107. Maun · Ajeti 7 · Tefsir

Shënimet shpjeguese të Sherif Ahmetit (Kurani me Komentim) 107:1–107:7

Kjo sure na shpjegon për programin islam, i cili nuk është vetëm ideologji, besim, e as nuk është vetëm deklaratë e shprehur, por është program i aktivitetit në jetë.

Ai që rregullat e besimit nuk i zbaton në praktikë, ai sikurse e përgënjeshtron edhe besimin.

Së pari flet për jetimin, i cili nuk pati fat ta gëzojë ngrohtësinë e gjirit familiar, prandaj, ai që atë nuk e ndihmon, por në mënyrë të vrazhdë e refuzon, ai nuk ka as ndjenja njerëzore, e të mos flitet për fe, pse jetimi, pa marrë parasysh besimin e njeriut, ose mosbesimin, meriton një ndihmë, një udhëzim, të paktën një fjalë të mirë, e jo përzënie. Një gjest të tillë të keq mund ta ketë ndonjë që nuk beson se do të dalë para Zotit dhe do të japë llogari. tilli le që vetë nuk i jep të varfërit, por as nuk përmend se duhet ndihmuar atë.

Të mjerët ata që falen sa për sy e faqe, ashtu faleshin hipokritët, nuk i vënin veshin sa duhet namazit, pse nuk besonin se për të do të shpërblehen ose do të ndëshkohen, por e bënin sa për formalitet. Të tillët le që nuk japin zeqat e sadaka por nuk japin as sendin më të vogël, as hua si sopatën, enën, kripën, gjilpërën etj.

Falënderuar qoftë Allahu i madhëruar!

Tefsiri i shkurtuar i Ibn Kethirit (Tejsir el-Alijj el-Kadir) 107:1–107:7

Maun është zbritur pas sures Tekathur. - “A e ke parë atë që mohon Ditën e Gjykimit?” - A nuk e sheh, o Muhamed,

atë që mohon Ditën e Premtuar, ditën e shpërblimit dhe ndëshkimit me drejtësi para Allahut? - “Ky është ai që e përzë jetimin në më - nyrë të vrazhdë ...” - Ai e përçmon dhe nuk i jep hakun jetimit. - “Dhe nuk nxit për të ushqyer të var - frin.” - Miskin quhet ai i cili nuk zotëron pasuri të mjaftueshme që të përmbushë nevojat e tij, siç thotë i Lartësuari në ajetin tjetër: “Jo, nuk është ashtu! Por ju nuk nderoni jetimin, as nuk nxisni njëri -tjetrin për të ushqyer të varfrin,” [Fexhr 17, 18]. - “Mjerë për ata që falen, e që ndaj na - mazit të tyre janë të pakujdesshëm!” – Ibn Abasi e të tjerë shpjegojnë: “Këtu flitet për munafikët, të cilët falen vetëm kur i shohin njerëzit, ndërsa larg syve të njerëzve ata nuk falen. Allahu i Madhëruar thotë: “Mjerë për ata që falen”, sepse në sytë e njerëzve ata konsiderohen sikur falen, por kur nuk i sheh njeri, ata nuk kujdesen për namazin ose nuk e falin fare, siç shpjegon edhe Ibn Abasi. Ndërsa Mesruku dhe Ebu Duha shpjegojnë se të tillët e shtyjnë faljen e namazit përtej kohës së përcaktuar në ligjin e Zotit. Ata Ibn Dinari ka thënë: “ El hamdu lil-lah, që Allahu tha: “Mjerë për ata që falen, e që ndaj namazit të tyre janë të pakujdesshëm!” dhe nuk tha: “Mjerë për ata që falen, e që gjatë namazit të tyre janë të pakujdesshëm!”. Në të vërtetë, pakujdesia ndaj namazit mund të shprehet edhe duke e vonuar e falur atë në fundin e kohës së për - caktuar për të, gjithmonë ose në të shumtën e rasteve, por pa e lënë të dalë jashtë kohe; ose duke mos i kryer e përmbushur shtyllat e namazit, veprat e fjalët e detyrueshme gjatë tij dhe kushtet e saktësisë së namazit, ashtu siç ka urdhëruar Zoti; ose duke mos patur frikërespektin e duhur për Zotin gjatë kryerjes së namazit, duke mos medituar në kuptimet e larta të fjalëve e lutjeve që thuhen gjatë tij, por edhe i përqendruar në veprimet e namazit. Fjal a “të pakujdes - shëm” i përmbledh të gjitha këto. Kësisoj, ai që ka ndonjë prej këtyre cilësive përfshihet proporcionalisht në këtë ajet. Ndërsa ai që i ka të gjitha ato cilësi përfshihet tërësisht nga ajet dhe meriton të plotë kërcënimin, që gjendet në të. Një njeri i tillë i plotëson kriteret e hipokrizisë, siç shënohet në hadithin e saktë në dy Sahih-ët, që Profeti ﷺ ka thënë: “Ai është namazi i munafikut, ai është namazi i munafikut, ai është namazi i munafikut. Ai e vonon namazin derisa vëren që dielli ka arritur (afër perëndimit) mes dy brirëve të shejtanit, pastaj ngrihet dhe e fal atë me shpejtësi (si korbi kur ha kokrrat e grurit) katër rekatë, duke e përmendur Allahun shumë pak.” Ky hadith flet për na - mazin e ikindisë. Pra, ky njeri e fal namazin e ikindisë afër përfundimit të kohës së saj, e cila është kohë e papëlqyeshme për faljen e namazit. Përveç vonesës, ai e fal namazin shpejt e shpejt, duke i bërë sexhdet ashtu si korbi që ha kokrrat e grurit, pa patur drojë e përqendrim në namaz. Mbase edhe këto rekate, në të cilat e përmend Zotin shumë pak, i fal për t’u dukur në sytë e njerëzve sikur po fal namazin, e jo për hir të Zotit dhe si përmbushje të detyrës e adhurimit ndaj Tij. Kështu, një i tillë zëre së nuk është falur fare. Allahu i Lartësuar ka thënë për këtë kategori njerëzish: “Hipokritët përpiqen të mashtrojnë Allahun, por është Ai që i bën ata të mashtrohen. Ata, kur ngrihen për namaz, ngrihen me përtesë, vetëm sa për t’u dukur para botës, ndërsa Allahun e përmendin fare pak.” [Nisa 142]. Ndërsa në këtë sure thotë: “Ata vetëm shtiren.” Nga Sad Ibn Uekkas transmetohet të ketë thënë: 2932. “Unë e pyeta të Dërguarin e Allahut rreth atyre të cilët janë të pavëmendshëm ndaj namazit, se cilët janë ata. Ai tha: “Janë pikërisht ata që e vonojnë namazin.” 264 Vonimi i namazit mund të nënkuptojë shtyrjen e tij përtej kohës së përcaktuar për të ose afër fundit të kësaj kohe. Imam Bejhakiu e ka konsideruar të dobët si hadith që i atribuohet Profetit, por të saktë si fjalë sahabi. Të njëjtën gjë ka bërë edhe Hakimi. - “Ata vetëm shtiren ...” - Imam Ahmedi sjell me sened hadithin nga Abdullah Ibn Amri, se Profeti i Allahut ka thënë: 2933.

