100. Adijat · Ajeti 11 · Tefsir

Shënimet shpjeguese të Sherif Ahmetit (Kurani me Komentim) 100:1–100:11

Lartmadhëria e tij betohet në luftëtarët myslimanë, të cilët me kuajt e tyre të shpejtë luftonin kundër armikut, dhe kur thundrat e tyre shkelin nëpër gur, nxjerrin xixa zjarri, që atë vërsulje kundër armikut ata e bëjnë herët në agim dhe me shpejtësi hidhen mbi grumbullin e armikut. Kjo është lavdatë e mirënjohje nga i madhi Zot.

Idhujtarët nuk ndoqën rrugën e Zotit, përbuzën të mirën që ua dha, duke ua dërguar pejgamberin nga gjiri i tyre, e ata vetë do të jenë dëshmues të asaj përbuzjeje. Ata janë mashtruar pas pasurisë së kësaj bote, e nuk mendojnë fare për momentin kur do të ringjallen dhe do t'u grumbullohen e do të vihen në pah të gjitha punët e tyre, sepse Zotit nuk mund t'i fshihet asgjë.

Falënderoj Allahun e madhëruar!

Tefsiri i shkurtuar i Ibn Kethirit (Tejsir el-Alijj el-Kadir) 100:1–100:11

- “Betohem për ata që vrapojnë furishëm duke dihatur ...” - Allahu i Madhëruar betohet këtu për kuajt, që vrapojnë furishëm gjatë xhihadit në rrugën e tij, duke dihatur me forcë gjatë vrapimit. - “... që lëshojnë shkëndija ...” – Allahu i Madhëruar betohet për trokëllimën e fortë të potkonjve, që lëshojnë shkëndija kur goda - sin gurët. Thuhet, gjithashtu, se këtu bëhet fjalë për zjarrin e luftës, që kuajt ndezin kur vërsulen në mejdanin e luftës. Pra, kuptimi do të ishte: “që ndezin shkëndijat e luftës”. Kështu e shpjegonte Katade. Megjithatë, Ibn Xheriri ka mbështetur mendimin e parë, që thotë se bëhet fjalë për shkëndijat dhe zjarrin, që del nga potkonjtë e kuajve, kur godasin shkëmbinjtë, gjatë vrapimit të tyre të furishëm. - “... për ata që vërsulen herët në agim ...” - Flitet për sulmet e kalorësisë në agim. Ka hadithe, që tregojnë se: 685 “Profeti e niste luftën herët në agim. Nëse dëgjonte se në atë vend të caktuar thirrej ezani, ai nuk e niste sulmin. Nëse nuk dëgjonte ezan, atëherë e niste sulmin.” . - “... duke çuar pluhurin përpjetë ...” - Pluhuri që ngrihet gjatë sulmit me kalorësi. - “... dhe duke çarë përmes turmës. ” - Flitet për momentin, kur të gjithë lëshohen në fushëbetejë e fillon përleshja e ashpër. Ali Ibn Ebi Talibi shpjegon se këtu bëhet fjalë për devetë. Ndërsa Ibn Abasi ka thënë se bëhet për kuajt dhe momentin kur ata vërsulen në sheshin e luftës. Kur ky shpjegim i Ibn Abasit i shkoi Aliut, ai tha: “Në luftën e Bedrit nuk kishim kuaj e kalorës, përveç kalit Zubejrit dhe kalit të Mikdadit. Pra, sipas Aliut, këtu bëhet për devetë dhe lëvizjen e tyre nga Arafati për në Muzdelife dhe, kur mbërrijnë në Muzdelife, haxhinjtë ndezin zjarret, për të kaluar natën. Kur Ibn Abasi dëgjoi shpjegimin e Aliut, e pranoi atë dhe hoqi dorë nga shpjegimi i vet. Ndërsa Ibn Xheriri mbështet shpjegi - min se bëhet fjalë për kuajt dhe momentin e nisjes së tyre në betejë, kohë në të cilën thundrat dhe potkonjtë lëshojnë xixa nga vrapimi i furishëm. - “Me të vërtetë, njeriu është mosmirë - njohës ndaj Zotit ...” - Njeriu është mo - hues i mirësive të Zotit e mosmirënjohës për to. Duke shpjeguar fjalën kenûd, Haseni thotë që është ai i cili mban mend veçse fatkeqësitë e belatë dhe nuk kujton mirësitë e Allahut për të. - “... dhe këtë ai e dëshmon edhe vetë. ” - Njeriu bëhet dëshmues kundra vetes, kur është mosmirënjohës ndaj Zotit. Ai e dë - shmon këtë nëpërmjet veprave që bën, fjalëve që flet dhe gjendjes së tij. Kështu, mosmirënjohja dhe mohimi i Zotit mund të shprehen edhe nëpërmjet veprave e gje - ndjes, sikurse thotë i Lartësuari në ajetin vijues: “Nuk kanë të drejtë idhujtarët të kujdesen për xhamitë e Allahut, kur vetë ata dëshmojnë për vetveten se janë mohues. Atyre u shkojnë kot veprat e tyre dhe do të jenë përgjithmonë në Zjarr.” [Teube 17]. Pra, për faktin se ata ishin mohues dëshmo - nin veprat e tyre (edhe pse ata pretendonin se e besonin Allahun). - “Ai e dëshiron shumë pasurinë.” - Njeriu është shumë i dhënë pas pasurisë dhe e dëshiron fort atë. Në vijim, duke nxitur robërit që të jenë asketë në dynja dhe më të përkushtuar për ahiretin, i Lartësuari thotë: - “A nuk e di ai se kur të nxirret jashtë ajo që fshihet në varre ...” – Kujtoni momentin kur prej varreve do të dalin të gjithë ata që kanë vdekur në dynja. - “... dhe kur të dalin në shesh ato që fshihen në kraharorë ... ” - Ibn Abasi e të tjerë shpjegojnë: “Domethënë, kur të dalë haptazi ajo që fshihnin në zemër”. - “Atë ditë, Zoti i tyre i di hollësisht veprat e tyre?” - Ai e di plotësisht se çfarë kanë bërë ata në jetën e dynjasë dhe atë ditë do të shpërblejë gjithsecilin sipas punëve të veta, pa asnjë padrejtësi.

