10. Junus · Ajeti 88 · Tefsir

Shënimet shpjeguese të Sherif Ahmetit (Kurani me Komentim) 10:71–10:89

Muhammedi a.s. u tregoi kurejshitëve për Nuhun dhe popullin e tij. U tregoi se pejgamberët nuk kanë pasur qëllim ndonjë interes material, ata punuan për të lartësuar moralin njerëzor të mbështetur në udhëzimet e Zotit. U tregoi se kryeneçësia e tyre nuk i solli kurrfarë dëmi Nuhut, e edhe më hiq Zotit, por u solli atyre vetë. U dha të kuptojnë se edhe kurejshitët do t'i gjejë ashtu ndonjë e zezë. ' Udhëzimet e Zotit janë mëshirë, por nëse edhe pas të gjitha këshillave të buta e të bukura, refuzohet e vërteta, mëshira e Zotit tërhiqet nga zemrat e tilla dhe, atëherë zemrat e tyre mbyllen dhe nuk shohin asgjë të mirë e të mbarë, sepse janë duke u përgatitur për xhehenemin e shëmtuar. e Për Nuhun dhe popullin e tij, ditën të na rrëfejnë vetëm shpalljet nga Zoti, ngase jeta e tij i takon një lashtësie të hershme, për çka historia nuk di asgjë. Për Musain që ishte nja dymijë e pesëqind vjet para Pejgamberit tonë dhe për faraonët, historia posedon me disa shënime në bazë të studimeve arkeologjike.

Faraoni dhe populli i tij, kibtët (koptët) ishin popull injorant, popull i pafë, ndërsa populli i Musait ishte popull i udhëzuar me libër, me kushtetutë prej Zotit, andaj polemika mes tyre ishte e madhe. Koptët kishin kushte të mira për jetë, ajo gjendje ua kishte rritur mendjen. Zakonisht njerëzit e tillë me shumicë janë mendjelartë, por janë edhe të marrë, ngase nuk dëgjojnë këshilla nga të tjerët nga mendjemadhësia e tyre dhe mbesin të tillë gjatë tërë jetës.

Hidhërimi i Musait që si duket në mallkimin që i bëri popullit të faraonit, ishte hidhërim për hir të Allahut dhe të fesë së Tij, e jo hidhërim për vetën e vet.

