10. Junus · Ajeti 71 · Tefsir

Shënimet shpjeguese të Sherif Ahmetit (Kurani me Komentim) 10:71–10:89

Muhammedi a.s. u tregoi kurejshitëve për Nuhun dhe popullin e tij. U tregoi se pejgamberët nuk kanë pasur qëllim ndonjë interes material, ata punuan për të lartësuar moralin njerëzor të mbështetur në udhëzimet e Zotit. U tregoi se kryeneçësia e tyre nuk i solli kurrfarë dëmi Nuhut, e edhe më hiq Zotit, por u solli atyre vetë. U dha të kuptojnë se edhe kurejshitët do t'i gjejë ashtu ndonjë e zezë. ' Udhëzimet e Zotit janë mëshirë, por nëse edhe pas të gjitha këshillave të buta e të bukura, refuzohet e vërteta, mëshira e Zotit tërhiqet nga zemrat e tilla dhe, atëherë zemrat e tyre mbyllen dhe nuk shohin asgjë të mirë e të mbarë, sepse janë duke u përgatitur për xhehenemin e shëmtuar. e Për Nuhun dhe popullin e tij, ditën të na rrëfejnë vetëm shpalljet nga Zoti, ngase jeta e tij i takon një lashtësie të hershme, për çka historia nuk di asgjë. Për Musain që ishte nja dymijë e pesëqind vjet para Pejgamberit tonë dhe për faraonët, historia posedon me disa shënime në bazë të studimeve arkeologjike.

Faraoni dhe populli i tij, kibtët (koptët) ishin popull injorant, popull i pafë, ndërsa populli i Musait ishte popull i udhëzuar me libër, me kushtetutë prej Zotit, andaj polemika mes tyre ishte e madhe. Koptët kishin kushte të mira për jetë, ajo gjendje ua kishte rritur mendjen. Zakonisht njerëzit e tillë me shumicë janë mendjelartë, por janë edhe të marrë, ngase nuk dëgjojnë këshilla nga të tjerët nga mendjemadhësia e tyre dhe mbesin të tillë gjatë tërë jetës.

Hidhërimi i Musait që si duket në mallkimin që i bëri popullit të faraonit, ishte hidhërim për hir të Allahut dhe të fesë së Tij, e jo hidhërim për vetën e vet.

Tefsiri i shkurtuar i Ibn Kethirit (Tejsir el-Alijj el-Kadir) 10:71–10:73

- Tregoju atyre historinë e Nuhut. ... - Tregoji popullit tënd, o Muhamed, historinë e Nuhut dhe popullit të tij, të cilët e mohuan dhe refuzuan ta pranonin si profet dhe të nënshtroheshin sipas porosive që ai solli nga Zoti. Po kështu të mohon ty edhe