“Ai që kërkon të duket ndër njerëz me punët e tij, Allahu i Lartësuar ka për t’ia shfaqur njerëzve të fshehtën e tij e ka për ta poshtëruar atë.” 265 Megjithatë, duhet të theksojmë që, nëse dikush bën një punë për hir të Allahut, me të cilën kënaqet, e këtë e shohin edhe njerëzit e tjerë, dhe atij i pëlqen që njerëzit e shohin punën e tij, kjo nuk konsiderohet shtirje. Hafizi Ebu Jeala Meu - sili sjell në Musned rrëfimin nga Ebu Hurejra, i cili tregon për veten e vet: 2934. “Unë isha duke falur namaz, ndërkohë që një burrë erdhi dhe po më qëndronte pranë. Mua më pëlqeu kjo gjë. Unë ia tregova këtë Profetit të Allahut dhe ai më tha: ‘Ti ke marrë dy shpërblime: shpërblimin e namazit që e fal fshehurazi dhe shpërblimin e nama - zit që e fal haptazi, kur njerëzit të shohin (për të qenë shembull i mirë për ta).” 266 - “Dhe nuk japin as sendin më të vogël.” - Domethënë, qoftë në adhurimin e Zotit të tyre, qoftë në bamirësinë ndaj krijesave, ata janë të dështuar. Ata nuk tregojnë bamirësi ndaj krijesave as edhe me gjërat më të vogla, siç është thjesht huazimi i ndonjë mjeti ose qoftë edhe një ndihmë e vogël, që njerëzit rëndom i ofrojnë njëri -tjetrit. Të tillë njerëz janë më të prirur që t’i shmangen zekatit dhe të shpenzojnë për hir të Allahut. Thuhet që el maûn është pikërisht zekati, pra, ata nuk japin zekatin. Ky shpjegim vjen nga Aliu dhe Ibn Umeri. Hasen el Basriu ka thënë: “Nëse falet, falet për sy e faqe; nëse i kalon koha e namazit pa e falur atë, nuk shqetësohet apo të ndiejë keqardhje dhe nuk e jep zekatin e pasurisë së tij.” Në një transmetim tjetër po prej tij thuhet që: “... nuk jep sadaka prej pasurisë së tij. ”. Ibn Mesudi është pyetur rreth fjalës el maûn dhe ka thënë: “Flitet për mjetet ose shërbimet, që njerëzit shkëmbejnë me njëri -tjetrin, siç janë kazma, sqepari, tenxheret, gotat e se - nde të ngjashme.” Nga Ibn Abasi transmetohet të ketë thënë se këtu bëhet fjalë për mjetet e shtëpisë, sendet shtëpiake ndihma e ndërsjelltë me pasuri ose shërbime të ndry - shme. Muhamed Ibn Keabi shpjegon: “el maûn” d.m.th. el mearuf , pra, nuk ndih - mojnë siç e kërkon e mira dhe zakoni i popullit. Në një hadith thuhet: 2935. “Çdo vepër e mirë siç e do zakoni i mirë konsi - derohet sadaka.” Ibn Mani sjell me sened nga Amër Ibn Rabia, e ky nga Ali Ibn ... , i cili thotë: “E kam dëgjuar të Dërguarin e Allahut të thotë: 2936. “Muslimani është vëllai i muslimanit. Nëse takohet me të, e përshëndet me selam ose ia kthen atij me përshëndetje më të mirë se përshëndetja e tjetrit dhe jep gjithmonë maûn. Unë e pyeta: “O i Dërguari i Allahut, çfarë është maûn?” Ai tha: “Guri, hekuri e të ngjashme.” 267 (Domethënë, mjetet prej guri, hekuri e të ngjashme me to). Sidoqoftë, Allahu është më i ditur. Ky është fundi i përmbledhjes së tefsirit të sures Maun. Vetëm Allahut i takon lavdërimi e mirënjohja për mirësitë e Tij.

Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman) 107:1–107:7

Duke qortuar ata që shpërfillin të drejtat e Zotit dhe të drejtat e krijesave, i Lartësuari thotë: - “A e ke parë atë, që mohon Ditën e Gjykimit?” - Ata nuk besojnë ringjalljen dhe dhënien e llogarisë, ashtu si nuk besojnë mesazhet e sjella nga profetët prej Zotit të gjithësisë. Pikërisht këta lloj njerëzish janë ata të cilët shpërfillin edhe të drejtat e krijesave: - “Ky është ai që e përzë jetimin në mënyrë të vrazhdë. Dhe nuk nxit për të ushqyer të varfrin.” – Ata e dëbojnë jetimin me ashpërsi, duke mos treguar aspak mëshirë për të. Kjo sjellje vjen nga zemërngurtësia e tyre, për shkak se nuk shpresojnë shpërblim nga Allahu i Lartësuar dhe as nuk frikësohen nga ndëshkimi i Tij. Jo vetëm që sillen kështu për veten e vet, por pengojnë dhe të tjerët që ushqejnë jetimët dhe të vobektët. - “Mjerë për ata që falen, e që ndaj namazit të tyre janë të pakujdesshëm!” - Ky është një kërcënim për ata njerëz që janë të pakujdesshëm ndaj namazit, duke mos e falur në kohën e tij apo duke lënë mangët shtyllat dhe detyrat e namazit. Kjo vjen nga mosvëmendja e tyre ndaj kësaj çështjeje të rëndësishme. Ata nuk i japin rëndësinë që i takon këtij adhurimi, i cili konsiderohet si më kryesori dhe mënyra më e mirë për t’iu afruar Allahut të Lartësuar. Këtu bëhet fjalë për pakujdesi me vetëdije ndaj çështjeve të namazit. Ndërsa pakujdesia nga harresa mund t’i ndodhë çdokujt madje edhe Profetit (a.s.) i ka ndodhur që të ketë harruar diçka prej namazit. Ata që janë të pakujdesshëm ndaj namazit Allahu i Lartësuar i ka përshkruar si zemërgurë, të pamëshirshëm dhe shtiracakë. Ai thotë: - “Ata vetëm shtiren. Dhe nuk japin as sendin më të vogël.” - Ata kryejnë adhurime sa për t’u dukur në sy të njerëzve.

Përveç kësaj, ata janë shumë koprracë, madje edhe për gjëra fare të vogla, dhënia e të cilave nuk dëmton aspak, siç mund të jetë dhënia e një kove, e një kazme etj. Zakonisht, njerëzit japin dhe marrin të tilla gjëra pa asnjë problem, por për ata është përsëri e pamundur. Kur ata nuk duan që të japin edhe gjëra kaq të vogla, ç’mund të thuash për gjëra më të mëdha?! Në këtë sure, Allahu i Lartësuar na nxit për bamirësi ndaj jetimëve dhe të varfërve, madje na qorton nëse nuk e bëjmë këtë, duke e konsideruar si një sjellje të ngjashme me ata që nuk besojnë ringjalljen. Gjithashtu, kjo sure na nxit për të qenë të kujdesshëm në faljen e namazit. Ajo na nxit për sinqeritet në kryerjen e tij dhe në të gjitha adhurimet e tjera. Allahu i Lartësuar na nxit për të bashkëpunuar me njëri tjetrin, duke shkëmbyer shërbime dhe mjete të ndryshme, sepse në të kundërt do të jemi si ata të cilët qortohen në këtë sure. Allahu është më i ditur dhe falënderimi i takon Atij, që është Zoti i botërave!

← Maun 107:7