10. Junus · Ajeti 55 · Tefsir
Shënimet shpjeguese të Sherif Ahmetit (Kurani me Komentim) 10:40–10:61
Zoti xh. sh. i tregon Muhammedit për llojet e kundërshtarëve të Kur'anit. Disa edhepse dëgjojnë thëniet e Kur'anit, ato nuk kanë ndikim te ta, andaj shqisa e tyre është e topitur si te i shurdhëti, sepse ata edhe duke i parë faktet e misionit pejgamber të Muhammedit, nuk i kundrojnë si duhet ato ngase edhe zemrat i kanë të verbëra. Muhammedit i thuhet se mund të ndodhë që ndonjë dënim t'i kapë sa je gjallë, e ndoshta jo, por si do që të jetë, ata do të tubohen para Zotit ditën e gjykimit dhe do ta përjetojnë dënimin që e kërkojnë. Kur e shohin dënimin besojnë, por pa dobi, sepse atëherë nuk vlen ai besim. Të gëzohesh për të mirat që na i dhuroi Zoti, është e udhës. Një nga mirësitë më të mëdha, është dërgimi i Muhammedit pejgamber dhe rahmet për çdo send, prandaj gëzimi për ardhjen e Muhammedit, është gjë e porositur sipas ajetit 58. Allahut nuk mund t'i fshihet sendi më i imët, nuk mund t'i fshihet as ai send që tash për tash nuk është në gjendje ta shohë asnjë lloj mikroskopi. As sendi më i madh nuk mund t'i fshihet. kjo nuk është thënë shkel e shko, por ka një domethënie të madhe, sepse syri i njeriut ose vegla optike më e përsosur, nuk mund ta përfshijë e ta shohë një send të madh në tërësi. Ia sheh një pjesë ose disa, e jo krejt atë. Vetëm Zoti është Ai të cilit nuk mund t'i fshihet asnjë pjesë e ndonjë sendi, sado i madh të jetë ai.
Tefsiri i shkurtuar i Ibn Kethirit (Tejsir el-Alijj el-Kadir) 10:55–10:58
- Nuk ka dyshim se Allahut i takon gjithçka që gjendet në qiej e në Tokë. Kini kujdes! Premtimi i Allahut është mëse i vërtetë, por shumica e tyre nuk e dinë. Është Ai që jep jetë dhe vdekje, dhe vetëm tek Ai do të ktheheni. - Allahu i Lartësuar thotë se Ai është Pronari i qiejve dhe i Tokës dhe se premtimi i Tij është i vërtetë. Ai ka për t’i ringjallur krijesat. Ai jep jetën dhe vdekjen dhe tek Ai do të kthehen të gjithë. Allahu është i plotpushtetshëm për të ringjallur krijesat dhe për t’i kthyer dhe llogaritur ata. Ai është i gjithëditur për dallimet mes të gjithë trupave dhe krijesave dhe Ai di mirë për çdo pjesë të trupit të krijesave, që mund të jetë shpërndarë nëpër tokë, det apo humnera. Më pas, Allahu i Lartësuar u tregon njerëzve mirësinë dhe bujarinë e Tij të madhe, kur i shpalli Profetit të Tij të nderuar Kur 'anin madhështor dhe u dhuroi atyre udhëzimin e qartë. - “O njerëz! Ja ku ju erdhi Këshilla nga Zoti juaj dhe shërimi i asaj që gjendet në kraharorin tuaj. Ai është udhëzim dhe mëshirë për besimtarët. - Ja ku ju erdhi Libri, që ju paralajmëron dhe qorton, për t’ju larguar nga poshtërsitë dhe mosbindja ndaj Allahut. Ai është shërim për dyshimet dhe pasiguritë, që mbajnë zemrat tuaja. Kur'ani largon çdo papastërti të idhujtarisë dhe ligësi të kufrit nga zemrat e robërve. Nëpërmjet Kur'anit arrihet udhëzimi i plotë dhe mundësohet fitimi i mëshirës së Allahut të Lartësuar. Por, sigurisht, kjo vlen vetëm për ata që e besojnë këtë Kur 'an dhe janë të sigurt për vërtetësinë e gjithçkaje që përmban ai, siç thotë Allahu i Lartësuar: “Ne të shpallëm Kur 'anin, që është shërim dhe mëshirë për besimtarët, kurse jobesimtarëve u shton veçse dëshpërim.” [Isra 82]. Ose: “...Thuaju: “Ai, për besimtarët, është udhëzim e shërim. Ndërsa ata që nuk besojnë, i kanë veshët të shurdhuar, dhe për ta ai është verbëri. Këta
janë njëlloj si të thirren prej një vendi të largët”.” [Fussilet 44]. - Thuaj: “Vetëm për Mirësinë e Allahut (imanin) dhe Mëshirën e Tij (Kur'anin) gëzohuni!” Kjo është shumë herë më e dobishme se ajo që ata grumbullojnë”. - Është me parësore që të gëzohen dhe të lumturohen me këtë mirësi, që u ka dhënë Allahu. Ajo është shumë më e mirë sesa “ajo që ata grumbullojnë”, domethënë, stolitë dhe kënaqësitë e pakta të kësaj dynjaje, e cila do të përfundojë një ditë.
Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman) 10:53–10:56
Allahu i Lartësuar i drejtohet Profetit të Tij dhe i thotë: - Ata kërkojnë t’u tregosh: “A është e vërtetë ajo?” - Mohuesit, në formë arrogance e inati, të pyesin: A është e vërtetë ajo? A është e vërtet ringjallja e robve në ditën e premtuar për llogarinë e drejtë? A është e vërtetë që njerëzit do të ringjallen e tubohen për t'u llogaritur me drejtësi e shpërblyer sipas veprave të tyre? A do të shpërblehen për veprat e mira e bindjen ndaj Zotit, dhe a do të ndëshkohen për mosbesimin dhe veprat e këqija? Thuaju atyre, duke u betuar për vërtetësinë e kësaj përgjigjeje dhe duke ua shoqëruar me argument të qartë dhe të prerë: - Thuaj: “Po, pafsha Zotin tim! Ajo është mëse e vërtetë, dhe ju nuk do të mund ti shmangeni”. - Nuk ka dyshim për këtë. Ju nuk do të mund t'i shmangeni Zotit dhe ringjalljes. E si mund t’i shmangeni Atij që ju krijoi nga hiçi, kur nuk ekzistonit fare. Kështu, Ai ka për t'ju ringjallur e për t'ju shpërblyer sipas veprave tuaja. - Çdokush që ka dëmtuar vetveten, edhe sikur të kishte gjithë pasurinë e botës, do ta flijonte atë si dëmshpërblim. - Ditën e Gjykimit, ata që janë zhytur në padrejtësinë
e kufrit, poshtërsive dhe mosbindjes, do ta jepnin gjithçka që ka në tokë, qoftë ar, argjend a gjithçka tjetër, si kompensim për të shpëtuar nga ndëshkimi i Allahut. Por kjo nuk do t'u vlejë aspak. Atë ditë, mundësia e vetme për të fituar të mirat dhe për të shpëtuar nga të këqijat, për të marrë shpërblimin ose ndëshkimin, është veçse nëpërmjet veprave të mira dhe atyre të këqija në këtë botë. - Kur të shohin dënimin, ata do ta fshehin dëshpërimin. Atëherë, mes tyre do të gjykohet me të vërtetën, pa iu bërë aspak padrejtësi. - Të padrejtët fshehin në shpirt dëshpërimin e tyre, dhe do të donin që të kishin mundësi pendimi, por ka kaluar koha kur pendimi bën dobi. Ata do të gjykohen me drejtësi të plotë, që nuk ka asnjë grimë padrejtësie. - Nuk ka dyshim se Allahut i takon gjithçka që gjendet në qiej e në Tokë. Kini kujdes! - Në këtë botë ekzekutohet ligji i Tij i krijimit e i kaderit, por edhe ligjet e fesë dhe të jetës së krijesave, është po Ai që i vendos. Është po Ai, i vetëm në pushtetin e Tij, që do të ekzekutojë mbi krijesat edhe ligjin e Tij të shpërblimit dhe ndëshkimit me drejtësi. Prandaj thotë: - Premtimi i Allahut është mëse i vërtetë, por shumica e tyre nuk e dinë. - Prandaj dhe nuk përgatiten për takimin me Allahun, madje refuzojnë ta besojnë Atë, edhe pse argumentet për vërtetësinë e Tij janë sjellë të sakta dhe të pacenuara. Argumentet kanë ardhur qoftë në planin logjik, ashtu edhe në atë tekstual, përmes shpalljeve e profetëve të mbështetur nga Zoti me mrekulli. - Është Ai që jep jetë dhe vdekje, dhe vetëm tek Ai do të ktheheni. - Është Allahu Ai që ka në dorë jetën dhe vdekjen dhe të gjitha llojet e administrimit dhe rregullimit të çështjeve të krijesave. I gjithë pushteti është në dorën e Allahut dhe Ai nuk e ndan me asnjë tjetër këtë pushtet. Tek Ai do të ktheheni të gjithë Ditën e Gjykimit dhe Ai do t'ju shpërblejë për veprat tuaja, të mira ose të këqija.