populli yt. Tregoju atyre se si Allahu i Lartësuar shkatërroi popullin e Nuhut, duke i përmbytur të gjithë, përveç besimtarëve, që besuan dhe pasuan Nuhun, në mënyrë që të nxjerrin mësim të gjithë ata që të mohojnë ty dhe që nuk pranojnë Shpalljen dhe udhëzimet e Tij. Tregoju atyre se çfarë i goditi mohuesit dhe mosbesimtarët. - kur i tha popullit të vet: “O populli im! Nëse e keni të rëndë qëndrimin tim mes jush dhe këshillat e mia përmes ajeteve të Allahut, atëherë dijeni se unë i jam mbështetur vetëm Allahut. - O populli im, nëse ju vjen rëndë qëndrimi im mes jush dhe këshillat e mia përmes ajeteve të Allahut, pra, përmes argumenteve dhe fakteve e Tij, atëherë “dijeni se unë i jam mbështetur vetëm Allahut. Vetëm tek Ai e gjej forcën e ndihmën. Unë nuk shqetësohem aspak nëse ju vjen rëndë apo jo qëndrimi im mes jush dhe nëse nuk ju pëlqejnë këshillat e mia. - Prandaj, së bashku me zotat tuaj, vendosni si do të veproni kundër meje - Përgatituni së bashku me “zotat” tuaj, të cilëve u luteni dhe i adhuroni veç Allahut. - dhe mos e mbani të fshehtë vendimin tuaj! - Mos e mbani të fshehtë vendimin tuaj. Qartësojeni qëndrimin në lidhje me mua dhe, nëse pretendoni se jeni në rrugë të drejtë, atëherë ... - Zbatojeni atë kundër meje e mos më jepni asnjë afat! - Mos më jepni asnjë afat, qoftë edhe një çast të vetëm, por merrni çdo masë kundër meje, sa të keni mundësi. Megjithatë, dijeni se unë nuk ju kam frikë, sepse ju nuk mbështeteni askund për ato që besoni. Unë distancohem tërësisht nga idhujtaria juaj dhe ortakët që ia shoqëroni Allahut. Kjo i ngjan fjalës që Hudi i tha popullit të tij që e mohuan: “Ne themi se ndonjë prej idhujve tanë të ka goditur me ndonjë të keqe!” Ai tha: “Unë kam dëshmitar Allahun, por dëshmoni edhe ju që unë distancohem nga idhujt që ju adhuroni veç Tij. Mblidhuni të gjithë me komplote kundër meje e mos më jepni asnjë afat! Unë i jam mbështetur Allahut, Zotit tim dhe Zotit tuaj. Nuk ka asnjë gjallesë, që Ai të mos e ketë nën sundim. Vërtet Zoti im është në një udhë të Drejtë.”” [Hud 54 - 56]. - Por, nëse ju ktheni shpinën, (dijeni se) unë nuk kërkoj asnjë shpërblim prej jush. Shpërblimi im është vetëm prej Allahut. - Nëse ktheni shpinën dhe refuzoni porositë që unë sjell nga Zoti, atëherë dijeni se unë nuk kërkoj asnjë shpërblim prej jush, për këshillat dhe përpjekjet e mia për përmirësimin dhe rregullimin tuaj. Shpërblimin tim e shpresoj vetëm nga Allahu i madhëruar. - Unë jam urdhëruar të jem musliman. - Domethënë, unë thjesht zbatoj porositë dhe urdhëresat e Islamit, i cili është feja e të gjithë profetëve të Zotit, edhe pse dispozitat dhe ligjet mund të jenë të veçanta për çdo popull, siç thotë Allahu i Lartësuar: “... Për secilin prej jush, Ne caktuam Ligj e program …” [Maide 48]. Madje, në Kur'an thuhet se të gjithë profetët kanë qenë muslimanë, pra, të dorëzuar tërësisht një Zoti të vetëm dhe të nënshtruar për zbatimin

