10. Junus · Ajeti 5 · Tefsir
Shënimet shpjeguese të Sherif Ahmetit (Kurani me Komentim) 10:1–10:10
Zoti xh. sh. dërgoi pejgamberë te çdo popull, dërgoi edhe te mekasit që t'i udhëzojë dhe t'ua tërheqë vërejtjen për rrugën e gabuar që kishin marrë se do të digjeshin në zjarrin e xhehenemit, e atyre që ndjekin mësimet e Zotit, do të shpërblehen me xhennet.
Idhujtarët mekas, nuk munden ta kuptojnë këtë ligj të Zotit dhe nuk munden ta kuptojnë se një njeriu të mesit të tyre mund t'i vijë shpallja nga Zoti, e pasi që ajo i erdhi dhe nuk arritën të mohonin, atë e quajtën magji.
Zoti që ia shpalli Kur'anin Muhammedit, është i gjithfuqishëm, Ai e krijoi ekzistencën brenda gjashtë dite, Po të donte do ta krijonte për një moment ose për më gjatë, por Ai deshi ta krijojë: për gjashtë etapa. Ai nuk pati as nuk ka nevojë për vend, por pasi krijoi gjithësinë qëndroi mbi Arshin. Para krijimit të gjithësisë, nuk pati nevojë për vend, nuk pati nevojë as pas krijimit: po i përse atëherë tha: qëndron mbi Arsh" Kjo është punë e Tij, e askujt tjetër!
Ai i shpik krijesat, i zhduk ato, e sërish i rikthen për t'i shpërblyer a ndëshkuar. Ai krijoi I diellin e shkëlqyer, vezullues dhe hënën e ndritshme me anën e së cilës njerëzit dinë të llogarisin kohën. Ai bëri që nata e dita të ndërrohen njëra me tjetrën për të mirën e njerëzimit. i Kur njeriu vështron fuqinë dhe mjeshtërinë e Zotit, nuk është për t'u habitur pse Ai ia shpalli Kur'anin Muhammedit dhe përmes tij na njoftoi se vend i kundërshtarëve është xhehenemi, e vendi i respektuesve xhenneti, në të cilin xhennetlinjtë për shkak të kënaqësisë e përjetimeve të të mirave madhërojnë Allahun, përshëndesin njëri-tjetrin dhe falënderojnë Zotin e gjithësisë.
Tefsiri i shkurtuar i Ibn Kethirit (Tejsir el-Alijj el-Kadir) 10:5–10:6
- Është Ai që Diellin e bëri shndritës, ndërsa Hënën e bëri të shkëlqejë dhe i përcaktoi fazat e saj, që ju të dini numrin e viteve dhe të bëni përllogaritje (të kohës). - Allahu i Lartësuar flet rreth krijesave madhështore që ka krijuar, të cilat janë shenja të qarta treguese për pushtetin absolut dhe sundimin e Tij madhështor. Kështu, Ai e bëri Diellin të jetë shndritës, me rrezet që burojnë nga trupi i tij, ndërsa Hënën e bëri “të shkëlqejë”. Kështu, ndriçimi që vjen nga njëri është ndryshe nga ai që vjen nga tjetri. Allahu ka bërë dallime të dukshme mes tyre. Gjithashtu, Allahu i Lartësuar përcaktoi fazat e Hënës. Fillimisht, ajo del e vogël, pastaj dalëngadalë zmadhohet e plotësohet, duke u forcuar edhe drita e saj, derisa bëhet si një rreth, plotësisht e rrumbullakët. Më pas, Hëna nis të hahet dalëngadalë, derisa kthehet përsëri në gjendjen e parë, ashtu sikurse ishte në përfundim të muajit. Ky ajet i ngjan fjalës së Allahut të Lartësuar: “Edhe Dielli udhëton për në kufirin e vet (përfundimtar). Ky është përcaktimi i Ngadhënjimtarit, i të Gjithëditurit. Edhe Hënës ia kemi caktuar fazat e saj, derisa të kthehet në formën e harkut (hurmës së tharë). As dielli nuk mund ta arrijë hënën, e as nata nuk mund ta kalojë ditën. Secili (trup qiellor) noton në orbitën e vet.” [Jasin 38 - 40]. Gjithashtu: “Ai është Krijuesi i dritës së mëngjesit. Natën e bëri për qetësi, kurse Diellin dhe Hënën për llogaritjen e kohës. Ky është caktim i Ngadhënjimtarit, të Gjithëditur.” [En'am 96]. Ndërsa në këtë ajet, Allahu i Lartësuar thotë: “...i përcaktoi fazat e saj, që ju të dini numrin e viteve dhe të bëni përllogaritje (të kohës).” Kështu, me lëvizjen e Diellit dhe të Hënës llogariten ditët, muajt, vitet. - Allahu e krijoi këtë veçse me të vërtetën e madhe. - Allahu i Madhëruar nuk i krijoi gjithë këto gjëra pa një qëllim, por i krijoi për një urtësi të madhe dhe si një argument të prerë dhe të pakundërshtueshëm, që tregon për madhështinë e pushtetin e Tij absolut. Kjo i ngjan fjalës së Allahut të Madhëruar: “Ne nuk e krijuam qiellin dhe tokën dhe ç'ka mes tyre, pa qëllim . Kështu mendojnë ata që nuk besojnë. Mjerë ata që nuk besojnë nga Zjarri (i Xhehenemit). ”
