuje, por nuk e pranojnë njëshmërinë në uluhije. Pra, ata nuk e pranojnë meritën e adhurimit të Allahut si një e të vetëm. Kështu, Allahu i Lartësuar argumenton se, ashtu sikurse Ai është i vetëm në rububije, po ashtu duhet ta pranojnë si të vetëm dhe pa ortak në uluhije. Allahu i Lartësuar thotë: “Kush ju furnizon me ushqim nga qielli e nga Toka?” Domethënë, është Allahu i Madhëruar Ai që e lëshon nga qielli ujin e shiut, me fuqinë, dëshirën dhe vullnetin e Tij. Ujitja e tokës ndihmon që të mbijnë të lashtat, drithërat dhe frutat. Allahu i Lartësuar thotë: “Le të shikojë njeriu ushqimin e vet! Ne lëshojmë ujë me mbushulli. Pastaj e çajmë tokën në thellësi, dhe bëjmë që në të të mbijnë drithëra, edhe rrush e perime, edhe ullinj e hurma, edhe kopshte të dendura, edhe pemë e kullota; Si furnizim për ju dhe për bagëtinë tuaj. ” [Abese 2 4 - 32], dhe thotë gjithashtu: “Kush është ai që do t’ju furnizojë, nëse Ai jua ndërpret furnizimin e Vet? Jo, askush. Por ata vazhdojnë me arrogancë e kundërshtime.” [Mulk 21]. Më pas, i Lartësuari thotë: “... kush e ka në dorë dëgjimin e shikimin tuaj?” Domethënë, kush jua dhuron dëgjimin dhe shikimin? Kush jua kthen, nëse Ai dëshiron t’jua rrëmbejë. Allahu i Lartësuar thotë në një ajet tjetër: “Thuaj: “Është Ai që ju krijoi, që ju dhuroi të dëgjuarit, shikimin dhe aftësinë e të menduarit, por shumë pak mirënjohje po tregoni ndaj Tij.” [Mulk 23]. “Thuaj: “Mendoni sikur Allahu t'jua merrte të dëgjuarit e shikimin dhe t'jua mbyllte zemrat, atëherë cili zot tjetër, veç Allahut, do t’jua jepte ato?” Shih se si ua sqarojmë Ne Shenjat, por sërish ata nuk ua vënë veshin.” [En’am 46]. - Kush e nxjerr të gjallin nga i vdekuri dhe kush e nxjerr të vdekurin nga i gjalli?” - Nga një farë, që ngjan si e ngurtë dhe e vdekur, Ai e nxjerr frutin, që rritet e sjell plot dobi e begati, dhe pastaj nga fruti nxjerr bërthamën. Ai nxjerr një fëmijë të mirë dhe besimtar të rregullt nga një njeri i keq e jobesimtar. Nga veza e ngurtë, Ai nxjerr një zog që jeton, dhe anasjelltas, e të tjera raste të ngjashme në gjërat që Ai ka krijuar. - Kush është Ai që rregullon çdo çështje? - Allahu është administrues i gjithçkaje dhe Ai që vendos dhe gjykon për gjithçka. Askush nuk mund të kontestojë gjykimin e Tij. Ai nuk pyetet për atë që bën, kurse ata do të pyeten. Ai thotë: “Atij i drejtohet me lutje çfarë është në qiej e në Tokë. Në çdo çast, Ai merret me shumë çështje.” [Rahman 29]. Atij i takon sundimi e mbretërimi në gjithë krijimin e Tij. Çdo gjë është e varur dhe nevojtare për kujdesin e Allahut, është rob dhe e nënshtruar para Tij. - Ata do të thonë: “Allahu”. - Domethënë, ata e pranojnë dhe besojnë se Allahu i Lartësuar është i vetmi Furnizues dhe Krijues, Ai është Administruesi i gjithçkaje. Ata e dinë me siguri diçka të tillë. - Thuaj: “Atëherë, nuk keni frikë?” - Si nuk frikësoheni, por vazhdoni të adhuroni zota të tjerë, duke trilluar se janë ortakë të Tij?! Këtë ju e bëni thjesht duke u bazuar në logjikën e prishur dhe paditurinë tuaj.126 - Ai është Allahu, Zoti juaj i vërtetë. - Pikërisht Ai, për të Cilin ju e pranonit se i bën të gjitha këto vepra e ka këto atribute të mrekullueshme dhe të plota, Ai është Zoti juaj, Krijuesi, Furnizuesi, Administruesi dhe