Tefsiri i shkurtuar i Ibn Kethirit (Tejsir el-Alijj el-Kadir) 10:88–10:89

Në këto ajete, Allahu i Lartësuar na njofton për lutjen që bëri Musai kundër Faraonit dhe mbështetësve të tij. Ata refuzuan të vërtetën dhe vazhduan me kryeneçësi në kotësinë e tyre. Ata e bënë këtë me padrejtësi dhe mendjemadhësi. Atëherë, Musai u lut kundër tyre dhe tha: - Musai tha: “Zoti ynë! Ti i ke dhënë Faraonit dhe parisë së tij stoli dhe pasuri në jetën e kësaj bote dhe kështu, o Zoti ynë, ata po i largojnë njerëzit prej rrugës Sate. - Ti, o Zot, i ke dhënë Faraonit dhe parisë së tij stoli dhe pasuri të shumta në jetën e kësaj bote. Prej kësaj pasurie, që Ti u ke dhënë, ata janë bërë sprovë dhe shkak për devijimin e shumë njerëzve. Duke u dhënë pasuri, - që me urtësinë Tënde dëshiron t’i vësh në provë, - shumë njerëz të paditur do të mendojnë se Ti i do dhe kujdesesh për ta. Kjo do të bëhet sprovë e do të mashtrojë shumë prej tyre. -Zoti ynë! Zhduke pasurinë e tyre ... - Shkatërroji ato pasuri, o Zot! - dhe vulosi zemrat e tyre që të mos besojnë derisa ta ndiejnë dënimin e dhembshëm! - Mbylli plotësisht ato zemra, që të mos besojnë derisa ta ndiejnë dënimin e dhembshëm! Ky mallkim doli nga Musai (a.s), si zemërim i tij për hir të Allahut dhe të fesë, kundër Faraonit dhe pasuesve të tij, tek të cilët nuk kishte më asnjë shpresë që të kthenin rrugë dhe të besonin. Ajo është e ngjashme me lutjen që bëri Nuhu (a.s): “Ata zhytën në humbje shumë pasues të tyre. Prandaj, të padrejtëve Ti shtoju veçse humbje!” Për shkak të gjynaheve të tyre, ata u përmbytën dhe u hodhën në zjarr. Ata nuk gjetën ndihmës, që t’i shpëtonin prej Allahut. Nuhu tha: “O Zoti im! Mos lër mbi Tokë asnjë nga jobesimtarët! Nëse Ti i lë, ata do t’i largojnë adhuruesit e Tu (nga rruga e drejtë) dhe prej tyre do të lindin veçse të shfrenuar dhe jobesimtarë. O Zoti im! Më fal mua, fali prindërit e mi, ata që hynë në shtëpinë time si besimtarë dhe të gjithë besimtarët e besimtaret! Ndërsa jobesimtarëve shtoju veçse dëshpërim!”. [Nuh 24 - 28]. - Ai tha: “Është pranuar lutja juaj (O Musa dhe Harun!). - Allahu i Lartësuar iu përgjigj lutjes së Musait kundër tyre. Gjatë lutjes, Haruni thoshte: “Amin!” Atëherë, Allahu i Lartësuar tha: “Është pranuar lutja juaj, o Musa dhe Harun!” Ebu Alije, Ebu Salihu, Ikrime, Muhamed Ibn Keab el Kuradi, Erabi Ibn Enesi e të tjerë kanë thënë se: Musai u lut, ndërsa Haruni bëmte “Amin”, prandaj dhe Allahu tha: “Ne iu përgjigjëm lutjes suaj, për shkatërrimin e Faraonit dhe pasuesve të tij.” Disa janë mbështetur në këtë ajet për të thënë se: bërja “Amin” e atij që falet pas imamit, pas Fatihasë, konsiderohet njëlloj sikur ta ketë lexuar atë, sepse kur Musai u lut dhe Haruni bënte “Amin”, Allahu i Lartësuar e konsideroi si lutje të të dyve. 130 - Prandaj përqendrohuni në rrugën tuaj e mos ndiqni rrugën e atyre që nuk dinë!” - Në shenjë mirënjohjeje ndaj

përgjigjes së lutjes, që ju drejtuat, bëhuni të qëndrueshëm e të palëkundur në zbatimin e urdhëresave të Mia.

Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman) 10:87–10:89

- Ne i shpallëm Musait dhe vëllait të tij: “Gjeni vend për popullin tuaj në Egjipt! - Pas masave shtrënguese të ndërmarra nga Faraoni e paria e tij kundër popullit të Musait duke dashur t'i mundonin dhe largonin ata nga feja e tyre, Allahu i Madhëruar i shpalli Musait: - Kthejini në faltore shtëpitë tuaja dhe faleni rregullisht namazin! - Allahu i Madhëruar i urdhëroi që të ndërtonin shtëpi për t’u fshehur dhe për t’i kthyer ato në faltore, sepse nuk mund t’i kryenin ritet në objektet e përbashkëta të kultit. Më pas i porositi: “faleni rregullisht namazin!”, sepse ai është një adhurim që të ndihmon në të gjitha çështjet. - Përgëzoji besimtarët! - Përgëzoji besimtarët se Zoti do t’u japë fitoren dhe pushtetin në tokë! Ai do t'u mundësojë që ta shfaqin haptazi fenë e tyre. Të jeni të bindur se, pas vështirësisë, vjen lehtësimi. Në fakt, lehtësimi vjen së bashku me vështirësinë. Dhe, vërtet, pasi çështja u ngushtua dhe sprova u ashpërsua, Allahu i Madhëruar solli çlirimin e lehtësimin. Në këtë kohë, kur Musai pa ashpërsinë dhe tiraninë e ushtruar nga Faraoni dhe ndjekësit e tij, i mallkoi dhe u lut kundër tyre, ndërsa Haruni bëri ‘amin’ për lutjen e Musait. - Musai tha: “ O Zoti ynë! Ti i ke dhënë Faraonit dhe parisë së tij stoli dhe pasuri në jetën e kësaj bote dhe kështu, o Zoti ynë, ata po i largojnë njerëzit prej rrugës Sate.”. - Kuptimi: O Zot! Ti i ke dhënë Faraonit stoli të të gjitha llojeve, veshje e shtëpi luksoze, shërbëtorë e pasuri të mëdha. Kështu, nëpërmjet këtyre pasurive, ata mund të devijojnë njerëzit nga rruga Jote dhe t’i humbasin ata, duke u bërë shkak jo vetëm për devijimin e vetë atyre, por edhe të të tjerëve. Për këtë arsye, ata e kishin merituar mallkimin e Musait, i cili tha: - “O Zoti ynë! Zhduke pasurinë e tyre dhe vulosi zemrat e tyre që të mos besojnë derisa ta ndiejnë dënimin e dhembshëm!” - Zhduki pasuritë e tyre duke ua shkatërruar ose duke ua shndërruar ato në gurë, që të mos kenë më asnjë dobi prej tyre. Lutja tjetër e Musait kundër tyre ishte: “...vulosi zemrat e tyre që të mos besojnë derisa ta ndiejnë dënimin e dhembshëm!” Pra, ashpërsoji zemrat e tyre, në mënyrë që të mos besojnë më, derisa të shohin ndëshkimin e Zotit. Musai (a.s) e bëri këtë lutje nga zemërimi i madh ndaj tyre dhe për shkak të diturisë së tij të plotë rreth Zotit dhe faktit se Ai do t'i ndëshkonte ata për krimet e tyre të pashembullta duke ua mbyllur portën e besimit dhe të kthimit tek Ai. - Ai tha: “Është pranuar lutja juaj. Prandaj përqendrohuni në rrugën tuaj e mos ndiqni rrugën e atyre që nuk dinë!”

- Allahu i Madhëruar, duke iu drejtuar Musait dhe Harunit, tha: "Është pranuar lutja juaj. " Në fakt, ishte Musai që e bëri atë lutje, ndërsa Haruni bënte " amin". Kjo tregon se kur dikush thotë " amin" për një lutje të thënë nga dikush tjetër, ai konsiderohet sikur e ka bërë vetë atë lutje. Pastaj i Lartësuari i këshillon dhe i porosit ata që të jenë të qëndrueshëm dhe të duruar në rrugën e Tij dhe të vazhdojnë davetin, duke u larguar njëkohësisht nga injorantët e humbur, të cilët janë larguar nga rruga e drejtë e Tij. Ata ndjekin rrugët e zjarrit, në të cilat ftojnë edhe pasuesit e tyre. Allahu i Madhëruar e urdhëroi Musain që të nisej për udhëtim me bijtë e Izraelit natën, duke i treguar se ata do të përndiqeshin nga Faraoni dhe ushtria e tij. Dhe, vërtet, Faraoni dërgoi lajmëtarë në çdo qytet që të mobilizonin ushtarë për t'u vënë në ndjekje të Musait. Ai u tha: "Musai dhe populli i tij janë veçse një grup i vogël, që kanë shkaktuar zemërimin tonë." Kështu, Faraoni grumbulloi një ushtri të madhe me njerëzit që ishin afër dhe me ata që ishin larg. Ai u vu në ndjekje të Musait, i mbushur me armiqësi, zemërim dhe urrejtje të padrejtë, duke shkelur kufijtë e Zotit dhe duke dashur shkatërrimin e tiraninë në tokë. Por kujdes! Kur gjynahet dhe padrejtësitë shtohen dhe e mbulojnë një popull, atëherë dije se ndëshkimi është shumë afër e do të godasë ashpër.

← Junus 10:88