Mos vallë, do t’i trajtojmë njëlloj ata që besojnë dhe bëjnë vepra të mira me ata që bëjnë shkatërrime në tokë? Apo mos vallë do t’i konsiderojmë njëlloj si të devotshmit dhe ata që janë gjynahqarë? ” [Sad 27 , 28], ose: “A menduat atëherë, ju se Ne ju patëm krijuar kot dhe se ju nuk do të ktheheshit te Ne (për llogari) ? I lartësuar qoftë Allahu, Sunduesi, i Vërteti! Nuk ka zot tjetër (të denjë për adhurim), përveç Tij. Ai është Zoti i Arshit të nderuar.” [Muminun 115, 116]. - Ai i sqaron argumentet për një popull të ditur. - Ne i qartësojmë argumentet dhe faktet për njerëzit. Por për cilët njerëz? Allahu i Lartësuar thotë: “... për një popull të ditur.” Domethënë, të diturit përfitojnë nga ajetet e qartësuara dhe argumentet e plota të sjella nga Allahu i Lartësuar. - Me të vërtetë, në ndërrimin e natës me ditën dhe në atë që krijoi Allahu në qiej e në Tokë, ka fakte për njerëzit që i frikësohen (Allahut). - Allahu i Lartësuar përmend “ndërrimin e natës me ditën”. Kështu, kur vjen nata, largohet dita, e kur vjen dita, largohet nata dhe nuk ndodh asnjë vonesë në kohën e ardhjes dhe largimit të tyre. Kjo ngjan me ajetin e Allahut të Lartësuar: “... Ai e mbulon ditën me natën, që me të shpejtë e kërkon atë sërish. Edhe Dielli, Hëna dhe yjet i janë nënshtruar sundimit të Tij. Vetëm Atij i takon Krijimi dhe Sundimi. I Madhëruar qoftë Allahu, Zoti i botëve! ” [ El ea’raf 54]. Ose: “ Edhe Dielli udhëton për në kufirin e vet (përfundimtar). Ky është përcaktimi i Ngadhënjimtarit, i të Gjithëditurit. Edhe Hënës ia kemi caktuar fazat e saj, derisa të kthehet në formën e harkut (hurmës së tharë). As dielli nuk mund ta arrijë hënën, e as nata nuk mund ta kalojë ditën. Secili (trup qiellor) noton në orbitën e vet.” [Ja Sin 38 - 40], ose: “ Ai është Krijuesi i dritës së mëngjesit. Natën e bëri për qetësi, kurse Diellin dhe Hënën për llogaritjen e kohës. Ky është caktim i Ngadhënjimtarit, të Gjithëditur.” [En’am 96]. Më pas, Allahu i Lartësuar thotë: “... dhe në atë që krijoi Allahu në qiej e në Tokë, ka fakte për njerëzit që i frikësohen (Allahut).” Domethënë, edhe në këto ka shenja, që na tregojnë qartë madhështinë e Allahut të Lartësuar, siç thuhet në ajetin tjetër: “Sa e sa argumente ka në qiej e në tokë, pranë të cilave kalojnë, por u kthejnë shpinën.” [Jusuf 105], ose: “Thuaj: “Vështroni me vëmendje atë që ndodhet në qiej dhe në Tokë! Por, as argumentet dhe as qortimet nuk u bëjnë dobi atyre që nuk besojnë.” [Junus 101], ose: “A nuk shohin ata çfarë ka para dhe pas tyre në qiell dhe në tokë? Nëse do të dëshironim, Ne do t’ua shembnim tokën nën këmbë ose do të bënim që të binin copa (dënimi) nga qielli mbi ta. Me të vërtetë, në këtë ka argument për çdo rob që kthehet (tek Allahu) i penduar e i bindur. ” [Sebe’ 9], ose: “Në krijimin e qiejve dhe të tokës dhe në ndryshimin e natës e të ditës ka argumente të qarta për ata që kanë mend.” [Al Imran 190]. Ka argumente për ata që janë të ditur e të mençur. Ndërsa në këtë ajet, Allahu i Lartësuar thotë: “ ... ka fakte për njerëzit që i frikësohen (Allahut).” Pra, për ata që janë të pajisur me takua. Ata i frikësohen zemërimit dhe ndëshkimit të Allahut.
Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman) 10:5–10:6
Pasi përmendi faktin se Ai është i vetëm në aspektin e uluhije-s dhe rububije-s, Allahu i Lartësuar vijon me argumente të shumta, logjike dhe reale, nga krijimi i Tij që e vërtetojnë këtë fakt. Këto argumente të sjella nga i Lartësuari tregojnë se ai është i Plotë dhe Absolut në emrat dhe cilësitë e Tij. Dielli, Hëna, qiejt, Toka dhe çdo gjë që Zoti ka krijuar tregojnë se Ai është i vetmi Krijues, Pronar, Sundues e Kujdestar i gjithësisë. Është Ai që çdo çështje e ka në dorën e Tij dhe nuk i ka lënë askujt asnjë thërmijë pushteti; kjo nga njëra anë. Nga ana tjetër, ata tregojnë se Ai është i vetmi i Adhuruar me meritë, që duhet lavdëruar dhe t’i nënshtrohesh me bindje të plotë në ligjin që ka urdhëruar dhe sipas të cilit Ai pëlqen që ne të jetojmë. Por Ai na njoftoi se këto argumente e shenja u bëjnë dobi veçse atyre që janë të ditur dhe atyre që kanë takua, pra, që nënshtrohen ta adhurojnë Zotin sipas porosive dhe mënyrës që Ai e ka treguar përmes profetëve. Njerëzit e ditur arrijnë t’i kuptojnë argumentet që ofrojnë këto shenja të shfaqura në krijimin e Zotit. Ata dinë të përfitojnë nga argumentet dhe t'i përkufizojnë ato me dituri dhe urtësi në formën më të kuptueshme dhe të saktë. Këtë të fal dituria. Ndërsa devotshmëria ( takua) mbjell në zemër dëshirën e mirë dhe dashurinë për të mirën, si dhe frikën dhe ruajtjen nga e keqja. Kjo dëshirë dhe vullneti i mjaftueshëm për të arritur të mirën dhe për t'u larguar nga e keqja e kanë pikënisjen nga njohja dhe analiza e sinqertë që robi u bën argumenteve të përfituara nga dituria. Me fjalë të tjera, pasi i analizon faktet e Zotit dhe krijimin e Tij me një analizë të sinqeritë dhe me qëllimin për të kuptuar të mirën, kjo të sjell dituri dhe siguri të plotë në çështjet e analizuara. Pasi
zemra fillon t’i shprehë Zotit dashurinë përmes adhurimeve të porositura nga Ai e të përkushtuara Atij, kjo i jep zemrës atë që quhet devotshmëri. Kjo i jep njeriut aftësinë për të dalluar të mirën dhe të keqen, të dallojë rrugën e mbarë dhe të gjejë forcën, ambicien dhe vullnetin e nevojshëm për të jetuar sipas porosive të Zotit. Mjafton të vështrosh këto krijesa të mrekullueshme të Zotit me ato cilësi dhe rregulla fantastike, për të kuptuar se Ai që i krijoi është i Plotë në pushtetin dhe fuqinë e Tij, në diturinë dhe urtësinë e Tij. Ai është i Gjallë e i Përjetshëm, përkujdeset për krijesat e Tij vazhdimisht e në çdo çast. Rregullsia, përpikmëria, përsosmëria, bukuria dhe hijeshia e krijimit të Tij tregojnë për urtësinë e Tij të pamatë e diturinë e Tij të gjerë. Dobitë dhe mirësitë që përmbajnë krijesat e Allahut tregojnë për mëshirën e madhe dhe bamirësinë e pakufishme të Allahut, si dhe kujdesin e Tij për krijesat. Të tilla janë p.sh., Dielli, Hëna dhe çdo mirësi tjetër e domosdoshme për jetën në Tokë. Nga ana tjetër, çdo krijesë që shfaqet jashtë rregullave bazë të krijimit të Tij, tregon se Ai është i Plotpushtetshëm dhe vepron çfarë të dëshirojë; ligji dhe dëshira e Tij realizohet dhe sundon mbi gjithçka.54 Të gjitha këto tregojnë se Allahu është i vetëm në meritën e adhurimit. Vetëm Ai meriton të adhurohet dhe të duhet me gjithë shpirt; Ai është i Madhërishmi, Bujari, i përshkruar me të gjitha atributet madhështore. Ai është i vetmi tek i Cili duhet të shpresohet, e të Cilit duhet t'i druhesh dhe frikësohesh. Lutjet dhe sinqeriteti i drejtohen veçse Atij. E si mund t’u lutesh, përgjërohesh e kërkosh ndihmë krijesave të dobëta, të varfra e të pafuqishme?! Ata vetë janë të varfër dhe nevojtarë për mëshirën e Zotit, në të gjitha çështjet e tyre. Në këto ajete gjejmë argument se është i pëlqyeshëm meditimi rreth krijesave të Allahut dhe nxjerrja e mësimeve prej tyre. Kjo sjell forcim dhe përmirësim të arsyetimit, forcës logjike dhe të imanit. Shpërfillja e këtij lloji të adhurimit është pakujdesi dhe shpërfillje e njërit prej urdhërave të Allahut, pakujdesi e cila të pengon nga forcimi i imanit. Ajo, gjithashtu, është shkak për ngurtësim të arsyes dhe të inteligjencës.