10. Junus · Ajeti 62 · Tefsir
Shënimet shpjeguese të Sherif Ahmetit (Kurani me Komentim) 10:62–10:70
Evliaja është besimtarë i përpikët. Në një hadith thuhet: "Janë disa robër të Allahut, të cilët nuk janë as pejgamberë e as dëshmorë, për pozitën e tyre që ua ka dhuruar Allahu, u kanë lakmi edhe pejgamberët edhe dëshmorët!" Shokët i thanë: "Na trego kush janë ata? Çfarë vepra kanë bërë? E të dijmë edhe ne. Pejgamberi atëherë tha: "Njerëzit që janë dashur mes vete për hir të Allahut dhe të fesë, pa pasur mes vete afërsi farefisnore, as pa favorizuar njëri-tjetrin me pasuri, pasha Allahun, fytyrat e tyre janë dritë, janë në vende të ndërtuara nga nuri, nuk frikësohen kur njerëzit brengosen... pastaj ai lexoi ajetin në fjalë.
Të tillëve melaiket u marrin myzhde për shpëtimin e tyre mu në momentin e vdekjes, po edhe pas vdekjes, duke u dhënë të kuptojnë se janë xhennetlinj. A ka nevojë Zoti për fëmijë kur gjithçka është e Tij, fëmija është për atë që ka nevojë për të.
Tefsiri i shkurtuar i Ibn Kethirit (Tejsir el-Alijj el-Kadir) 10:62–10:64
- Nuk ka dyshim se të dashurit e Allahut nuk kanë aspak frikë dhe as brengosje; Ata besojnë dhe janë të devotshëm. - Allahu i Lartësuar flet për adhuruesit dhe robërit më të dashur dhe të afërt të Tij. Ai i përshkruan ata në ajet, duke thënë: “Ata besojnë dhe janë të devotshëm.” Kështu, çdokush që është më i devotshëm dhe e ka frikë Zotin, duke u ruajtur nga çdo gjë që sjell ndëshkimin e Tij, është i dashur dhe i afërt me Zotin. Për këta të zgjedhur, Allahu i Lartësuar thotë: “nuk kanë aspak frikë”, domethënë, nuk tremben për tmerret e Ditës së Gjykimit. Gjithashtu: “... dhe as brengosje.” Domethënë, nuk brengosen për atë që e lënë pas në jetën e dynjasë. Bezzari tregon nga Ibn Abasi, i cili ka thënë: 1464. “Një burrë tha: “O i Dërguari i Allahut! Kush janë eulijatë (të dashurit) e Allahut?” Ai tha: “Janë ata të cilët, nëse shihen, përmendet Allahu.” Ibn Xheriri sjell hadithin nga Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!), se Profeti i Allahut ka thënë: 1465. “Ka prej robërve të Allahut, të tillë që i kanë zili edhe profetët, edhe dëshmorët.” - “Po cilët janë ata, o i Dëguari i Allahut, - e pyetën, - që t’i duam ata?” Ai tha: “Ata janë robër që janë dashur për hir të Allahut, pa synuar pasurinë, e jo për shkak farefisnie. Fytyrat e tyre janë dritë dhe qëndrojnë në podiume drite. Ata nuk i kap frika, kur të gjithë njerëzit do të tmerrohen, dhe as kanë për t’u brengosur, kur të gjithë njerëzit do të brengosen.” Këtë hadith e ka sjellë edhe Ebu Daudi nga Umer Ibn Hatabi, po me një isnad të mirë. - Atyre u jepen përgëzime në jetën e kësaj bote dhe në jetën tjetër. - Imam Ahmedi sjell hadithin nga Ubade Ibn Samiti, se ai e pyeti Profetin e Allahut: 1466. “O i Dërguari i Allahut! Çfarë shpjegimi ka fjala e Allahut: “Atyre u jepen përgëzime në jetën e kësaj bote dhe në jetën tjetër.” Ai tha: “Me të vërtetë, me ke pyetur për diçka, që nuk më ka pyetur askush prej umetit tim (ose tha: “askush para teje”). Ajo është ëndrra e mirë, që robi sheh për veten