10. Junus · Ajeti 87 · Tefsir

Shënimet shpjeguese të Sherif Ahmetit (Kurani me Komentim) 10:71–10:89

Muhammedi a.s. u tregoi kurejshitëve për Nuhun dhe popullin e tij. U tregoi se pejgamberët nuk kanë pasur qëllim ndonjë interes material, ata punuan për të lartësuar moralin njerëzor të mbështetur në udhëzimet e Zotit. U tregoi se kryeneçësia e tyre nuk i solli kurrfarë dëmi Nuhut, e edhe më hiq Zotit, por u solli atyre vetë. U dha të kuptojnë se edhe kurejshitët do t'i gjejë ashtu ndonjë e zezë. ' Udhëzimet e Zotit janë mëshirë, por nëse edhe pas të gjitha këshillave të buta e të bukura, refuzohet e vërteta, mëshira e Zotit tërhiqet nga zemrat e tilla dhe, atëherë zemrat e tyre mbyllen dhe nuk shohin asgjë të mirë e të mbarë, sepse janë duke u përgatitur për xhehenemin e shëmtuar. e Për Nuhun dhe popullin e tij, ditën të na rrëfejnë vetëm shpalljet nga Zoti, ngase jeta e tij i takon një lashtësie të hershme, për çka historia nuk di asgjë. Për Musain që ishte nja dymijë e pesëqind vjet para Pejgamberit tonë dhe për faraonët, historia posedon me disa shënime në bazë të studimeve arkeologjike.

Faraoni dhe populli i tij, kibtët (koptët) ishin popull injorant, popull i pafë, ndërsa populli i Musait ishte popull i udhëzuar me libër, me kushtetutë prej Zotit, andaj polemika mes tyre ishte e madhe. Koptët kishin kushte të mira për jetë, ajo gjendje ua kishte rritur mendjen. Zakonisht njerëzit e tillë me shumicë janë mendjelartë, por janë edhe të marrë, ngase nuk dëgjojnë këshilla nga të tjerët nga mendjemadhësia e tyre dhe mbesin të tillë gjatë tërë jetës.

Hidhërimi i Musait që si duket në mallkimin që i bëri popullit të faraonit, ishte hidhërim për hir të Allahut dhe të fesë së Tij, e jo hidhërim për vetën e vet.

Tefsiri i shkurtuar i Ibn Kethirit (Tejsir el-Alijj el-Kadir) 10:87

- Ne i shpallëm Musait dhe vëllait të tij: “Gjeni vend për popullin tuaj në Egjipt! - Allahu i Lartësuar tregon shkakun dhe mënyrën e shpëtimit të bijve të Izraelit prej Faraonit dhe mbështetësve të tij, prej torturave, përndjekjes dhe persekutimit të tyre. Kështu, Allahu i Lartësuar e porositi Musain dhe vëllain e tij, Harunin (Paqja e Zotit qoftë mbi ta!), që të urdhëronin popullin të përgatitej dhe të gjente vendbanim në Egjipt, në mënyrë që të mund të mblidheshin së bashku në to (për adhurime). Mufesirët kanë dhënë mendime të ndryshme rreth fjalës së Allahut të Lartësuar: “Kthejini në faltore shtëpitë tuaja!” Mendimi më i saktë është se kjo ndodhi kur bijtë e Izraelit ishin të frikësuar nga përndjekja e Faraonit. Për këtë arsye, ata u urdhëruan të faleshin në shtëpitë e tyre. Kështu ka thënë Ibn Abasi, Muxhahidi, Ebu Maliki, Rabi Ibn Enesi, Dahaku dhe të tjerë. Me sa duket, - por Allahu është më i ditur - kur persekutimi i Faraonit u rëndua, atëherë Allahu i Lartësuar i urdhëroi bijtë e Izraelit që të falnin shumë namaz, siç thuhet në ajetin: “Kërkoni ndihmë me durim dhe me namaz! Vërtet, kjo është e vështirë, por jo për ata që kanë frikë, që janë të bindur se

do ta takojnë Zotin e vet dhe se, pa dyshim, tek Ai do të kthehen.” [Bekare 45]. Në një hadith thuh et: 1472. “Kur Profeti i Allahut shqetësohej për ndonjë çështje, nxitonte për në namaz.” Hadithin e ka përnxjerrë Ebu Daudi. Kështu, Allahu i Lartësuar thotë: - Kthejini në faltore shtëpitë tuaja dhe falni rregullisht namazin!” - Shndërrojini shtëpitë tuaja në faltore dhe kryejeni faljen e namazit rregullisht. Përgëzoji besimtarët! - Gëzoji me lajmin se Allahu do t’u japë fitoren dhe çlirimin e afërt.

Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman) 10:87–10:89

- Ne i shpallëm Musait dhe vëllait të tij: “Gjeni vend për popullin tuaj në Egjipt! - Pas masave shtrënguese të ndërmarra nga Faraoni e paria e tij kundër popullit të Musait duke dashur t'i mundonin dhe largonin ata nga feja e tyre, Allahu i Madhëruar i shpalli Musait: - Kthejini në faltore shtëpitë tuaja dhe faleni rregullisht namazin! - Allahu i Madhëruar i urdhëroi që të ndërtonin shtëpi për t’u fshehur dhe për t’i kthyer ato në faltore, sepse nuk mund t’i kryenin ritet në objektet e përbashkëta të kultit. Më pas i porositi: “faleni rregullisht namazin!”, sepse ai është një adhurim që të ndihmon në të gjitha çështjet. - Përgëzoji besimtarët! - Përgëzoji besimtarët se Zoti do t’u japë fitoren dhe pushtetin në tokë! Ai do t'u mundësojë që ta shfaqin haptazi fenë e tyre. Të jeni të bindur se, pas vështirësisë, vjen lehtësimi. Në fakt, lehtësimi vjen së bashku me vështirësinë. Dhe, vërtet, pasi çështja u ngushtua dhe sprova u ashpërsua, Allahu i Madhëruar solli çlirimin e lehtësimin. Në këtë kohë, kur Musai pa ashpërsinë dhe tiraninë e ushtruar nga Faraoni dhe ndjekësit e tij, i mallkoi dhe u lut kundër tyre, ndërsa Haruni bëri ‘amin’ për lutjen e Musait. - Musai tha: “ O Zoti ynë! Ti i ke dhënë Faraonit dhe parisë së tij stoli dhe pasuri në jetën e kësaj bote dhe kështu, o Zoti ynë, ata po i largojnë njerëzit prej rrugës Sate.”. - Kuptimi: O Zot! Ti i ke dhënë Faraonit stoli të të gjitha llojeve, veshje e shtëpi luksoze, shërbëtorë e pasuri të mëdha. Kështu, nëpërmjet këtyre pasurive, ata mund të devijojnë njerëzit nga rruga Jote dhe t’i humbasin ata, duke u bërë shkak jo vetëm për devijimin e vetë atyre, por edhe të të tjerëve. Për këtë arsye, ata e kishin merituar mallkimin e Musait, i cili tha: - “O Zoti ynë! Zhduke pasurinë e tyre dhe vulosi zemrat e tyre që të mos besojnë derisa ta ndiejnë dënimin e dhembshëm!” - Zhduki pasuritë e tyre duke ua shkatërruar ose duke ua shndërruar ato në gurë, që të mos kenë më asnjë dobi prej tyre. Lutja tjetër e Musait kundër tyre ishte: “...vulosi zemrat e tyre që të mos besojnë derisa ta ndiejnë dënimin e dhembshëm!” Pra, ashpërsoji zemrat e tyre, në mënyrë që të mos besojnë më, derisa të shohin ndëshkimin e Zotit. Musai (a.s) e bëri këtë lutje nga zemërimi i madh ndaj tyre dhe për shkak të diturisë së tij të plotë rreth Zotit dhe faktit se Ai do t'i ndëshkonte ata për krimet e tyre të pashembullta duke ua mbyllur portën e besimit dhe të kthimit tek Ai. - Ai tha: “Është pranuar lutja juaj. Prandaj përqendrohuni në rrugën tuaj e mos ndiqni rrugën e atyre që nuk dinë!”

- Allahu i Madhëruar, duke iu drejtuar Musait dhe Harunit, tha: "Është pranuar lutja juaj. " Në fakt, ishte Musai që e bëri atë lutje, ndërsa Haruni bënte " amin". Kjo tregon se kur dikush thotë " amin" për një lutje të thënë nga dikush tjetër, ai konsiderohet sikur e ka bërë vetë atë lutje. Pastaj i Lartësuari i këshillon dhe i porosit ata që të jenë të qëndrueshëm dhe të duruar në rrugën e Tij dhe të vazhdojnë davetin, duke u larguar njëkohësisht nga injorantët e humbur, të cilët janë larguar nga rruga e drejtë e Tij. Ata ndjekin rrugët e zjarrit, në të cilat ftojnë edhe pasuesit e tyre. Allahu i Madhëruar e urdhëroi Musain që të nisej për udhëtim me bijtë e Izraelit natën, duke i treguar se ata do të përndiqeshin nga Faraoni dhe ushtria e tij. Dhe, vërtet, Faraoni dërgoi lajmëtarë në çdo qytet që të mobilizonin ushtarë për t'u vënë në ndjekje të Musait. Ai u tha: "Musai dhe populli i tij janë veçse një grup i vogël, që kanë shkaktuar zemërimin tonë." Kështu, Faraoni grumbulloi një ushtri të madhe me njerëzit që ishin afër dhe me ata që ishin larg. Ai u vu në ndjekje të Musait, i mbushur me armiqësi, zemërim dhe urrejtje të padrejtë, duke shkelur kufijtë e Zotit dhe duke dashur shkatërrimin e tiraninë në tokë. Por kujdes! Kur gjynahet dhe padrejtësitë shtohen dhe e mbulojnë një popull, atëherë dije se ndëshkimi është shumë afër e do të godasë ashpër.

← Junus 10:87