e ligjeve dhe porosive të Tij. 129 Allahu i lartësuar na tregon fjalët e të dashurit të Tij, Ibrahimit (a.s.): “ Kur Zoti i tij i tha: “Përulu!”, ai (Ibrahimi) tha: “Iu përula Zotit të gjithësisë.”. Kjo ishte porosia që Ibrahimi ua la bijve të tij. Kështu bëri edhe Jakubi: “O bijtë e mi, Allahu jua ka zgjedhur fenë, prandaj mos vdisni ndryshe, por vetëm duke qenë muslimanë të nënshtruar ndaj Tij!” ” [Bekare 131, 132] . Jusufi u lut duke thënë: “O Zoti im! Ti më dhurove mua pushtet të madh dhe më mësove shpjegimin e ëndrrave. O Krijues i qiejve dhe i tokës! Ti je Mbrojtësi im në dynja e në ahiret. Më bëj të vdes si musliman dhe më bashko me të mirët!” [Jusuf 101]. Musai i tha popullit të vet: “Musai tha: “O populli im! Nëse vërtet besoni në Allahun, vetëm tek Ai mbështetuni, nëse jeni muslimanë!”” [Junus 84]. Magjistarët që besuan në Musain thanë: “... Zoti ynë! Na jep durim dhe na i merr shpirtrat si muslimanë! ” [Ea’raf 126]. Belkisa shprehu pendimin e saj duke thënë: “... Ajo tha: “O Zoti im! Unë kam qenë, vërtet e padrejtë ndaj vetes sime dhe tani, së bashku me Sulejmanin, (eslemtu) po i dorëzohem Allahut, Zotit të Botëve.”. ” [Neml 44]. Allahu i lavdëruar ka thënë: “Ne e zbritëm Teuratin, në të cilin është udhëzimi i drejtë dhe drita. Sipas tij gjykuan lajmëtarët (el-ledhine eslemu) e bindur mes judejve. Me të gjykuan edhe dijetarët e devotshëm e paria fetare. ...” [Maide 44] “Kujto se si, kur i frymëzova dishepujt të besonin tek Unë dhe tek i Dërguari Im, ata thanë: “Ne besuam, prandaj dëshmo se ne jemi muslimanë (të nënshtruar ndaj Teje)!”. [Maide 111]. Gjithashtu, Allahu i Lartësuar ka urdhëruar vulën e të gjithë profetëve dhe më të zgjedhurin mes tyre, Muhamedin ﷺ , që të thotë: “Thuaj: “Namazi im, kurbani im, jeta ime dhe vdekja ime janë të gjitha për Allahun, Zotin e botëve. Ai nuk ka ortak. Për këto jam urdhëruar dhe unë jam i pari i (muslimanëve) atyre që i nënshtrohen Atij!” [En'am 162] . Në një hadith të saktë prej Profetit ﷺ thuhet: 1471. “Profetët janë vëllezër nga nëna të ndryshme. Nënat e tyre janë të ndryshme, por feja e tyre është një.” Kjo fe është adhurimi i Allahut si Një i vetëm dhe pa ortak, edhe nëse ligjet e dispozitat mund të jenë specifike për popuj të ndryshëm. Ky është kuptimi i fjalës së Profetit ﷺ“ : Profetët janë vëllezër (al-lât) nga nëna të ndryshme.” Al-lât, në arabisht, quhen vëllezërit nga nëna të ndryshme, por nga një baba i njëjtë. - Ata e mohuan atë, por Ne i shpëtuam atë dhe të tjerët që ishin bashkë me të në anije. - Ne e shpëtuam atë dhe ata të cilët ishin në të njëjtën fe dhe besim si Nuhu ﷺ . Ne i shpëtuam, duke i mbartur në anijen e madhe. - Pastaj Ne i bëmë ata trashëgimtarë (të Tokës), kurse ata që mohuan ajetet Tona i përmbytëm. - Ata ishin të vetmit që mbijetuan dhe vazhduan jetën në Tokë. - Shikoje se si ishte përfundimi i atyre që ishin paralajmëruar. - Mendohu me kujdes, që të nxjerrësh mësime nga shpëtimi i besimtarëve dhe shkatërrimi i mohuesve të Profetit, të cilët refuzuan të zbatonin porositë e Zotit.

Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman) 10:71–10:73

- Tregoju atyre historinë e Nuhut, kur i tha popullit të vet: “O populli im! Nëse e keni të rëndë qëndrimin tim mes jush dhe këshillat e mia përmes ajeteve të Allahut, atëherë dijeni se unë i jam mbështetur vetëm Allahut.” - Allahu i

Madhëruar i drejtohet Profetit të Tij të dashur që t'i tregojë popullit të tij historinë e Nuhut dhe përpjekjet e tij kolosale për t’i ftuar ata në rrugën e drejtë. Ai i ftoi ata për një kohë të gjatë, që ta adhuronin Allahun si një të vetëm dhe të largoheshin nga idhujtaria. Profeti Nuh qëndroi mes tyre 950 vjet, duke i ftuar t'i bindeshin dhe nënshtroheshin Zotit, por kjo ftesë u shtoi atyre veçse shfrenimin. Ata i shprehën urrejtjen e tyre për ftesën e tij të vazhdueshme për një kohë kaq të gjatë. Megjithatë, Nuhu asnjëherë nuk tregoi lodhje e plogështi në misionin e tij, por u thoshte: Nëse qëndrimi im dhe këshillat e mia, që përcjellin shpalljet e qarta të Zotit, nuk ju bëjnë dobi dhe ju duken të vështira e të rënda, atëherë dijeni se unë i jam mbështetur Allahut. Ai është forca ime kundër mohimit dhe refuzimit tuaj. Ai është mbrojtja dhe streha ime, nëse ju dëshironi të më luftoni e dëmtoni. Vetëm Allahut i mbështetem që të më ruajë nga çdo gjë e keqe që synoni kundër meje. Ushtritë e Tij janë ushtarët dhe ndihmëtarët e mi. Sfida është e hapur për ju, që të ndërmerrni gjithçka keni mundësi për të më luftuar e ndaluar. - Prandaj, së bashku me zotat tuaj, vendosni si do të veproni kundër meje dhe mos e mbani të fshehtë vendimin tuaj! Zbatojeni atë kundër meje e mos më jepni asnjë afat! - Mblidhuni kundër meje që të gjithë ju, pa përjashtuar askënd dhe duke shpenzuar të gjitha energjitë e pushtetin tuaj. Madje ftoni edhe idhujt tuaj, që i adhuroni dhe iu nënshtroheni veç Allahut, Zotit të botëve. Madje, mos e mbani fshehtë luftën dhe përpjekjet kundër meje, por shfaqini haptazi. Bëni çkeni për të bërë, për të më dëmtuar dhe ndaluar, dhe mos vononi asnjë çast për të më dhënë afat. - Kjo qe një sfidë e jashtëzakonshme, që tregonte vërtetësinë e tij si Profet i Zotit dhe saktësinë e mesazhit që ai sillte prej Zotit. E si mund ta bënte këtë sfidë dikush që nuk kishte fis e ushtri që ta mbështeste?! Vetëm i mbështeturi nga Zoti i botës mund të bënte të tillë sfidë. Profeti Nuh, në këtë mënyrë, e rrëzoi arsyetimin e tyre, ua hodhi poshtë fenë dhe ua shau idhujt, gjë kjo që shkaktoi urrejtje e armiqësi të madhe në zemrat e tyre. Nga ana tjetër, ata kishin fuqi që ta ndëshkonin ashpër, si hakmarrje. Ndërsa profeti i Zotit u tha: " ... së bashku me zotat tuaj, vendosni si do të veproni kundër meje dhe mos e mbani të fshehtë vendimin tuaj! Zbatojeni atë kundër meje e mos më jepni asnjë afat!” E, megjithatë, ata nuk mund t'i bënin asgjë për ta ndaluar?! Nga kjo kuptohet se ai ishte profet i vërtetë, i mbështetur nga Zoti, ndërsa ata ishin mashtrues me pretendimet e tyre. - “Por, nëse ju ktheni shpinën, (dijeni se) unë nuk kërkoj asnjë shpërblim prej jush. Shpërblimi im është vetëm prej Allahut. Unë jam urdhëruar të jem musliman.”. - Nëse ju i ktheni shpinën sfidës, atëherë kjo është një shpërfillje e pajustifikuar, që meriton ndëshkimin. Ju po i ktheni shpinën një të vërtete të mbështetur me argumente, për t'ju përkushtuar të kotës, e cil a është shumë e qartë dhe lehtësisht e dallueshme. Megjithëkëtë, unë nuk ju kërkoj ndonjë shpërblim në këmbim. I vetmi shpërblim që unë pres është ai i Zotit tim. Gjithashtu, unë nuk ju kërkoj diçka që vetë nuk e veproj. Unë jam i pari që e bëj atë të cilën ju kërkoj: - Ata e përgënjeshtruan atë, - Ata e refuzuan përsëri, edhe pse Profeti i ftoi natën dhe ditën, fshehtazi dhe haptazi. Ftesa e tij u shtonte atyre veçse largimin e shfrenimin. Atëherë, Allahu i Lartësuar e shpëtoi profetin Nuh dhe besimtarët që hipën me të në anijen që Allahu e kishte urdhëruar të ndërtonte. Pasi Nuhu e ndërtoi anijen nën mbikëqyrjen dhe përkujdesjen e Allahut, uji nisi të shpërthente nga çdo drejtim, madje edhe nga furrat e zjarrta: - "...por Ne i shpëtuam atë dhe të tjerët që ishin bashkë me të në anije. - Nuhu (a.s) e zbatoi urdhrin e Zotit. Ndërkohë, Allahu urdhëroi qiellin të lëshonte shi me vrull dhe urdhëroi tokën të shpërthente në lumenj të rrëmbyer. Kështu u bashkuan uji i

qiellit dhe ai tokës. Në mes kësaj katastrofe, Zoti e mbarti anijen me dërrasa të mbërthyera me gozhdë. Ajo lundronte nën përkujdesin e Zotit. - Pastaj Ne i bëmë ata trashëgimtarë (të Tokës), kurse ata që mohuan ajetet Tona i përmbytëm. - Kështu, nga njëra anë, Allahu e shfarosi popullin që nuk besonte dhe që i konsideronte të rremë profetët dhe shpalljet hyjnore, ndërsa nga ana tjetër, e hodhi begatinë në pasardhësit e Nuhut (a.s.). Të vetmit që trashëguan tokën ishin pasardhësit e profetit Nuh (a.s.), të cilët u shpërndanë në të gjitha anët e botës. Ndërsa të tjerët Allahu i përmbyti, sepse ata nuk i pranuan argumentet e qarta. - Shikoje se si ishte përfundimi i atyre që ishin paralajmëruar. - Shkatërrimi, poshtërimi dhe mallkimi i pandërprerë do t’i ndjekë ata në çdo shekull dhe në brezat më pas. Për ta do të dëgjosh veçse nënçmim e mallkime. Le të jenë të kujdesshëm dhe të frikësohen ata të mjerë që mohojnë profetët dhe nuk besojnë shpalljet e Zotit, se edhe ata i pret e njëjta gjë!

← Junus 10:71