e tij ose që të tjerët e shohin në lidhje me të.” Imam Ahmedi sjell hadithin nga Ubade Ibn Samiti, e k y nga Ebu Dherri, që ka thënë: 1467. “O i Dërguari i Allahut! Po kur dikush bën një punë të mirë, për të cilën njerëzit e lëvdojnë dhe e përgëzojnë?” Profeti i Allahut tha: “Ky është një përgëzim e lajm i mirë për besimtarin, i dhënë nga Allahu që në këtë jetë.” Hadithin e shënon Muslimi. Ibn Xheriri sjell hadithin nga Ebu Hurejra se Profeti i Allahut ka thënë: 1468. “Ëndrra e mirë është përgëzim, të cilin muslimani e sheh për veten e tij ose të tjerët e shohin në lidhje me të.” Ibn Xheriri sjell hadithin nga Umi Kurajz el Keabije, që rrëfen: “E kam dëgjuar të Dërguarin e Allahut të thotë: 1469. “U ndërpre profetësia, por mbetën përgëzimet (e Zotit)” I njëjti shpjegim është transmetuar në lidhje me këtë ajet edhe nga Ibn Abasi, Ebu Hurejra, Muxhahidi, Uruetu, etj. Të gjithë kanë shpjeguar se “përgëzimet në jetën e kësaj bote” janë ëndrrat e mira, që robi i sheh për veten e tij, ose të tjerët i shohin në lidhje me të. Ndërsa të tjerë kanë thënë se qëllimi këtu është për përgëzimet dhe lajmin e mirë që melekët i japin besimtarit në momentet e vdekjes, kur e përgëzojnë me Xhenet dhe falje gjynahesh, sikurse thotë i Lartësuari: “S’ka dyshim se atyre që thonë “Allahu është Zoti ynë”, dhe pastaj qëndrojnë të palëkundur në këtë, do t’u zbresin melekët (e do t’u thonë): “Mos u frikësoni e mos u pikëlloni, por gëzohuni me Xhenetin, që ju është premtuar! Ne jemi miqtë tuaj, si në jetën e kësaj bote, ashtu edhe në botën tjetër. Atje ju do të keni atë që dëshirojnë shpirtrat tuaj dhe gjithçka që kërkoni. Kjo është dhuratë nga Ai që është Falës i Madh e Mëshirëplotë.” [Fusilet 30 - 32]. Në hadithin e Bera Ibn Azi bit (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) thuhet: 1470. “Kur besimtarit i vjen agonia e vdekjes, tek ai
vijnë melekë me fytyra e rroba të bardha dhe i thonë: “Dil, o ti shpirt i mirë, në rehati e mëshirë (nga Zoti) dhe rejhân (aromë e mirë borziloku); (do të shkosh) tek një Zot që nuk është i zemëruar (me ty).” Atëherë, ai del nga goja e tij, ashtu siç rrjedh e shkëputet (lehtësisht) pika e ujit nga buzët e enës.” Ndërsa për përgëzimet që i jepen në ahiret, Allahu i Lartësuar thotë: “Ndërsa ata të cilëve u priu e mbara nga ana Jonë, do të jenë larg tij (Xhehenemit). Ata nuk do ta dëgjojnë as zhurmën më të vogël të tij, dhe do të jenë “të përjetshëm” atje ku ua dëshiron shpirti. Frika e madhe nuk do t’i shqetësojë ata. Melekët do t’i presin (duke i uruar): “Kjo është dita juaj që ju qe premtuar.”.” [Enbija 103]. Dhe thotë gjithashtu: “Atë Ditë do t'i shihni besimtarët dhe besimtaret tek u ndriçon drita përpara dhe në të djathtë të tyre. (Atyre do t'u thuhet:) “Përgëzim për ju sot janë kopshtet, nëpër të cilët rrjedhin lumenj e ku do të jeni përgjithmonë. Kjo është fitorja e madhe.” .” [Hadid 12]. - Premtimet e Allahut nuk mund të ndryshohen. Kjo është fitorja e madhe. - Ky premtim as nuk tjetërsohet, as nuk thyhet. Përkundrazi, ai do të realizohet pa as më të voglin dyshim.
Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman) 10:62–10:64
Allahu i Madhëruar na tregon rreth të dashurve të Tij të zgjedhur dhe shpërblimit të tyre të madh: - Nuk ka dyshim se të dashurit e Allahut nuk kanë aspak frikë dhe as brengosje. - Kështu, ata janë të sigurt nga dy gjëra: 1. Nga frika për atë që i pret në të ardhmen. Asgjë nuk e frikëson shpirtin e këtyre të zgjedhurve, për sa u përket gjendjeve nëpër të cilat do të kalojnë. 2. Nga dëshpërimi e brengosja për gjithçka që ka kaluar. E si të frikësohen, kur ata lënë pas vepra të mira, pendim të sinqertë e bindje ndaj Zotit?! Duke qenë të sigurt nga frika për të ardhmen dhe brengat për të shkuarën, ata do të jenë gjithmonë të qetë dhe të lumtur. Ata do të shoqërohen gjithmonë nga mirësi të shumta, që vetëm Allahu i Lartësuar i dhuron. Më pas, duke na nxitur të bëhemi si ata, Allahu i Madhëruar na tregon cilësitë e tyre: - Ata besojnë dhe janë të devotshëm. - Kështu, së pari, ata besojnë Zotin, melekët, librat dhe profetët e Zotit, Ditën e Llogarisë dhe caktimin e të mirës dhe të keqes prej Tij. Besimi i tyre është korrekt dhe i bazuar në dritën që vjen nga Allahu i Lartësuar. Së dyti, ata e jetësojnë besimin përmes devotshmërisë, duke zbatuar urdhëresat dhe duke iu larguar ndalesave, në emër të dashurisë për Zotin, në formë nënshtrimi e përunjësie ndaj Tij, duke iu frikësuar ndëshkimit të Tij dhe duke shpresuar shpërblimin e Tij. - Atyre u jepen përgëzime në jetën e kësaj bote dhe në Jetën Tjetër. - Çdokush që është i devotshëm ndaj Allahut, është edhe i dashuri ose miku i zgjedhur i Allahut. Përgëzimet që jepen në këtë botë janë fama dhe emri i mirë ndër njerëz, dashuria në zemrat e besimtarëve, ëndrrat e mira që shihen për ta dhe shumë e shumë shenja të butësisë, mëshirës dhe bujarisë së Zotit. Formë tjetër përgëzimi janë edhe lehtësimet e krijuara, udhëzimi për të kryer shumë vepra të mira, pajisja me morale të larta, si dhe largimi nga rrugët e ligësisë dhe veset. Ndërsa përgëzimi në ahiret fillon që në momentin e marrjes së shpirtit, sikurse thotë Allahu i Madhëruar: "S’ka dyshim se atyre që thonë “Allahu është Zoti ynë” dhe pastaj qëndrojnë të palëkundur në këtë, do t’u zbresin melekët (e do t’u thonë) : “Mos u frikësoni e mos u pikëlloni, por gëzohuni me Xhenetin, që ju është premtuar! Ne jemi miqtë tuaj, si në jetën e kësaj bote, ashtu edhe në Botën Tjetër. Atje ju do të keni atë që dëshirojnë shpirtrat tuaja dhe gjithçka që kërkoni. Kjo është dhuratë nga Ai që është Falës e Mëshirëplotë.” [Fussilet 30 - 32]. Pastaj përgëzimet vazhdojnë në varr, ku robi do të përgëzohet se Zoti është i kënaqur me të dhe ai do të kënaqet me Zotin dhe mirësitë e përjetshme. Megjithatë, përgëzimi i plotë do të jepet në ahiret, në momentin kur të hyjë në Xhenetet e mirësisë dhe të shpëtojë përfundimisht nga ndëshkimi i dhembshëm. - Premtimet e Allahut nuk mund të ndryshohen. - Ajo që Zoti ka premtuar është e vërtetë e sigurt dhe askush nuk mund ta ndryshojë, tjetërsojë dhe as ta zëvendësojë. Ai është më i vërteti në fjalën dhe premtimin e Tij. Askush nuk ka mundësi që ta kundërshtojë e ndryshojë atë që Zoti e ka përcaktuar dhe vendosur në ligjin e tij. - Kjo është fitorja e madhe. - Sepse ajo përmban shpëtimin nga çdo gjë që ti i druhesh dhe fitimin e çdo gjëje që ti e synon dhe e dëshiron. I Madhëruari e përkufizon “fitoren” me këta fatlumë, sepse askush tjetër nuk meriton të jetë i fituar dhe i sigurt, përveç atyre që kanë të plotë imanin dhe
devotshmërinë. Si përfundim, përgëzimi përfshin çdo mirësi dhe mbarësi që Zoti e ka premtuar në dynja dhe në ahiret, për ata që kanë iman dhe devotshmëri. Zoti e solli fjalën “përgëzim” të papërcaktuar, pikërisht që ajo të përfshijë të gjitha llojet e përgëzimit, por me kusht, aritjen e imanit dhe të devotshmërisë.