إِلَّا ٱلَّذِينَ ءَامَنُواْ وَعَمِلُواْ ٱلصَّٰلِحَٰتِ وَتَوَاصَوۡاْ بِٱلۡحَقِّ وَتَوَاصَوۡاْ بِٱلصَّبۡرِ
Me përjashtim të atyre që besuan, që bënë vepra të mira, që porositën njëri-tjetrin t'i përmbahen të vërtetës dhe që këshilluan njëri-tjetrin të jenë të durueshëm.*
Shënim i përkthyesit — Sherif Ahmeti
Zoti xh. sh. betohet në kohën, që është gjëja më e çmueshme për njeriun, nëse e shfrytëzon atë si duhet. Është këshilluesi më i mirë që të jep mësim se si i dobëti dhe i ligu me angazhimin e tij në punë, në dituri arriti të bëhet më i fortë, dhe më i lartë, ndërsa ai që ishte i fortë e i lartë me përtacinë e tij u bë më i dobëti. Koha është përplot ndodhi e ngjarje të çuditshme; njerëz të mëdhenj humbin vlerën, njerëzit e panjohur arrijnë famë, pasanikët varfërohen, të varfërit pasurohen, e kështu me radhë në të gjitha fushat e jetës, prandaj duhet marrë mësim, që të mos humbim e të dështojmë në këtë jetë. Nuk është i humbur ai që ka besuar dhe ka bërë vepra të mira, sepse ai e ka ditur se kjo jetë është kalimtare, as e mira e as e keqja nuk janë të përhershme, prandaj nuk është mashtruar pas dëshirave që rrënojnë njerëzinë e njeriut, është ruajtur dhe ka qenë i matur në të gjitha rastet e gjendjet. Nuk janë të humbur edhe njerëzit që mësojnë njëri-tjetrin për punë të mbara, për drejtësi, për njohje të Krijuesit Fuqiplotë. Kurrë nuk janë të humbur, as ata që e këshillojnë njëri-tjetrin të jenë të durueshëm në vështirësi e mundime, në zbatimin e urdhërave të Zotit, në largimin prej punëve të këqija e të ndyra. Ka mendime, se koha në të cilën bëhet betimi, është koha e jetës së Pejgamberit a.s., ose koha e namazit të iqindisë. Falënderoj Allahun e Madhëruar!