Kujdestari, por edhe i vetmi që meriton ta njësoni, duke i a përkushtuar Atij të gjitha adhurimet. - Pas së vërtetës nuk ka asgjë tjetër, veç kotësisë. - Çdo gjë tjetër, që adhuroni veç Tij, është e kotë, është trillim, diçka e pavërtetë dhe që nuk ekziston. Nuk ka të adhuruar tjetër me meritë veç Tij. Ai është i vetëm në çdo aspekt dhe nuk ka ortak. - Atëherë, si po i ktheni shpinën? - Si devijoni dhe largoheni nga adhurimi i Allahut, për t’ia përkushtuar adhurimin dikujt tjetër, ndërkohë që ju e dini mirë se Ai është Zoti i Cili ka krijuar gjithçka dhe Ai që administron dhe rregullon çështjet e çdo gjëje. - Ky është vendimi i drejtë i Zotit tënd kundër të shfrenuarve. Ata kurrë nuk do të besojnë. - Idhujtarët këmbëngulnin me kokëfortësi në idhujtarinë e tyre, edhe pse e pranonin se Allahu është i vetmi që ka cilësitë e zotërimit (të rububijes). Pikërisht për këtë kokëfortësi dhe vazhdimësi në të kotën, u bë e pashmangshme dhe e meritueshme që mbi ta të zbatohej vendimi i Allahut që ata të jenë të dëshpëruar e përjetë banorë të Zjarrit. Pa dyshim, ky është një shpërblim i merituar sipas llojit të punës së tyre, sikurse thotë Allahu në një ajet tjetër: “Dhe ata që nuk besojnë do të sillen në Xhehenem grupe -grupe. Kur arrijnë tek ai, dyert e tij hapen dhe roja e tij do t’u thotë: “A nuk ju erdhën të dërguar nga mesi juaj, që t'ju lexonin shpalljet e Zotit tuaj dhe t'ju paralajmëronin për takimin tuaj në këtë ditë?!” Ata do thonë: “Po”. Por vendimi i dënimit për jobesimtarët tashmë është bërë realitet! Atyre do t’u thuhet: “Hyni në dyert e Xhehenemit! Aty do të jeni përgjithmonë! Eh, sa vend i keq është ai për kryeneçët!” [Zumer 71, 72].

Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman) 10:31–10:32

Idhujtarët, - edhe pse adhuronin idhujt, për të cilët Allahu nuk u kishte dhënë asnjë argument, - e besonin dhe pranonin se Allahu është i vetmi për sa i përket rububije-s. (Njëshmërisë së Tij në Zotërimin dhe sundimin mbi krijesat) Në këto ajete i Lartësuari këshillon që t’u kujtojmë idhujtarëve diçka që ata e pranojnë, për t’i bërë të reflektojnë dhe të kthehen në rrugën e drejtë, domethënë në njësimin e Zotit edhe në çështjen e uluhije-s (Njëshmërisë së Tij në meritën e adhurimit të Tij si Një dhe i Vetëm.) Thotë i Madhëruari: - "Thuaj: “Kush ju furnizon me ushqim nga qielli e toka dhe kush e ka në dorë dëgjimin e shikimin tuaj? " - Mendohuni pak, o idhujtarë të mjerë, kush është i vetmi që ju lëshon nga qielli rriskun me shiun? Po prodhimet nga toka kush i nxjerr? Kush e ka bërë tokën të përshtatshme për të marrë prej saj gjithçka që ju nevojitet? A nuk është Zoti ai që i krijo i ato dhe që i ka nën sundimin e pronësinë e Tij? Kush e ka në dorë dëgjimin e shikimin tuaj? Zoti veçon këto dy mirësi të domosdoshme (dëgjimin e shikimin) për të na kujtuar edhe shumë e