Ky është fundi i përmbledhjes së tefsirit të sures Adijat. Vetëm Allahut i takojnë lavdërimet e mirënjohja për mirësitë e Tij!

Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman) 100:1–100:11

- “Betohem për ata (kuaj) që vrapojnë furishëm duke dihatur (me forcë), dhe me thundrat e tyre shkrepëtijnë xixa, për ata (kuaj) që vërsulen herët në agim, duke çuar pluhurin përpjetë, dhe duke çarë përmes turmës (së armikut) .” - Allahu i Lartësuar betohet në kuajt, në këto krijesa të mrekullueshme dhe aq të çmuara për njerëzit, për cilësitë e veçanta që kanë. Allahu betohet edhe për gjendjet nëpër të cilat kuajt kalojnë, ndryshe nga kafshë të tjera. Kuajt vrapojnë furishëm dhe gjatë këtij vrapimi ata hingëllijnë. Kur me thundrat dhe potkonjtë e tyre të fortë shkelin nëpër gurë, ata nxjerrin xixëllima. Kuajt, me luftëtarët sipër tyre, lëshohen si shigjetë në mes të turmës së armikut. Këto momente dhe veprime janë ato në të cilat betohet Allahu i Lartësuar. Ndërsa shkaku i betimit tregohet më poshtë, kur i Lartësuari thotë: - “Me të vërtetë, njeriu është mosmirënjohës ndaj Zotit...” - Njeriu nuk shpreh mirënjohjen ndaj Zotit, për mirësitë që Ai i ka dhënë. Për nga natyra e tij, ai nuk e dëshiron shpenzimin dhe nuk pranon që t’i plotësojë detyrimet e tij plotësisht. Ai është përtac dhe koprrac, që gjithmonë përpiqet t’u bëjë bisht detyrimeve pasurore apo trupore, me të cilat është ngarkuar. Këtu bëjnë përjashtim ata që Zoti i ka udhëzuar dhe i ka pastruar nga të tilla cilësi të këqija. - “...dhe këtë ai e dëshmon edhe vetë (me veprat e tij) .” – Cilit i referohet përemri vetor “ai”? Mundësitë janë: 1. “Ai” është njeriu. Në këtë rast, kuptimi i ajetit është: Për këtë mosmirënjohje edhe vetë njeriu është dëshmues dhe nuk e mohon një fakt të tillë. Kjo është një çështje e dukshme dhe e pamohueshme, që çdokush mund ta vërejë. 2. “Ai” është Allahu. Kështu, kuptimi i ajetit del: Për këtë mosmirënjohje është Allahu dëshmitar. Ky është një kërcënim i ashpër dhe i rëndë për ata që tregohen mosmirënjohës ndaj mirësive të Zotit dhe mospërfillës ndaj detyrimeve dhe përgjegjësive karshi Tij. Allahu është dëshmitar i këtyre veprave dhe çdokujt do t’i japë shpërblimin e merituar. - “Ai e dëshiron shumë pasurinë....” - Dashuria e njeriut për pasuri është shumë e fortë. Është pikërisht kjo dëshirë e papërmbajtur që e bën atë të shpërfillë detyrimet dhe përgjegjësitë ndaj Zotit. Kështu ai i jep përparësi plotësimit të dëshirave të vetes, kundrejt të drejtave të Zotit të tij. Kjo ndodh për shkak se ai është dritëshkurtër dhe i lidhur ngushtë vetëm me këtë dynja, duke qenë i pavëmendshëm ndaj ahiretit. Prandaj Allahu i Lartësuar, për të nxitur te robi frikën për Ditën e Llogarisë, thotë: - “...A nuk e di ai se kur të nxirret jashtë ajo që fshihet në varre, dhe kur të dalin në shesh ato që fshihen në kraharorë...” - Le të kujtojnë këta të mashtruar se do të vijë dita kur të gjithë të vdekurit do të dalin nga varret e tyre, do të ringjallen dhe do të tubohen para Zotit, për t’u llogaritur me drejtësi. Atë ditë do të shfaqet sheshazi çdo gjë që fshihet brenda gjokseve të tyre, e mirë apo e keqe qoftë, dhe të gjithë do të shijojnë frytet e veprave të tyre. - “...Atë Ditë, Zoti i tyre i di hollësisht (e do ti gjykojë për) veprat e tyre?” - Allahu i Lartësuar është i Gjithëditur për të gjitha veprat e robve, të fshehta apo të shfaqura, të vogla apo të mëdha qofshin, dhe Ai ka për t’i shpërblyer ata me drejtësi. Ai është i Gjithëditur jo vetëm atë ditë, por në të gjitha ditët, por ky veçim është bërë për të treguar se krijesat do të shpërblehen për çdo vepër të kryer. Ajo është Dita e Llogarisë nga i Gjithëdituri.

← Adijat 100:11