104. Humeze · Ajeti 9 · Tefsir
Shënimet shpjeguese të Sherif Ahmetit (Kurani me Komentim) 104:1–104:9
Përgojimi, ofendimi i nderit të njerëzve, vjedhja me bisht të syrit, ironia- janë gjeste të shëmtuara, të cilat njeriun e hedhin në mjerimin më të madh, e hedhin në shkatërrim, ani pse ai mendon se pasuria e tij e madhe do ta mbrojë. Njeriu i tillë do të hidhet në Hutame, në zjarrin të ndezur fort, në të cilin çdo send që hidhet në të copëtohet, zjarr që depërton në zemra, e kur depërton në zemra, ata do të duhet të vdesin, por jo, as nuk vdesin as nuk jetojnë, por janë në mjerim të pambarim.
Lavdëruar qoftë Allahu i madhëruar!
Tefsiri i shkurtuar i Ibn Kethirit (Tejsir el-Alijj el-Kadir) 104:1–104:9
Kjo sure është shpallur pas sures Kijame. - “Mjerë për atë që tall e përqesh ...” – El hemmâz (në arabisht) quhet ai që tall të tjerët me fjalë, ndërsa el-lemmâz është ai që e bën këtë me gjeste e veprime. Kjo është shtjelluar edhe më tej në tefsirin e fjalës së Allahut të Lartësuar: “ ... që është përgojues e përhap fjalë ngatërrestare ndër njerëz, ... ” [Kalem 11]. Hemmâz (përgojuesi) n ë këtë ajet është ai që merret me gibet, përgojim. Po ashtu, “përhap fjalë ngatërrestare ndër njerëz”, me qëllimin e ulët që të fusë përçarjen, urrejtjen, shkatërrimin e lidhjeve, armiqësinë mes tyre. 263 Ibn Abasi ka thënë se këta janë ata që tallin, përqeshin, fyejnë dhe përçmojnë njerëzit. Ndërsa Katade ka thënë që el hemzu dhe el-lemzu quhet tallja me fjalë dhe gjeste të syrit. Të tillët përgojojnë njerëzit, duke shpifur për ta. Ndërsa Muxhahidi shpjegon se el hemzu është tallja që bëhet nëpërmjet veprimit të duarve, gjeste e shenjave me sy, ndërsa el lemzu është tallja me fjalë. - “... i cili ka mbledhur pasuri dhe e ruan atë.” – Që e grumbullon pasurinë dhe e ruan fort, që të mos harxhojë asnjë qindarkë. - “Ai mendon se pasuria e tij do ta bëjë të përjetshëm.” - I mjeri mendon se mbledhja e ruajtja e pasurisë do t’i mundësojë përjetësi në këtë botë. - “Jo, kurrsesi!” – Jo, nuk është aspak ashtu siç mendon ky i mjerë. - “Ai do të flaket në Hutame .” – Zjarri është quajtur Hutame, sepse ai shtyp e shkatërron gjithçka, nga nxehtësia e tmerrshme brenda tij. Për të treguar tmerrin e këtij zjarri, i Madhëruari thotë: - “E ku mund ta dish ti se ç’është Huta - me?! Është Zjarri i Allahut, i ndezur fort, që depërton deri në zemër.” - Dhimbja dhe djegia e atij zjarri depërton deri në zemër të njeriut, ndërkohë që ai vazhdon të jetojë dhe nuk vdes. Thabit el Bennani thoshte për banorët e Xhehenemit: “Zjarri vazhdon t’i hajë, derisa u arrin në zemër dhe ata vazhdojnë të jenë gjallë. Vërtet ata përjetojnë ndëshkim të tmerrshëm!” Dhe pastaj qante për një kohë të gjatë. Ndërsa Muhamed Ibn Keabi shpjegon: “Ai zjarr ha dhe përvëlon çdo gjë në trupin e atyre të mjerëve, derisa mbërrin në grykat e tyre, pastaj trupi u kthehet siç ishte, për të filluar përsëri djegia dhe tmerri i tyre.” - “Ai do të qëndrojë i mbyllur mbi ta ...” - Zjarri izolon tërësisht ata, sikurse u shpjegua në suren Beled. - “... me trarë të zjarrtë e të shtrirë.” - Ai është i mbyllur përsipër me trarë të zjarrtë. Këtu përfundon përmbledhja e tefsirit të kësaj sureje. Allahut i takojnë të gjitha lavdërimet e mirënjohja.
Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman) 104:1–104:9
- “Mjerë për atë që tall e përqesh (njerëzinë),...” - Mjerë ata që kanë këto cilësi të ulëta, për ndëshkimin e rëndë që i pret. Ata përqeshin dhe tallen me njerëzit, me fjalë dhe me veprime. Humeze është ai që i fyen dhe i tall njerëzit nëpërmjet veprimeve të tij, ndërsa lumeze është ai që e bën këtë me fjalë. - “...i cili ka mbledhur pasuri dhe e ruan (me kopraci) atë. Ai mendon se pasuria e tij do ta bëjë të përjetshëm .” - Prej cilësive të këtyre njerëzve është edhe lakmia e madhe për grumbullimin e pasurisë. I vetmi qëllim dhe shqetësim i tyre është mbledhja e pasurisë, ruajtja e saj që të mos pakësohet dhe mburrja me të. Ata nuk mendojnë asnjëherë që ta shpenzojnë atë për bamirësi, për mbajtjen e lidhjeve farefisnore etj. Nga injoranca e tyre, ata mendojnë se pasuria do t’i bëjë të përjetshëm në shijimin e mirësive të kësaj dynjaje. Për këtë arsye, të gjithë mundin dhe aftësitë e tyre i shpenzojnë për të grumbulluar dhe ruajtur pasurinë. Ata shpresojnë se pasuria do të zgjasë edhe jetën e tyre, por nuk e dinë të mjerët se koprracia e shkurton jetën dhe i pakëson begatitë e saj, si edhe i shkatërron popujt. - “Jo, kurrësesi! Ai do të flaket në Zjarrin shkatërrues (Hutame).” - Mendimi i tyre është i gabuar, prandaj nëse nuk kthehen nga ajo rrugë, do të hidhen në Hutame. Pastaj, për të treguar tmerrin e madh të këtij zjarri, i Lartësuari bën pyetjen: - “E ku mund ta dish ti se ç’është Zjarri shkatërrues (Hutame)?!” - Vetëm Ai që e ka krijuar mund ta dijë realisht dhimbjen që ajo fsheh brenda saj. Në vijim, i Madhëruari shpjegon se çfarë është Hutame: - “Është Zjarri i Allahut, i ndezur fort,që depërton deri në zemër. Ai (Zjarr) do të qëndrojë i mbyllur mbi ta, me shtylla (zjarri) të shtrira.” - Lënda djegëse e këtij zjarri janë njerëzit dhe gurët. Aq e fortë është nxehtësia e tij, saqë ajo depërton deri thellë në zemër. Ata do të jenë të izoluar brenda kësaj nxehtësie dhe pa shpresë se mund të dalin ndonjëherë prej saj. Pas portave, janë vendosur kangjella të larta, që ata të mos dalin jashtë. I Lartësuari thotë në një ajet tjetër: “Ndërsa ata që kaluan çdo kufi (në gjynahe ndaj Allahut) , vendbanimi i tyre është Zjarri. Sa herë që përpiqen të dalin nga ai, kthehen në të dhe u thuhet: “Shijojeni Dënimin e Zjarrit, që ju e
konsideronit gënjeshtër!”.”. [Sexhde 20]. E lus Allahun të na ruajë nga ky përfundim dhe të na ruajë nga çdo vepër që e bën atë të meritueshëm!