shumë mirësi të tjera, që vijnë poshtë tyre për nga rëndësia. Nuk ka dyshim se këto të dyja janë nga mirësitë më të dobishme dhe më të rëndësishme që Zoti jep dhe krijon. - "Kush e nxjerr të gjallin nga i vdekuri dhe kush e nxjerr të vdekurin nga i gjalli? " - Ai e nxjerr jetën nga diçka e vdekur, si p.sh. bimët e pemët nga një farë, ose një jobesimtar e bën besimtar, ose nxjerr zogun nga veza ose raste të ngjashme. Ai e nxjerr edhe të vdekurin nga i gjalli, siç ndodh me të kundërtat e atyre që u përmendën. - "Kush është Ai që rregullon çdo çështje? Ata do të thonë: “Allahu”. - Kush është Ai që administron dhe rregullon çështjet e krijesave të botës së sipërme dhe asaj të poshme. Tedbir-i (përkujdesi) i Tij është gjithëpërshirës dhe absolut, nga i cili nuk përjashtohet asgjë . Kështu, nëse i pyet ata për diçka të tillë, do të thonë: Allahu, sepse e pranojnë gjithçka prej rububijes dhe njëshmërisë së Zotit në këto çështje. Atëherë, duke i bërë të mendojnë e gjykojnë drejt, thuaju: - "Thuaj: “Atëherë, nuk keni frikë? ” - A nuk i frikësoheni ndëshkimit dhe zemërimit të Tij? Ju nuk keni asnjë mundësi tjetër për t’i shpëtuar atij, por veçse duke e njësuar Atë në adhurim. Adhurojeni vetëm Atë me sinqeritet dhe ashtu si ju ka urdhëruar Ai përmes shpalljes së Tij. Largojuni njëherë e mirë poshtërsive dhe adhurimit të idhujve dhe nënshtrohuni të adhuroni Zotin si një të vetëm dhe të jetoni sipas shpalljes së Tij. - "Ai është Allahu, Zoti juaj i vërtetë. Pas të vërtetës nuk ka asgjë tjetër, veç kotësisë. " - Ai i cili e përshkroi Veten e Vet me këto cilësi është Zoti juaj dhe i Adhuruari juaj. I vetmi që ju duhet ta adhuroni, ta doni e t’i thurni lavde të sinqerta është Allahu, sepse Ai është i vetmi që ka krijuar gjithçka dhe përkujdeset për krijesat e Tij me mirësitë e pafundme të dhuruara prej Tij. Ai është e vërteta e pamohueshme, ndërsa gjithçka tjetër është e kotë dhe e pavërtetë. Allahu është i vetmi që krijon e rregullon, i vetmi që administron çështjet e krijesave. Nuk ka mirësi që të mos e ketë fillesën nga Ai. Vetëm Ai i sjell mirësitë dhe vetëm Ai të ruan dhe shpëton nga ligësitë. Ai ka emrat më të bukur, që janë tregues të cilësive të plota dhe madhështore. Ai është Bujari i Lartësuar dhe Krenar. Atëherë natyrshëm vjen pyetja dhe habia: - Atëherë, si po i ktheni shpinën?" - Si i shmangeni dhe largoheni adhurimit të Atij që ka këtë përshkrim, dhe i përkushtoheni adhurimit të krijesave që janë të varfra e të pafuqishme? Si adhuroni diçka që nuk ka në dorë asnjë mundësi për dëm apo dobi as për veten e vet, që nuk ka në dorë të japë jetën apo vdekjen dhe nuk ka pushtetin të ringjallë?! Edhe nëse bëhet fjalë për të ndërmejtësuar, ata mund të ndërmjetësojnë tek Zoti veçse me lejen e Tij. Atëherë, çfarë kuptimi ka përkushtimi i adhurimeve ndaj tyre, kur edhe ndërmjetësimi është në dorë të Zotit?! Ata nuk zotërojnë asnjë thërrmijë pushteti në asnjë drejtim. Kështu, i mallkuar dhe i shkatërruar qoftë çdokush që adhuron diçka tjetër veç të Vetmit e Madhështorit,

dhe mjerë e mjerë për atë që e mohon Atë! Ata nuk kanë mend dhe me vetëdije braktisin besimin e vërtetë, të dëshmuar dhe të sjellë nga Zoti. Kështu ata shkatërrojnë jetën e këtushme, fenë dhe ahiretin e tyre.

← Junus 10:31